Thirrjet në Mision
1. Përvoja Juaj si Misionar/e Kohëplotë


The Savior’s Teaching on Discipleship [Mësimet e Shpëtimtarit mbi Dishepullimin], nga Justin Kunz

1

Përvoja Juaj si Misionar/e Kohëplotë

1.0

Hyrje

Misioni juaj në të vërtetë nuk filloi ditën që u veçuat dhe nuk do të mbarojë ditën që do të liroheni. Një mision nuk është si të veshësh uniformën e një punonjësi apo të shkollës në mëngjes vetëm për ta hequr atë sërish kur të mbarojë dita. Që nga koha kur u pagëzuat, ju keni qenë në shtegun e besëlidhjeve që çon drejt lumturisë, gëzimit dhe paqes së përjetshme. Përvoja e misionit tuaj kohëplotë mund të jetë një ngjarje transformuese, por gjithashtu duhet të jetë një pjesë përbërëse e përvojës misionare të jetës suaj.

Kur shihet nga një këndvështrim i përjetshëm, përvoja e misionit tuaj kohëplotë është më shumë se një kuti përzgjedhjeje që duhet shënuar e kryer – ajo është një mjet që të vazhdoni të bëheni një dishepull/e i/e Jezu Krishtit për tërë jetën.

Profeti Jozef Smith reflektoi mbi bekimet dhe privilegjet që kemi kur vendosim të bëhemi pjesë e kësaj vepre të madhërishme të shpëtimit. Ai i pyeti shenjtorët e hershëm: “Vëllezër [dhe motra], a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kuraj[ë], vëllezër [dhe motra]; dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara” (Doktrina e Besëlidhje 128:22).

Shijojeni përvojën tuaj misionare teksa e doni Perëndinë dhe e doni të afërmin tuaj. Kjo është një kohë për t’u gëzuar dhe për të përjetuar lumturi dhe paqe të përhershme nëpërmjet Jezu Krishtit.

1.1

Bindja

Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të bindur. Shpëtimtari dha mësim: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Zbatimi i urdhërimeve do të thotë që ju me gatishmëri dhe besnikëri bëni atë që kërkon Zoti, sepse ju e doni Atë dhe gjithashtu e bëni këtë gjë me “gëzim” (Kolosianëve 1:11) dhe me “thjeshtësi zemre” (Veprat e Apostujve 2:46).

Jezu Krishti është shembulli i besnikërisë së përsosur. Ai bëri vetëm vullnetin e Atit. Ndiqeni Atë duke bërë më të mirën tuaj që t’i zbatoni të gjitha urdhërimet e Tij dhe që të jetoni standardet misionare. Të jeni besnikë dhe të bindur gjithashtu do të thotë që ju përpiqeni të mësoni, të rriteni dhe të përmirësoheni, të korrigjoni me të shpejtë gabimet dhe të mbani përgjegjësi vetjake për veprimet tuaja.

Udhëheqësit tuaj të misionit do t’ju ndihmojnë vazhdimisht që të mësoni se si t’i vini në jetë parimet e këtij manuali.

Ju do të jeni më të sigurt kur i ndiqni urdhërimet dhe standardet misionare si dhe përdorni logjikën e shëndoshë. Por kuptoni se, edhe kur i zbatoni urdhërimet, ju mund të përjetoni shqetësim, sëmundje ose lëndim (shihni te Gjoni 16:33). Shpëtimtari i përjetoi të gjitha këto gjëra (shihni tek Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 122:8) dhe Ai premton: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18).

Perëndia ju do. Zgjidhni t’i zbatoni urdhërimet ngaqë e doni Perëndinë. Mos u përpiqni të bëni marrëveshje me Zotin dhe të prisni bekime të veçanta duke e përshtatur atë që kërkohet prej jush. Kërkesat që pritet t’i plotësoni, janë miratuar nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe gjenden në këto standarde. Për shembull, mos u përpiqni t’i vini kushte Zotit duke u zgjuar më herët, duke ndenjur pa ngrënë ose pa pirë (përtej agjërimit mujor) apo duke hequr dorë nga dita e përgatitjes.

1.2

Standarde për Gjithë Jetën

Perëndia ju fton t’i përkushtoheni Atij gjatë gjithë jetës suaj. Standarde të misionit, të tilla si studimi vetjak, vënia e synimeve dhe përdorimi siç duhet i teknologjisë, do t’ju bekojnë gjatë misionit tuaj dhe do t’ju ndihmojnë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës suaj.

Le të bëhen parime udhërrëfyese për tërë jetën tuaj urdhërimet te shkrimet e shenjta, parimet te manuali Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2019) dhe standardet misionare të përvijuara në këtë libër! Teksa i zbatoni urdhërimet dhe standardet e Perëndisë, Ai do t’ju drejtojë, bekojë dhe udhërrëfejë gjatë gjithë jetës suaj.