Gjoni 8
Gruaja që Ishte Kapur Duke Shkelur Kurorën Sillet Përpara Krishtit
Ndërkohë që Jezusi po jepte mësim në tempull, disa skribë dhe farisenj sollën tek Ai një grua që kishte shkelur kurorën. Ata e pyetën Atë nëse duhej ta vrisnin me gurë sipas ligjit të Moisiut (shih Levitiku 20:10). Përgjigjja e Jezusit për ta dhe për gruan mund të të japë njohuri të shkëlqyer lidhur me karakterin e Tij dhe mund të të ndihmojë ta ndjesh fuqinë e mëshirës së Tij.
Cilësitë e Jezu Krishtit
-
Kur është treguar dikush dashamirës me ty edhe kur je ndjerë sikur nuk e meritoje?
-
Çfarë ndikimi pati ajo te ti?
Jezusi tregoi dashamirësi të madhe për gruan që ishte kapur duke shkelur kurorën, çka nga ana e saj pati një ndikim të thellë tek ajo.Lexo te Gjoni 8:1–5 dhe kërko arsyen përse do të kishte qenë e vështirë t’i përgjigjeshe kësaj situate.
Kur skribët dhe farisenjtë e sollën gruan te Jezusi dhe e pyetën nëse ajo duhej të goditej me gurë për vdekje, ata e vendosën me qëllim Atë në një situatë të vështirë (shih Gjoni 8:6). Nëse Jezusi do të thoshte që të mos vritej gruaja me gurë, Ai do të akuzohej për moszbatim të ligjit të Moisiut (shih Eksodi 20:14). Nëse do të thoshte po, Ai do të kundërshtonte pikëpamjet e shumënjohura të njerëzve si edhe ligjin romak. Gjithashtu, Ai nuk do të tregonte mëshirë ndaj gruas, që ishte një gjë që Jezusi e bëri vazhdimisht gjatë shërbesës së Tij (shih New Testament Student Manual [2018], ChurchofJesusChrist.org).
Teksa studion përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj kësaj situate sfiduese, ti mund të përcaktosh disa cilësi që mund të të ndihmojnë të kuptosh më mirë se si është Shpëtimtari. Kërkimi i cilësive të Shpëtimtarit është një teknikë që mund ta përdorësh gjatë gjithë studimit të Dhiatës së Re. Të kuptuarit e këtyre cilësive mund ta rritë dëshirën tënde për t’u afruar më shumë me Krishtin.
Lexo te Gjoni 8:6–11 duke kërkuar cilësitë e Jezu Krishtit që mund t’i shohim në ndërveprimet e Tij me akuzuesit dhe gruan.
-
Çfarë cilësish demonstroi Shpëtimtari në ndërveprimet e Tij me njerëzit që e akuzuan gruan?
-
Çfarë cilësish demonstroi Shpëtimtari në mënyrën se si e trajtoi gruan?
-
Cilat fraza në shkrimet e shenjta i ilustrojnë këto cilësi?
Ti mund të duash t’i shenjosh frazat te Gjoni 8:6–11 që i tregojnë këto cilësi të Jezusit. Vër re që Shpëtimtari nuk ia fali kësaj gruaje mëkatet në atë kohë, por, përkundrazi, e nxiti atë që të “shko[nte] dhe [të] mos mëkato[nte] më” ( Gjoni 8:11).
-
Cilën nga këto cilësi dëshiron të zhvillosh më shumë? Përse?
-
Si mund ta lejosh Shpëtimtarin të të ndihmojë ta zhvillosh ose forcosh këtë cilësi në jetën tënde?
Mëshira e Shpëtimtarit na motivon të ndryshojmë
Një nga cilësitë hyjnore të Jezu Krishtit është që Ai është i mëshirshëm. “Mëshira është trajtimi me dhembshuri i një personi, shumë më tepër nga sa meritohet” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Mercy” [“Mëshira”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha pikëpamjet e mëposhtme për mëshirën me dhembshuri të Shpëtimtarit dhe ndikimin që ajo pati te gruaja:
“Sigurisht, Shpëtimtari nuk e shfajësoi shkeljen e kurorës. Por Ai gjithashtu nuk e dënoi gruan. Ai i dha asaj kurajë për ta ndryshuar jetën e vet. Ajo u nxit të ndryshonte për shkak të dhembshurisë dhe mëshirës së Tij. Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith‑it dëshmon për kthimin e saj, si rrjedhojë, në një dishepulle: ‘Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë, dhe besoi në emrin e tij’ [Përkthimi sipas Joseph Smith-it, Gjoni 8:11 ).”
(Dejll G. Renland, “Bariu Ynë i Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 30.)
-
Çfarë ndikimi pati mëshira e Shpëtimtarit te gruaja?
-
Si mendon, përse mëshira e Tij mund të ketë atë lloj ndikimi?
-
Si ndikon te ndjenjat e tua për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin dijenia që Ata e duan mëshirën?
Edhe pse Shpëtimtari nuk e shfajëson mëkatin, Ai fal. Ai do që ti të ndihesh i motivuar për t’u penduar dhe të vazhdosh të përpiqesh për të qenë më i mirë.
1. Kërko udhërrëfimin e Atit Qiellor nëpërmjet Shpirtit ndërsa u përgjigjesh pyetjeve vijuese. Shënoji përgjigjet e tua në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë ke mësuar rreth Shpëtimtarit sot që të motivon të pendohesh dhe të vazhdosh të përpiqesh për t’u bërë si Ai?
-
Si mendon, çfarë do të donte Shpëtimtari që ti të bëje ose të ndryshoje në jetën tënde ndërsa përpiqesh të bëhesh më shumë si Ai?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si bekohemi ne nga mëshira e Shpëtimtarit?
Duke folur për dëshirën e Shpëtimtarit që ne të vazhdojmë të përpiqemi kur bëjmë gabime, Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:
“Ndërkohë që jemi mirënjohës për mundësitë e dyta pas gabimeve ose dështimeve të mendjes, ne qëndrojmë plot habi përpara hirit të Shpëtimtarit kur na jep mundësi të dyta për ta mposhtur mëkatin ose dështimet e zemrës.
Askush nuk është nga ana jonë më shumë sesa Shpëtimtari. … Për t’u bërë si Ai do të na duhen mundësi të dyta të panumërta, në betejat tona ditë pas dite me njeriun e natyrshëm, të tilla si kontrollimi i orekseve, mësimi i durimit dhe i faljes, kapërcimi i plogështisë dhe shmangia e mëkateve nga mosveprimi, për të përmendur vetëm disa. …
Jam mirënjohës në përjetësi për dashamirësinë, durimin dhe vetëpërmbajtjen e dashur të Prindërve Qiellorë dhe Shpëtimtarit, që na lejojnë të kemi mundësi të dyta të panumërta në rrugëtimin tonë të kthimit për në praninë e Tyre.”
(Lin G. Robins, “Deri Shtatëdhjetë Herë Shtatë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 22–23.)
Si mund të mësoj të jem më i mëshirshëm si Shpëtimtari?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Në një botë akuzash dhe armiqësish, është e lehtë të gjesh arsye për të mbledhur e për të hedhur gurë gjykimi. Por përpara se të bëjmë kështu, le t’i kujtojmë fjalët e Atij që është Mjeshtri dhe modeli ynë: ‘Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin’ [Gjoni 8:7].
Vëllezër dhe motra, le t’i ulim gurët tanë.
Le të jemi [dashamirës].
Le të falim.
Le të flasim paqësisht me njëri-tjetrin.
Le t’i mbushë zemrat tona dashuria e Perëndisë.
“Le t’u bëjmë të mirën të gjithëve” [Galatasve 6:10].
(Diter F. Uhtdorf, “Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 76.)
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Që të jetë si Krishti, një njeri e do mëshirën. Njerëzit që e duan mëshirën, nuk janë gjykues; ata shfaqin dhembshuri për të tjerët, veçanërisht për ata që janë më pak fatlumë; ata janë të hirshëm, dashamirës dhe nderues. Këta njerëz e trajtojnë këdo me dashuri e mirëkuptim, pavarësisht nga tiparet të tilla si raca, gjinia, përkatësia fetare, orientimi seksual, gjendja shoqëroro‑ekonomike dhe dallimet fisnore, klanore apo kombëtare. Këto zëvendësohen nga dashuria si e Krishtit.”
(Dejll G. Renland, “Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 111.)
Si tregoi Shpëtimtari mëshirë pa shfajësuar sjelljen e padrejtë?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Zoti në mënyrë të dukshme nuk e shfajësoi mëkatin e gruas. Thjesht i tha asaj se Ai nuk e mallkoi gruan – që do të thotë, Ai nuk i dha asaj gjykimin përfundimtar në atë kohë. … Gruas së kapur duke shkelur kurorën iu dha kohë që të pendohej, kohë që do t’i ishte mohuar nga ata që donin ta vrisnin atë me gurë.”
(Dallin H. Oaks, “‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 8.)