Mateu 26:1–25
“Mos Jam Unë; Zot?”
Para festës së Pashkës judease, Maria e vajosi Shpëtimtarin me një vaj të çmuar dhe Juda komplotoi me krerët e priftërinjve dhe skribët për ta vrarë Jezusin. Gjatë darkës së Pashkës judease, Jezusi lajmëroi se do ta tradhtonin. Apostujt pyetën se kush do ta tradhtonte Shpëtimtarin duke i bërë pyetjen: “Mos jam unë: Zot?” Ky mësim mund të të ndihmojë të përdorësh fjalët e Shpëtimtarit në shkrimet e shenjta për të shqyrtuar jetën tënde dhe për të përcaktuar fushat e jetës në të cilat të nevojitet përmirësim.
Si e trajtojmë atë që vlerësojmë
Mendo për një person që është shumë i rëndësishëm për ty.
-
Përse ky person është kaq i rëndësishëm për ty?
-
Si e tregojnë veprimet e tua se sa i rëndësishëm është ky person për ty?
Në këtë pjesë të mësimit, ti do të studiosh se si disa individë e treguan me anë të veprimeve të tyre se sa shumë e donin dhe e vlerësonin Shpëtimtarin. Teksa studion, merre parasysh sa i rëndësishëm, madje jetik, është Shpëtimtari për ty dhe atë që mund të bësh për të treguar dashuri për Të.Disa ditë përpara se Jezusi të mblidhte Apostujt e Tij së bashku për darkën e Tij të fundit të Pashkës judease, Ai shkoi në Betani për të qëndruar me disa nga pasuesit e Tij (shih te Mateu 26:6 ; Gjoni 12:1).
Lexo te Gjoni 12:3–8 për të mësuar më shumë për atë që bëri Maria për Shpëtimtarin ndërkohë që Ai ishte në Betani.
-
Çfarë treguan veprimet e Maries për mënyrën se si e deshi dhe e vlerësoi ajo Shpëtimtarin?
-
Çfarë mund të mësosh për Shpëtimtarin nga kjo ndodhi?
-
Çfarë mendimesh apo ndjenjash ke pas reflektimit mbi këto të vërteta për Shpëtimtarin?
Te Mateu 26:3–5 , ne mësojmë se krerët e priftërinjve u këshilluan me njëri-tjetrin për mënyrën se si të bënin të mundur vrasjen e Jezusit. Lexo te Mateu 26:14–16 , duke kërkuar atë që ndodhi pak pasi Maria e vajosi Jezusin në Betani.
Mund të jetë interesante të dish se tradhtia e Jezusit nga ana e Judës për tridhjetë sikla argjendi përmbushi profecinë e profetit Zakaria të Dhiatës së Vjetër (shih te Zakaria 11:12). Gjithashtu, sipas ligjit të Moisiut, tridhjetë sikla argjendi ishte çmimi i përdorur për të dëmshpërblyer një pronar për vdekjen e një skllavi (shih te Eksodi 21:32).
-
Çfarë mëson duke krahasuar veprimet e Maries me veprimet e Judës?
Gjej një çast për ta shqyrtuar javën tënde deri tani.
-
Çfarë mundësish ke pasur për ta treguar dashurinë tënde për Shpëtimtarin?
-
A ka ndonjë çast kur ti do të doje të kishe bërë më mirë?
-
Çfarë mund të bësh ndryshe në të ardhmen për të treguar më plotësisht dashurinë tënde për Të?
Marrja parasysh se si fjalët e Jezusit gjejnë zbatim te ne
Jezusi mori pjesë në darkën e Pashkës judease, e njohur gjithashtu si Darka e Fundit, me Apostujt e Tij pak ditë pasi Maria e kishte vajosur Atë. Lexo te Mateu 26:20–21 , duke kërkuar lajmërimin që Shpëtimtari bëri gjatë kësaj darke.
-
Nëse do të kishe qenë njëri prej Apostujve, çfarë do të mund të kishe menduar në këtë çast?
Lexo te Mateu 26:22 për të parë se si u përgjigjën Apostujt.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë anëtar i Presidencës së Parë, tregoi një nga mësimet që mund të mësojmë nga përgjigjja e Apostujve. Mund të duash të shohësh materialin filmik “Mos Jam Unë, Zot?” në dispozicion në https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2014/10/lord-is-it-i?lang=alb, nga kodi kohor 1:09 deri në 2:30 ose të lexosh tekstin e mëposhtëm.
“Dishepujt nuk e dyshuan vërtetësinë e asaj që tha [Jezusi]. As nuk e hodhën vështrimin përreth, treguan dikë tjetër me gisht dhe pyetën: ‘Mos është ai?’
Përkundrazi, ata u ‘pikëlluan shumë dhe secili prej tyre filloi të thotë: ‘Mos jam unë; Zot?’ [ Mateu 26:22 ; theksimi i shtuar].
Pyes veten se çfarë do të bënte secili prej nesh. … A do ta hidhnim vështrimin te njerëzit përreth nesh dhe do të thoshim me vete: ‘Ai ndoshta po flet për Vëllanë Duka. Gjithmonë kam pasur dyshim për të’ ose ‘Jam i kënaqur që Vëllai Bregu është këtu. Ai ka vërtet nevojë ta dëgjojë këtë mesazh’? Apo ne, si ata dishepuj të lashtë, do të shihnim brenda vetes dhe do të bënim atë pyetje depërtuese: ‘Mos jam unë?’
Në këto fjalë të thjeshta, ‘Mos jam unë?’ gjendet fillimi i urtësisë dhe shtegu drejt kthimit vetjak në besim dhe ndryshimit jetëgjatë.”
(Diter F. Uhtdorf, “Mos Jam Unë, Zot?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 56)
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga kjo thënie dhe nga shembulli i Apostujve, është se të mësuarit e shqyrtimit të vetë jetës sonë sipas fjalëve të Shpëtimtarit, na ndihmon në shtegun drejt kthimit vetjak në besim dhe ndryshimit jetëgjatë.
-
Përse është e rëndësishme që ne të pyesim veten se si fjalët e Zotit gjejnë zbatim te ne në vend që të supozojmë se fjalët e Tij janë të synuara për dikë tjetër?
-
Cilat janë disa situata në jetën tënde kur ti mund të bësh pyetjen: “Mos jam unë, Zot?”
-
Çfarë di ti për Jezu Krishtin që mund të të nxitë të pyesësh: “Mos jam unë, Zot?”
Presidenti Uhtdorf tregoi dy shembuj të burimeve që ne mund t’i përdorim për të na ndihmuar të shqyrtojmë veten shpirtërisht:
“Më lejoni të sugjeroj se shkrimet e shenjta dhe bisedat e dhëna në konferenca të përgjithshme janë një pasqyrë frytdhënëse që mund ta vëmë përpara nesh për vetëshqyrtim.
Kur i dëgjoni ose i lexoni fjalët e profetëve të lashtë dhe të sotëm, hiqni dorë nga të menduarit se si ato fjalë gjejnë zbatim te dikush tjetër dhe bëni pyetjen e thjeshtë: ‘Mos jam unë, Zot?’”
(Diter F. Uhtdorf, “Mos Jam Unë, Zot?”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 58)
Gjej një çast për të menduar se sa shpesh mundohesh tʼi zbatosh shkrimet e shenjta ose mësimet nga konferenca e përgjithshme në jetën tënde. Mendo për bekimet që ke përjetuar për përpjekjet e tua për të përfshirë fjalët e Zotit në jetën tënde.
Ushtro zbatimin e fjalëve të Zotit në jetën tënde
Studio të paktën tre nga fragmentet vijuese për zotërimin doktrinor. Teksa studion, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të përcaktuar se si fjalët e Zotit në këto fragmente gjejnë zbatim te ti. Ti mund të duash gjithashtu të studiosh një bisedë të një konference të fundit të përgjithshme si pjesë e kësaj veprimtarie.
1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë mësimesh gjete që mund të gjejnë zbatim në rrethanat aktuale të jetës tënde?
-
Çfarë bekimesh mendon se mund të marrësh duke i zbatuar këto mësime në jetën tënde?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Përse e vajosi Maria Jezusin?
Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi:
“Të vajosje kokën e një miku me vaj të zakonshëm do të thoshte ta nderoje atë; t’i vajosje edhe këmbët do të thoshte të tregoje një nderim të pazakontë dhe të veçantë; por vajosja e kokës dhe e këmbëve me vaj erëkëndshëm dhe me një bollëk të atillë, ishte një akt blatimi nderues, që rrallë u jepej edhe mbretërve. Akti i Maries ishte një shprehje adhurimi; ajo ishte derdhja erëmirë e një zemre që gufonte nga adhurimi dhe dashuria.”
(James E. Talmage, Jesus the Christ [1916], f. 512)
Si mund ta shmangim autokritikën e tepruar ndërkohë që e pranojmë nevojën për vetëpërmirësim?
Motra Mishel D. Krejg, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, tregoi njohuritë e mëposhtme:
“Ne duhet t’i mirëpresim ndjenjat e pakënaqësisë së shenjtë që na thërrasin drejt një udhe më të lartë, ndërsa e dallojmë dhe e shmangim sajesën e Satanit – shkurajimin paralizues. Ky është një rast i çmuar, ku Satani është tejet i paduruar të veprojë. Ne mund të zgjedhim të ecim nëpër shtegun më të lartë që na bën ta kërkojmë Perëndinë dhe paqen e hirin e Tij, ose ne mund t’ia vëmë veshin Satanit, i cili na bombardon me mesazhe që ne kurrë nuk do të jemi mjaftueshëm [të mirë]: mjaftueshëm të pasur, mjaftueshëm të zgjuar, mjaftueshëm të bukur, mjaftueshëm në asgjë. Pakënaqësia jonë mund të bëhet shenjtëruese – ose shkatërrimtare.”
(Mishel D. Krejg, “Pakënaqësia e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 53)