“Cilat janë mënyrat më të mira për të treguar dashuri si të Krishtit?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Familja dhe Miqtë (2020)
“Cilat janë mënyrat më të mira për të treguar dashuri si të Krishtit?” Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Familja dhe Miqtë
Cilat janë mënyrat më të mira për të treguar dashuri si të Krishtit?
Lartësimi Shpirtëror i të Tjerëve
Ndonëse tërheqja ndaj së njëjtës gjini nuk është mëkat, ajo mund të jetë një sfidë. Ndonëse një njeri mund të mos ketë zgjedhur që t’i ketë këto ndjenja, ai ose jo mund të zotohet që t’i zbatojë urdhërimet e Perëndisë. Prindi i një fëmije që përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohet si gej, duhet të zgjedhë që ta dojë dhe ta përqafojë atë fëmijë. Si një komunitet anëtarësh të Kishës, ne duhet të zgjedhim që të krijojmë një komunitet mikpritës.
“Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë, para së gjithash, se gjithkush është në një vend të ndryshëm përgjatë shtegut dhe se ne ndërgjegjësohemi për njerëzit që janë përreth nesh.
Unë njoh njerëz që vijnë në kishë çdo të diel në mënyrë që të mund të frymëzohen dhe lartësohen shpirtërisht, dhe të cilët thjesht largohen duke u ndier të gjykuar dhe se nuk i duan. Të panevojshëm. Sikur nuk ka vend për ta në kishë. Ne duhet ta ndryshojmë qasjen. Ne kemi nevojë të jemi thellësisht të vetëdijshëm se cili është qëllimi i ardhjes në kishë të dielën dhe të sigurohemi se gjithsecili që vjen të ndihet se e duan, i nevojshëm, i pranuar dhe i lartësuar shpirtërisht. Çdo njeri ka vështirësi për të cilat as që kemi dijeni. Dhe është shumë e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm se Perëndia e do gjithsecilin përreth nesh dhe se kemi nevojë ta shohim atë me sy si të Krishtit. Dhe ne nuk mund ta lejojmë gjykimin të diktojë mënyrën se si bashkëveprojmë me njerëzit. Thjesht nuk është e drejtë. Unë ndiej se Zoti na vendos aty ku jemi dhe na lidh me njerëzit përreth nesh për një qëllim. Pasi nuk ka të bëjë vetëm me përparimin tonë vetjak, por për t’i ndihmuar të tjerët të përparojnë. Dhe kam arritur të kuptoj se ne jemi aty ku jemi në mënyrë që të mund t’i duam dhe t’i lartësojmë shpirtërisht të tjerët.
Thjesht nuk mund të jemi ose madje ta quajmë veten një dishepull të Krishtit nëse nuk po i ndihmojmë të tjerët përgjatë atij shtegu. Ungjilli i Jezu Krishtit nuk i lë mënjanë njerëzit. Njerëzit i lënë mënjanë njerëzit. Dhe neve na duhet ta rregullojmë atë. Kemi nevojë të jemi të ndjeshëm e t’i duam ata dhe t’u japim atyre mundësinë që të rriten e të lulëzojnë dhe të jenë vetja e tyre më e mirë. Ata kanë talente dhe aftësi e personalitete që janë të nevojshme në mbretërinë e Perëndisë. Dhe nëse do ta ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë në tokë, ne kemi nevojë që gjithsecili të vijë, të vijë dhe të bëjë pjesën e vet. Dhe ne duhet ta pranojmë atë. Kur hija e dikujt bie para derës së ndërtesës kishtare, ai ose ajo duhet të ndiejë menjëherë përqafime, që e duan, të ndihet i/e lartësuar shpirtërisht dhe i/e frymëzuar, që kur të dalë nga ajo derë, të shkojë e të jetë më i/e mirë. Për shkak se ai/ajo e di se Zoti e do. Dhe ngaqë ata kanë miq të besimit të tyre” (Carol F. McConkie, “Lifting Others”, ChurchofJesusChrist.org).
Shërbimi dhe Dashuria ndaj të Afërmit Tonë
“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’” (Mateu 22:37–39).
“Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15:12).
Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke i zbatuar urdhërimet e Tij (shih Gjoni 14:15) dhe duke e dashur njëri-tjetrin (shih Gjoni 13:34). Nëse keni një pjesëtar të familjes ose mik që përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohet si gej, duajeni atë. Presidenti Henri B. Ajring vërejti:
“Nëse doni të qëndroni afër me dikë që ka qenë i dashur për ju, por nga i cili jeni larguar, ju e dini se si ta bëni atë. Ju do të gjenit një mënyrë për t’i folur atij, do ta dëgjonit atë dhe do të zbulonit mënyra për të bërë gjëra për njëri-tjetrin. Sa më shpesh që të ndodhte ajo, sa më shumë që të zgjaste, aq më e thellë do të ishte lidhja e dashurisë. Nëse do të kalonte shumë kohë pa folur, pa dëgjuar dhe pa bërë gjë, lidhja do të dobësohej.
Perëndia është i përkryer e i plotfuqishëm dhe unë e ju jemi të vdekshëm. Por Ai është Ati ynë, Ai na do dhe na ofron të njëjtën mundësi për t’u afruar më pranë Tij, ashtu siç do të bënte një mik i dashur. Dhe ju do ta bëni atë pothuaj në të njëjtën mënyrë: duke folur, duke dëgjuar dhe duke bërë” (“To Draw Closer to God”, Ensign, maj 1991, f. 66).
Ju e tregoni dashurinë tuaj për Perëndinë duke i dashur dhe duke u shërbyer të tjerëve.
“Dhe vini re, unë jua them këto gjëra që ju të mund të mësoni urtësi; që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).
Çfarë do të thotë ta duam njëri-tjetrin? Dashuria tregon kujdes. Dashuria dëgjon. Dashuria përfshin. Dashuria frymëzon. Dashuria është në zemër të asaj që na bën njerëzorë, sepse ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe “Perëndia është dashuri” (1 Gjon 4:8). Në Darkën e Fundit, Shpëtimtari përsëriti: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35).
Respektimi i Ndasive
Nëse keni një pjesëtar të familjes ose mik që përjeton tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohet si gej, duajeni atë. Urdhërimi për ta dashur njëri-tjetrin përfshin ata të cilët nuk e shohin botën në të njëjtën mënyrë siç e shohim ne.
Siç shpjegoi Presidenti Dallin H. Ouks:
“Në kaq shumë marrëdhënie dhe rrethana në jetë, ne duhet të jetojmë me ndryshimet. Atje ku është jetike, ana jonë e këtyre ndryshimeve nuk duhet të mohohet apo braktiset por, si pasues të Krishtit, ne duhet të jetojmë në paqe me të tjerët që nuk kanë të njëjtat vlera me ne apo që nuk i pranojnë mësimet mbi të cilat ato bazohen. Plani i [Atit për shpëtimin], të cilin ne e njohim me anë të zbulesës profetike, na vendos në një rrethanë në vdekshmëri ku ne duhet t’i mbajmë urdhërimet e Tij. Kjo përfshin t’i duam fqinjët tanë me kultura dhe bindje të ndryshme, ashtu siç Ai na ka dashur ne. Ashtu si dha mësim [një] profet i Librit të Mormonit, ne duhet të shkojmë përpara, duke pasur ‘dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit’ (2 Nefi 31:20)” (“Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Liahona, nëntor 2014, f. 28).