Vetëvrasja
Parandalimi i Vetëvrasjes dhe Reagimi pas Humbjes së Dikujt nga Vetëvrasja


Parandalimi i Vetëvrasjes dhe Reagimi pas Humbjes së Dikujt nga Vetëvrasja

Shkalla në rritje e vetëvrasjeve në shumë vende të botës është një çështje që përbën shqetësim madhor. Qëllimi i këtij dokumenti është t’u vijë në ndihmë prindërve, familjeve, udhëheqësve të Kishës dhe anëtarëve të Kishës teksa kërkojnë t’u japin shërbesë atyre që janë prekur nga vetëvrasja.

Anëtarët mund ta përdorin këtë burim për të mësuar rreth doktrinës së Kishës mbi vetëvrasjen, shenjave paralajmëruese të vetëvrasjes, mënyrës se si ta ndihmojnë dikë në krizë dhe se si të reagojnë pas humbjes së dikujt nga vetëvrasja. Udhëheqësit mund ta përdorin këtë burim për të udhëhequr diskutime kuptimplote me anëtarët në këshilla të kunjeve dhe të lagjeve dhe në mjedise të tjera. Qëllimi i këtyre diskutimeve është t’i ndihmojë udhëheqësit dhe anëtarët për t’u dhënë shërbesë në mënyrë më të efektshme atyre që janë prekur nga vetëvrasja.

Nëse zhvillimi i një diskutimi rreth vetëvrasjes do të ndihmonte për parandalimin e vetëvrasjes dhe për dhënien e shërbesës ndaj atyre që janë prekur nga kjo temë, një diskutim i tillë duhet të udhëhiqet nga dy persona në moshë madhore. Udhëheqësit mund të dëshirojnë të ftojnë një profesionist nga komuniteti, i cili e kupton dhe e respekton doktrinën e Kishës mbi vetëvrasjen, që të marrë pjesë në diskutim. Diskutimet me fëmijë nën 12 vjeç duhet të ndodhin vetëm pasi prindërit të jenë këshilluar me fëmijët e tyre.

Pasi këshillat e kunjeve dhe të lagjeve ta kenë shqyrtuar këtë dokument, ata duhet të diskutojnë mbi mënyrat e përshtatshme për t’i përkrahur përpjekjet e komunitetit dhe për t’i informuar anëtarët rreth burimeve në dispozicion.

Doktrina dhe Parimet

Zoti na ftoi t’i trajtojmë të gjithë njerëzit me mirëkuptim dhe dhembshuri kur dha mësim: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Përpjekjet tona për t’u dhënë shërbesë atyre që janë prekur nga vetëvrasja do të jenë më të efektshme kur i kuptojmë më plotësisht doktrinën dhe mësimet, të tilla si ato në vijim:

  • Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti përjetoi plotësinë e sfidave të vdekshmërisë në mënyrë që Ai të mund të dinte “sesi të ndihmo[nte] popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:11–13). Xhejms E. Faust dha mësim: “Duke qenë se Shpëtimtari ka vuajtur gjithçka dhe çdo gjë që ne mund të ndiejmë ose përjetojmë ndonjëherë, Ai mund ta ndihmojë të dobëtin të bëhet më i fortë” (“The Atonement: Our Greatest Hope”, Ensign, nëntor 2001, f. 22).

  • Jeta në vdekshmëri është një dhuratë e çmuar nga Perëndia – një dhuratë që duhet vlerësuar dhe mbrojtur (shih te Doktrina e Besëlidhje 18:10; M. Russell Ballard, “Suicide: Some Things We Know, and Some We Do Not”, Ensign, tetor 1987, f. 6–9).

  • Kur dikush i merr jetën vetes, vetëm Perëndia është në gjendje t’i gjykojë mendimet e tij, veprimet e tij dhe nivelin e përgjegjshmërisë së tij. Vetëvrasja nuk ka pse të jetë karakteristika përkufizuese e jetës së përjetshme të një individi (shih te 1 Samuelit 16:7; Doktrina e Besëlidhje 137:9; Dale G. Renlund, “Grieving after a Suicide Loss”, materiali filmik në suicide.lds.org).

Burime shtesë:

  • Temat e Ungjillit në topics.lds.org dhe në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]

Shenjat Paralajmëruese të Vetëvrasjes

Shumica e njerëzve që bëjnë tentativë për vetëvrasje, nuk dëshirojnë të vdesin; ata thjesht dëshirojnë çlirim nga dhembja fizike, mendore, emocionale ose shpirtërore që po kalojnë. Shumë njerëz në krizë shfaqin shenja paralajmëruese përpara se të bëjnë tentativë për vetëvrasje. Nëse mësoni t’i njihni shenjat paralajmëruese, do të jeni më të mirëpërgatitur për t’u dhënë shërbesë atyre që kanë nevojë për ndihmë. Mbani vesh për pohime të tilla si: “Nuk dua t’ia di a vdes” ose “Të gjithë do të ishin shumë më mirë pa mua”. Shenjat paralajmëruese përfshijnë sjelljet vijuese:

  • Kërkimi i një mënyre për të vrarë veten

  • Bisedat rreth të ndierit i/e pashpresë ose e mospasjes së asnjë arsyeje për të jetuar

  • Bisedat rreth të ndierit në kurth ose në dhembje të padurueshme

  • Bisedat rreth të qenit një barrë për të tjerët

  • Shtimi i përdorimit të alkoolit ose drogës nga ana e tyre

  • Dhurimi i sendeve vetjake pa asnjë arsye

  • Veprimi me ankth, ose të qenit të trazuar, apo sjellja moskokëçarëse

  • Veçimi ose izolimi i vetes

  • Shfaqje tërbimi ose biseda rreth kërkimit të hakmarrjes

  • Shfaqje ndryshimesh të skajshme të humorit (shih National Suicide Prevention Lifeline)

Një shenjë paralajmëruese në vetvete mund të mos nënkuptojë që ka një krizë. Por nëse individi ka një histori tentativash, ose nëse dalloni një ndryshim të papritur tek individi, apo filloni të shihni shenja të shumëfishta, veproni menjëherë. Linja telefonike falas për ndihmë në rast krize dhe informacion shtesë janë në dispozicion në suicide.lds.org. (Shih “Si ta Ndihmoni Dikë në Krizë” në këtë udhëzues për më shumë hollësi.)

Pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, jo të gjitha vetëvrasjet mund të parandalohen. Disa vetëvrasje ndodhin pa asnjë paralajmërim të dukshëm. Ju nuk jeni përgjegjës për zgjedhjen e dikujt tjetër për t’i dhënë fund jetës.

Burime shtesë:

Si ta Ndihmoni Dikë në Krizë

Merrini gjithnjë seriozisht shenjat paralajmëruese të vetëvrasjes dhe çfarëdo kërcënimi për tentativë vetëvrasjeje, edhe nëse mendoni se individi nuk po mendon seriozisht rreth vetëvrasjes ose thjesht po kërkon vëmendje. Ndiqini këta tre hapa për të ofruar përkrahje – Pyetni, Interesohuni, Thuajini Dikujt.

Hapi 1: Pyetni. Pyeteni personin drejtpërdrejt a po mendon ai ose ajo rreth vetëvrasjes. Mund të pyetni: “A po mendon t’i japësh fund jetës?” Nëse thonë se po mendojnë rreth vetëvrasjes, pyetini a kanë ndonjë plan. Mund të pyetni: “A ke ndonjë plan për të lënduar veten?” Nëse kanë një plan, ndihmojini menjëherë që të shkojnë në një spital ose klinikë për kujdesin shëndetësor, apo telefonojini një ofruesi shërbimesh për urgjenca, ose një linje telefonike për ndihmë në rast krize në zonën tuaj. (Vizitoni suicide.lds.org/crisis për linja telefonike për ndihmë nëpër botë.) Nëse nuk kanë ndonjë plan, kaloni te hapi 2.

Hapi 2: Interesohuni. Tregojeni që interesoheni duke i dëgjuar ato që thonë. Jepuni kohë ta shpjegojnë se si ndihen. Respektojini ndjenjat e tyre duke thënë diçka të tillë si: “Më vjen keq që ke kaq shumë dhembje” ose “Nuk e kisha kuptuar sa të vështira qenë gjërat për ty”. Mund të ofroheni t’i ndihmoni ata të krijojnë një plan sigurie për parandalimin e vetëvrasjes (shih “How to Create a Suicide-Prevention Safety Plan”, Doug Thomas, Ensign, shtator 2016, f. 63). Një plan sigurie mund t’i ndihmojë njerëzit t’i përcaktojnë pikat e tyre vetjake të forta, marrëdhëniet pozitive dhe aftësitë e shëndetshme të përballimit të jetës. Ai gjithashtu mund ta zvogëlojë qasjen e tyre te mjetet vetëdëmtuese, të tilla si armët ose barnat. Nëse ju kërkojnë të mos i thoni askujt për ndjenjat e tyre, shpjegoni se do ta respektoni privatësinë e tyre sa më shumë që të jetë e mundur, por që atyre u nevojitet me tepër ndihmë nga sa mund të jepni ju. Mos premtoni kurrë që t’i mbani sekret mendimet e tyre për vetëvrasje.

Hapi 3: Thuajini Dikujt Nxiteni personin t’ia thotë dikujt që mund t’i ofrojë më tepër përkrahje. Jepini informacion kontakti për burime të dobishme në zonën tuaj. Burimet mund të përfshijnë spitalet, klinikat për përkujdesje të ngutshme ose linja telefonike falas për ndihmë në rast krize. Nëse nuk do të kërkojnë ndihmë, duhet t’i thoni dikujt për ata. Mund të dëshironi të thoni diçka të tillë si: “Unë interesohem për ty dhe dua që të jesh i/e sigurt. Do t’i them dikujt që mund të të ofrojë ndihmën që të nevojitet.” Respektojeni privatësinë e tyre duke i thënë vetëm dikujt që mendoni se mund të ndihmojë, të tillë si një pjesëtari të afërt të familjes, peshkopit të personit, një këshilltari në shkollë, një mjeku ose një profesionisti tjetër për kujdesin shëndetësor. Nëse nuk jeni të sigurt se kujt t’i thoni, bisedoni me peshkopin tuaj ose telefonojini një linje telefonike falas për ndihmë në rast krize në zonën tuaj. Mbajeni mend, nuk pritet nga ju që ta përkrahni personin vetëm.

Shënim: Nëse po udhëhiqni një diskutim, merreni parasysh t’u kërkoni pjesëmarrësve t’i ushtrojnë këta hapa. Jepuni një situatë ku dikush vjen tek ata dhe shpreh mendime vetëvrasëse dhe kërkojuni të ushtrohen për mënyrën se si do të reagojnë.

Burime shtesë:

Si të Reagoni pas një Vetëvrasjeje

Pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, jo të gjitha vetëvrasjet mund të parandalohen. Është normale për ata që mbeten pas një vetëvrasje që të kenë ndjenja mohimi, tronditjeje, faji, zemërimi dhe pështjellimi. Presidenti M. Rasëll Ballard tha: “Vepra e marrjes së jetës së vetvetes është vërtet një tragjedi sepse kjo vepër e vetme lë kaq shumë viktima: të parin atë që vdes, pastaj duzina të tjerësh – familjen dhe miqtë – që lihen prapa, disa për t’u përballur me vite dhembjeje e pështjellimi të thellë” (“Suicide: Some Things We Know, and Some We Do Not”, Ensign, tetor 1987, f. 7). Për këta individë, shërimi vjen nëpërmjet Shpëtimtarit, i cili “zbriti nën gjithçka” që të mund ta dinte “sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre ” (Doktrina e Besëlidhje 88:6; Alma 7:12). Burimet dhe këshillimi profesional mund të jenë gjithashtu të dobishme.

Këshillat e kunjeve dhe të lagjeve mund të dëshirojnë të diskutojnë për mënyrën se si mund ta përkrahin një individ ose familje pas një vetëvrasjeje. Pyetjet për t’u diskutuar mund të përfshijnë sa vijon:

  • Si mund t’i sjellin shërim individit ose familjes mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit?

  • Çfarë nevojash kanë vëzhguar vëllezërit dhe motrat shërbestare te personi ose familja? Çfarë shërbimi kanë dhënë ata?

  • Çfarë përkrahjeje emocionale ose shpirtërore do t’i nevojitet familjes në vijimësi? Kush mund ta ofrojë këtë përkrahje?

  • A ka personi ose familja nevoja materiale, të tilla si transporti ose ushqimi?

  • Si mund t’i përkrahin udhëheqësit e organizatave ndihmëse të lagjes fëmijët dhe të rinjtë e të rejat që kanë humbur një njeri të dashur?

Procesi i vuajtjes së brengës pas një vetëvrasjeje mund të zgjatë për shumë kohë. Nëse dikush vazhdon të ndiejë dhembje ose brengë të madhe, këshillohuni me të tjerë që kujdesen për atë person. Merreni parasysh me lutje se si mund të ofroni përkrahje në mënyrën më të mirë. Mund të dëshironi ta ndihmoni personin të marrë një bekim nga priftëria ose të lidhet me burimet në zonën tuaj. Grupet e përkrahjes për brengosjen, mjekët ose profesionistë të tjerë të kujdesit shëndetësor mund të jenë të dobishëm.

Shënim: Nëse po udhëhiqni një diskutim, mos flisni për mënyrën se si dikush i dha fund jetës. Kjo, në mënyrë të paqëllimshme, mund ta nxitë dikë në grup që ta kopjojë sjelljen e përshkruar. Nëse dikush fillon t’i japë këto hollësi në një mjedis grupi, ridrejtojeni bisedën në një mënyrë dashamirëse.

Burime shtesë:

Burime të Tjera

Këshilla nga Udhëheqës të Kishës

Përvoja Vetjake nga Anëtarë

Burime të Tjera nga Kisha

Shih suicide.lds.org për burime shtesë

Shtyp në Letër