2012
Gjetja e Kohës për të Folur e për të Dëgjuar
Prill 2012


Shtëpitë Tona, Familjet Tona

Gjetja e Kohës për të Folur e për të Dëgjuar

Nga një fjalim i mbajtur në një transmetim satelitor të konferencës së kunjit në Solt-Lejk-Siti më 24 tetor 2010.

Përpjekja jonë e qëllimshme për të komunikuar më mirë sot, do t’i bekojë familjet tona përjetësisht.

Rozmari M. Uiksom

Në një botë të përkryer çdo fëmijë do të kthehej nga shkolla në shtëpi duke u mirëpritur me një pjatë biskotash të sapopjekura me çokollatë, një gotë të madhe me qumësht të ftohtë dhe me një nënë të gatshme për të gjetur kohën për të folur dhe për të dëgjuar rreth ditës së fëmijës së saj. Ne nuk jetojmë në një botë të përkryer, kështu që ju mund t’i anashkaloni biskotat dhe qumështin, nëse dëshironi, por ju nuk duhet ta anashkaloni “gjetjen e kohës për të folur e për të dëgjuar”.

Njëzet e nëntë vite më parë, Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, vërejti trishtueshëm se familjet kalojnë shumë pak kohë së bashku. Mendoni për këtë – 29 vite më parë – në konferencën e përgjithshme: “Një nga problemet kryesore të shoqërisë së sotme është se ne kalojmë sa vjen e më pak kohë së bashku. … Koha së bashku është kohë e çmuar – kohë e nevojshme për të folur, për të dëgjuar, për të dhënë nxitje dhe për për të treguar se si t’i bëjmë gjërat.”1

Ndërsa ne kalojmë kohë së bashku dhe flasim me fëmijët tanë, ne arrijmë t’i njohim ata dhe ata arrijnë të na njohin ne. Përparësitë tona, ndjenjat e sinqerta të zemrës sonë, do të bëhen pjesë e bashkëbisedimit tonë me secilin fëmijë.

Cili është mesazhi më i rëndësishëm i zemrës suaj që ju do të zgjidhnit t’ia tregonit fëmijës suaj?

Profeti Moisiu na mëson te Ligji i Përtërirë:

“Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.

Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde;

do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh” (Ligji i Përtërirë 6:5–7; theksimet shtuar).

Dhe më lejoni të shtoj një tjetër: “Dhe kur të hani së bashku darkën në tryezë”.

Nëse dëshirojmë që familjet tona të jenë bashkë përgjithmonë, ne duhet ta fillojmë këtë proces sot. Kalimi i kohës duke folur me fëmijët tanë është një investim për familjen tonë të përjetshme ndërsa ecim në shtegun drejt jetës së përjetshme së bashku.

Një nënë nga Ilinoisi në SHBA, tregoi se si gjeti kohë për të folur me fëmijët e saj:

“Kur fëmijët ishin të vegjël, unë e kisha zakon të shikoja disa programe të parapëlqyera televizive. … Fatkeqësisht, programet fillonin në të njëjtën kohë kur fëmijët shkonin në shtrat.

… Erdhi një pikë kur kuptova se unë i kisha vënë programet e mia në krye të listës time të përparësive dhe fëmijët e mi i kisha vënë shumë më poshtë. Për pak kohë, unë u përpoqa t’i lexoja tregimet përpara gjumit me televizorin ndezur, por unë e dija në zemrën time se ajo nuk ishte mënyra më e mirë. Ndërsa meditoja për ditët dhe javët që kisha humbur me zakonin tim të televizorit, fillova të ndihesha fajtore dhe vendosa të ndryshoja. U desh pak kohë që të bindja veten se unë mund ta fikja me të vërtetë televizorin.

Pas pothuajse dy javëve që e kisha lënë televizorin fikur, unë ndieva se m’u lehtësua disi një barrë. E kuptova se ndihesha më mirë, madje disi më e pastër dhe e dija se kisha bërë zgjedhjen e duhur.”2

Koha përpara gjumit është një kohë e përsosur për të folur.

Helamani tha për djemtë luftëtarë: “Dhe më përsëritën fjalët e nënave të tyre, duke thënë: Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinin atë” (Alma 56:48).

Ishin “fjalët e nënave të tyre” që i mësuan ata. Ndërsa flisnin me fëmijët e tyre, këto nëna u mësuan fjalën e Perëndisë.

Ruajtja e Komunikimit Vetjak

Shumë të mira vijnë nga komunikimi dhe kundërshtari është në dijeni të fuqisë së fjalës së folur. Ai do të dëshironte shumë që të pakësonte shpirtin që vjen në shtëpitë tona kur ne flasim, dëgjojmë, nxisim njëri-tjetrin dhe i bëjmë gjërat bashkë.

Satani u orvat më kot të pengonte Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në këtë periudhë ungjillore kur ai u përpoq të ndalonte një bisedë vendimtare mes Jozef Smithit dhe Perëndisë, Atit, e Birit të Tij, Jezu Krishtit.

Me fjalët e Jozefit: “Papritur u mbërtheva nga një fuqi që më pushtoi të tërin dhe që kishte një ndikim kaq të mahnitshëm mbi mua, sa të ma lidhte gjuhën, kështu që unë nuk mund të flisja” (Joseph Smith – Historia 1:15).

Kundërshtarit do t’i pëlqente shumë të na i lidhte gjuhët – gjithçka vetëm që të na pengojë ne t’i shprehim gojarisht ndjenjat e zemrave tona ballë për ballë. Ai merr kënaqësi nga largësia dhe hutimi; ai merr kënaqësi nga zhurma; ai merr kënaqësi nga komunikimi i përgjithshëm (i paadresuar) – gjithçka që do të na mbante ne larg nga ngrohtësia e një zëri dhe ndjenjat e afërta që vijnë nga bisedimi kokë më kokë.

Dëgjimi i Zemrave të Fëmijëve Tanë

Të dëgjosh është aq e rëndësishme sa të flasësh. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Nëse ne dëgjojmë me dashuri, ne nuk do të kemi nevojë të vrasim mendjen se çfarë të themi. Ajo do të na jepet neve … nëpërmjet Shpirtit.”3

Kur mbajmë vesh, ne i kuptojmë ndjenjat e zemrave të atyre që na rrethojnë. Ati Qiellor ka një plan për çdonjërin nga fëmijët e Tij. Përfytyroni nëse ne do të mund ta shihnim planin individual për çdonjërin nga fëmijët tanë. Po sikur të mund ta dinim se si t’i zmadhonim dhuratat e tyre shpirtërore? Po sikur të mund të dinim se si ta nxisnim një fëmijë që të arrijë potencialin e tij apo të saj? Po sikur të mund ta dinim se si të ndihmojmë çdo fëmijë që të zhvillohet nga besimi si i fëmijës te dëshmia?

Si mund ta dimë?

Ne mund të fillojmë ta dimë duke dëgjuar.

Një baba shenjtor i ditëve të mëvonshme tha: “Unë bëj një të mirë më të madhe kur i dëgjoj fëmijët e mi sesa kur u flas atyre. … Unë kam mësuar me kohë se fëmijët e mi nuk i duan përgjigjet e mia të gatshme, të vërtetuara në kohë dhe të mençura. … Për ta të qenit në gjendje që të bëjnë pyetje dhe që t’iu flas rreth problemeve të tyre është më e rëndësishme se të marrin përgjigjet e mia. Zakonisht kur ata mbarojnë së foluri, nëse unë kam dëgjuar mjaftueshëm mirë dhe gjatë, ata nuk kanë nevojë për përgjigjen time. Ata e kanë gjetur tashmë përgjigjen.”4

Duhet kohë për t’u përqendruar në gjërat që kanë më shumë rëndësi. Bisedimi, mbajtja vesh dhe nxitja nuk ndodhin me shpejtësi. Ato nuk mund të nxitohen ose të planifikohen – ato ndodhin më së miri përgjatë rrugës. Ato ndodhin kur ne i bëjmë gjërat bashkë: punojmë së bashku, krijojmë së bashku dhe luajmë së bashku. Ato ndodhin kur ne fikim televizorin dhe mediat e tjera, lëmë mënjanë hutimet e botës dhe përqendrohemi te njëri-tjetri.

Tani, kjo është diçka e vështirë për t’u bërë. Kur ndalemi dhe e fikim çdo gjë, ne duhet të jemi të përgatitur për atë që do të ndodhë më pas. Në fillim qetësia mund të jetë e sikletshme; një ndjenjë e çuditshme humbjeje mund të vijë nga kjo. Jini të duruar, prisni vetëm pak sekonda dhe më pas kënaquni me të. Jepuni vëmendjen tuaj të plotë atyre që ju rrethojnë duke u bërë një pyetje për veten dhe më pas filloni të dëgjoni. Prindër, flisni rreth diçkaje për të cilën interesohet fëmija juaj. Qeshni me të shkuarën – dhe ëndërroni për të ardhmen. Bisedimi qesharak mundet madje të ndryshohet në një diskutim kuptimplotë.

Ta kemi Përparësi Qëllimin Tonë të Përjetshëm

Pranverën e kaluar, ndërsa po vizitoja një klasë të të rejave, mësuesja na kërkoi si klasë që të shkruanim 10 përparësitë tona. Unë fillova të shkruaja menjëherë. Duhet ta pranoj, mendimi im i parë filloi me: “Numër 1: të pastroj sirtarin e lapsave në kuzhinë”. Kur lista jonë ishte plotësuar, udhëheqësja e Të Rejave na kërkoi të tregonim atë që kishim shkruar. Ebi, që sapo kishte mbushur 12 vjeç, ishte ulur pranë meje. Kjo ishte lista e Ebit:

  1. Të shkoj në universitet.

  2. Të bëhem stiliste mjedisesh të brendshme.

  3. Të shkoj në mision në Indi.

  4. Të martohem në tempull me një misionar të kthyer nga misioni.

  5. Të kem pesë fëmijë dhe një shtëpi.

  6. T’i dërgoj fëmijët e mi në misione dhe në universitet.

  7. Të bëhem një gjyshe “dhënëse-biskotash”.

  8. Të llastoj nipërit e mbesat.

  9. Të mësoj më shumë rreth ungjillit dhe të shijoj jetën.

  10. Të kthehem e të jetoj me Atin në Qiell.

Unë them: “Faleminderit, Ebi. Ti më mësove rreth të pasurit të një kuptueshmërie për planin që Ati Qiellor ka për secilin prej nesh. Kur e dini që po ecni në një shteg, pavarësisht nga rrugët e tërthorta që mund të dalin, ju do të jeni mirë. Kur shtegu juaj është i përqendruar te qëllimi përfundimtar – ai i ekzaltimit dhe kthimit te Ati Qiellor, ju do të arrini atje.”

Nga e mori Ebi këtë kuptim të qëllimit të përjetshëm? Ai fillon në shtëpitë tona. Ai fillon në familjet tona. Unë e pyeta atë: “Çfarë bëni në familjen tuaj për t’i krijuar këto përparësi?”

Kjo ishte përgjigjja e saj: “Përveç leximit të shkrimeve të shenjta, ne po studiojmë Predikoni Ungjillin Tim”. Pastaj ajo shtoi: “Ne flasim shumë – gjatë mbrëmjes familjare, gjatë ngrënies në darkë së bashku dhe ndërsa ngasim makinën”.

Nefi shkroi: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krisht, ne predikojmë për Krishtin”. Përse? “Që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:26).

Të folurit, të dëgjuarit, nxitja e njëri-tjetrit dhe bërja e gjërave së bashku si familje, do të na afrojnë me Shpëtimtarin tonë, i cili na do. Përpjekja jonë e qëllimshme për të komunikuar më mirë sot – pikërisht sot – do t’i bekojë familjet tona përjetësisht. Unë dëshmoj se kur ne flasim për Krishtin, ne gjithashtu gëzohemi në Krishtin dhe në dhuratën e Shlyerjes. Fëmijët tanë do arrijnë ta dinë “se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”.

Shënime

  1. James E. Faust, “Enriching Family Life”, Ensign, maj 1983, f. 41.

  2. Susan Heaton, “Talk Time Instead of TV Time”, Ensign, tetor 1998, f. 73.

  3. Jeffrey R. Holland, “Witnesses unto Me”, Liahona, korrik 2001, f. 16.

  4. George D. Durrant, “Pointers for Parents: Take Time to Talk”, Ensign, prill 1973, f. 24.

Fotografi e Motrës Uiksom © Busath Photography; ilustrimet me foto nga Bradley Slade