Unë do të Vdes!
Ramona Ros, Tenesi, SHBA
Kur punoja si infermiere në një pavion plot punë për shërimin pas ndërhyrjeve kirurgjikale, një ditë unë mora një telefonatë lidhur me një pacient të quajtur Bill, që sapo i ishte nënshtruar operacionit. Ai duhet të kishte shkuar në pavionin e reanimacionit, por ishte caktuar tek unë për shkak se ai pavion ishte plot.
Pacienti pas pak mbërriti tek unë bashkë me familjen e tij. U ndieva e lehtësuar kur pashë se ai ishte zgjuar, e dinte çfarë kishte ndodhur e ku ndodhej dhe nuk ishte në gjendje të dukshme vuajtjeje.
Pasi i mata pulsin, tensionin e gjakut e temperaturën dhe pasi i tregova atij e familjes për dhomën e tij, unë dola në korridor për të bërë një shënim në kartelën e tij. Sapo stilolapsi im preku letrën unë dëgjova një zë të thoshte: “Kthehu në dhomën e tij”. Unë ndalova së shkruari dhe pashë prapa. Atje s’kishte njeri. Unë mendova se zëri ishte në imagjinatën time, kur papritmas e dëgjova atë për herë të dytë – veçse më fort.
Unë vrapova për te dhoma e Billit dhe pashë se qafa e tij ishte dyfishuar në përmasë dhe ai kishte probleme me frymëmarrjen. Duke menduar se arteria e tij e qafës kishte plasur, unë ushtrova trysni te qafa e tij me dorën time të djathtë ndërsa e përdora dorën time të majtë për të marrë në telefon kirurgun që kishte kryer ndërhyrjen. Kirurgu tha se ai do të dërgonte një ekip që ta merrte Billin sa më shpejt të ishte e mundur. “Dhe mos e hiq dorën prej andej!” tha ai.
Ndërsa vazhdoja t’i shtypja qafën, unë vura re një libër të njohur Kishe pranë shtratit të Billit. “Je anëtar i Kishës”? pyeta unë.
Ai u përpoq të pohonte me kokë dhe më pas më tha se ai ishte një punonjës ordinancash në tempullin e Atlantas në Xhorxhia. Më pas ai përpëliti sytë duke lotuar dhe tha: “Unë do të vdes!”
Unë i thashë se nuk kishte për të vdekur, duke i thënë me vendosmëri: “Unë do të martohem në tempullin e Atlantës muajin që vjen dhe ti ke për të qenë atje”. Më pas mbërriti ekipi i kirurgjisë dhe e morën Billin me të shpejtë.
Nga entuziazmi i planeve të dasmës muajin që vinte, unë pothuajse e harrova Billin, që siç rezultoi kishte pasur reaksion nga mjekimi. Por ndërsa bashkëshortja e presidentit të tempullit më drejtoi për te dhoma e vulosjes ditën e martesës time, unë pashë një fytyrë të njohur: Bashkëshorten e Billit, Xhorxhian. Kur i thashë asaj se pas pak do të martohesha, ajo shkoi të gjente Billin. Pak çaste përpara se të fillonte ceremonia, dera u hap dhe ai hyri. Pas disa javësh me dhembje koke, të vjella dhe ndjesi lodhjeje, Billi ishte ndier mjaft mirë atë ditë për të udhëtuar për në tempull, pa e ditur se ishte dita e martesës time.
Dy vjet më vonë, bashkëshorti im dhe unë, u thirrëm për të punuar si punonjës ordinancash në tempullin në Neshvill të Tenesit. Kur arritëm në tempull për t’u veçuar, një zotëri i sjellshëm e mbajti derën hapur për mua dhe tha: “Mirëseerdhët në tempullin e Neshvillit!” Ishte Vëllai Bill.
Ne shërbyem së bashku për tri vite. Billi u tha të gjithëve se unë i kisha shpëtuar jetën, por unë e dija se atë e kishte shpëtuar Shpëtimtari. Gjatë procesit, Ai më kishte mësuar rëndësinë e të mbajturit vesh ndaj nxitjeve të Shpirtit.