2012
Ndoshta Ne Duhet të Lutemi
Prill 2012


Ndoshta Ne Duhet të Lutemi

Skot Edgar, Juta, SHBA

Në pranverën e vitit 1975, familja ime dhe unë, po jetonim në një fermë të bukur e të gjelbërt në zonën Rajnland-Falc të Gjermanisë Perëndimore. Gjatë kthimit në shtëpi nga kisha me makinë, një të diel me shi, ne ndaluam për t’i hedhur një vështrim një automjeti që ishte rrokullisur përmbys në rripin e lagur të rrugës buzë një pylli. Brenda në pyll, tashmë ishte errësirë për shkak të çatisë së dendur të krijuar nga pemët dhe natës që po afronte.

Pasi e pamë automjetin e zhytur, ne u kthyem në makinën tonë dhe zbuluam se ajo kishte ngecur në baltë. Unë s’mund të ecja prapa, por mund ta ngisja makinën përpara – për t’u futur në pyll. Ne kishim kaluar më parë me makinë përgjatë pyllit dhe kishim zbuluar se shumë rrugë të pyllit ishin të lidhura mes tyre dhe do të na nxirrnin jashtë, kështu që unë vendosa të vazhdoja përpara në errësirë.

Shpejt e kuptova se kisha marrë vendimin e gabuar. Rruga e ngushtë dhe e lagur ishte e mbushur me gjurmë të thella balte nga makinat dhe ato të çonin larg e më larg brenda pyllit të errët. U përpoqa të shtoja shpejtësinë, duke pasur frikë që, nëse ndalonim, ne do të bllokoheshim [në baltë]. Unë pashë një pikë të lartë përpara që dukej mjaft e qëndrueshme për të mbajtur peshën e një makinë. Plani im ishte që ta nxirrja makinën nga balta që t’i jepja vetes kohë për t’u menduar. Makina u çlirua dhe doli nga balta.

E fika makinën dhe dola jashtë. Me dritat e përparme të fikura, unë s’mund të shihja gjë prej gjëje. I ndeza dritat e përparme sërish, mora elektrikun tonë të dorës dhe, pasi e kontrollova makinën, vendosa se gjëja më e mirë që mund të bëja ishte të kthehesha në pyll dhe më pas të nxitoja drejt rrugës nga e cila erdhëm.

U ktheva sa më prapa në pyll që mundesha, i dhashë pak superxhiro motorit, u zgjata prapa për në rrugë dhe u zhyta thellë në baltë. Tani ishim vërtet në telashe. Jashtë makinës ishte kudo errësirë dhe qetësi. Brenda makinës bashkëshortja ime dhe unë, u ulëm me tri fëmijët tanë të tmerruar.

E pyeta bashkëshorten time për ndonjë ide. Pas një çasti ajo tha: “Ndoshta ne duhet të lutemi”. Fëmijët u qetësuan pothuajse menjëherë. Unë bëra një lutje të përulur, por të dëshpëruar për ndihmë. Ndërsa lutesha, një mendim më erdhi qartësisht në mendje: “Vendos zinxhirët e gomave”.

Duke qëndruar 10 inç (25 cm) në baltë me fustanin e saj të së dielës, bashkëshortja ime e ëmbël, mbajti elektrikun e dorës ndërsa unë pastroja gomat e pasme me duart e mia të zhveshura dhe vendosa zinxhirët. Me besim dhe siguri, ne u lutëm sërish dhe ndezëm motorin. Ngadalë ne e përshkuam me makinë baltën dhe dolëm përfundimisht në asfalt.

Nga entuziazmi i të qenit të lirë nga balta dhe errësira, unë pothuajse e harrova se kush na kishte ndihmuar të dilnim nga pylli. Bija jonë pesëvjeçare ma kujtoi kur tha: “Babi, Ati Qiellor vërtet u përgjigjet lutjeve, apo jo?”