Koha për të Biseduar
“Unë do t’i nderoj prindërit e mi dhe do të bëj pjesën time për të forcuar familjen” (Standardet e Mia Ungjillore).
“Mirë pra, të gjithë. Le të kemi kohën për të biseduar”, thirri Mami.
Xhozi mezi e kishte pritur kohën e bisedës gjatë gjithë ditës. Çdo mbrëmje, Xhozi dhe dy vëllezërit e saj të vegjël, Beni dhe Uesi, mblidheshin në dhomën e ndenjjes me Mamin dhe Babin për të folur rreth asaj që po ndodhte në jetën e tyre.
Sonte Babi kishte thënë se ai do ta ndihmonte Xhozin të ushtrohej me skenarin për njoftimet e mëngjesit. Leximi i lajmërimeve të mëngjesit qe një privilegj i veçantë në shkollën e Xhozit. Të nesërmen Xhozi do të vendoste një pjesë të shkurtër të këngës së saj të parapëlqyer në altoparltantët e shkollës dhe do të përdorte mikrofonin për të lajmëruar aktivitetet e asaj dite dhe menunë e drekës.
Xhozi vrapoi për te dhoma e ndenjjes, e emocionuar që do të bënte prova me skenarin.
“Ja tek është lajmëruesja jonë e famshme!” Kështu tha Babi kur Xhozi u hodh në divan ngjitur me të. “Si po ndihesh për nesër?”
“Jam e emocionuar por pak në siklet. Kam frikë se do të bëj ndonjë lëmsh përpara të gjithë shkollës”, tha Xhozi.
“Kjo është arsyeja pse ne ushtrohemi”, tha Babi. “Vazhdo lexo përgjatë skenarit dhe unë do të dëgjoj për vendet që mund të përmirësosh.”
“Faleminderit, Babi”, tha Xhozi.
Ajo dhe Babi e përsëritën skenarin kaq herë saqë Xhozi nuk i numëronte dot. Më pas Xhozi u ngrit në këmbë dhe interpretoi skenarin e saj edhe një herë të fundit për familjen. Mami dhe Babi brohoritën. Beni toku duart me të dhe Uesi buzëqeshi dhe duartrokiti.
Xhozi shkoi në shtrat e lumtur dhe me vetëbesim.
Të nesërmen gjithçka shkoi vaj. Edhe pse ishte në siklet, Xhozi buzëqeshi kur dëgjoi muzikën e saj të vihej në altoparlantët e shkollës. Ajo ishte e gëzuar që ishte ushtruar për skenarin me Babin dhe ajo e lexoi ngadalë dhe qartësisht pa asnjë gabim.
“Bëre një punë të shkëlqyer”, tha Znj. Bllejk, zëvendësdrejtoresha.
Në mbarim të orëve të shkollës, Xhozi qëndroi në radhën për në autobus. Një djalë më i madh u kthye nga ajo dhe e pyeti: “Ti je ajo vajza që i lexoi lajmërimet sot?”
Xhozi buzëqeshi. “Po”, tha ajo.
“Pse zgjodhe atë këngë?” pyeti djali. “Ishte një këngë budallaqe. Ti i prishe fare lajmërimet e mëngjesit.” Pastaj ai e fyeu dhe qeshi me shokët e tij.
Xhozi u ul vetëm në sediljen e përparme të autobusit. Ajo ndieu të përziera në stomak.
Kur Xhozi u kthye në shtëpi, e gjeti Mamin duke luajtur me Uesin.
“Mami e di që nuk ka ardhur ende koha për të biseduar, por unë po vrisja mendjen nëse mundem gjithsesi të flas me ty tani”, tha Xhozi.
“Patjetër Xhozi”, tha Mami. “Çfarë ndodhi? Shkoi ndonjë gjë keq me lajmërimet e mëngjesit?”
“Jo”, tha Xhozi. “Gjithçka qe e përsosur. Të paktën kështu m’u duk mua, derisa një djalë më tha se zgjodha një këngë budallaqe. Ai gjithashtu më fyeu rëndë.”
Mami ceku dyshemenë pranë saj. Xhozi përfitoi për t’u ulur. Mami i dha një përqafim të madh. Xhozi dhe Mami biseduan për çdo gjë që ndodhi atë ditë, duke përfshirë dhe komplimentin e Znj. Bllejk.
“Më vjen keq që ai djali dhe shokët e tij qenë të pasjellshëm me ty”, tha Mami. “Por me sa duket njerëz të tjerë për të cilët ke respekt si Znj.Bllejk, qenë shumë të kënaqur me mënyrën si i lexove ti lajmërimet. Babi dhe unë jemi shumë krenarë për ty. Ti punove fort dhe ia vlejti!”
Xhozi e përqafoi Mamin përsëri. “Faleminderit Mami”, tha Xhozi. “Unë ndihem shumë më mirë.” Xhozi ishte e gëzuar që çdo kohë mund të jetë koha për të biseduar.