2012
Duajini, Mbrojini dhe Forcojini
Prill 2012


Mesazhi i Vizitave Mësimore

Duajini, Mbrojini dhe Forcojini

Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.

Besim, Familje, Ndihmë

Njësoj si Shpëtimtari, mësueset vizitore shërbejnë një nga një (shih 3 Nefi 11:15). Ne e dimë se jemi të suksesshme në shërbimin tonë si mësuese vizitore kur motrat tona mund të thonë: 1) mësuesja ime vizitore më ndihmon të rritem shpirtërisht; 2) unë e di se mësuesja ime vizitore kujdeset fort për mua dhe familjen time; dhe 3) nëse kam probleme, unë e di se mësuesja ime vizitore do të veprojë pa pritur që t’i kërkohet.1

Si mundemi ne si mësuese vizitore ta duam, ta mbrojmë dhe ta forcojmë një motër? Në vijim janë nëntë sugjerime që gjenden në kapitullin 7 të librit Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [Bija në Mbretërinë Time: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës] për t’i ndihmuar mësueset vizitore t’u shërbejnë motrave të tyre:

  • Lutuni çdo ditë për të dhe familjen e saj.

  • Kërkoni frymëzim për ta njohur atë dhe familjen e saj.

  • Vizitojeni atë rregullisht për të mësuar se si po ia kalon dhe për ta mbështetur e forcuar atë.

  • Qëndroni në kontakt të shpeshtë me të nëpërmjet vizitave, telefonatave, letrave, postës elektronike, mesazheve me celular dhe gjesteve të thjeshta të mirësisë.

  • Përshëndeteni atë në mbledhjet e Kishës.

  • Ndihmojeni atë kur ka një urgjencë, sëmundje ose nevoja të tjera të ngutshme.

  • Mësojani asaj ungjillin nga shkrimet e shenjta dhe Mesazhet e Vizitave Mësimore.

  • Frymëzojeni atë duke i dhënë një shembull të mirë.

  • Raportoni te udhëheqësja e Shoqatës së Ndihmës për shërbimin e tyre dhe mirëqenien shpirtërore e materiale të motrës.

Nga Shkrimet e Shenjta

Lluka 10:38–39; 3 Nefi 11:23–26; 27:21

Nga Historia Jonë

“Vizita mësimore është bërë një mjet për t’i ndihmuar gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme në mbarë botën për të dashur, ushqyer e shërbyer – ‘për të vepruar sipas atyre mirëkuptimeve që Perëndia ka mbjellë në kraharorin [tonë]’, siç na mësoi Jozef Smithi.”2

Një motër që ka mbetur e ve së fundmi, tha për mësueset e saj vizitore: “Ato dëgjuan. Ato më mbështetën. Ato qanë me mua. Dhe ato më përqafuan. … [Ato] më ndihmuan për të dalë nga dëshpërimi dhe depresioni i thellë i atyre pak muajve të parë të vetmisë.”3

Të ndihmuarit me punë fizike është gjithashtu një formë shërbimi. Në konferencën e përgjithshme të tetorit të 1856-ës, Presidenti Brigam Jang njoftoi se pionierët e karrocave të dorës qenë bllokuar në borë të thellë 270–370 milje (435–595 km) larg. Ai u kërkoi shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Solt-Lejk-Siti që t’i shpëtonin ata dhe të “përqendroheshin pikërisht mbi ato gjëra që ne i quajmë materiale”4.

Lusi Mesërv Smith shënoi se gratë hoqën fundet e brendshme dhe çorapet e tyre të ngrohta pikërisht atje në tabernakull dhe i grumbulluan në qerre për t’i dërguar te pionierët që po ngrinin. Më pas ato mblodhën dyshekë dhe veshje për ata të cilët do të vinin përfundimisht me pak plaçka. Kur kompanitë e karrocave të dorës mbërritën, një ndërtesë në qytet ishte “ngarkuar me furnizime për ta”5.

Shënime

  1. Shih Xhuli B. Bek, “Ajo Ç’Ka Unë Shpresoj se Mbesat e Mia (dhe Nipërit e Mi) do të Kuptojnë rreth Shoqatës së Ndihmës”, Liahona, nëntor 2011, f. 113.

  2. Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 112.

  3. Daughters in My Kingdom, f. 119–120.

  4. Brigham Young, “Remarks”, Deseret News, 15 tetor 1856, f. 252.

  5. Shih Daughters in My Kingdom, f. 36–37.

Një nga Një, nga Walter Rane, me mirësinë e Muzeut të Historisë së Kishës