Bekimet e Seminarit
Në mbarë botën, seminari është duke i sjellë të rinjtë si ju më pranë Jezu Krishtit.
Ju nuk jeni vetëm në vendimin tuaj për të marrë pjesë në seminar. Kudo në botë, qindra e mijëra të rinj e bëjnë seminarin një pjesë të jetës së tyre, duke shkuar në klasat e tyre me autobus, kanoe, biçikletë ose madje dhe mjete të tjera. Disa të rinj zgjohen herët në mëngjes dhe udhëtojnë në distanca të gjata për të arritur në kohë, të tjerë e bëjnë udhëtimin në mbrëmje dhe të tjerë studiojnë në shtëpi për disa ditë të javës.
Marrja pjesë në seminar kërkon sakrificë, por të rinjtë në të gjithë botën po zbulojnë se ia vlen çdo përpjekje për të marrë pjesë në seminar. Dhe ata që marrin pjesë kanë diçka të përbashkët: përvoja e tyre e seminarit i sjell ata më afër Shpëtimtarit dhe Atit tonë Qiellor.
Marrja e Bekimeve të Premtuara
Përse seminari është kaq i rëndësishëm për ju? Disa nga arsyet përfshijnë këto premtime nga profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme:
-
Ai “bëhet një bekim nga Perëndia për shpëtimin e Izraelit modern në një periudhë shumë të vështirë [në historinë e botës]”1.
-
Ai “do t’ju përgatisë të përcillni mesazhin e ungjillit të rivendosur tek ata që keni rastin të takoni”2.
-
Ai do t’ju ndihmojë “të fitoni kuptimin thelbësor të së vërtetës”3.
-
Seminari “ofron mundësi të mrekullueshme për të mësuar doktrina që do t’ju bëjnë të lumtur. Ai ofron mundësi të mrekullueshme për shoqërimin me njerëz që ndajnë të njëjtin besim si ju.”4
-
“Njohuria juaj për ungjillin do të rritet. Besimi juaj do të forcohet. Ju do të krijoni shoqëri dhe miqësi të mrekullueshme.”5
-
“Ai sjell … rritjen shpirtërore, forcën morale për t’i rezistuar të keqes që është mbi të gjithë ne, si dhe rritjen e pamasë në të kuptuarin e ungjillit.”6
-
Ai është “një nga përgatitjet më të mira për një mision”7.
Gjetja e Një Mënyre për të Marrë Pjesë
Vajtja në seminar shpesh do të thotë se do t’ju duhet të hiqni dorë nga diçka tjetër që ju e keni për zemër ta bëni, në mënyrë që të gjeni kohë për të marrë pjesë. Por është një sakrificë që ia vlen të bëhet. Elija Bugajong nga Filipine zgjodhi ta merrte atë vendim gjatë vitit të saj të fundit në shkollën e mesme. Gjatë gjithë shkollës së mesme, ajo kishte qenë gjithmonë e dyta në klasën e saj. Ajo ishte e vendosur që të zinte vendin e parë në vitin e parë të shkollës së lartë dhe madje kishte menduar të mos regjistrohej në seminarin ku kishte marrë pjesë në vitet e mëparshme, që të përmbushte qëllimin e saj.
Më pas një ditë mendimet e saj ndryshuan. “Unë [pashë] tryezën time të studimit”, thotë ajo. “Pashë një grumbull me libra pranë saj, shkrimet e shenjta së bashku me fletoren e shënimeve dhe manualin e seminarit. Thellë brenda pyeta veten: ‘Cila ka më shumë rëndësi?’”
Elija e gjeti përgjigjen e saj te Mateu 6:33: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen”. Ajo vendosi që të merrte pjesë në seminar me besnikëri dhe të gjente mënyra të tjera për të drejtpeshuar kohën e saj në mënyrë që të punonte në studimet e shkollës. Në fund të vitit, ajo u shpall velëdiktoriën [studentja me notat më të larta për atë vit] dhe madje fitoi një bursë universitare.
Spensër Dagllas nga Alabama në SHBA, vendosi që të hiqte dorë nga disa ngjarje shoqërore në mënyrë që të përfitonte më shumë nga seminari. Dy vitet e para të seminarit, ai ngrihej në 4:00 të mëngjesit për të marrë pjesë, dhe dy vitet e fundit ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit. Ai thotë: “Unë nuk munda të merrja pjesë në shumë aktivitete vonë në mbrëmje me miqtë e mi sepse duhet të isha herët në shtrat. Nëse nuk do të shkoja herët, nuk do të isha në gjendje të merrja pjesë plotësisht dhe të mësoja mëngjesin tjetër.” Për Spensërin, nuk ishte thjesht shfaqja në klasë, ishte edhe të qenit zgjuar e i përgatitur për të mësuar.
Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Thjesht se diçka është e mirë, nuk është një arsye e mjaftueshme për ta bërë. Numri i gjërave të mira që mund të bëjmë, e tejkalon shumë kohën në dispozicion për t’i kryer ato. Disa gjëra janë më të mira se vetëm mirë dhe këto janë gjërat që duhet të marrin vëmendje me përparësi në jetën tonë.”8 Kjo është këshillë e rëndësishme për t’u kujtuar ndërsa vendosni ta bëni seminarin të rëndësishëm në kohën tuaj.
Përgatitja për Misione
Seminari shërben edhe si një përgatitje e madhe për punën misionare që ju do të bëni – si anëtarë misionarë sot dhe gjithashtu nëse shërbeni si një misionar me kohë të plotë në të ardhmen. Franko Huamen Kurinukui nga Peruja e di se studimi i shkrimeve të tij të shenjta në seminar e ka ndihmuar atë të përgatitet për misionin e tij.
Ai thotë se kjo përgatitje ia vlen, që të ngrihesh për seminarin në 4:00 të mëngjesit, të hipësh në kanoe kur muajt e përmbytjeve godasin zonën, dhe më pas të çash përmes baltës për të shkuar në klasë. Ai thotë: “Unë dua të përfundoj seminarin dhe të filloj klasat e institutit në mënyrë që të jem i përgatitur për mision. Unë do të vazhdoj të rritem në Kishë.” Seminari është i rëndësishëm për të, sepse ai mëson rreth shkrimeve të shenjta dhe mban në kujtesë vargje të rëndësishme, të cilat do ta ndihmojnë atë të jetë një misionar më i mirë.
Të Qenit i Bekuar në të Gjitha Aspektet e Jetës
Ndërsa të rinjtë në gjithë globin bëjnë përpjekje për të marrë pjesë në seminar, ata po marrin forcë në shumë më tepër sesa thjesht tek studimi i shkrimeve të shenjta. Kameron Lisni nga Anglia zbuloi se ishte i bekuar në të gjitha fushat e jetës së tij. “Seminari jo vetëm që të ndihmon nga ana shpirtërore e gjërave, por edhe të ndihmon për shkollën dhe arsimimin”, tha Kameroni.
Ai thotë se “një fillim i shpejtë i ditës e bën trurin të punojë. Disa nga miqtë e mi thonë se ishin shumë të zënë për të marrë pjesë – epo, nuk është se do përsërisësh matematikën në orën 6:00 të mëngjesit, apo jo?” Ndërsa studioni, “Zoti do t’ju ndihmojë në provimet tuaja dhe, nëse shkoni në seminar, Ai do t’ju ndihmojë edhe më shumë”, thotë Kameroni.
Sigurisht, seminari gjithashtu e ka ndihmuar Kameronin të forcojë dëshminë. Ai thotë: “Fillimi i dëshmisë time erdhi nga programi i seminarit. Në moshën e adoleshencës, 14 vjeç, unë me të vërtetë isha duke luftuar për ungjillin. Nuk kënaqesha në kishë dhe bëja gjëra që nuk duhet t’i bëja. Ishte vetëm çështje muajsh përpara se unë të kisha hequr dorë plotësisht.” Por kur një mike e ftoi Kameronin që të merrte pjesë në seminar, ai vendosi të shkojë me të. Më pas vërtet filluan të vinin bekime.
“Unë fillova të ndieja Shpirtin përsëri”, thotë Kameroni. “Unë fillova t’i kushtoja më shumë vëmendje kishës dhe të merrja pjesë në mësimet e Shkollës të së Dielës dhe të priftërisë. U bë më e lehtë dhe unë fillova të ndihesha i lumtur. Më në fund fitova dëshminë e ungjillit për veten time.” Pas dy muajsh seminari, Kameroni u takua me peshkopin e tij dhe u shugurua si mësues në Priftërinë Aarone.
Kameroni e dinte se seminari e ndihmon atë t’u rezistojë tundimeve të botës. “Ndërsa seminari vazhdonte”, thotë ai, “Unë e kisha më të lehtë të përballesha me sfidat që bota shfaq. Është goxha e vështirë të jesh një i ri në botën ku jetojmë – mëkati na rrethon në të gjitha anët. Nëse merrni pjesë në seminar, unë ju dëshmoj se, ju do të gjeni forcën për të mbrojtur veten kundër mëkatit që na rrethon. Seminari krijon një mburojë shpirtërore për t’ju mbrojtur juve. Shumë sfida dhe tundime të ndryshme kanë ardhur gjatë rrugës sime dhe seminari ka qenë një ndihmë kaq e pamatshme për të më mbajtur në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar.”
Forcimi i Njëri-Tjetrit
Seminari gjithashtu ju lejon që të mblidheni me adoleshentë të tjerë që kanë të njëjtin besim me ju. Vika Çelishkova nga Rusia thotë: “Unë jam e frymëzuar nga njerëzit me të njëjtat ideale që mbajnë standarde të ngjashme morale dhe që besojnë në Perëndi siç bëj unë”. Ajo shton: “Nëse kam ndonjë pyetje, unë mund ta diskutoj me mësuesin e seminarit dhe studentë të tjerë. Unë mund të ndaj mendimet dhe dëshminë time me të tjerët për të forcuar besimin tim dhe të të tjerëve. Duke lexuar shkrimet e shenjta së bashku dhe duke medituar rreth përmbajtjes së tyre shpirtërore, ne afrohemi më shumë me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin.”
Ksenia Gonkarova nga Ukraina ka parë rezultate të ngjashme. Ajo thotë: “Kur ne ndajmë përvojat tona me njëri-tjetrin, ne bëhemi më të fortë dhe i kuptojmë më mirë shkrimet e shenjta. Kur ne flasim për shembuj nga jeta jonë gjatë mësimeve, unë shoh mënyrën se si ungjilli punon në jetën time dhe në jetën e të tjerëve.”
Arritja në Njohjen e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit
Kohët e fundit një grup të rinjsh u pyetën se si seminari i ka bekuar ata. Përgjigjet e tyre zbuluan një temë të rëndësishme – se seminari i ndihmon ata të afrohen më pranë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: “Të gjitha temat që ju studioni në seminar janë të rëndësishme. Çdo vit ndërsa përqendroheni te një nga vëllimet e shkrimit të shenjtë, fokusi kryesor është Zoti Jezu Krisht.”9
Ja se ç’thonë disa adoleshentë rreth mënyrës se si seminari i ka sjellë ata më afër Jezu Krishtit.
-
“Unë kam mësuar se çfarë bën Shpëtimtari për mua, duke lexuar gjithë këto histori nga profetë të shumtë dhe duke kuptuar se sa e rëndësishme jam për Të. Unë e kuptoj se Ai më donte mua mjaftueshëm sa për të vdekur dhe shlyer për dhembjen time.”
-
“Seminari është një mënyrë e mrekullueshme për të filluar ditën time. Pavarësisht se sa i lodhur jam, unë e ndiej Shpirtin dhe ndihem i forcuar kështu që kur gjëra të vështira të ndodhin në ditën time, unë e di pa dyshim se Shpëtimtari më do dhe jam më se i sigurt për të mbështetur atë që është e drejtë.”
-
“Unë jam një e kthyer në besim në Kishë. Unë fillova të shkoja në seminar madje përpara se të pagëzohesha. Unë nuk e di fare nëse do të isha pagëzuar pa seminarin. Pa seminarin, unë nuk do ta kisha Shpëtimtarin në jetën time pikërisht tani ose nuk do të dija se mund të marr falje për mëkatet e mia. Unë kurrë nuk e kisha pasur vërtet Atin Qiellor ose Jezu Krishtin në jetën time. Seminari më ndihmoi t’i gjeja Ata dhe t’i bëja Ata përgjithmonë një pjesë të jetës sime dhe të jetës së fëmijëve të mi të ardhshëm.”
-
“Vajtja në seminar çdo ditë më ka ndihmuar të rritem më pranë Zotit dhe Shpëtimtarit tim, Jezu Krishtit, përmes të mësuarit të mësimeve të Tij, dashurisë së Tij të madhe për mua dhe të mësuarit se si mund të kthehem dhe të jetoj me Të.”
-
“Kur jam në seminar, unë gjej një kuptim më të thellë në shkrimet e shenjta. Ai më ndihmon çdo mëngjes të jem si Krishti në aktivitetet e mia të përditshme.”
-
“Seminari më ka mësuar se si t’i lexoj shkrimet e mia të shenjta dhe jo vetëm të kënaqem me to, por gjithashtu t’i zbatoj ato që lexoj në jetën time. Unë kam mësuar doktrina dhe parime që më kanë ndihmuar të forcoj dëshminë time për një Atë të dashur Qiellor dhe Jezu Krishtin, që do ta marr me vete për pjesën tjetër të jetës sime.”
Me kaq shumë bekime që vijnë nga pjesëmarrja në seminar, është e lehtë të kuptosh përse të rinjtë në mbarë botën janë duke e bërë atë një përparësi në programin e tyre ditor.