Unë NDIEVA se Duhet të Vija
Aldo Fabio Moraka, Nevada, SHBA
Dy vite e gjysmë pas pagëzimit tim në Buenos-Ajres, në Argjentinë, ende më duket sikur më tingëllojnë në vesh fjalët e njërit prej misionarëve që më kishte dhënë mësim: “Unë e di se ti je një misionar”. M’u kujtua edhe përgjigjja e fuqishme që mora kur u luta për të ditur nëse ndjenja që më kishte përshkuar zemrën, ishte njëmend e vërtetë. Në moshën 20-vjeçare, unë e dija se duhet të përgatitesha për një mision.
Por si mund të isha një misionar? Unë nuk i ngjaja fare të rinjve engjëllorë që më mësuan ungjillin. Dhe si mund ta lija punën time? Ku do të jetoja pasi të kthehesha në shtëpi? Kishte qenë shumë e vështirë ta gjeja shtëpinë që kisha, megjithëse ishte thjesht një dhomë e vogël në anën e prapme të shtëpisë së dikujt.
Gjatë rrugës për në shtëpi një mbrëmje, këto ndjenja dhe dyshime më erdhën sërish në mendje. Kur arrita në shtëpi, u përpoqa të merrja një vendim. Unë vendosa të gjunjëzohesha dhe të bëja një lutje për ndihmë. Ndërsa veprova kështu, pata një përshtypje të fortë se duhet të shkoja të takoja Leandron, një mik që kishte qenë një burim i madh force për mua në çaste të trishtuara.
Por mendimi se do ta zgjoja në mesnatë bëri që unë ta kundërshtoja këtë ide. E dija se ai zgjohej herët në mëngjes që të shkonte në punë dhe nuk dëshiroja t’i trokisja në derë në atë orë. Unë luftova kundër mendimit, por vazhdova ta ndieja përshtypjen se duhet të shkoja ta takoja. Sërish, zgjodha ta shpërfillja atë.
Në vend të kësaj, unë vendosa të shëtisja në lagje për ajër të pastër. Megjithatë, kur u kujtova se e kisha lënë derën hapur, u ktheva për në shtëpi. Kur hyra, pashë Leandron të ulur në dhomën time. Shpirti ra mbi mua dhe mbeta pa frymë. Me një zë të mbytur disi nga emocioni, e pyeta atë: “Çfarë bën ti këtu?”
“Nuk e di”, tha ai. “Unë thjesht ndieva se duhet të vija të të shihja.”
I tregova atij rreth dyshimeve që kisha pasur për misionin. Ai ndau dëshminë e tij me mua dhe më nxiti. Pastaj më ndihmoi të plotësoja dokumentet e misionit, të cilat ia çova peshkopit tim mëngjesin vijues. Dy muaj më vonë, mora thirrjen për në misionin e Saltës në Argjentinë.
E di se miku im ishte një mjet në duart e Perëndisë atë natë dhe me gjithë zemër, e di që Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve që bëhen me një zemër të sinqertë dhe me synim të vërtetë.