2012
Shpresë te Shlyerja
Prill 2012


Kur Prapë të Takohemi

Shpresë te Shlyerja

Nga një fjalim i mbledhjes shpirtërore të mbajtur në Universitetin “Brigam Jang” më 4 nëntor të vitit 2008. Për tekstin e plotë në anglisht vizitoni adresën speeches.byu.edu.

Peshkopi Riçard C. Exhli

Shpresa duhet bazuar jo vetëm te njohuria dhe dëshmia, por edhe tek të jetuarit e vërtetë të Shlyerjes në jetën tonë vetjake.

Unë kam takuar njerëz që i kanë humbur të gjitha shpresat. Pendimi, sipas tyre, nuk është menduar për ta dhe falja nuk është e disponueshme për ta. Njerëzit pa shpresë nuk e kuptojnë fuqinë pastruese të Shlyerjes. Ose, nëse e kuptojnë, ata nuk e kanë bërë pjesë të vetes kuptimin e vuajtjes së Jezu Krishtit në Gjetseman dhe në kryq. Për çdonjërin nga ne, të heqim dorë nga shpresa për pastrimin e jetës sonë, është të mohojmë thellësinë, fuqinë dhe përmasën e vuajtjes së Tij për ne.

Disa vite më parë, mua m’u caktua të intervistoja një djalë 21–vjeçar ndërsa isha në konferencë, për të përcaktuar denjësinë e tij për të shërbyer në një mision. Tani, Autoritetet e Përgjithshme nuk i intervistojnë zakonisht misionarët e mundshëm. Kështu që kjo qe e pazakontë. Ndërsa lexova disa nga të dhënat lidhur me arsyet për intervistën time, me dhembi zemra. Ky djalë kishte kryer shkelje të rënda. Unë vrava mendjen se përse do të më kërkohej të vizitoja dikë me të dhëna të tilla, duke arritur në përfundimin se do të ishte shumë e pazakontë për mua që të jepja miratimin tim për ta rekomanduar si misionar.

Pas sesionit të së shtunës pasdite të konferencës, unë shkova në zyrën e presidentit të kunjit për intervistën. Ndërsa po prisja, u afrua një i ri simpatik me një shprehi të mahnitshme fytyre. Unë pyeta veten se si mund të justifikohesha, pasi ishte e dukshme se ai dëshironte të bisedonim dhe unë kisha një takim me një djalë shumë problematik. Pastaj ai u prezantua. Ai ishte i riu për të cilin isha aty.

Në fshehtësinë e zyrës, unë i bëra një pyetje: “Pse po të intervistoj ty?”

Ai rrëfeu të shkuarën e tij. Kur mbaroi, ai filloi të shpjegojë hapat dhe vuajtjen vetjake që kishte kaluar. Ai foli për Shlyerjen – fuqinë e pafundme të Shlyerjes. Ai ndau dëshminë e tij dhe shprehu dashurinë e tij për Shpëtimtarin. Pastaj ai tha: “Unë besoj se vuajtja vetjake e Shpëtimtarit në Gjetseman dhe sakrifica e Tij në kryq ishin kaq të fuqishme sa të shpëtojnë edhe një njeri si unë”.

I prekur nga përulësia e tij dhe nga Shpirti, unë thashë: “Unë do të të rekomandoj që të shërbesh si një përfaqësues i Jezu Krishtit”. Më pas i thashë: “Do të kërkoj vetëm diçka nga ti. Unë dëshiroj që ti të jesh misionari më i mirë në të gjithë Kishën. Kjo është e gjitha.”

Tre apo katër muaj më vonë, Motra Exhli dhe unë po flisnim në një qendër trajnimi misionarësh. Në fund të mbledhjes shpirtërore, unë po vizitoja misionarët kur pashë një të ri me një fytyrë të njohur.

Ai më pyeti: “A më mbani mend?”

Paksa i turpëruar i thashë: “Më vjen keq. E di se duhet, por unë nuk të mbaj mend.”

Pastaj ai tha: “Lermë të të tregoj se cili jam. Unë jam misionari më i mirë në qendrën e trajnimit të misionarëve.” Dhe unë e besova atë.

Shpresa e këtij të riu ishte e bazuar jo vetëm te njohuria dhe dëshmia e Shlyerjes por edhe te personalizimi i kësaj dhurate. Ai e kuptoi se ajo ishte personalisht për të! Ai e njihte fuqinë e Shlyerjes dhe shpresën që ajo të jep kur gjithçka të duket e kotë apo e pashpresë.