2012
Trajnimi i Udhëheqjes Mbarëbotërore Nënvizon Rrugën Drejt Rritjes së Vërtetë
Prill 2012


Trajnimi i Udhëheqjes Mbarëbotërore Nënvizon Rrugën Drejt Rritjes së Vërtetë

Udhëheqësit e Kishës shpjeguan rëndësinë e “rritjes së vërtetë” dhe mënyrën për ta arritur këtë gjatë Mbledhjes për Trajnimin e Udhëheqjes Mbarëbotërore, më 11 shkurt 2012.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Presidenca e Të Shtatëdhjetëve dhe presidencat e organizatave ndihmëse të Kishës morën pjesë në udhëzimin për udhëheqësit e Kishës në të gjithë botën.

“Në termat e Kishës, rritja mund të përcaktohet si ‘anëtarët e rinj’. … Megjithatë, rritja e vërtetë përcaktohet si ‘rritja e numrit të anëtarëve aktivë’”, shpjegoi Presidenti Uhtdorf.

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shtoi: “Rritja ndodh kur kthimi vetjak për gjatë gjithë jetës në ungjill çon në rritjen e besnikërisë te secili individ dhe familje”.

Ajo rritje e besnikërisë përfshin gjëra që nuk mund të maten lehtësisht, të tilla si lutja e përditshme, studimi i shkrimeve të shenjta, mbrëmja familjare, dashuria në shtëpi dhe përvojat vetjake me Shlyerjen, tha Presidenti Uhtdorf.

“Shumë shpesh ne e ndërlikojmë bukurinë dhe thjeshtësinë e ungjillit të Jezu Krishtit me lista të pafundme të pritshmërive tepër të përpikta”, tha ai. “Megjithatë, kur përqendrohemi te qëllimi i ungjillit, pjesa më e madhe e pështjellimit zhduket.”

Pjesa më e madhe e transmetimit është përqendruar në doktrinat dhe parimet kyçe, që sigurojnë përgjigjet e pyetjeve “përse”.

“Pyetjet e duhura rreth qëllimit të ungjillit do të na drejtojnë te vendimet e duhura rreth asaj se kujt i zbatohen, çfarë duhet bërë për të, kur duhet t’i bëjmë ato gjëra, përse duhet t’i bëjmë ato gjëra, dhe si duhet t’i bëjmë”, tha Presidenti Uhtdorf.

Martesa dhe Familja në Planin e Shpëtimit

“Kisha përbëhet nga familjet”, tha Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Lagjet dhe kunjet janë atje për të mbështetur familjet. Kur ne flasim për familjet, atëherë ne shohim rritjen e vërtetë në Kishë.”

Ai shpalli se çdo bashkëshort e atë duhet të jetë një person që mban dhe përdor priftërinë në shtëpinë e tij, duke kryesuar mbi familjen e tij në drejtësi. Në mënyrë të ngjashme, tha ai, udhëheqësit e priftërisë duhet të drejtojnë me denjësi – megjithëse detyrat brenda priftërisë ndryshojnë, çdo mbajtës i denjë i priftërisë ka aq përgjegjësi për priftërinë sa dhe një mbajtës tjetër (shih DeB 1:20).

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi se bashkëshortët dhe bashkëshortet, etërit dhe nënat, duhet të ndërtojnë një marrëdhënie dashurie, pendimi dhe lutjeje për të forcuar e mbrojtur me sukses familjen, që “është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij” (“Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona dhe Ensign, nëntor 2010, f. 129).

“Në shkrimet e shenjta është bërë tri herë paralajmërimi që e gjitha bota do të shkatërrohej tërësisht në kthimin e Zotit, nëse disa kushte të caktuara nuk janë të përshtatshme”, tha ai. “Në secilën rrethanë ai paralajmërim lidhet me gjendjen e familjes njerëzore pa ordinancat vulosëse të tempullit. Pa këto ordinanca të ekzaltimit, lavdia e Perëndisë nuk do të ishte përmbushur.”

Arritja e atij qëllimi përfundimtar – jetës së përjetshme dhe ekzaltimit për të gjithë fëmijët e Perëndisë – kërkon që rritja e vërtetë të ndodhë në shtëpitë, në lagjet e degët tona dhe në të gjithë Kishën.

Zbatimi i Ungjillit

Rritja dhe kthimi i vërtetë në besim vijnë nga zbatimi i ungjillit në jetën e përditshme. Në një diskutim me pyetje-përgjigje, Plaku L. Tom Peri dhe Plaku D. Tod Kristoferson, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjeguan se qëllimi përfundimtar i ungjillit është t’i ndihmojë njerëzit të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhjet e tempullit. Bindja ndaj besëlidhjeve, tha Plaku Kristoferson, mund ta ndryshojë njeriun e natyrshëm në një shenjtor me kalimin e kohës.

Të ndihmuarit e të tjerëve është një aspekt tjetër i rëndësishëm i zbatimit të ungjillit. Anëtarët janë përgjegjës secili individualisht dhe si Kishë për të ndihmuar që të shpëtojnë njerëzit në nevojë materiale dhe shpirtërore, thanë udhëheqësit.

Ne nuk duhet të ngurrojmë për t’i bashkuar përpjekjet tona me besimet dhe organizatat e tjera të drejtuara te shërbimi për t’u kujdesuar për të varfërit dhe nevojtarët, tha Plaku Kristoferson. Udhëheqësit e priftërisë duhet t’i drejtojnë këto përpjekje, por edhe anëtarët e misionarët duhet ta mbështesin atë rol.

Një grup diskutimi theksoi përqendrimin te shërbesa ndaj familjeve, te forcimi i mbajtësve të Priftërisë Melkizedeke dhe te dhënia e ndihmës për të ndërtuar besimin e dëshmitë e të rinjve. Plaku Ballard dhe Plaku Nil L. Anderson, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ishin të pranishëm së bashku me Plakun Ronald A. Rasband të Presidencës së Të Shtatëdhjetëve; Elen S. Dalton, presidente e përgjithshme e Të Rejave; dhe Rozmari M. Uiksom, presidente e përgjithshme e Fillores.

Plaku Rasband tha se çdo udhëheqës ka nevojë të jetë më i përfshirë në kthimin e anëtarëve në aktivitet të plotë dhe Plaku Anderson theksoi se të rinjtë duhet të jenë më të përfshirë në riaktivizimin dhe forcimin e të rinjve të tjerë.

Arritja e Rritjes së Vërtetë

Rritja e vërtetë vjen ndërsa ne zbatojmë parimet e ungjillit në jetën tonë të përditshme, theksoi Presidenti Uhtdorf.

“Ndërsa i merrni parasysh këto tema, pyesni veten se përse bëni shërbim e shërbesë dhe si rezultat çfarë duhet të bëni në përgjegjësitë tuaja si individ dhe si këshill”, tha ai.

Mësoni më Shumë

Invidivët mund të shohin, të dëgjojnë, të printojnë dhe të shkarkojnë material nga transmetimi në dhjetra gjuhë, duke shkuar te lds.org/study/other-addresses dhe duke klikuar në Worldwide Leadership Training [Trajnimin e Udhëheqjes Mbarëbotërore].

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, flet gjatë një grupi diskutimi të mbajtur si pjesë e Mbledhjes së Trajnimit të Udhëheqjes Mbarëbotërore në shkurt të 2012-ës.

© IRI