Shkrimet e Shenjta
1 Nefi 14


Kapitulli 14

Një engjëll i tregon Nefit për bekimet dhe mallkimet që do të bien mbi Johebrenjtë—Ka vetëm dy kisha: Kisha e Qengjit të Perëndisë dhe kisha e djallit—Shenjtorët e Perëndisë në të gjitha kombet janë persekutuar nga kisha e madhe dhe e neveritshme—Apostulli Gjon do të shkruajë në lidhje me mbarimin e botës. Rreth 600–592 para K.

1 Dhe do të ndodhë që, në qoftë se Johebrenjtë do ta dëgjojnë Qengjin e Perëndisë në atë ditë që ai do t’ua shfaqë veten e tij atyre në fjalë dhe gjithashtu në fuqi dhe në vepra, deri në heqjen e pengesave të tyre—

2 Dhe nuk do t’i ngurtësojnë zemrat e tyre kundër Qengjit të Perëndisë, ata do të numërohen mes farës së atit tënd; po, ata do të numërohen midis shtëpisë së Izraelit; dhe ata do të jenë një popull i bekuar mbi tokën e premtuar përgjithmonë; ata nuk do të çohen kurrë më në robëri; dhe shtëpia e Izraelit nuk do të ngatërrohet më.

3 Dhe ajo gropë e madhe që është hapur për ta nga ajo kishë e madhe dhe e neveritshme, e cila u krijua nga djalli dhe fëmijët e tij, që ai të mund t’i çojë shpirtrat e njerëzve poshtë në ferr—po, ajo gropë e madhe që u hap për shkatërrimin e njerëzve, do të mbushet nga ata që e hapën atë, deri në shkatërrimin e plotë të tyre, thotë Qengji i Perëndisë; jo shkatërrimin e shpirtit, përveçse hedhjes së tij në atë ferr që nuk ka fund.

4 Pasi vini re, kjo është sipas robërisë së djallit dhe gjithashtu sipas drejtësisë së Perëndisë, mbi të gjithë ata që do të punojnë ligësi dhe neveri përpara tij.

5 Dhe ndodhi që engjëlli më foli mua, Nefit, duke thënë: Ti ke parë që, në qoftë se Johebrenjtë pendohen, do të jetë mirë për ta; dhe gjithashtu ti di në lidhje me besëlidhjet e Zotit ndaj shtëpisë së Izraelit; dhe ti ke dëgjuar gjithashtu se, kush nuk pendohet, duhet të mbarojë.

6 Prandaj, mjerë Johebrenjtë në qoftë se ata ngurtësojnë zemrat e tyre kundër Qengjit të Perëndisë.

7 Pasi koha vjen, thotë Qengji i Perëndisë, që unë do të bëj një vepër të madhe dhe të mrekullueshme mes fëmijëve të njerëzve; një vepër, e cila do të jetë e përjetshme, qoftë nga njëra anë apo tjetra—qoftë në bindjen e tyre për paqen dhe jetën e përjetshme, ose dorëzimin e tyre në ngurtësinë e zemrave të tyre dhe në verbërinë e mendjeve të tyre, deri në çuarjen e tyre në robëri dhe gjithashtu në shkatërrim, qoftë material dhe shpirtëror, sipas robërisë së djallit, për të cilën unë kam folur.

8 Dhe ndodhi që kur engjëlli foli këto fjalë, ai më tha: I mban mend ti besëlidhjet e Atit ndaj shtëpisë së Izraelit? Unë i thashë atij: Po.

9 Dhe ndodhi që ai më tha: Shiko dhe vër re atë kishë të madhe dhe të neveritshme që është nëna e neverive, themeluesi i së cilës është djalli.

10 Dhe ai më tha: Vër re, nuk ka veçse dy kisha; njëra është kisha e Qengjit të Perëndisë dhe tjetra është kisha e djallit; prandaj kushdo që nuk bën pjesë në kishën e Qengjit të Perëndisë, bën pjesë në atë kishën e madhe që është nëna e neverive; dhe ajo është lavirja e të gjithë tokës.

11 Dhe ndodhi që unë pashë dhe vura re laviren e të gjithë tokës dhe ajo qëndronte ulur mbi shumë ujëra, dhe ajo kishte sundim mbi të gjithë tokën, midis të gjitha kombeve, racave, gjuhëve dhe njerëzve.

12 Dhe ndodhi që unë vura re kishën e Qengjit të Perëndisë dhe numrat e saj ishin të pakta, për shkak të poshtërsisë dhe të neverive të lavires që qëndronte ulur mbi shumë ujëra; megjithatë unë vura re se kisha e Qengjit, që ishin shenjtorët e Perëndisë, ishte gjithashtu mbi të gjithë faqen e tokës; dhe sundimet e saj mbi faqen e tokës ishin të vogla, për shkak të ligësisë së lavires së madhe që unë pashë.

13 Dhe ndodhi që unë vura re, që nëna e madhe e neverive mblodhi së bashku turmat mbi faqen e të gjithë tokës, midis të gjitha kombeve të Johebrenjve, për të luftuar kundër Qengjit të Perëndisë.

14 Dhe ndodhi që unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe.

15 Dhe ndodhi që unë vura re se zemërimi i Perëndisë, u derdh mbi atë kishë të madhe dhe të neveritshme, aq shumë, saqë kishte luftëra dhe zhurma luftërash mes të gjitha kombeve dhe racave të tokës.

16 Dhe ndërsa filloi të kishte luftëra dhe zhurma luftërash mes të gjitha kombeve që i përkisnin nënës së neverive, engjëlli më foli, duke thënë: Vër re, zemërimi i Perëndisë është mbi nënën e grave të përdala dhe vër re, ti i sheh të gjitha këto gjëra—

17 Dhe kur të vijë dita, që zemërimi i Perëndisë të derdhet mbi nënën e grave të përdala, që është kisha e madhe dhe e neveritshme e të gjithë tokës, krijuesi i së cilës është djalli, atëherë, në atë ditë, puna e Atit do të fillojë, në përgatitjen e udhës për plotësimin e besëlidhjeve të tij, që ai u ka bërë njerëzve të tij që janë nga shtëpia e Izraelit.

18 Dhe ndodhi që engjëlli më foli duke thënë: Shiko!

19 Dhe unë pashë dhe vura re një burrë dhe ai ishte veshur me një rrobë të bardhë.

20 Dhe engjëlli më tha: Vër re njërin nga dymbëdhjetë apostujt e Qengjit.

21 Shiko, ai do të shohë dhe shkruajë pjesën e mbetur të këtyre gjërave; po, dhe gjithashtu shumë gjëra që kanë qenë.

22 Dhe ai do të shkruajë gjithashtu në lidhje me fundin e botës.

23 Prandaj, gjërat që ai do të shkruajë janë të drejta dhe të vërteta; dhe vër re, ato janë shkruar në librin që ti pe duke dalë nga goja e Judeut; dhe, në kohën kur ato dolën nga goja e Judeut, ose, në kohën që libri doli nga goja e Judeut, gjërat të cilat ishin shkruar, ishin të qarta dhe të kulluara, dhe më të çmueshmet, dhe më të lehtat për kuptimin e të gjithë njerëzve.

24 Dhe vër re, gjërat që ky apostull i Qengjit do të shkruajë janë shumë gjëra që ti ke parë; dhe vër re, pjesën e mbetur do ta shohësh.

25 Por, gjërat që ti do të shikosh tani e tutje, nuk do t’i shkruash; pasi Zoti Perëndi ka urdhëruar apostullin e Qengjit të Perëndisë, që ai duhet t’i shkruajë ato.

26 Dhe gjithashtu të tjerë që kanë qenë, atyre ai u ka treguar të gjitha gjërat; dhe ata i kanë shkruar ato dhe ato janë vulosur që të dalin në dritë në pastërtinë e tyre, sipas së vërtetës që është në Qengjin, në kohën e përshtatshme të Zotit ndaj shtëpisë së Izraelit.

27 Dhe unë, Nefi, dëgjova dhe dëshmoj që emri i apostullit të Qengjit ishte Gjon, sipas fjalës së engjëllit.

28 Dhe vini re unë, Nefi, jam i ndaluar që të shkruaj pjesën e mbetur të gjërave që pashë dhe dëgjova; prandaj gjërat që unë kam shkruar më mjaftojnë; dhe unë kam shkruar vetëm një pjesë të vogël të gjërave që unë pashë.

29 Dhe unë dëshmoj se unë pashë gjërat që ati im pa dhe engjëlli i Zotit m’i bëri të ditura ato mua.

30 Dhe tani, unë i jap fund të folurit në lidhje me gjërat që pashë, ndërsa unë isha marrë në shpirt; dhe në qoftë se të gjitha gjërat që unë pashë nuk janë shkruar gjërat që unë kam shkruar, janë të vërteta. Dhe kështu është. Amen.