Kapitulli 29
Shumë Johebrenj do ta hedhin poshtë Librin e Mormonit—Ata do të thonë: Ne nuk kemi nevojë për Bibël tjetër—Zoti u flet shumë kombeve—Ai do të gjykojë botën nga librat që do të shkruhen. Rreth 559–545 para K.
1 Por vini re, do të ketë shumë—atë ditë kur unë do të vazhdoj të bëj një punë të mrekullueshme mes tyre, që unë mund të mbaj mend besëlidhjet e mia të cilat i kam bërë me fëmijët e njerëzve, që unë të mund të vendos dorën time përsëri për të dytën herë të përtërij njerëzit e mi që janë të shtëpisë së Izraelit;
2 Dhe gjithashtu që unë të mbaj mend premtimet që t’i kam bërë ty, Nefi, si dhe atit tënd, që unë të kujtoj farën tuaj; dhe që fjalët e farës suaj të mund të dalin nga goja ime dhe t’i arrijnë farës suaj; dhe fjalët e mia do të ushtojnë në fundet e tokës, si një flamur për njerëzit e mi të cilët janë të shtëpisë së Izraelit;
3 Dhe sepse fjalët e mia do të ushtojnë—shumë nga Johebrenjtë do të thonë: Një Bibël! Një Bibël! Ne e kemi një Bibël dhe nuk mund të jetë ndonjë Bibël tjetër.
4 Por kështu thotë Zoti Perëndi: O të marrë, ata do ta kenë një Bibël; dhe ajo do t’u vijë nga Judenjtë, populli im i lashtë i besëlidhjes. Dhe si i falënderojnë ata Judenjtë për Biblën që morën prej tyre? Po, ç’duan të thonë Johebrenjtë? A i mbajnë mend ata lodhjet dhe punët dhe vuajtjet e Judenjve, dhe zellin e tyre ndaj meje, për t’u sjellë shpëtim Johebrenjve?
5 O ju, Johebrenj, a i mbani mend Judenjtë, popullin tim të lashtë të besëlidhjes? Jo; por ju i keni mallkuar ata dhe i keni urryer ata dhe nuk jeni përpjekur t’i përtërini ata. Por vini re, unë do t’ua kthej të gjitha këto gjëra mbi kokat tuaja; pasi unë Zoti, nuk e kam harruar popullin tim.
6 Ti i marrë që do të thuash: Një Bibël, ne e kemi një Bibël dhe ne nuk kemi nevojë për Bibël tjetër. A do të kishit Bibël po të mos ishin Judenjtë?
7 A nuk e dini se ka më shumë kombe se një? A nuk e dini se unë Zoti, Perëndia juaj, kam krijuar të gjithë njerëzit dhe se unë i mbaj mend ata që janë në ishujt e detit; dhe se unë sundoj lart në qiejt dhe poshtë në tokë dhe unë ua çoj fjalën time fëmijëve të njerëzve, po, madje të gjitha kombeve të tokës?
8 Prandaj mërmëritni, sepse do të merrni më shumë nga fjala ime? A nuk e dini se dëshmia e dy kombeve është një dëshmi për ju, se unë jam Perëndia, se unë kujtoj një komb sikurse një tjetër? Prandaj, unë i them të njëjtat fjalë një kombi, sikurse një tjetri. Dhe kur të dy kombet do të puqen, dëshmia e të dy kombeve gjithashtu do të puqet.
9 Dhe unë e bëj këtë që unë të mund të provoj te shumica se unë jam i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë; dhe se unë i them fjalët e mia sipas dëshirës sime. Dhe meqë unë kam thënë një fjalë, ju nuk duhet të mendoni se nuk mund të them një tjetër; pasi puna ime nuk ka mbaruar ende, as nuk do të mbarojë deri në fund të njeriut, as që nga ajo kohë e tutje dhe përgjithmonë.
10 Kështu, meqë ju keni një Bibël, ju nuk duhet të mendoni se ajo përmban të gjitha fjalët e mia; as nuk duhet të mendoni që unë nuk kam bërë që të shkruhen më shumë.
11 Pasi, unë i urdhëroj të gjithë njerëzit, si në lindje ashtu dhe në perëndim dhe në veri, dhe në jug, dhe në ishujt e detit, se ata do të shkruajnë fjalët që unë u them atyre; pasi nga librat që do të jenë shkruar, unë do ta gjykoj botën, çdo njeri sipas punëve të tij, sipas asaj që është shkruar.
12 Pasi vini re, unë do t’u flas Judenjve dhe ata do ta shkruajnë atë; dhe unë do t’u flas gjithashtu Nefitëve dhe ata do ta shkruajnë atë; dhe unë do t’u flas gjithashtu fiseve të tjera të shtëpisë së Izraelit që unë i kam çuar tej dhe ata do ta shkruajnë atë; dhe unë do t’u flas gjithashtu të gjitha kombeve të tokës dhe ata do ta shkruajnë atë.
13 Dhe do të ndodhë që Judenjtë do të kenë fjalët e Nefitëve dhe Nefitët do të kenë fjalët e Judenjve; dhe Nefitët dhe Judenjtë do të kenë fjalët e fiseve të humbura të Izraelit; dhe fiset e humbura të Izraelit do të kenë fjalët e Nefitëve dhe të Judenjve.
14 Dhe do të ndodhë që njerëzit e mi, të cilët janë nga shtëpia e Izraelit, do të mblidhen në shtëpitë e tyre, në tokat e zotërimeve të tyre; dhe fjala ime gjithashtu do të mblidhet në një. Dhe unë do t’u tregoj atyre që luftojnë kundër fjalës sime dhe kundër popullit tim, të cilët janë nga shtëpia e Izraelit, se unë jam Perëndia dhe se unë hyra në besëlidhje me Abrahamin se unë do ta kujtoja farën e tij përgjithmonë.