Bibël
Një përmbledhje e shkrimeve hebraike dhe të krishtera, e cila përmban zbulesa hyjnore. Fjala bibël do të thotë “librat”. Bibla është vepra e shumë profetëve dhe shkrimtarëve të frymëzuar, duke vepruar nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë (2 Pj. 1:21).
Bibla e krishterë ka dy ndarje që njihen zakonisht si Dhjata e Vjetër dhe e Re. Dhjata e Vjetër përbëhet nga libra shkrimesh të shenjta, të përdorura nga judenjtë e Palestinës gjatë shërbesës së vdekshme të Zotit. Dhjata e Re përmban shkrime që i përkasin epokës së apostujve dhe njihen se kanë të njëjtën shenjtëri e autoritet si shkrimet judease. Librat e Dhjatës së Vjetër nxirren nga një letërsi kombëtare e shtrirë gjatë shumë shekujve dhe u shkruan pothuajse tërësisht në hebraisht, ndërsa librat e Dhjatës se Re janë vepra e një brezi të vetëm dhe u shkruan kryesisht në greqisht.
Në Dhjatën e Vjetër fjala Dhjatë përfaqëson një fjalë hebraike që do të thotë “besëlidhje”. Besëlidhja e Vjetër është ligji që iu dha Moisiut kur Izraeli nuk e pranoi plotësinë e ungjillit që e kishte populli i Perëndisë që nga fillimi i vdekshmërisë. Besëlidhja e Re është ungjilli siç u mësohej prej Jezu Krishtit.
Në Biblën hebraike (Dhjata e Vjetër) librat u ndanë në tre grupe: Ligji, Profetët dhe Shkrimet. Bibla e përdorur nga bota e krishterë i rendit librat sipas përmbajtjes së temave, si p.sh. historike, poetike dhe profetike.
Librat e Dhjatës së Re janë në përgjithësi në këtë renditje: katër Ungjijtë dhe Veprat e Apostujve; letrat e Palit, letrat e përgjithshme të Jakobit, Pjetrit, Gjonit dhe Judës; dhe Zbulesa e Gjonit.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e nderon dhe e respekton Biblën dhe gjithashtu pohon se Zoti vazhdon të japë zbulesa shtesë nëpërmjet profetëve të tij në ditët e fundit, të cilat mbështesin dhe vërtetojnë rrëfimin biblik të veprimeve të Perëndisë me njerëzimin.