Vjen nga një fjalë greke që do të thotë “zhys” ose “kredh”. Pagëzimi me zhytje në ujë prej dikujt që ka autoritetin është ordinanca paraprirëse e ungjillit dhe është e nevojshme për t’u bërë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai paraprihet nga besimi në Jezu Krishtin dhe nga pendimi. Duhet të pasohet nga marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë, me qëllim që të jetë i plotë (2 Ne. 31:13–14). Pagëzimi nga uji dhe Shpirti është i nevojshëm përpara se dikush të mund të hyjë në mbretërinë çelestiale. Adami ishte i pari që u pagëzua (Mois. 6:64–65). Jezusi gjithashtu u pagëzua për të përmbushur gjithë drejtësinë dhe për të treguar rrugën për gjithë njerëzimin (Mt. 3:13–17; 2 Ne. 31:5–12).
Meqenëse në tokë jo të gjithë e kanë mundësinë për ta pranuar ungjillin gjatë vdekshmërisë, Zoti ka autorizuar pagëzime për të vdekurit të kryera nga mëkëmbës. Si rrjedhim, atyre që e pranojnë ungjillin në botën e shpirtrave, mund t’u jepet mundësia për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë.