David
Një mbret i Izraelit të lashtë në Dhjatën e Vjetër.
Davidi ishte bir i Jesit nga fisi i Judës. Ai ishte një i ri kurajoz i cili vrau një luan, një ari dhe gjigandin filiste, Goliathin (1 Sam. 17). Davidi u zgjodh dhe u vajos të ishte mbret i Izraelit. Ashtu si Sauli, kur u rrit, ai ishte fajtor për krime serioze, por ndryshe nga Sauli, ishte në gjendje të pendohej me të vërtetë. Si rrjedhim, ai ishte i aftë të gjente falje, përveçse për vrasjen e Uriahut (DeB 132:39). Jeta e tij mund të ndahet në katër pjesë: (1) në Bethlehem, ku ai ishte bari (1 Sam. 16–17); (2) në oborrin e mbretit Saul (1 Sam. 18:1–19:18); (3) si i arratisur (1 Sam. 19:18–31:13; 2 Sam. 1:1–27); (4) si mbret i judenjve në Hebron (2 Sam. 2–4) dhe më vonë si mbret i tërë Izraelit (2 Sam. 5–24; 1 Mbr. 1:1–2:11).
Mëkati i Davidit për shkeljen e kurorës me Bathshebën u pasua nga një sërë fatkeqësish që i prishën njëzet vitet e fundit të jetës së tij. Kombi si i tërë ishte i begatë gjatë mbretërimit të tij, por Davidi vetë vuajti nga pasojat e mëkateve të tij. Kishte armiqësi të vazhdueshme familjare që, në rastin e Absalomit dhe Adonijahut, përfunduan me kryengritje të hapur. Këto incidente janë përmbushje e shpalljes së profetit Nathan mbi Davidin për shkak të mëkateve të tij (2 Sam. 12:7–13).
Pavarësisht nga këto fatkeqësi, mbretërimi i Davidit ishte më i shkëlqyeri i historisë izraelite, sepse (1) ai i bashkoi fiset në një komb, (2) ai siguroi pronësi të padiskutueshme të vendit, (3) ai e bazoi qeverisjen mbi fenë e vërtetë, kështu që vullneti i Perëndisë ishte ligji i Izraelit. Për këto arsye, mbretërimi i Davidit u konsiderua më vonë si epoka e artë e kombit dhe lloji i epokës më të lavdishme kur Mesia të vinte (Isa. 16:5; Jer. 23:5; Eze. 37:24–28).
Jeta e Davidit ilustron nevojën që të gjithë njerëzit të durojnë në drejtësi deri në fund. Si i ri, ai thuhet se ishte një njeri sipas “zemrës së vetë” Zotit (1 Sam. 13:14); si burrë, ai foli me anë të Shpirtit dhe pati shumë zbulesa. Por ai pagoi një çmim të rëndë për mosbindjen e tij ndaj urdhërimeve të Perëndisë (DeB 132:39).