Letra të Palit
Katërmbëdhjetë libra në Dhjatën e Re që fillimisht ishin letra të shkruara nga apostulli Pal për anëtarë të Kishës. Ato mund të ndahen në grupet që vijojnë:
1 dhe 2 Thesalonikasve (50–51 pas K.)
Pali u shkroi letra thesalonikasve nga Korinti gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar. Puna e tij në Thesaloniki përshkruhet në Veprat e Apostujve 17. Ai deshi të kthehej në Thesaloniki, por nuk mundi ta bënte atë (1 The. 2:18). Prandaj ai dërgoi Timoteun për t’i përshëndetur të kthyerit në besim dhe për t’i sjellë atij fjalë sesi po ia kalonin ata. Letra e parë është rezultati i mirënjohjes së tij për kthimin e Timoteut. Letra e dytë u shkrua pak kohë më vonë.
1 dhe 2 Korintasve, Galatasve, Romakëve (55–57 pas K.)
Pali i shkroi letrat drejtuar korintasve gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të korrigjuar çrregullimin mes shenjtorëve në Korint.
Letra drejtuar galatasve mund t’u jetë shkruar shumë njësive të Kishës në të gjithë Galatinë. Disa anëtarë të Kishës po e braktisnin ungjillin në përkrahje të ligjit judeas. Në këtë letër, Pali shpjegoi qëllimin e ligjit të Moisiut dhe vlerën e një feje shpirtërore.
Pali e shkroi letrën drejtuar romakëve nga Korinti, pjesërisht për t’i përgatitur shenjtorët romakë për një vizitë që shpresonte t’u bënte. Kjo letër gjithashtu ripohon doktrinat që po debatoheshin prej disa judenjve të cilët ishin kthyer te kristianizmi.
Filipianëve, Kolosianëve, Efesianëve, Filemonit, Hebrenjve (60–62 pas K.)
Pali i shkroi këto letra ndërsa ai ishte në burg herën e parë në Romë.
Pali shkroi letrën drejtuar filipianëve kryesisht për të shprehur mirënjohjen dhe mallin e tij për shenjtorët filipianë dhe për t’i gëzuar ata nga zhgënjimi i burgimit të tij të gjatë.
Pali e shkroi letrën drejtuar kolosianëve si rezultat i një njoftimi se shenjtorët kolosianë po binin në gabim serioz. Ata besonin se përsosja vinte nga zbatimi i kujdesshëm i vetëm ordinancave të jashtme, më shumë sesa nga zhvillimi i një karakteri si të Krishtit.
Letra drejtuar efesianëve ka rëndësi shumë të madhe, sepse ajo përmban mësimet e Palit rreth Kishës së Krishtit.
Letra drejtuar Filemonit është një letër personale rreth Onesimit, një skllavi që e kishte grabitur pronarin e tij, Filemonin, dhe ishte larguar për në Romë. Pali e dërgoi Onesimin tek pronari i tij me letrën, duke kërkuar që Onesimi të falej.
Pali ua shkroi letrën drejtuar hebrenjve anëtarëve judenj të Kishës për t’i bindur ata se ligji i Moisiut ishte përmbushur në Krishtin dhe se ligji i ungjillit të Krishtit e kishte zëvendësuar atë.
1 dhe 2 Timoteut, Titit (64–65 pas K.)
Pali i shkroi këto letra pasi u lirua nga burgu në Romë herën e parë.
Pali udhëtoi për në Efes, ku ai la Timoteun për të ndaluar rritjen e disa formave të spekullimeve, duke pasur qëllim të kthehej aty më pas. Ai ia shkroi letrën e tij të parë Timoteut, ndoshta nga Maqedonia, për ta këshilluar dhe për t’i dhënë kurajo në plotësimin e detyrës së tij.
Pali ia shkroi letrën Titit gjatë një kohe kur ai u lirua nga burgu. Ai mund të ketë vizituar Kretën ku Titi po shërbente. Letra flet kryesisht për të jetuarit e drejtë dhe disiplinën brenda Kishës.
Pali e shkroi letrën e tij të dytë drejtuar Timoteut ndërkohë që ishte në burg për herë të dytë, pak përpara martirizimit të tij. Kjo letër përmban fjalët e fundit të Palit dhe tregon kurajon dhe besimin e mrekullueshëm me të cilin ai përballoi vdekjen.