Ndihma për Studimin
Zbulesë e Gjonit


Zbulesë e Gjonit

Libri i fundit në Dhjatën e Re, që përbëhet nga një zbulesë e dhënë Gjon Apostullit. Ai u lejua të shihte historinë e botës, veçanërisht ditët e fundit (Zbu. 1:1–2; 1 Ne. 14:18–27; DeB 77). Zbulesa e Gjonit njihet gjithashtu si Apokalipsi.

Gjoni e mori këtë zbulesë në ditën e Perëndisë në ishullin Patmos (Zbu. 1:9–10), larg bregdetit të Azisë, jo larg nga Efesi. Data e saktë e zbulesës nuk dihet.

Çelësa për të kuptuar librin përfshihen në 1 Nefi 14:18–27 dhe DeB 77 (Eth. 4:15–16).

Kapitujt 1–3 janë një hyrje e librit dhe letra të dërguara shtatë kishave në Azi. Gjoni i shkroi letrat për t’i ndihmuar shenjtorët të zgjidhnin disa probleme. Kapitujt 4–5 shënojnë vegimet që Gjoni mori duke treguar madhështinë dhe fuqinë e drejtë të Perëndisë dhe të Krishtit. Në kapitujt 6–9, 11, Gjoni shënoi se pa një libër të vulosur me shtatë vula, secila vulë duke paraqitur një mijë vjet të historisë së përkohshme të tokës. Këta kapituj kanë të bëjnë kryesisht me ngjarje që ndodhen në vulën e shtatë (shih Zbu. 8–9; 11:1–15). Kapitulli 10 përshkruan një libër që Gjoni e hëngri. Libri përfaqëson një mision të ardhshëm që ai do të kryente. Kapitulli 12 shënon një vegim për të keqen që filloi në qiell kur Satani ngriti krye dhe u flak jashtë. Lufta që filloi atje vazhdon të zhvillohet në tokë. Në kapitujt 13, 17–19, Gjoni përshkroi mbretëritë e liga të tokës, të kontrolluara nga Satani, dhe shënoi fatin e tyre, duke përfshirë shkatërrimin përfundimtar të së keqes. Kapitujt 14–16 përshkruajnë drejtësinë e shenjtorëve në mes të së keqes, pikërisht përpara ardhjes së dytë. Kapitujt 20–22 përshkruajnë Mijëvjeçarin, qytetin e bukur të Jeruzalemit të Ri dhe ngjarjet përfundimtare të historisë së tokës.