Ndihma për Studimin
Nefi, Bir i Nefit, Bir i Helamanit


Nefi, Bir i Nefit, Bir i Helamanit

Një nga dymbëdhjetë dishepujt nefitë të zgjedhur nga Jezu Krishti i ringjallur në Librin e Mormonit (3 Ne. 1:2–3; 19:4). Ky profet iu lut fuqishëm Zotit në emër të popullit të tij. Nefi dëgjoi zërin e Zotit (3 Ne. 1:11–14). Nefi gjithashtu u vizitua nga engjëjt, dëboi demonë, ngriti vëllanë e tij së vdekuri dhe dha dëshmi që nuk mund të mos besohej (3 Ne. 7:15–19; 19:4). Nefi mbajti analin e shkrimit të shenjtë (3 Ne. 1:2–3).

Libri i 3 Nefit

Një libër i shkruar prej Nefit, bir i Nefit, në Librin e Mormonit. Kapitujt 1–10 tregojnë plotësimin e profecive rreth ardhjes së Zotit. Shenja e lindjes së Krishtit u dha, njerëzit u penduan, por më pas u rikthyen në ligësi. Më në fund furtuna, tërmete, stuhi të fuqishme dhe shkatërrim i madh lajmëruan vdekjen e Krishtit. Kapitujt 11–28 shënojnë ardhjen e Krishtit në kontinentin Amerikan. Kjo është pjesa qendrore e librit të 3 Nefit. Shumë prej fjalëve të Krishtit janë të ngjashme me predikimet e tij të shënuara në Bibël (për shembull, Mt. 5–7 dhe 3 Ne. 12–14). Kapitujt 29–30 janë fjalët e Mormonit për kombet e ditëve të mëvonshme.

Libri i 4 Nefit

Ky libër ka vetëm dyzet e nëntë vargje, të gjithë në një kapitull, e megjithatë ai mbulon afërsisht treqind vjet të historisë nefite (34–321 pas K.). Disa brezni shkrimtarësh, duke përfshirë Nefin, kontribuan në anal. Vargjet 1–19 tregojnë se pas vizitës së Krishtit të ringjallur, të gjithë nefitët dhe lamanitët u kthyhen në besimin tek ungjilli. Paqja, dashuria dhe harmonia sunduan. Të tre dishepujt nefitë, të cilët Krishti i kishte lejuar të mbeteshin në tokë deri në ardhjen e tij të dytë (3 Ne. 28:4–9), u shërbyen njerëzve. Nefi ia la analin birit të tij, Amosit. Vargjet 19–47 janë anali i shërbesës së Amosit (84 vjet) dhe birit të tij, Amosit (112 vjet). Në vitin 201 pas K. krenaria filloi të shkaktojë probleme mes njerëzve, të cilët u ndanë në klasa dhe filluan kisha të rreme për të përfituar (4 Ne. 1:24–34).

Vargjet e fundit të 4 Nefit tregojnë se njerëzit i ishin kthyer përsëri ligësisë (4 Ne. 1:35–49). Në vitin 305 pas K., Amosi, i biri i Amosit, vdiq dhe vëllai i tij, Amaroni, i fshehu të gjitha analet e shenjta për t’i ruajtur të sigurta. Amaroni më vonë ia besoi analet Mormonit i cili regjistroi shumë ngjarje të jetës së vet dhe më pas i përmblodhi ato (Morm. 1:2–4).