Isaia
Profet i Dhjatës së Vjetër i cili profetizoi në vitet 740–701 para K. Si këshilltar kryesor i mbretit Ezekia, Isaia pati ndikim të madh fetar dhe politik.
Jezusi citoi Isaian më shpesh sesa citoi ndonjë profet tjetër. Isaia gjithashtu citohet shpesh nga Pjetri, Gjoni dhe Pali në Dhjatën e Re. Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje përmbajnë më shumë citime nga Isaia sesa nga ndonjë profet tjetër dhe sigurojnë shumë ndihmë për ta shpjeguar Isaian. Nefi e mësoi popullin e tij nga shkrimet e Isaias (2 Ne. 12–24; Isa. 2–14). Zoti u tha nefitëve se “të mëdha janë fjalët e Isaias” dhe se gjithçka që Isaia profetizoi, do të përmbushej (3 Ne. 23:1–3).
Libri i Isaias
Një libër në Dhjatën e Vjetër. Shumë nga profecitë e Isaias bëjnë fjalë për ardhjen e Shëlbuesit, si gjatë shërbesës së tij tokësore (Isa. 9:6), ashtu si dhe Mbreti i Madh në ditën e fundit (Isa. 63). Ai gjithashtu profetizoi shumë rreth së ardhmes së Izraelit.
Kapitulli 1 është një prolog për pjesën e mbetur të librit. Isa. 7:14; 9:6–7; 11:1–5; 53:1–12; dhe 61:1–3 parashikojnë misionin e Shpëtimtarit. Kapitujt 2, 11, 12 dhe 35 bëjnë fjalë për ngjarje në ditët e mëvonshme, kur ungjilli do të rivendoset, Izraeli do të mblidhet dhe toka e etur do të lulëzojë si trëndafili. Kapitulli 29 përmban një profeci për daljen në dritë të Librit të Mormonit (2 Ne. 27). Kapitujt 40–46 shpallin epërsinë e Jehovait si Perëndia i vërtetë mbi perënditë idhujtare të adhuruesve paganë. Kapitujt e mbetur, 47–66, bëjnë fjalë për ngjarje në rivendosjen përfundimtare të Izraelit dhe ngritjen e Sionit, me Zotin duke banuar mes popullit të vet.