Shkrimet e Shenjta
2 Nefi 8


Kapitulli 8

Në ditët e fundit, Zoti do të ngushëllojë Sionin dhe do të mbledhë Izraelin—Të shëlbuarit do të vijnë në Sion mes një gëzimi të madh—Krahaso Isaia 51 dhe 52:1–2. Rreth 559–545 para K.

1 Dëgjomëni mua, ju që ndiqni drejtësinë. Shikoni shkëmbin prej nga ju jeni prerë dhe zgavrën e gropës prej nga ju jeni nxjerrë.

2 Shikoni tek Abrahami, ati juaj dhe te Sara, ajo që ju lindi; sepse unë e thirra atë vetëm dhe e bekova.

3 Pasi Zoti do të ngushëllojë Sionin, ai do të ngushëllojë të gjitha vendet e tij të shkretuara; dhe ai do ta bëjë vendin e tij të shkretë si Edenin dhe shkretëtirën e tij si kopshtin e Zotit. Gëzim e kënaqësi do të gjenden atje, falënderim dhe zëri i melodisë.

4 Dëgjomëni mua, populli im; dhe ma vër veshin O kombi im; pasi një ligj do të dalë prej meje dhe unë do të bëj që gjykimi im të jetë si një dritë për popullin.

5 Drejtësia ime është e afërt; shpëtimi im është dukur dhe krahu im do të gjykojë njerëzit. Ishujt do të presin tek unë dhe mbi krahun tim ata do të besojnë.

6 Ngrini sytë tuaj drejt qiejve dhe shikoni mbi tokën poshtë; pasi qiejt do të zhduken si tym dhe toka do të vjetërohet si një rrobë; dhe ata që banojnë në të do të vdesin në të njëjtën mënyrë. Por, shpëtimi im do të jetë përgjithmonë dhe drejtësia ime nuk do të zhduket.

7 Dëgjoni tek unë, ju që njihni drejtësi, populli në zemrën e të cilit unë kam shkruar ligjin tim, mos ki frikë qortimet e njerëzve, as mos ki frikë nga sharjet e tyre.

8 Pasi, mola do t’i hajë si një rrobë dhe krimbi do t’i hajë ata si leshin. Por, drejtësia ime do të jetë përgjithmonë dhe shpëtimi im nga brezi në brez.

9 Zgjohu, zgjohu! Vish fuqi, O krah i Zotit; zgjohu si në kohët e lashta. A nuk je ti ai që preu Rahabin dhe plagosi dragoin?

10 A nuk je ti ai që shteri detin, ujërat e thellësisë së madhe; që i bëre thellësitë e detit një udhë, që të kalonin mbi të ata që ishin peng?

11 Prandaj, të shëlbuarit e Zotit do të kthehen dhe do të vijnë me këngë në Sion; dhe gëzim dhe shenjtërim të përhershëm do të ketë mbi kokën e tyre; dhe ata do të marrin kënaqësi dhe gëzim; pikëllimi dhe zia do të zhduken.

12 Unë jam ai; po, unë jam ai që të ngushëllon. Vër re, kush je ti, që ti duhet të kesh frikë nga njeriu që do të vdesë dhe nga biri i njeriut që do të bëhet si bar?

13 Dhe harron Zotin, krijuesin tënd, që ka hapur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës dhe ke frikë vazhdimisht çdo ditë, për shkak të tërbimit të shtypësit, sikur ai të jetë gati të shkatërrojë? Dhe ku është tërbimi i shtypësit?

14 I burgosuri i mërguar nxiton, që ai të mund të lirohet dhe që ai të mos vdesë në gropë, as që buka e tij të mungojë.

15 Por unë jam Zoti Perëndia yt, valët e të cilit gjëmojnë; Zoti i Ushtrive është emri im.

16 Dhe unë i kam vënë fjalët e mia në gojën tënde dhe të kam mbuluar me hijen e dorës sime, që unë të mund të vendos qiejt dhe të hedh themelet e tokës dhe t’i them Sionit: Shiko, ti je populli im.

17 Zgjohu, zgjohu, ngrihu, O Jeruzalem, që ke pirë nga dora e Zotit kupën e tërbimit të tij—ti ke pirë llumin e kupës së tmerrit—

18 Dhe nuk ka asnjë që ta udhëheqë atë midis të gjithë bijve që lindi; as që ta marrë për dore, nga të gjithë bijtë që rriti.

19 Këta dy djem të kanë ardhur ty, të cilëve do t’u vijë keq për ty—për shkretimin dhe shkatërrimin tënd dhe urinë dhe shpatën—dhe me cilët do të të ngushëlloj unë?

20 Djemtë e tu kanë dështuar, me përjashtim të këtyre të dyve; ata gjenden në krye të të gjitha udhëve; si një buall i egër në një rrjetë, ata janë plot me tërbimin e Zotit, qortimin e Perëndisë tënd.

21 Prandaj, dëgjo tani këtë, ti i pikëlluar dhe i dehur, por jo me verë:

22 Kështu thotë Zoti yt, Zoti dhe Perëndia yt mbron çështjen e popullit të tij; vini re, unë ta kam hequr nga dora kupën e tmerrit, llumin e kupës së tërbimit tim; ti nuk do ta pish më atë përsëri.

23 Por, do ta vë atë në dorën e atyre që të hidhërojnë ty; të cilët i kanë thënë shpirtit tënd: Kërrusu, që ne të mund të kalojmë mbi ty—dhe ti ke vënë trupin tënd, si toka dhe si udha, për ata që të kalonin sipër.

24 Zgjohu, zgjohu, vish fuqinë tënde, O Sion; vish rrobat e tua të bukura, O Jeruzalem, qyteti i shenjtë; pasi tani e tutje nuk do të hyjë më në ty i parrethpreri dhe i papastri.

25 Shkunde pluhurin, ngrihu, ulu, O Jeruzalem, çlirohu nga rripat e qafës tënde, O bijë e robëruar e Sionit.