Shkrimet e Shenjta
3 Nefi 22


Kapitulli 22

Në ditët e fundit do të vendoset Sioni me kunjat e tij dhe Izraeli do të mblidhet në mëshirë dhe butësi—Ata do të triumfojnë—Krahaso Isaia 54. Rreth 34 pas K.

1 Dhe atëherë do të vërtetohet ajo që është shkruar: Këndo, O shterpë, ti që nuk lindje; shpërthe në këngë dhe thirr me zë të lartë, ti që nuk provove dhembjet e lindjes; pasi më të shumtë janë fëmijët e së shkretës, sesa fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.

2 Zgjero vendin e çadrës sate dhe lë të hapen perdet e banesave tuaja; mos u kurse, zgjat litarët e tu dhe forco kunjat e tua;

3 Pasi ti do të shtihesh në të djathtë dhe në të majtë dhe fara jote do të trashëgojë Johebrenjtë dhe do të bëjë të popullohen qytetet e shkretuara.

4 Mos u frikëso se nuk do të turpërohesh; as mos u huto, pasi nuk do të skuqesh; pasi do të harrosh turpin e rinisë sate dhe nuk do të kujtosh më turpin e vejërisë sate.

5 Pasi, krijuesi yt, bashkëshorti yt, e ka emrin Zoti i Ushtrive; dhe ai do të quhet Shëlbuesi yt, i Shenjti i Izraelit—Perëndia i tërë tokës.

6 Pasi Zoti të ka ftuar si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në shpirt dhe si një bashkëshorte të rinisë kur ti u përzure, thotë Perëndia yt.

7 Për një çast të vogël, unë të kam braktisur, por me mëshira të mëdha unë do të të mbledh.

8 Në një zemërim të vogël, e fsheha prej teje për një çast fytyrën time, por me mirësi të përhershme unë do të kem mëshirë për ty, thotë Zoti, Shëlbuesi yt.

9 Sepse këtë herë, është si ujërat e kohës së Noeut për mua, pasi në të njëjtën mënyrë që jam betuar se ujërat e Noeut nuk do të mbulojnë më tokën, kështu jam betuar se nuk do të zemërohesha me ty.

10 Edhe sikur të largohen malet dhe të lëvizin kodrat, mirësia ime nuk do të largohet prej teje, as besëlidhja e paqes sime nuk do të hiqet, thotë Zoti që ka mëshirë për ty.

11 O e pikëlluar, e rrahur nga stuhia dhe e pa ngushëlluar! Vër re, unë do t’i shtroj gurët e tu me ngjyra të bukura dhe do të hedh themelet e tua me safirë.

12 Dhe unë do t’i bëj dritaret e tua prej agati dhe portat e tua prej rubinësh dhe të gjitha muret e tua rrethuese prej gurësh të çmuar.

13 Dhe gjithë fëmijët e tu do të mësohen nga Zoti; dhe e madhe do të jetë paqja e fëmijëve të tu.

14 Ti do të vendosesh në drejtësi; ti do të jesh larg nga shtypja, pasi nuk do të kesh frikë dhe nga tmerri, pasi nuk do të vijë afër teje.

15 Vër re, me siguri ata do të mblidhen së bashku kundër teje, por jo nga unë; të gjithë ata që do të mblidhen së bashku kundër teje, do të bien për hirin tënd.

16 Vër re, unë kam krijuar farkëtarin që i fryn qymyrit në zjarr dhe që bën një vegël për punën e tij; dhe unë kam krijuar shkatërrimtarin për të prishur.

17 Asnjë armë që bëhet kundër teje, nuk do të ketë sukses; dhe çdo gjuhë që do të fyejë kundër teje në gjykim, ti do ta dënosh. Ky është trashëgimi i shërbëtorëve të Zotit dhe drejtësia e tyre është prej meje, thotë Zoti.