Kapitulli 7
Kryegjykatësi vritet, përmbyset qeveria dhe populli ndahet në fise—Jakobi, një antikrisht, bëhet mbret i një lidhjeje të fshehtë—Nefi predikon pendim dhe besim në Krisht—Engjëjt i shërbejnë atij çdo ditë dhe ai ngre së vdekuri vëllanë e tij—Shumë pendohen dhe pagëzohen. Rreth 30–33 pas K.
1 Tani, vini re, unë do t’ju tregoj se ata nuk vendosën një mbret në atë vend; por, po këtë vit, po, në vitin e tridhjetë, ata shkatërruan në fronin e gjykimit, po, vranë kryegjykatësin e vendit.
2 Dhe njerëzit ishin ndarë njëri kundër tjetrit; dhe u ndanë nga njëri-tjetri në fise, çdo njeri sipas familjes së tij dhe farefisit dhe miqve të tij; dhe kështu ata shkatërruan qeverinë e vendit.
3 Dhe çdo fis caktoi një kryetar ose udhëheqës mbi ta; dhe kështu u bënë fise dhe kryetarë fisesh.
4 Tani vini re, nuk kishte njeri mes tyre të mos kishte familje të madhe dhe shumë farefis dhe miq; prandaj fiset e tyre u bënë jashtëzakonisht të mëdha.
5 Tani, e gjithë kjo gjë u bë dhe akoma nuk pati luftë mes tyre; dhe e gjithë kjo paudhësi erdhi mbi njerëzit, pasi ata iu dorëzuan pushtetit të Satanit.
6 Dhe rregulloret e qeverisë u shkatërruan, për shkak të lidhjeve të fshehta të miqve dhe të farefisit të atyre që vranë profetët.
7 Dhe ata shkaktuan një grindje të madhe në tokë; kaq sa pjesa më e drejtë e njerëzve ishin bërë pothuaj të gjithë të ligj; po, nuk kishin mbetur veçse pak njerëz të drejtë mes tyre.
8 Dhe kështu nuk kishin kaluar gjashtë vjet, që kur pjesa më e madhe e njerëzve ishin larguar nga drejtësia e tyre, sikurse qeni tek e vjella e tij ose sikurse dosa tek zhgërryerja e saj në llucë.
9 Tani, kjo lidhje e fshehtë, që solli kaq shumë paudhësi në popull, u mblodh së bashku dhe vuri në krye të saj një njeri të cilin ata e quajtën Jakob.
10 Dhe ata e quanin atë mbretin e tyre; prandaj ai u bë mbret i kësaj bande të ligë; dhe ai kishte qenë një prej të parëve që kishte ngritur zërin e tij kundër profetëve që dëshmuan për Jezusin.
11 Dhe ndodhi që ata nuk ishin kaq të shumtë në numër, sa ishin fiset e popullit që ishin bashkuar tok, ndonëse çdo kryetar fisi caktonte ligjet e veta, secili sipas fisit të tij; megjithatë ishin armiq; por megjithëse nuk ishin një popull i drejtë, përsëri ata ishin të bashkuar në urrejtje kundër atyre që kishin hyrë në besëlidhje që të shkatërronin qeverinë.
12 Prandaj Jakobi, duke parë se armiqtë e tyre ishin më të shumtë se ata dhe duke qenë ai mbreti i bandës, prandaj i urdhëroi njerëzit e tij që të iknin në pjesën më veriore të vendit dhe aty të krijonin për vete një mbretëri, derisa të bashkoheshin me kundërshtarë (pasi i merrte me lajka duke thënë se do të kishte shumë kundërshtarë) dhe do të bëheshin mjaft të fortë, që të luftonin me fiset e popullit; dhe ata bënë kështu.
13 Dhe kaq e shpejtë qe ikja e tyre, saqë ata nuk u penguan dot, derisa ata u larguan që të mos mund të arriheshin nga populli. Dhe kështu mbaroi viti i tridhjetë; dhe kështu ishin punët e popullit të Nefit.
14 Dhe ndodhi që në vitin e tridhjetenjëtë, ndërsa ishin të ndarë në fise, çdo njeri sipas familjes, farefisit dhe miqve të tij; arritën megjithatë në një marrëveshje se nuk do të shkonin të luftonin me njëri-tjetrin; por nuk qenë të bashkuar përsa i përket ligjeve dhe përsa i përket formës së qeverisë së tyre, pasi ato qenë vendosur sipas mendjeve të atyre që ishin kryetarët e tyre dhe udhëheqësit e tyre. Por, ata vendosën ligje shumë të rrepta, që një fis nuk duhej të bënte shkelje kundër një tjetri, kaq sa, deri në njëfarë pike, patën paqe në tokë; megjithatë zemrat e tyre ishin larguar nga Zoti, Perëndia i tyre dhe ata zinin me gurë profetët dhe i dëbonin nga mesi i tyre.
15 Dhe ndodhi që Nefi—pasi u vizitua nga engjëjt si dhe nga zëri i Zotit, prandaj, pasi ishte dëshmitar okular dhe pasi iu dha fuqi që të mund të dinte në lidhje me shërbesën e Krishtit dhe duke qenë gjithashtu dëshmitar okular i kthimit të tyre të shpejtë nga drejtësia në ligësinë dhe neverirat e tyre;
16 Prandaj, duke qenë i pikëlluar nga ngurtësimi i zemrave të tyre dhe nga verbimi i mendjeve të tyre—shkoi mes tyre po atë vit dhe filloi të dëshmonte me guxim, pendim dhe heqje të mëkateve, nëpërmjet besimit në Zotin Jezu Krisht.
17 Dhe ai u mësoi atyre shumë gjëra; dhe të gjitha nuk mund të shkruhen dhe se një pjesë e tyre nuk do të mjaftonte, prandaj ato nuk janë shkruar në këtë libër. Dhe Nefi i mësoi me fuqi dhe me autoritet të madh.
18 Dhe ndodhi që ata u zemëruan me të, madje, sepse ai kishte fuqi më të madhe se ata, pasi nuk ishte e mundur që ata të dyshonin në fjalët e tij, meqë, kaq i madh qe besimi i tij në Zotin Jezu Krisht, që engjëjt i shërbenin çdo ditë.
19 Dhe në emrin e Jezusit ai dëbonte djaj dhe shpirtra të papastër; dhe ringjalli madje së vdekuri vëllanë e tij që njerëzit e kishin zënë me gurë dhe e kishin vrarë.
20 Dhe njerëzit e panë dhe e dëshmuan këtë gjë dhe u zemëruan me të për shkak të fuqisë së tij; dhe ai bëri edhe shumë mrekulli në emrin e Jezusit, para popullit.
21 Dhe ndodhi që viti i tridhjetenjëtë kaloi dhe pati pak që u kthyen në besimin te Zoti; por të gjithë ata që u kthyen në besim i lanë me të vërtetë popullit të kuptonte se ishin vizituar nga fuqia dhe Shpirti i Perëndisë, që ishte në Jezu Krishtin në të cilin besonin.
22 Dhe të gjithë ata që u çliruan nga djajtë dhe që u shëruan nga sëmundjet e tyre dhe nga dobësitë e tyre trupore, i treguan popullit me vërtetësi se qenë ndikuar nga Shpirti i Perëndisë dhe qenë shëruar; dhe treguan mes popullit edhe shenja dhe bënë disa mrekulli.
23 Kështu kaloi edhe viti i tridhjetedytë. Dhe Nefi i thirri popullit në fillim të vitit të tridhjetetretë; dhe u predikoi atyre pendim dhe heqje të mëkateve.
24 Tani, unë dua që ju të mbani mend gjithashtu se nuk pati asnjë prej atyre që u sollën në pendim që nuk u pagëzua me ujë.
25 Prandaj, Nefi shuguroi disa njerëz në këtë shërbesë, kështu që të gjithë ata që do të shkonin tek ata duhej të pagëzoheshin me ujë dhe kjo si një provë dhe dëshmi para Perëndisë dhe popullit, se ata ishin penduar dhe kishin marrë heqje të mëkateve të tyre.
26 Dhe pati shumë në fillim të këtij viti që u pagëzuan në pendim; dhe kështu kaloi pjesa më e madhe e vitit.