Kapitulli 14
Alma dhe Amuleku burgosen dhe qëllohen—Besimtarët dhe shkrimet e tyre të shenjta digjen në zjarr—Këta martirë pranohen me lavdi nga Zoti—Muret e burgut çahen dhe shemben—Alma dhe Amuleku çlirohen dhe persekutuesit e tyre vriten. Rreth 82–81 para K.
1 Dhe ndodhi që pasi ai mbaroi së foluri popullit, shumë prej tyre u besuan fjalëve të tij dhe filluan të pendohen dhe të kërkojnë shkrimet e shenjta.
2 Por pjesa më e madhe e tyre kishin dëshirë të shkatërronin Almën dhe Amulekun; pasi ishin zemëruar me Almën, për shkak të qartësisë së fjalëve të tij ndaj Zizromit dhe ata thanë gjithashtu se Amuleku i kishte gënjyer dhe se kishte sharë ligjin e tyre, ashtu edhe avokatët dhe gjykatësit e tyre.
3 Dhe ata ishin zemëruar gjithashtu me Almën dhe Amulekun; dhe për shkak se kishin dëshmuar kaq qartë kundër ligësisë së tyre, ata deshën t’i vrisnin fshehurazi.
4 Por ndodhi që ata nuk e bënë; por i morën dhe i lidhën me litarë të fortë dhe i çuan para kryegjykatësit të vendit.
5 Dhe njerëzit dolën dhe dëshmuan kundër tyre—duke dëshmuar se ata kishin sharë ligjin dhe ligjtarët dhe gjykatësit e tyre të vendit, dhe gjithashtu gjithë njerëzit që ishin në tokë; dhe dëshmuan gjithashtu se s’kishte veçse një Perëndi dhe se ai do të dërgonte Birin e tij mes popullit, porse ai nuk do t’i shpëtonte ata; dhe shumë gjëra të tilla dëshmuan njerëzit kundër Almës dhe Amulekut. Tani kjo u bë para kryegjykatësit të vendit.
6 Dhe ndodhi që Zizromi u habit nga fjalët që u folën; dhe ai gjithashtu dinte në lidhje me verbërinë mendore që ai kishte shkaktuar mes njerëzve me fjalët e tij gënjeshtare; dhe shpirti i tij filloi të ngacmohej nga ndërgjegjja për fajin e tij; po, ai filloi të rrethohej nga dhembjet e ferrit.
7 Dhe ndodhi që ai filloi t’i thërriste popullit, duke thënë: Vini re, unë kam faj dhe këta njerëz janë pa njollë para Perëndisë. Dhe që nga ajo kohë e tutje, ai filloi të përgjërohej për ta; por ata e shanin atë, duke thënë: A je ti gjithashtu i pushtuar nga djalli? Dhe pështynin mbi të dhe e dëbuan nga mesi i tyre, dhe gjithashtu të gjithë ata që besonin në fjalët që u thanë nga Alma dhe Amuleku; dhe i dëbuan ata dhe dërguan njerëz që t’i qëllonin me gurë.
8 Dhe ata sollën bashkëshortet dhe fëmijët e tyre së bashku dhe këdo që besonte ose që ishte mësuar të besonte në fjalën e Perëndisë, ata bënë që ata të hidheshin në zjarr; dhe ata sollën gjithashtu analet e tyre që përmbanin shkrimet e shenjta dhe i hodhën ato gjithashtu në zjarr, që të mund të digjeshin dhe të shkatërroheshin nga zjarri.
9 Dhe ndodhi që ata morën Almën dhe Amulekun dhe i çuan në vendin e martirizimit, që ata të mund të dëshmonin shkatërrimin e këtyre që digjeshin nga zjarri.
10 Dhe kur Amuleku pa dhimbjet e grave dhe të fëmijëve që po digjeshin në zjarr, vuajti edhe ai; dhe ai i tha Almës: Si mund ta dëshmojmë këtë pamje të tmerrshme? Prandaj, le të shtrijmë duart tona dhe të ushtrojmë fuqinë e Perëndisë që gjendet në ne dhe t’i shpëtojmë nga flakët.
11 Por Alma i tha atij: Shpirti më detyron që unë të mos e shtrij dorën time; pasi vër re, Zoti i pranon ata te vetja e tij, në lavdi; dhe ai lejon që ata ta bëjnë këtë gjë, ose që njerëzit t’ua bëjnë atyre këtë gjë, sipas ngurtësisë së zemrave të tyre, që gjykimet që ai do të zbatojë kundër tyre në zemërimin e tij të jenë të drejta; dhe gjaku i të pafajshmit do të qëndrojë si një dëshmi kundër tyre, po, dhe do të thërrasë me fuqi kundër tyre ditën e fundit.
12 Tani Amuleku i tha Almës: Vër re, ndoshta ata do të na djegin edhe ne.
13 Dhe Alma tha: U bëftë sipas vullnetit të Zotit. Por, vër re, puna jonë nuk ka mbaruar; prandaj ata nuk na djegin.
14 Tani ndodhi që kur trupat e atyre që u hodhën në zjarr u dogjën dhe gjithashtu analet që u hodhën së bashku me ta, kryegjykatësi i vendit erdhi dhe qëndroi para Almës dhe Amulekut, ndërsa ata ishin të lidhur; dhe ai i qëlloi në faqe me dorën e tij dhe u tha atyre: Pas asaj që keni parë, a do t’i predikoni përsëri këtij populli se do të hidhen në një liqen zjarri dhe squfuri?
15 Vini re, ju e patë se nuk kishit fuqi të shpëtonit ata që u hodhën në zjarr; as Perëndia nuk i shpëtoi, sepse ata ishin të besimit tuaj. Dhe gjykatësi i qëlloi përsëri në faqe dhe pyeti: Ç’thoni për veten tuaj?
16 Tani, ky gjykatës ishte i urdhrit dhe besimit të Nehorit, i cili vrau Gideonin.
17 Dhe ndodhi që Alma dhe Amuleku nuk iu përgjigjën fare; dhe ai i qëlloi përsëri dhe ua dorëzoi rojave, që të hidheshin në burg.
18 Dhe pasi ata qenë në burg për tri ditë, shkuan shumë ligjtarë, dhe gjykatës, dhe priftërinj, dhe mësues, që ishin të besimit të Nehorit; dhe ata shkuan në burg për t’i parë dhe i pyetën mbi shumë çështje, por ata nuk iu përgjigjën fare.
19 Dhe ndodhi që gjykatësi qëndroi para tyre dhe tha: Pse nuk u përgjigjeni fjalëve të këtij populli? A nuk e dini ju se unë kam fuqi t’ju hedh mes flakëve? Dhe ai i urdhëroi të flisnin; por ata nuk u përgjigjën fare.
20 Dhe ndodhi që ata ikën dhe shkuan në punët e tyre, por erdhën përsëri të nesërmen; dhe gjykatësi i qëlloi përsëri në faqe. Dhe shumë erdhën dhe i qëlluan ata, duke thënë: A do të qëndroni përsëri dhe të gjykoni këtë popull dhe të dënoni ligjin tonë? Në qoftë se keni fuqi kaq të madhe, përse nuk e çlironi veten tuaj?
21 Dhe shumë gjëra të tilla u thanë atyre, duke kërcëllitur dhëmbët kundër tyre dhe duke pështyrë mbi ta dhe duke thënë: Si do të dukemi kur të mallkohemi?
22 Dhe shumë gjëra të tilla, po, të gjitha llojet e gjërave të tilla u thanë atyre; dhe kështu për shumë ditë u tallën me ta. Dhe i lanë pa ushqim, që ata të kishin uri dhe pa ujë që të kishin etje; dhe ua morën veshjet duke i lënë lakuriq; dhe kështu ata qenë lidhur me litarë të fortë dhe mbaheshin në burg.
23 Dhe ndodhi që pasi vuajtën kështu për shumë ditë (dhe qe në ditën e dymbëdhjetë, në muajin e dhjetë, në vitin e dhjetë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit) që kryegjykatësi i vendit Amoniha dhe shumë nga mësuesit e tyre dhe ligjtarët e tyre, shkuan brenda në burg, ku ndodheshin Alma dhe Amuleku të lidhur me litarë.
24 Dhe kryegjykatësi qëndroi para tyre dhe i qëlloi përsëri, dhe u tha: Në qoftë se ju keni fuqinë e Perëndisë çlirohuni nga këta rripa dhe atëherë ne do të besojmë se Zoti do ta shkatërrojë këtë popull, sipas fjalëve tuaja.
25 Dhe ndodhi që ata të gjithë shkuan dhe i qëlluan, duke thënë të njëjtat fjalë, madje deri tek i fundit; dhe kur i fundit u foli atyre, fuqia e Perëndisë qe mbi Almën dhe Amulekun dhe ata u ngritën dhe qëndruan në këmbë.
26 Dhe Alma thirri duke thënë: Deri kur do t’i vuajmë këto fatkeqësi të mëdha, O Zot? O Zot na jep fuqi sipas besimit tonë që është në Krisht, madje deri në çlirim. Dhe ata këputën litarët me të cilët ishin lidhur; dhe kur njerëzit e panë këtë, ata filluan t’ia mbathnin, pasi frika e shkatërrimit kishte ardhur mbi ta.
27 Dhe ndodhi që kaq e madhe qe frika e tyre, sa ata ranë përdhe dhe nuk mund të arrinin deri te dera e jashtme e burgut; dhe toka u drodh fuqishëm dhe muret e burgut u çanë, kështu që ata ranë përdhe; dhe kryegjykatësi dhe ligjtarët, dhe priftërinjtë, dhe mësuesit, të cilët qëlluan Almën dhe Amulekun, u vranë nga shembja e tyre.
28 Dhe Alma dhe Amuleku dolën nga burgu pa pësuar dëm; pasi Zoti u dha atyre fuqi, sipas besimit të tyre që ishte në Krisht. Dhe ata dolën menjëherë nga burgu; dhe ishin çliruar nga rripat e tyre; dhe burgu ishte shembur përdhe dhe çdo shpirt brenda mureve të tij, me përjashtim të Almës dhe të Amulekut, u vra; dhe ata shkuan menjëherë brenda në qytet.
29 Tani populli, pasi dëgjoi një zhurmë të madhe, erdhi duke vrapuar tok në turma, për të ditur shkakun e saj; dhe kur panë Almën dhe Amulekun duke dalë nga burgu dhe se muret e tij kishin rënë përdhe, i zuri një frikë e madhe dhe ia mbathën nga prania e Almës dhe Amulekut, madje, ashtu si një dhi ikën me vrap me kecat e saj nga dy luanë; dhe kështu ikën ata nga prania e Almës dhe e Amulekut.