Shkrimet e Shenjta
Alma 48


Kapitulli 48

Amalikia nxit Lamanitët kundër Nefitëve—Moroni përgatit popullin e tij që të mbrojë çështjen e të Krishterëve—Ai gëzohet në liri dhe në çlirim dhe është njeri i madh i Perëndisë. Rreth 72 para K.

1 Dhe tani ndodhi që posa Amalikia mori në dorë mbretërinë, filloi të frymëzonte zemrat e Lamanitëve kundër popullit të Nefit; po, ai caktoi njerëz që t’u flisnin Lamanitëve nga kullat e tyre kundër Nefitëve.

2 Dhe kështu ai frymëzoi zemrat e tyre kundër Nefitëve kaq shumë, sa në mbarim të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të gjykatësve, meqë kishte plotësuar deri atëherë planet e tij, po, duke u bërë mbret i Lamanitëve, ai kërkoi gjithashtu të mbretëronte mbi gjithë vendin, po, dhe mbi të gjithë njerëzit që ishin në tokë, Nefitë dhe Lamanitë.

3 Prandaj, ai e plotësoi planin e tij, pasi ngurtësoi zemrat e Lamanitëve dhe verboi mendjet e tyre dhe i nxiti në zemërim kaq shumë, sa mblodhi tok një ushtri të shumtë, që të shkonin për të luftuar kundër Nefitëve.

4 Pasi ai ishte i vendosur, për shkak të numrit të madh të popullit të tij, për të mundur Nefitët dhe për t’i sjellë ata në robëri.

5 Dhe kështu ai caktoi kryekapitenë nga Zoramitët, pasi ata e dinin më mirë fuqinë e Nefitëve dhe vendet e tyre të fshehjes dhe pikat më të dobëta të qyteteve të tyre; prandaj ai i caktoi që të ishin kryekapitenë të ushtrive të tij.

6 Dhe ndodhi që ata e hoqën kampin e tyre dhe shkuan përpara në drejtim të tokës së Zarahemlës, në vendin e shkretë.

7 Tani ndodhi që, ndërsa Amalikia po bëhej në këtë mënyrë gjithnjë dhe më i fuqishëm me mashtrim dhe gënjeshtra, Moroni nga ana tjetër, ishte duke përgatitur mendjet e njerëzve që të ishin besnikë të Zotit, Perëndisë së tyre.

8 Po, ai kishte qenë duke përforcuar ushtritë e Nefitëve dhe duke ndërtuar fortifikata të vogla, ose vende për t’u fshehur; duke ndërtuar bregore dheu rreth e përqark për të mbrojtur ushtritë e tij dhe gjithashtu duke ndërtuar rreth e përqark qyteteve dhe kufijve të tokave të tyre, mure prej guri për t’i rrethuar ato, po, kudo rreth e përqark vendit.

9 Dhe në fortifikatat më të dobëta vendosi numrin më të madh të ushtarëve; dhe kështu ai fortifikoi dhe përforcoi tokën që ishte zotëruar nga Nefitët.

10 Dhe kështu po përgatitej të mbështeste lirinë e tyre, tokat e tyre, bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e tyre dhe paqen e tyre dhe që ata të mund të jetonin për Zotin, Perëndinë e tyre dhe që të mund të mbanin atë që quhej nga armiqtë e tyre, çështja e të Krishterëve.

11 Dhe Moroni ishte njeri i fortë dhe i fuqishëm; ai ishte njeri me kuptim të përsosur; po, njeri që nuk gjente kënaqësi në gjakderdhje; njeri, shpirti i të cilit gëzohej për lirinë dhe çlirimin e vendit të tij dhe të vëllezërve të tij nga robëria dhe skllavëria;

12 Po, një njeri, zemra e të cilit ishte plot falënderime për Perëndinë e tij, për privilegjet dhe për bekimet e shumta që ai i dha popullit të tij; një njeri, i cili punoi jashtëzakonisht shumë për mirëqenien dhe sigurinë e popullit të tij.

13 Po, dhe ai ishte një njeri i vendosur në besimin e Krishtit dhe ishte betuar me betim që të mbronte popullin e tij, të drejtat e tij dhe vendin e tij dhe fenë e tij, madje deri në derdhjen e gjakut të tij.

14 Tani Nefitëve u ishte mësuar të mbronin veten nga armiqtë e tyre, madje, po të ishte nevoja, edhe me gjakderdhje; po, atyre u ishte mësuar gjithashtu që kurrë të mos fyenin, po, dhe të mos ngrinin kurrë shpatën, veçse të ishte kundër një armiku, veçse të ishte për të mbrojtur jetën e tyre.

15 Dhe ky qe besimi i tyre, që duke bërë kështu, Perëndia do t’i begatonte në tokë, ose me fjalë të tjera, në qoftë se ata ishin besnikë në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë, ai do t’i bënte të përparonin në tokë; po, t’i paralajmëronte të iknin ose të përgatiteshin për luftë, sipas rrezikut të tyre;

16 Dhe gjithashtu që Perëndia do t’u njoftonte atyre se ku duhej të shkonin për t’u mbrojtur nga armiqtë e tyre dhe se duke bërë kështu, Zoti do t’i shpëtonte; dhe ky ishte besimi i Moronit dhe zemra e tij lavdërohej në të; jo në gjakderdhje, por duke bërë mirë, duke ruajtur popullin e tij, po, duke zbatuar urdhërimet e Perëndisë, po, dhe duke i bërë ballë paudhësisë.

17 Po, me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, në qoftë se të gjithë njerëzit kishin qenë dhe ishin, ose do të jenë ndonjëherë, sikurse Moroni, vini re, fuqitë e vërteta të ferrit do të ishin tundur përgjithnjë; po, djalli nuk do të kishte kurrë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve.

18 Vini re, ai ishte një njeri sikurse Amoni, biri i Mosias, po, madje sikurse edhe bijtë e tjerë të Mosias, po, dhe sikurse Alma dhe bijtë e tij, pasi që të gjithë ishin njerëz të Perëndisë.

19 Tani vini re, Helamani dhe vëllezërit e tij nuk ishin më pak të dobishëm ndaj popullit, sesa ishte Moroni; pasi ata predikuan fjalën e Perëndisë dhe pagëzuan në pendim të gjithë njerëzit, këdo që u vinte veshin fjalëve të tyre.

20 Dhe kështu ata shkuan përpara dhe populli u përul për shkak të fjalëve të tyre, kaq sa ata u favorizuan shumë nga Zoti dhe kështu u çliruan nga luftërat dhe grindjet mes tyre, po, madje, për hapësirën e katër vjetëve.

21 Por, sikurse thashë, aty nga mbarimi i vitit të nëntëmbëdhjetë, po, me gjithë paqen mes tyre, ishin të detyruar, kundër dëshirës së tyre, të luftonin kundër vëllezërve të tyre, Lamanitëve.

22 Po, dhe si përfundim, luftërat e tyre nuk mbaruan kurrë për hapësirën e shumë viteve me Lamanitët, me gjithë kundërshtimin e tyre të madh.

23 Tani, atyre u vinte keq të merrnin armët kundër Lamanitëve, pasi nuk kënaqeshin në gjakderdhje; po, dhe kjo nuk ishte e gjitha—atyre u vinte keq që të ishin mjeti për të dërguar kaq shumë prej vëllezërve të tyre jashtë kësaj bote, në një botë të përjetshme, të papërgatitur të takojnë Perëndinë e tyre.

24 Megjithatë, ata nuk mund të lejonin që të humbnin jetën, që bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e tyre të masakroheshin nga mizoria barbare e atyre që njëherë kishin qenë vëllezërit e tyre, po, dhe që ishin shkëputur nga kisha e tyre dhe i kishin braktisur ata, dhe shkuan t’i shkatërronin, duke u bashkuar me Lamanitët.

25 Po, ata nuk mund të duronin që vëllezërit e tyre të gëzoheshin me gjakun e Nefitëve, përderisa të kishte ndonjë që të zbatonte urdhërimet e Perëndisë, pasi premtimi i Zotit ishte se, në qoftë se ata do të zbatonin urdhërimet e tij, ata do të përparonin në tokë.