Kapitulli 13
Ethëri flet për një Jeruzalem të Ri që duhet të ndërtohet në Amerikë nga fara e Jozefit—Ai profetizon, dëbohet, shkruan historinë e Jareditëve dhe parashikon shkatërrimin e Jareditëve—Shpërthen lufta në të gjithë vendin.
1 Dhe tani unë, Moroni, vazhdoj që t’i jap fund analit tim në lidhje me shkatërrimin e popullit për të cilin kam shkruar.
2 Pasi vini re, ata hodhën poshtë të gjitha fjalët e Ethërit; meqë ai me të vërtetë u tha atyre të gjitha gjërat, që nga fillimi i njeriut; dhe pasi ujërat u tërhoqën nga faqja e kësaj toke, ajo u bë një tokë e zgjedhur përmbi të gjitha tokat e tjera, një tokë e zgjedhur nga Zoti; prandaj Zoti do që të gjithë njerëzit që jetojnë mbi faqe të dheut, t’i shërbejnë atij.
3 Dhe që ishte vendi i Jeruzalemit të Ri që duhej të zbriste nga qielli dhe nga vendi i shenjtë i Zotit.
4 Vini re, Ethëri pa ditët e Krishtit dhe foli në lidhje me Jeruzalemin e Ri mbi këtë vend.
5 Dhe ai foli edhe në lidhje me shtëpinë e Izraelit dhe të Jeruzalemit prej nga duhej të vinte Lehi—pasi të shkatërrohej, ai do të ndërtohej përsëri, një qytet i shenjtë për Zotin; prandaj nuk mund të ishte një Jeruzalem i ri, pasi ai kishte qenë një herë në kohët e vjetra; por, duhej ndërtuar përsëri dhe të bëhej një qytet i shenjtë i Zotit; dhe duhej ndërtuar për shtëpinë e Izraelit—
6 Dhe që një Jeruzalem i Ri do të ndërtohej mbi këtë tokë, për mbetjen e farës së Jozefit, gjëra për të cilat ka pasur një simbol.
7 Pasi, sikurse Jozefi çoi të atin në tokën e Egjiptit, kështu që ai vdiq atje, ashtu Zoti nxori një mbetje të farës së Jozefit nga toka e Jeruzalemit, që të ishte i mëshirshëm me farën e Jozefit, që ata të mos mbaronin, madje, ashtu siç kishte qenë i mëshirshëm me atin e Jozefit, që ai të mos mbaronte.
8 Prandaj, mbetja e shtëpisë së Jozefit do të vendoset mbi këtë tokë; dhe do të jetë një tokë e trashëgimit të tyre; dhe ata do të ndërtojnë një qytet të shenjtë për Zotin, sikurse Jeruzalemin e vjetër; dhe ata nuk do të jenë më të ngatërruar, derisa të vijë fundi, kur toka do të vdesë.
9 Dhe do të ketë një qiell të ri dhe një tokë të re; dhe ato do të jenë si të vjetrat, veçse të vjetrat do të jenë zhdukur dhe të gjitha gjërat do të jenë bërë të reja.
10 Dhe atëherë vjen Jeruzalemi i Ri; dhe të bekuar do të jenë ata që do të banojnë në të, pasi do të jenë ata, rrobat e të cilëve do të jenë bërë të bardha nëpërmjet gjakut të Qengjit; dhe ata janë ata që numërohen mes mbetjes së farës së Jozefit, që ishin nga shtëpia e Izraelit.
11 Dhe atëherë vjen edhe Jeruzalemi i vjetër; dhe të bekuar janë banorët e tij, pasi janë larë me gjakun e Qengjit; dhe ata janë ata që ishin shpërndarë dhe që u mblodhën nga të katër skajet e dheut dhe nga vendet e veriut dhe që janë pjesëtarë në plotësimin e besëlidhjes që bëri Perëndia me atin e tyre, Abrahamin.
12 Dhe kur të ndodhin këto gjëra, do të vërtetohet edhe shkrimi i shenjtë që thotë: Janë ata që ishin të parët, që do të jenë të fundit; dhe janë ata që ishin të fundit, që do të jenë të parët.
13 Dhe unë isha gati të shkruaj më shumë, por u ndalova; por të mëdha dhe të mrekullueshme qenë profecitë e Ethërit; por ata e vlerësuan atë si asgjë dhe e dëbuan; dhe ai fshihej gjatë ditës në zgavrën e një shkëmbi dhe gjatë natës dilte të shikonte gjërat që do t’i ndodhnin popullit.
14 Dhe ndërsa jetonte në zgavrën e shkëmbit, ai shkroi pjesën e mbetur të këtij anali, meqë shihte gjatë natës shkatërrimet që do të vinin mbi këtë popull.
15 Dhe ndodhi që po atë vit që ai u dëbua nga mesi i popullit, filloi të bëhej një luftë e madhe mes popullit, pasi pati shumë nga ata që ngritën krye, që ishin njerëz të fuqishëm dhe kërkuan të shkatërronin Koriantumrin me planet e tyre të fshehta të ligësisë, për të cilat është folur.
16 Dhe tani Koriantumri, pasi kishte studiuar vetë të gjitha artet luftarake dhe të gjitha dredhitë e botës, kështu që ai u bëri luftë atyre që përpiqeshin ta shkatërronin.
17 Por ai nuk u pendua, as bijtë dhe bijat e tij të bukura; as bijtë dhe bijat e bukura të Kohorit; as bijtë dhe bijat e bukura të Korihorit; dhe në fund, nuk pati asnjë nga bijtë dhe bijat e bukura mbi tërë faqen e dheut që të pendoheshin për mëkatet e tyre.
18 Prandaj ndodhi që vitin e parë që Ethëri jetoi në zgavrën e shkëmbit, pati shumë njerëz që u vranë nga shpata e atyre lidhjeve të fshehta që luftonin kundër Koriantumrit, pasi donin të merrnin mbretërinë.
19 Dhe ndodhi që bijtë e Koriantumrit luftuan shumë dhe derdhën shumë gjak.
20 Dhe në vitin e dytë, fjala e Zotit i arriti Ethërit, që ai duhej të shkonte dhe t’i profetizonte Koriantumrit, që po të pendohej ai dhe e gjithë familja e tij, Zoti do t’i jepte mbretërinë dhe do ta kursente popullin—
21 Përndryshe, ata do të shkatërroheshin, ashtu dhe gjithë familja e tij me përjashtim të tij. Dhe ai do të jetonte vetëm për të parë plotësimin e profecive që ishin folur në lidhje me një popull tjetër që do te merra tokën për trashëgimin e tyre; dhe Koriantumri do të varrosej prej tyre; dhe çdo shpirt do të ishte shkatërruar, me përjashtim të Koriantumrit.
22 Dhe ndodhi që Koriantumri nuk u pendua, as familja e tij, as populli; dhe luftërat nuk pushuan; dhe ata u përpoqën të vrisnin Ethërin, por ai iku prej tyre dhe u fsheh përsëri në zgavrën e shkëmbit.
23 Dhe ndodhi që u ngrit Sharedi dhe i bëri luftë Koriantumrit; dhe e mundi, kaq sa në vitin e tretë, ai e çoi atë në robëri.
24 Dhe në vitin e katërt, bijtë e Koriantumrit e mundën Sharedin dhe ia kthyen mbretërinë përsëri atit të tyre.
25 Tani, filloi të bëhej një luftë mbi gjithë faqen e dheut, secili njeri me bandën e tij, duke luftuar për atë që dëshironte.
26 Dhe kishte hajdutë dhe, në fund, çdo lloj ligësie mbi gjithë faqen e dheut.
27 Dhe ndodhi që Koriantumri qe jashtëzakonisht i zemëruar me Sharedin dhe shkoi kundër tij me ushtritë e tij për të luftuar; dhe ata u ndeshën me zemërim të madh dhe u ndeshën në luginën e quajtur Gilgal; dhe lufta u bë jashtëzakonisht e rreptë.
28 Dhe ndodhi që Sharedi luftoi kundër tij për hapësirën e tri ditëve. Dhe ndodhi që Koriantumri e mundi dhe e ndoqi nga pas derisa ai arriti në rrafshinat Heshlon.
29 Dhe ndodhi që Sharedi i bëri përsëri luftë atij mbi rrafshinat; dhe vini re, ai e mundi Koriantumrin dhe e zmbrapsi përsëri deri në luginën Gilgal.
30 Dhe në luginën Gilgal, Koriantumri bëri luftë përsëri kundër Sharedit, ku e mundi Sharedin dhe e vrau.
31 Dhe Sharedi e plagosi Koriantumrin në kofshë, kështu që ai nuk mundi të shkonte në luftë përsëri, për hapësirën e dy vjetëve, kohë gjatë së cilës të gjithë njerëzit mbi faqen e dheut po derdhnin gjak dhe nuk kishte asnjë që t’i ndalonte.