Kapitulli 24
Amuloni persekuton Almën dhe njerëzit e tij—Ata do të vriten në qoftë se luten—Zoti bën që barrat e tyre t’u duken të lehta—Ai i çliron nga robëria dhe ata kthehen në Zarahemla. Rreth 145–120 para K.
1 Dhe ndodhi që Amuloni fitoi përkrahje në sytë e mbretit të Lamanitëve; prandaj, mbreti i Lamanitëve i dha të drejtë atij dhe vëllezërve të tij të caktoheshin mësues mbi popullin e tij, po, madje edhe të popullit që ishte në tokën Shemlon dhe në tokën Shilom, si dhe në tokën Amulon.
2 Meqë Lamanitët kishin zotëruar të gjitha këto vende; prandaj, mbreti i Lamanitëve kishte caktuar mbretër në të gjitha këto vende.
3 Dhe tani, emri i mbretit të Lamanitëve ishte Laman, duke u quajtur sipas emrit të atit të tij; dhe prandaj quhej mbreti Laman. Dhe ai ishte mbret mbi shumë njerëz.
4 Dhe ai caktoi mësues nga vëllezërit e Amulonit në çdo tokë që zotërohej nga populli i tij; dhe kështu filloi të mësohej gjuha e Nefit mes gjithë popullit të Lamanitëve.
5 Dhe ata ishin njerëz miqësorë me njëri-tjetrin; megjithatë ata nuk e njihnin Perëndinë; as nuk u mësuan vëllezërit e Amulonit gjë atyre në lidhje me Zotin, Perëndinë e tyre, as mbi ligjin e Moisiut; as nuk u mësuan atyre fjalët e Abinadit;
6 Por ata u mësuan atyre se ata duhej të mbanin analin e tyre dhe se mund t’i shkruanin njëri-tjetrit.
7 Dhe kështu Lamanitët filluan të shtoheshin në pasuri dhe filluan të bënin tregti me njëri-tjetrin dhe u shtuan shumë; dhe filluan të bëhen një popull dinak dhe i zgjuar, sipas zgjuarsisë së botës, po, një popull shumë dinak, që kënaqeshin duke bërë çdo lloj ligësie dhe plaçkitjeje, veçse të mos ishte mes vëllezërve të tyre.
8 Dhe tani ndodhi që Amuloni filloi të ushtronte autoritet mbi Almën dhe vëllezërit e tij dhe filloi ta persekutonte dhe bëri që fëmijët e tij të persekutonin fëmijët e tyre.
9 Pasi Amuloni e njihte Almën, meqë kishte qenë një nga priftërinjtë e mbretit dhe se ai qe ai që besoi në fjalët e Abinadit dhe se u dëbua nga prania e mbretit, dhe kështu që ai ishte i zemëruar me të; pasi ishte nënshtetas i mbretit Laman, megjithatë ai ushtronte autoritet mbi ta, duke u ngarkuar punë dhe duke u vënë mbikëqyrës.
10 Dhe ndodhi që aq të mëdha qenë pikëllimet e tyre, saqë ata filluan t’i luteshin me shpirt Perëndisë.
11 Dhe Amuloni i urdhëroi ata që të mos luteshin më; dhe vendosi roja mbi ta që t’i ruanin se çdo njeri që do të gjendej duke iu lutur Perëndisë, do të vritej.
12 Dhe Alma dhe njerëzit e tij nuk i ngritën zërat e tyre ndaj Zotit, Perëndisë së tyre, por ia derdhën zemrat e tyre atij; dhe ai i njohu mendimet e zemrave të tyre.
13 Dhe ndodhi që zëri i Zotit u erdhi në pikëllimet e tyre, duke thënë: Ngrini kokat tuaja dhe ngushëllohuni, pasi unë e di besëlidhjen që ju keni bërë me mua; dhe unë do të bëj besëlidhje me popullin tim dhe do ta çliroj nga robëria.
14 Dhe unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, madje ndërsa jeni në robëri; dhe këtë do ta bëj që ju të qëndroni si dëshmitarë për mua në të ardhmen dhe që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre.
15 Dhe tani ndodhi që barrat që iu vunë Almës dhe vëllezërve të tij u lehtësuan; po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit.
16 Dhe ndodhi që kaq i madh qe besimi i tyre dhe durimi i tyre, saqë zëri i Zotit u erdhi përsëri, duke thënë: Ngushëllohuni, pasi nesër unë do t’ju shpëtoj nga robëria.
17 Dhe ai i tha Almës: Ti do të shkosh para këtij populli dhe unë do të vij me ty për ta çliruar këtë popull nga robëria.
18 Tani ndodhi që Alma dhe njerëzit e tij, mblodhën gjatë natës grigjat e tyre së bashku, si edhe drithin e tyre; po, madje gjatë gjithë natës ata ishin duke mbledhur grigjat e tyre së bashku.
19 Dhe në mëngjes, Zoti bëri që mbi Lamanitët të vinte një gjumë i rëndë, po, dhe të gjithë mbikëqyrësit e tyre ishin në gjumë të thellë.
20 Dhe Alma dhe njerëzit e tij ikën në vendin e shkretë; dhe pasi udhëtuan tërë ditën, ata ngritën çadrat e tyre në një luginë dhe ata e quajtën luginën Alma, pasi ai udhëhoqi udhën e tyre në vendin e shkretë.
21 Po, dhe në luginën e Almës ata i derdhën falënderimet e tyre Perëndisë, sepse ai kishte qenë mëshirëplotë me ta dhe ua lehtësoi barrat e tyre dhe i çliroi nga robëria; pasi ata kishin qenë në robëri dhe askush nuk mund t’i çlironte veçse në ishte Zoti, Perëndia i tyre.
22 Dhe ata i dhanë falënderime Perëndisë, po, të gjithë burrat e tyre dhe të gjitha gratë e tyre dhe të gjithë fëmijët e tyre që mund të flisnin, ngritën zërat e tyre në lavdërime për Perëndinë e tyre.
23 Dhe tani Zoti i tha Almës: Nxitoni të largoheni, ti dhe ky popull, nga ky vend, pasi Lamanitët janë zgjuar dhe po të ndjekin; prandaj, largohuni nga ky vend dhe unë do t’i ndaloj Lamanitët në këtë luginë, që ata të mos shkojnë më tutje në ndjekje të këtij populli.
24 Dhe ndodhi që ata u larguan nga lugina dhe nisën udhëtimin e tyre nëpër vendin e shkretë.
25 Dhe pasi kishin qenë në vendin e shkretë për dymbëdhjetë ditë, ata arritën në vendin e Zarahemlës; dhe mbreti Mosia i priti gjithashtu me gëzim.