Ndihma për Studimin
PJS, Zbulesa 12


PJS, Zbulesa 12:1–17 (krahaso Zbulesa 12:1–17; Doktrina e Besëlidhje 77)

(Gruaja [Kisha], fëmija [mbretëria e Perëndisë], shufra e hekurit [fjala e Perëndisë], dragoi [Satani] dhe Mikaeli shpjegohen. Lufta në qiell vazhdohet në tokë.)

1 Dhe atje u shfaq një shenjë e madhe në qiell, në ngjashmërinë e gjërave mbi tokë; një grua e veshur me diellin dhe hënën nën këmbët e saj, dhe mbi krye një kurorë me dymbëdhjetë yje.

2 Dhe gruaja ngaqë priste një fëmijë, bërtiti nga mundimet e lindjes dhe pati dhembje gjatë saj.

3 Dhe ajo lindi një fëmijë mashkull, i cili duhej t’i sundonte të gjitha kombet me një shufër prej hekuri; dhe fëmija i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.

4 Dhe u shfaq një shenjë tjetër në qiell; dhe ja, një dragua i madh, i kuq, me shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe me shtatë kurora mbi kokat e tij. Dhe bishti i tij tërhoqi pas vetes një të tretën pjesë të yjeve të qiellit dhe i hodhi ata mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që kishte lindur, gati për të gllabëruar fëmijën e saj pasi të lindej.

5 Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte një vend të përgatitur nga Perëndia, që ata ta ushqenin atje për njëmijë e dyqind e gjashtëdhjetë vjet.

6 Dhe pati luftë në qiell; Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; dhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan kundër Mikaelit;

7 Dhe dragoi nuk triumfoi kundër Mikaelit, as kundër fëmijës, as kundër gruas që ishte kisha e Perëndisë, që ishte çliruar nga dhembjet e saj dhe solli mbretërinë e Perëndisë sonë dhe të Krishtit të tij.

8 As nuk u gjet vend në qiell për dragoin e madh, i cili u dëbua; ai gjarpër i lashtë, i quajtur djalli, dhe gjithashtu i quajtur Satan, që mashtron të tërë botën; ai u flak në tokë; dhe engjëjt e tij u flakën me të.

9 Dhe unë dëgjova një zë të lartë duke thënë në qiell: Tani erdhi shpëtimi dhe fuqia, dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe fuqia e Krishtit të tij;

10 Sepse u flak poshtë paditësi i vëllezërve tanë, që i paditi ata përpara Perëndisë tonë ditë e natë.

11 Sepse ata e kanë mposhtuar atë me anë të gjakut të Qengjit dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; sepse ata nuk i deshën jetët e tyre, por e ruajtën dëshminë madje deri në vdekje. Prandaj, gëzohuni, o qiej, dhe ju që banoni në ta.

12 Dhe pas këtyre gjërave dëgjova një zë tjetër duke thënë: Mjerë banorët e tokës, po, dhe ata që banojnë në ishujt e detit! Sepse djalli ka zbritur tek ju, duke pasur zemërim të madh, sepse ai e di se nuk ka veçse pak kohë.

13 Pasi, kur dragoi pa se u flak në tokë, ai e përndoqi gruan që lindi fëmijën mashkull.

14 Si rrjedhim, iu dhanë gruas dy krahë të një shqiponje të madhe, që të fluturojë në shkretëtirë, në vendin e saj, ku ajo ushqehet një kohë, dhe kohërat, dhe gjysmën e një kohe, larg nga prania e gjarprit.

15 Dhe gjarpri flak nga goja e tij ujë si përmbytje prapa gruas, që të mund të bëjë që ajo të merret nga përmbytja.

16 Dhe toka e ndihmon gruan, dhe toka hap gojën e saj dhe përpin lumin që dragoi e nxjerr nga goja e vet.

17 Si rrjedhim, dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi të bëjë luftë me pjesën e mbetur të farës së saj, të cilët i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë dëshminë e Jezu Krishtit.