2019
Gjetja e Gëzimit Nëpërmjet Krishtit, Pavarësisht Kthimit Herët në Shtëpi nga Misioni Im
Korrik 2019


Gjetja e Gëzimit Nëpërmjet Krishtit, Pavarësisht Kthimit Herët në Shtëpi nga Misioni Im

Kur u ktheva në shtëpi më herët nga misioni im, mendova se nuk do të gjeja më kurrë gëzim përsëri. Por gjeta. Edhe ju mund të gjeni gëzim.

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Vajtja në mision është e vështirë. Megjithatë, kthimi në shtëpi nga misioni është po aq i vështirë, sidomos kur vjen në shtëpi më herët nga sa planifikove. Ti shqetësohesh se çfarë do të thonë të tjerët ose se si do të sillen afër teje. A do të jenë gjykues? Të zhgënjyer? Do të sillen çuditshëm? Ti shqetësohesh se do të ndihesh sikur nuk ishe mjaftueshëm i/e mirë ose mjaftueshëm i/e fortë. Ti pyet veten a ka diçka që nuk shkon tek ti apo nëse more vendimin e gabuar që shkove që nga fillimi. Unë shqetësohesha për të gjitha këto gjëra.

Kur vendosa të shërbeja në mision, isha e emocionuar. E dija se ishte ajo që Zoti donte që unë të bëja. Muajt e tjerë ishin disa nga muajt më të lumtur të jetës sime, dhe pasi pata një përvojë të mrekullueshme në qendrën e trajnimit të misionarëve, mendova se pjesa tjetër e misionit tim në Argjentinë do të ishte e shkëlqyer. Nuk qe e tillë.

U mundova nga ankthi, frika dhe mungesa e shpresës në misionin tim – gjëra që nuk i kisha përjetuar kurrë më parë, të paktën në masën që po i përjetoja asokohe. Presidenti im i misionit provoi gjithçka për të më ndihmuar. Përfundimisht, vendosa të shkoja në shtëpi. Ai vendim ishte i lehtë për t’u marrë në çast, por kur u ktheva në shtëpi, të gjitha pyetjet e mësipërme filluan të më ndiqnin si hije.

Megjithatë, mësova se me kalimin e kohës Shpëtimtari sjell edhe shërim edhe këndvështrim nëse i kërkoni sinqerisht të dyja. Unë besoj fuqimisht se ka një mësim për t’u marrë nga të gjitha përvojat e jetës, qofshin ato të mira ose të këqija. Dhe sipas kohës së Zotit, Ai më dha disa mësime të vlefshme që tani i ruaj si thesar.

Vajtja në mision ishte gjëja e drejtë për mua. Por për çfarëdo arsyeje, nuk ishte e thënë që të qëndroja 18 muaj. Perëndia kishte një plan tjetër për mua. Ende nuk e di plotësisht se për ku po drejtohet jeta ime, por nuk e kam problem këtë. Ajo që di vërtet, është se po bëj atë të cilën Ai do që unë ta bëj tani. Gjatë katër muajve të mi në Argjentinë, dëshmia ime dhe kthimi im në besim u thelluan. Takova njerëz të jashtëzakonshëm dhe duhet ta kem prekur jetën e atyre që Ai donte që unë të prekja. Nuk kam më keqardhje për përvojën time ose nuk dëshiroj që të kishte qenë ndryshe. Ishte pikërisht ajo që më nevojitej dhe është bërë e shenjtë për mua.

Së fundmi lexova një bisedë nga Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që më ndihmoi ta kuptoja përvojën time. Ai tha:

“Jeta e dikujt … nuk mund të jetë edhe e mbushur me besim, edhe e çliruar nga stresi …

Prandaj, si mundemi unë edhe ju të presim njëmend që t’i bëjmë bisht jetës me naivitet, sikur të jemi duke thënë: ‘Zot më jep përvojë, por jo mjerim, jo pikëllim, jo dhembje, jo kundërshtim, jo tradhti dhe sigurisht të mos braktisem. Largoji nga unë, Zot, të gjitha ato përvoja që të bënë Ty Ai që je! Pastaj më lejo të vij dhe të jetoj me Ty dhe të marr plotësisht nga gëzimi Yt!’” (“Lest Ye Be Wearied and Faint in Your Minds”, Ensign, maj 1991, f. 88.)

Shpëtimtari nuk u bë Ai që është pavarësisht nga sprovat me të cilat u përball. Ai u bë Ai që është për shkak të atyre sprovave. Ato ndihmuan për ta formuar karakterin e Tij të përsosur dhe i dhanë Atij aftësinë për të ndier gëzimin që Ai ndien tani. Ndihem e privilegjuar që kam pasur një përvojë që të formon karakterin. Nuk ishte ajo që kërkova; sigurisht që nuk ishte ajo që doja, por Perëndia e di potencialin tim dhe Ai dëshiron që unë të marr nga gëzimi i Tij. Ai gëzim është diçka që nuk mund ta kuptoj pa e njohur gjithashtu mjerimin, pikëllimin, dhembjen dhe kundërshtimin. Ardhja në shtëpi më herët ishte një nga gjërat më të vështira që kam kaluar ndonjëherë, por me këndvështrimin dhe ndihmën e Shpëtimtarit, ajo tashmë duket si një çmim i vogël për t’u paguar për atë që mora në këmbim.

Ndaj, kini besim. Mirëbesojini Shpëtimtarit tuaj. Dhe jini plot shpresë! Jeta asnjëherë nuk do të shkojë saktësisht siç e planifikoni. Nuk do të jetë pa dhembje ose pa stres. Por ju pret gëzim pas çdo periudhe të vështirë. Gëzimi është ajo çfarë Ai ka synuar për ju gjithë kohën.