Mposhtja e Shkurajimit
Çdo njeri shkurajohet, por shqetësimi kronik se do të dështoni, jo vetëm që e pengon përparimin tuaj, por është gjithashtu i dëmshëm për shëndetin tuaj mendor.
Miti nr. 1: Të gjithë kemi lindur për të qenë të lumtur.
Miti nr. 2: Ne nuk do ta arrijmë kurrë atë që na nevojitet për të qenë të lumtur, ndaj pse të marrim mundimin të përpiqemi?
Rezultati i këtyre të dyja miteve është shkurajimi – ajo ndjenjë që arrijmë kur nuk i përmbushim pritshmëritë që i kemi vënë vetes, ose kur nuk kemi madje asnjë pritshmëri dhe thjesht e pranojmë gjendjen tonë të tanishme. Dështimi shpesh vjen para shkurajimit, qoftë kur ndiejmë sikur kemi lindur që të dështojmë, që nuk mund të jemi në lartësinë e duhur, ose që bëmë më të mirën dhe prapë gjërat nuk shkuan siç dëshiruam.
Por shkurajimi është pjesë e jetës dhe ai mund të jetë vërtet i frytshëm kur mësojmë se si ta përballojmë atë hap pas hapi. Ndaj këtu janë 10 këshilla mbi mënyrën se si ta ktheni shkurajimin tuaj në përparim:
-
Pranojeni dështimin dhe merrni përgjegjësi për pjesën tuaj në të. Po, ka raste kur forcat përtej kontrollit tonë na i lidhin këmbët, por në shumicën e rasteve, mund të kishim bërë diçka ndryshe. Synoni të mësoni nga dështimet tuaja.
-
Lutuni rreth kësaj. Lutuni, jo domosdoshmërisht që çdo gjë të shkojë mirë që të mund të jeni të lumtur sërish, por për ta kuptuar, për ta gjetur mësimin dhe për të gjetur një qëndrim pozitiv në mënyrë që të mund të bëni përpara.
-
Zgjidhini problemet. Shqetësimi nuk është frytdhënës. Përpiquni t’i kaloni mendimet tuaja nga pjesa emocionale e trurit te pjesa logjike – vendi ku i renditni burimet tuaja për të bërë një plan.
-
Lutuni sërish. Sapo të keni një plan të mirë që t’ju ndihmojë ta mposhtni shkurajimin, lutuni për të marrë pohimin që plani juaj është një plan i mirë. Zoti do t’ju ndihmojë të shkoni përtej dështimit që e shkaktoi shkurajimin në fillim.
-
Futjuni punës. Nëse e keni humbur vendin e punës, punoni po aq orë pune çdo ditë duke kërkuar një vend të ri pune sa do të kishit punuar në vendin tuaj të vjetër të punës. Nëse problemi është një marrëdhënie, futjuni punës për ta riparuar dëmin. Çfarëdo që po kaloni – sidomos nëse një mëkat po ju bën të shkurajoheni – punoni për ndryshimin dhe përmbushjen e qëllimeve të vogla.
-
Merruni vetëm me problemet e asaj dite. Edhe qëllimet që janë pjesë e planit tuaj, duhet të jenë të vogla dhe duhet t’ju çojnë në drejtimin e duhur.
-
Përdoreni rrjetin tuaj përkrahës. Miqtë dhe familja janë një burim i jashtëzakonshëm. Vërini në dijeni për situatën tuaj pa qenë shumë melodramatik. Miqtë e vërtetë do t’ju dëgjojnë dhe do t’ju përkrahin. Ndonjëherë dikush që ju dëgjon mund ta sjellë gjithë ndryshimin.
-
Kërkoni një bekim priftërie. Nuk ka kufi për numrin e bekimeve të priftërisë që mund të merrni. Nëse keni nevojë për një [bekim], kërkojeni një të tillë.
-
Këmbëngulni me durim. Ndonjëherë thjesht kërkon kohë që të kalojnë kohët e vështira.
-
Numërojini bekimet tuaja. Bëni një listë të të gjitha gjërave për të cilat jeni mirënjohës. Shtoni gjëra aty çdo ditë dhe dijeni se përfundimisht, lumturia na pret të gjithë ne.
Po, jeta është e vështirë. Është e vështirë për të gjithë ne. Megjithatë, besimi ynë rritet kur reagojmë në mënyrë dobiprurëse ndaj sprovave tona. Ka më të ngjarë që ta ndiejmë dashurinë që ka Perëndia për ne për shkak se po përparojmë, duke bërë më të mirën që mundemi dhe duke kërkuar ndihmën e Tij.