Përgjigje për Pyetje të Zakonshme

Ndërmjetësit

Çfarë janë grupet e mbështetjes te vetja?

Grupet e mbështetjes te vetja i ndërthurin zotësitë praktike me parimet shpirtërore për t’i ndihmuar njerëzit të ndihmojnë veten. Grupet e mbështetjes te vetja janë zakonisht të vogla, me më pak se 12 njerëz, dhe udhëhiqen nga një ndërmjetës, jo nga një ekspert ose mësues. Çdo grup i mbështetjes te vetja përqendrohet te njëra prej katër temave: punësimi, arsimimi, biznesi i vogël ose financat vetjake.

Si i ndihmojnë njerëzit këto grupe?

Grupet e mbështetjes te vetja i ndihmojnë njerëzit t’i mposhtin sfidat e jetës dhe ta forcojnë besimin e tyre. Anëtarët e grupit përmirësojnë punësimin, arsimimin, financat dhe bizneset e veta.

A më nevojitet të jem ekspert për të qenë ndërmjetës për një grup të mbështetjes te vetja?

Jo. Grupet e mbështetjes te vetja janë hartuar për t’u ndërmjetësuar, jo për t’u dhënë mësim nga një ekspert. Materialet sigurojnë ekspertizën dhe Shpirti e fuqia e grupit plotësojnë pjesën që mbetet. Thjesht ndiqini materialet dhe kërkojeni Shpirtin.

Për sa kohë mblidhen grupet?

Grupet zakonisht mblidhen një herë në javë për 12 javë gjithsej. Mbledhjet e grupeve zakonisht zgjatin nga 90 minuta deri në 2 orë. Ka një variant të përshpejtuar në dispozicion për grupin Gjej një Vend Pune më të Mirë.

Kur mblidhen grupet?

Kur të formohet grupi juaj, ju e vendosni si grup kohën dhe vendin ku do mblidheni.

Si formohet një grup?

Anëtarët e grupit mund të ftohen të marrin pjesë ose mund t’i bashkohen një grupi vetë. Grupet shpesh formohen nëpërmjet një takimi shpirtëror, por mund të formohen edhe pa një takim shpirtëror. Grupet duhet të formohen gjithnjë nën drejtimin e udhëheqësve vendorë. Anëtarët e grupit takohen bashkë për të vendosur kohën dhe vendin ku do të mblidhen. Secilit grup i caktohet së paku një ndërmjetës.

A mund të zgjedh se cilin grup të ndërmjetësoj?

Kjo varet nga disa gjëra, përfshirë numrin e njerëzve që e zgjedhin secilin grup, dhe mënyrën se si lagjja ose kunji juaj vendos t’ju caktojë te një grup. Më e mira është të punoni me specialistin tuaj për të parë se si do të bëhet kjo në kunjin ose lagjen tuaj.

A do të më jepet ndonjë trajnim?

Pak javë përpara mbledhjes suaj të parë si grup, një specialist i juaji për mbështetjen te vetja ose një udhëheqës tjetër vendor do të vihet në kontakt me ju që ju të jeni të pranishëm në trajnimin për ndërmjetësit. Kjo do t’ju ndihmojë ta kuptoni rolin e një ndërmjetësi, si të ndërmjetësoni dhe përgjegjësitë e tjera që keni. Nëse do të donit të lexonit më tej, mund ta gjeni këtu manualin e trajnimit. Mund të dëshironi t’u hidhni një sy këtyre materialeve filmike ose disa prej këtyre trajnimeve në internet.

Si duhet ta sistemoj dhomën?

Grupet e mbështetjes te vetja janë si një këshill, jo si një orë mësimi. Mos i sistemoni karriget në rreshta. Në vend të kësaj, përpiquni ta sistemoni dhomën në mënyrë që anëtarët e grupit të mund ta shohin njëri‑tjetrin dhe të mund të shkruajnë me lehtësi në manualet e tyre. Për shembull, do të funksiononte mirë që t’i ulnit anëtarët e grupit rreth një tryeze. Si ndërmjetës, mos u ulni në krye të tryezës. Thjesht bëhuni pjesë e grupit.

Ku duhet të takohet grupi im dhe si mund të futem në një ndërtesë kishtare?

Grupet e mbështetjes te vetja mund të mblidhen pothuajse kudo. Shumë grupe mblidhen në ndërtesat kishtare. Të tjerë janë mbledhur në shtëpinë e ndërmjetësit ose në shtëpitë e anëtarëve të grupit. Mund ta vendosni këtë me grupin tuaj. Mund të jetë e dobishme të konsultoheni me specialistin tuaj për mbështetjen te vetja. Nëse mblidheni në një ndërtesë kishtare, merruni vesh me specialistin tuaj për mbështetjen te vetja për t’u futur në ndërtesë.

Çfarë duhet të bëj që të përgatitem për një mbledhje grupi?

Shqyrtojini materialet paraprakisht dhe ejani të përgatitur me materialet e nevojshme filmike. Nuk ka nevojë të përgatiteni sikur do të jepni mësim. Thjesht familjarizohuni me materialet. Më pas, në mbledhjen e grupit, thjesht ndiqini materialet ashtu siç janë shkruar.

Ku t’i gjej librat dhe materialet filmike për mbledhjet e grupit tim?

Mund të gjeni variante elektronike të librave dhe hallka lidhëse për të gjitha materialet filmike këtu. Është një ide e mirë që t’i shkarkoni materialet filmike për mbledhjen e grupit tuaj më përpara sepse jo gjithnjë mund të mbështeteni te lidhja e internetit me valë. Punoni me specialistin tuaj për mbështetjen te vetja për të pasur kopje të mjaftueshme të manualeve për mbledhjet tuaja.

Si t’i shfaq materialet filmike?

Të gjitha materialet filmike janë në internet në srs.lds.org/videos. Mund t’i shihni materialet filmike në një kompjuter, televizor, kompjuter dore ose madje në telefonin tuaj inteligjent.

Çfarë të bëj nëse njëri nga anëtarët e grupit tim nuk vjen në një mbledhje?

Nëse vini re se dikush nuk ka ardhur në një mbledhje grupi, nxiteni atë që ta bëjë vetë atë mësim, me një partner në veprim ose me ju.

Çfarë duhet të bëj nëse nuk do të shkoj në një mbledhje?

Vëreni dikë tjetër që ta ndërmjetësojë mbledhjen gjatë mungesës suaj (në vend që ta anuloni mbledhjen). Mbajeni mend, ndërmjetësit thjesht ndjekin materialin. Mund t’i kërkoni një anëtari tjetër të grupit që të ndërmjetësojë, ose mund t’i kërkoni specialistit tuaj për mbështetjen te vetja që t’ju zëvendësojë.

Po sikur të ketë një festë zyrtare ose një konflikt dhe shumica e grupit nuk do të jetë në mbledhje?

Mund t’ju nevojitet që ta shtyni mbledhjen. Njoftojeni specialistin tuaj për mbështetjen te vetja. Në këto rrethana, disa grupeve u janë dashur më shumë se 12 javë për ta përfunduar kursin e tyre.

Po sikur dikush të mos vijë më ose të dëshirojë të heqë dorë?

Nganjëherë kjo ndodh. Punoni së bashku me grupin tuaj për ta ftuar këtë person në mbledhjen e radhës. Ndihmojeni partnerin në veprim të personit që t’i japë atij përkrahje e zemër. Përpiquni ta kuptoni atë që mund të jetë duke ndodhur në jetën e këtij personi, që mund t’ia bëjë të vështirë atij/asaj pjesëmarrjen.

A mund t’i kapërcejmë, ndërthurim ose shkurtojmë mësimet?

Kjo nuk rekomandohet. Kohëzgjatja dhe përmbajtja e kursit të çdo grupi u hartua për rezultate specifike dhe grupet nxiten që ta ndjekin materialin sikurse është shkruar. Megjithatë, një pjesë e lidhjes që ka përmbajtja me grupin mund të ndryshojë ose mund të kenë nevoja të tjera shtrënguese vendore. Konsultohuni me specialistin e kunjit përpara se të bëni ndryshime.

Si ta përballoj një anëtar të grupit i cili flet shumë dhe mund të jetë duke e mbizotëruar diskutimin?

Tregimi i përvojave është një pjesë e natyrshme e grupeve të mbështetjes te vetja, por ndonjëherë disa mund të flasin shumë ndërkohë që të tjerët duken ngurrues për t’u shprehur. Mund të jetë e dobishme të flisni me atë person më vete, jashtë një mbledhjeje të grupit. Shpjegojeni atë që po vëzhgoni dhe mënyrën se si mendoni që po ndikon te grupi. Kërkojini personit të shprehë çfarëdo shqetësimi dhe shihni a mund të bini dakord për një zgjidhje që funksionon më mirë për këdo në grup.

Si ta regjistroj grupin tim?

Pas mbledhjes suaj të parë si grup, shkoni te srs.lds.org/report dhe plotësojeni Raportin e Regjistrimit të Grupit.

Si ta bëj raportin në mbarim të grupit tim dhe të marr certifikata përfundimi të kursit?

Në mbledhjen e fundit të grupit, anëtarët e grupit plotësojnë vlerësimin e tyre vetjak. Ndërmjetësi e mbledh këtë informacion dhe, pas mbledhjes së grupit, ai ose ajo plotëson raportin Mbarimi i Grupit në srs.lds.org/report. Plotësimi i raportit e përmban edhe kërkesën për certifikata. Një përgjegjës i mbështetjes te vetja do t’i dërgojë kopje elektronike të certifikatave specialistit të kunjit për mbështetjen te vetja, i cili do t’i shtypë ato në letër, do të kujdeset që të nënshkruhen dhe do të sigurohet që anëtarët e grupit t’i marrin certifikatat e tyre.

Çfarë është një partner në veprim? Çfarë bën një partner në veprim?

Çdo javë, anëtarët e grupit vihen në dyshe dhe zotohen që ta përkrahin njëri‑tjetrin dhe ta ndjekin ecurinë e tjetrit/ës. Këto dyshe quhen partnerë në veprim. Partnerët në veprim mund t’i telefonojnë ose dërgojnë mesazhe njëri‑tjetrit gjatë kohës nga një mbledhje grupi në tjetrën. Partnerët në veprim zakonisht janë të së njëjtës gjini dhe nuk janë pjesëtarë të një familjeje. Partnerët në veprim mund të ndërrohen çdo javë, por nuk është e detyrueshme.

Si duhet të punoj me anëtarë grupi që kanë besime të ndryshme?

Çdokush është i mirëpritur në grupet e mbështetjes te vetja. Punoni me të gjithë anëtarët e grupit tuaj që t’i ndihmoni të ndihen të mirëpritur. Jini të ndjeshëm ndaj këndvështrimeve dhe kuptueshmërisë së njerëzve të besimeve të ndryshme. Mund të ndihmojë po t’i shpjegoni disa shkrime të shenjta dhe citime që janë të posaçme për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Mund të jetë e nevojshme edhe që t’i përshtatni disa nga zotimet e bazuara te besimi.