Mësimdhënia e Fesë për Rininë dhe të Rinjtë e të Rejat në Moshë Madhore – Fjalët e Hapjes
Presidenti Dallin H. Ouks
Pjesa I
Vëllezërit dhe motrat e mia,
Jemi krenarë që ndodhemi në këtë mbledhje të mësuesve të seminareve e instituteve dhe mësuesve të fesë në universitetet tona. Jemi të lumtur që shoqëroheni nga bashkëshortet tuaja, që janë të rëndësishme për përgjegjësitë tuaja të shenjta të mësimdhënies. Ndihemi të nxitur t’ju flasim në këtë kohë të vështirë – në mes të një pandemie botërore.
Siç ju ka vënë në dijeni Komisioneri Pol V. Xhonson, pas fjalimit tim të shkurtër të hapjes, do të kemi dy diskutime të ndryshme në programin tonë.
Po e filloj duke folur për fuqinë e dashurisë. Pse është dashuria për Perëndinë urdhërimi i parë i madh? Është i pari, sepse është themelore për të kuptuar e ndjekur planin e Perëndisë dhe urdhërimet e Tij për fëmijët e Tij. Dashuria jonë për Perëndinë dhe dashuria e Tij për ne është parimi qendror i ungjillit, jetike për atë që ndikon te ne dhe që duhet të kujtojmë. Perëndia ju do ju, mësuesit e Tij. Udhëheqësit e Tij ju duan ju si mësuesit e planit dhe të fjalës së Tij. Ju i doni studentët tuaj. Plaku Gordon B. Hinkli e përmblodhi këtë në një bisedë drejtuar mësuesve vite më parë: “Nuk ka mënyrë më të mirë për ta shprehur dashurinë për Perëndinë sesa duke shfaqur dashuri për fëmijët e Tij, veçanërisht ata që vijnë … për të mësuar te këmbët tuaja”1.
Babai im vdiq mbi 80 vjet më parë. Çfarë mbaj mend më mirë nga marrëdhënia jonë? Mësimet e tij? Disiplinimin tim? Jo, mbaj mend se më donte.
Besoj se studentët tuaj do të mbajnë mend atë që ndien rreth ndjenjave tuaja për ta. Do të mbajnë mend se si i ndihmuat me dashuri që të mësonin ungjillin, të dallonin nxitjet e Shpirtit dhe ta vinin ungjillin në jetë. Dashuria është fuqia shtytëse në mësimdhënie.
Kanë kaluar 70 vjet që kur isha student seminari. Çfarë mbaj mend më mirë rreth dy mësuesve të seminarit në Vërnëll të Jutës? As që e mbaj mend temën e kurseve që ata dhanë mësim, por më kujtohet se që të dy më donin dhe kujdeseshin për mua si njeri.
Dashuria ka fuqi: fuqi për të kuptuar Shlyerjen e Jezu Krishtit, fuqi për të kuptuar planin e shpëtimit dhe fuqi për të shpjeguar urdhërimet e Perëndisë.
Nëse nuk e kuptojmë dashurinë, gjithçka tjetër rreth ungjillit kundërshtohet ose dobësohet nga tundimet e kundërshtarit dhe fuqia e vlerave të botës dhe njerëzve të botës që na rrethojnë.
Çështja ime e dytë është marrëdhënia juaj me temat e ungjillit që i jepni mësim.
Në mësimdhënien e temave laike, është e zakonshme dhe shpesh e lejuar që mësuesit të paraqiten si ekspertë për çështjen e temës. Kjo nuk lejohet në mësimdhënien e parimeve fetare. Ne nuk jemi autoritetet në ungjillin e Jezu Krishtit. Autoriteti është Fryma e Shenjtë, një anëtar i Kreut-Perëndi, i cili ka funksionin e dëshmimit për Atin dhe Birin ndërsa na udhëheq drejt së vërtetës. Ai u jep dritë mësimeve tona. Në dallim nga mësuesit e temave laike, ne kurrë nuk duhet të marrim lavdërim për një ide që i përforcon të vërtetat e mëdha të ungjillit. Kurrë nuk duhet të veprojmë në mjedisin e klasës ose kudo tjetër në një mënyrë që bie ndesh me besimin te Shpëtimtari ynë Jezu Krishti ose me mësimet e Tij. Kurrë nuk duhet të krijojmë idenë e interesit vetjak për ndonjë temë që japim mësim.
Ne japim mësim për shkak të dashurisë për Atin tonë në Qiell dhe Jezu Krishtin, dhe me dashuri për fëmijët e Tij, studentët tanë. Nxitemi nga vendosmëria për t’ua rritur aftësinë që t’ia vënë veshin Atij që është Shpëtimtari ynë.
Dëshmoj për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin dhe lutem që bekimet e Tij të jenë me ne teksa shkojmë përpara, në emrin e Jezu Krishtit, amen.