Mësimdhënia e Fesë për Rininë dhe të Rinjtë e të Rejat në Moshë Madhore – Diskutim me Grupin e Pjesëmarrësve
Diskutim Pjesa II – Presidenti Ouks, Çad Uebi, Adam Smithi
Presidenti Dallin H. Ouks: Vëllai Ueb, gëzohem që jam me ju. Vëllai Smith. Le të fillojmë.
Vëllai Çad Ueb: Në rregull, faleminderit. Gëzohemi që jemi me ty sot. Faleminderit për atë mesazh të mrekullueshëm. Në fakt, këshilla jote ka krijuar një sërë pyetjesh për të cilat duam të flasim. Po e fillojmë me këtë pyetje, ngaqë fole rreth dashurisë për studentët tanë, dhe pjesë e asaj dashurie është t’u mësojmë ungjillin dhe t’i ndihmojmë të kuptojnë gjërat me vlerën më të madhe. Si mund të sigurohemi që në të gjitha gjërat e ndryshme që mund t’u mësojmë, t’u japim përparësi gjërave me vlerën më të madhe për studentët tanë?
Presidenti Ouks: Ajo që e bën të pashoq Sistemin tonë Arsimor të Kishës, është përgjegjësia sipas shkrimeve të shenjta për të mësuar jo vetëm me anë të studimit, por edhe besimit.
Vëllai Smith: Kur mendoj për gjërat që mund t’ua mësojmë studentëve, që do të kenë vlerë më të madhe, unë jam udhërrëfyer nga një mësim i Presidentit Ajring që do të doja ta jepja. Presidenti Ajring tha: “Nga të gjitha të vërtetat që mund të theksohen në këtë bllok të shkrimit të shenjtë, cilat do t’i ndihmojnë studentët e mi t’i afrohen më shumë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit dhe t’i çojnë drejt shpëtimit?” Më pas Presidenti Ajring tha: “Ndërsa përgatitni një mësim, kërkoni në të parime të kthimit në besim. … Një parim që kthen në besim, është ai që të çon në bindje ndaj vullnetit të Perëndisë.”1 Ajo që nxora nga ky mësim i Presidentit Ajring është që gjërat me vlerën më të madhe për studentët tanë, do t’i lidhin ata në mënyra vetjake dhe të thella me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Nevojitet t’i japim mësim gjërat që do ta ndihmojnë një student t’i ndiejë dhe kuptojë të vërtetat e ungjillit, sidomos të vërtetat lidhur me realitetin e Jezu Krishtit, Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij – dhe që do t’i ndihmojnë ata të ndiejnë se Jezu Krishti ka fuqinë t’i shërojë, ndihmojë, ngushëllojë e pastrojë. Mendoj se këto janë gjërat më të rëndësishme ku mund të përqendrohemi.
Presidenti Ouks: E fuqishme dhe e vërtetë.
Vëllai Ueb: Faleminderit. Kjo lidhet mirë me idenë që të sigurohemi që ata mësojnë me anë të besimit – veprojnë me besim dhe më pas e kanë pohimin nga Fryma e Shenjtë se gjërat që po mësojnë e jetojnë vijnë vërtet nga Ati ynë në Qiell. Faleminderit. President, përmende edhe rolin e Frymës së Shenjtë në mësimdhënien tonë. Prandaj dua të të pyes se për cilat të vërteta shtesë lidhur me Frymën e Shenjtë, ndikimin dhe rolin e Tij në klasë do të na flasësh.
Presidenti Ouks: Mendoj se çelësi për mbresat e Frymës së Shenjtë është marrja e sakramentit. Sepse ka një premtim në besëlidhjet që bëjmë kur marrim sakramentin, që ne do të kemi “gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”. Kjo është themelore.
Vëllai Ueb: Më pëlqen shumë që po e thua këtë. Më kujton kohën kur isha mësues i ri në moshë dhe kalova muaj duke studiuar parimet që ftojnë Frymën e Shenjtë. Mendoj se është një mundësi vërtet e mirë që të gjithë duhet të vazhdojmë ta studiojmë. Gjëja më e rëndësishme që zbulova, është ajo që e thotë lutja e sakramentit që, nëse do ta kujtojmë gjithmonë Atë, ne do të kemi Shpirtin e Tij me ne. Kjo nuk ndodh vetëm gjatë sakramentit apo të dielën, por gjithmonë – përfshirë klasat tona. Nëse përqendrohemi te Shpëtimtari – kur e kujtojmë Atë si shembullin sipas të cilit ta jetojmë ungjillin dhe marrim nga fuqia dhe mësimet e Tij – kur e kujtojmë Atë, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë që të jetë në përvojën mësimore. Mendoj se përgjegjësia ose roli kryesor i Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për Atin tonë të dashur Qiellor dhe Jezu Krishtin si figura qendrore në planin e Atit Qiellor. Ndaj nëse duam ta ftojmë Frymën e Shenjtë në klasat tona, ne përqendrohemi te gjërat për të cilat Ai do të japë dëshmi. Më pëlqen shumë. Faleminderit.
Presidenti Ouks: Presidenti Nelson e pohoi rëndësinë aktuale të kësaj me këto fjalë. Ai tha: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”.2
Vëllai Ueb: Faleminderit. Vërtet e vlerësoj atë që u tha dhe më bën të shtroj këtë pyetje: Folëm pak për mësuesit që t’u japin përparësi mënyrave që do ta ftojnë Frymën e Shenjtë. Si i ndihmojmë studentët që t’u japin përparësi gjërave më me rëndësi në jetë?
Presidenti Ouks: Teksa mendoj për këtë në këto ditë kur ka shumë ndikime të botës që na rrethojnë ne dhe studentët tanë, na nevojitet të kujtojmë se gjërat e botës – gjërat që bota i vlerëson, cilatdo qofshin – kanë vlerë të përkohshme. Ato janë më pak të rëndësishme se parimet e nevojshme për të mësuar qëllimin e kësaj jete dhe fatin tonë në përjetësi. Çfarë do t’i shtoje kësaj, Vëllai Smith?
Vëllai Smith: Presidenti Ouks, kur fole për këtë, një varg nga shkrimi i shenjtë më erdhi ndër mend kur Shpëtimtari, para se të hynte në Gjetseman, ofroi një lutje të shenjtë dhe tha: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”.3 Mendoj se nëse i ndihmojmë studentët të kuptojnë që ata kanë nevojë të vendosin se ku e shpenzojnë kohën dhe cilave gjëra u kushtojnë vëmendje, a do t’i ndihmojë kjo që t’i njohin dhe t’i duan Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Një mendim tjetër që e ndërthur me këtë është diçka që na e mësove në një konferencë të fundit të përgjithshme, e cila është të bëjmë pyetjen: “Ku do të na çojë kjo?” Të mendojmë për të kur bëjmë pyetjet: “A po më çon kjo më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit? A po më çon të përmbush identitetin apo qëllimin tim hyjnor?” Mendoj se kjo siguron një filtër të fuqishëm për secilin prej nesh. Ne mund t’i ndihmojmë studentët që ta kuptojnë këtë filtër në zgjedhjet e tyre se ku e shpenzojnë kohën dhe çfarë shohin, dëgjojnë apo shikojnë. Ata duhet të bëjnë zgjedhjet e veta por mund t’i ndihmojmë të bëjnë pyetjen: “Ku të çon kjo dhe a do të më çojë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?”
Presidenti Ouks: Sa e rëndësishme kjo dhe sa domethënëse do të jetë nëse gjithë studentët tanë e kuptojnë atë parim!
Vëllai Ueb: Që mësuesit të theksojnë dhe të japin dëshmi për ato gjëra që e ftojnë Frymën e Shenjtë për të pohuar rëndësinë – jo thjesht vërtetësinë, por rëndësinë e atyre parimeve në jetën e tyre, mund të shtoj, nëse mundem, edhe idenë e domethënies. Mendoj se gjithçka që mund të bëjmë është që t’i ndihmojmë studentët për t’i ftuar që të zbulojnë domethënien e atyre parimeve në jetën e vet. Nganjëherë mendoj se flasim për këto gjëra me fjalë që konkurrojnë për kohën apo vëmendjen e tyre. Ndonjëherë na duhet t’u japim përparësi gjërave që janë më të vlefshmet por mund t’i ndihmojmë të shohin se si ungjilli luan rol në jetën e tyre të përditshme. Mësova, kur isha student se, nëse e mbaja të shenjtë ditën e Shabatit, dhe nëse i studioja shkrimet e shenjta para se të studioja [për shkollën], isha student më i mirë sesa kur përpiqesha t’i ndaja ato gjëra dhe thosha: “Do të shpenzoj kohë me gjërat shpirtërore dhe pastaj me gjërat laike”. Në çdo fushë të jetës, kur e përfshij Atin Qiellor – kur e ftoj Shpirtin e Tij të më ndihmojë – edhe në gjërat që mund t’u duken studentëve më materiale nga natyra, ata shohin domethënien e ungjillit në gjërat që po përpiqen t’i përmbushin në jetë. Në vend që të konkurrojnë për kohën, ato bashkohen.
Presidenti Ouks: Ne kujtojmë se Zoti na mësoi që Ai nuk ka dhënë kurrë ndonjë urdhërim material. Të gjitha urdhërimet janë shpirtërore dhe udhërrëfimi i Tij është shpirtëror.
Vëllai Smith: Një mendim tjetër që më erdhi në mendje teksa po flisje – të paktën për studentët tanë të seminarit – është programi i Kishës “Fëmijët dhe Rinia”. Kjo është një mënyrë e fuqishme për ta bërë ungjillin domethënës dhe për të vënë synime praktike që të vihet në jetë ungjilli, që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari.
Presidenti Ouks: Njëmend. Tani dua t’u bëj një pyetje dy burrave që janë mësues profesionistë të fesë: Çfarë keni mësuar ju vëllezër dhe bashkëpunëtorët tuaj rreth mësimdhënies së ungjillit të Jezu Krishtit gjatë pandemisë që kemi përjetuar të gjithë ne?
Vëllai Smith: Dua të flas së pari për gjithçka që kemi mësuar – na është kujtuar dhe theksuar se çfarë mësues të mrekullueshëm kemi – se ata vërtet i duan Perëndinë e studentët, dhe kanë bërë çmos dhe ne jemi thellësisht mirënjohës. Mendoj se pandemia e ka theksuar elementin e dhënies së shërbesës që është pjesë e mësimdhënies së ungjillit. Po bëhemi më të mirë për t’i dëgjuar studentët, për të përcaktuar nevojat dhe aftësitë e tyre, për t’u takuar me ta, për t’i dashur atje ku janë dhe për të gjetur mënyra që t’i ndihmojmë të vijnë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Në kohën e pandemisë, ku ka pasur shumë vështirësi, ne kemi parë se ndihma hyjnore i jepet mësuesit që përpiqet fort t’i dojë Perëndinë dhe studentët e vet dhe të bëjë më të mirën për ta.
Vëllai Ueb: Mendoj se vërtet e the mirë. Dua thjesht të të falënderoj dhe të shtoj mirënjohjen time. Kemi mësues që po përpiqen të japin mësim ballë për ballë dhe po mësojnë se si ta bëjnë në internet. Mbajnë maska që ndonjëherë janë të parehatshme. Ata e kanë vënë veten në rrezik dhe e kanë bërë me dashuri të madhe për studentët e tyre dhe Atin Qiellor, me zotim shumë të madh. Thjesht faleminderit për të gjitha sakrificat e përpjekjet për ta bërë këtë gjatë një kohe shumë të vështirë.
Presidenti Ouks: Ua shtoj, në emër të Presidencës së Parë, falënderimet e mia asaj që sapo shprehët. Ju duam ju vëllezër e motra që jepni mësim në seminaret, institutet dhe në mësimdhënien fetare në kolegj e universitete.
Vëllai Ueb: Faleminderit shumë. Një pyetje tjetër që mezi pres të ta bëj për shkak të disa gjërave që i ke dhënë mësim diku tjetër: Përse është e rëndësishme të japim mësim parime dhe jo rregulla?
Presidenti Ouks: Gëzohem që e bëre këtë pyetje. Është e parapëlqyera ime. Në një artikull mbresëlënës në Church News, Ted R. Kelisteri, ish‑president i Shkollës të së Dielës, tha për atë temë: “Së pari, rregullat shpesh kufizohen te një ose disa situata të veçanta, ndërkohë që parimet kanë në përgjithësi zbatim më të gjerë. Së dyti, parimet krijojnë një mjedis që e rrit shumë lirinë e zgjedhjes, ndërsa rregullat e pakësojnë lirinë e zgjedhjes duke i kufizuar [dhe] madje diktuar zgjedhjet tona.” Shpëtimtari e zëvendësoi Ligjin e Moisiut, që drejtohej nga rregullat, me ligjin më të lartë të Krishtit, që drejtohej nga parimet. Vëllai Kelister e shtjelloi atë parim si vijon. Ai tha: “Parimet pajtohen me ligjin më të lartë, rregullat me ligjin më të ulët. Përqendrimi ynë duhet të jetë që të japim mësim parime doktrinore. Pse? Sepse parimet kanë aftësi më të madhe për të na ngritur drejt lartësive çelestiale dhe në fund, parimet – jo rregullat – do ta qeverisin mbretërinë çelestiale.”4 Këtu mbaron citimi.
Vëllai Ueb: Vërtet e vlerësoj atë. Ka një dobi tjetër nga kjo. Isha me një grup mësuesish që po më thoshin se në klasat e tyre duket se ka më shumë “grindje”, pasi studentët po bëjnë më shumë pyetje dhe ka pikëpamje dhe kuptime të ndryshme të gjërave. Ajo që na mësove më ktheu tek ai bashkëbisedim dhe më ndihmoi të kuptoj që një mënyrë se si e zgjidhim këtë, nuk është duke dhënë mësim zbatimin, kur ata debatojnë vënien në zbatim në rrethanën e tyre, por mësimdhënien e parimit të ungjillit. Duke u kthyer te hyrja – mësimdhënia e planit të shpëtimit, e doktrinës së Krishtit dhe e parimeve të ungjillit, si dhe lejimi për zbatim vetjak me ndihmën e Frymës së Shenjtë.
Presidenti Ouks: Mirë e the.
Vëllai Ueb: Mendoj se është vërtet praktike dhe e dobishme ajo që po përpiqemi të bëjmë. Faleminderit. Vëllai Smith, a do të shtoni ndonjë gjë?
Vëllai Smith: Mendoj se është e ngjashme me atë që theksove, Vëllai Ueb. Duke dhënë mësim një parim në vend të një zbatimi, ne e ftojmë një student të përdorë lirinë e zgjedhjes në procesin e mësimit dhe të rritjes – që pasi ka marrë një parim mund të kërkojë zbulesë vetjake, mund ta studiojë më shumë dhe të përcaktojë hapin më të mirë për t’u hedhur teksa e zbaton atë parim në rrethana vetjake.
Vëllai Ueb: Faleminderit. Një pyetje e natyrshme është: “Me gjithë ndikimet – me gjithë zërat në botë – si i ndihmojmë studentët të lundrojnë përmes ndikimeve të shumta në shoqëri?”
Presidenti Ouks: Na nevojitet të kuptojmë se djalli është ati i gënjeshtrave – “gënjeshtar që nga fillimi”5, thonë shkrimet e shenjta. Mënyra e tij më e zgjuar për gënjeshtrat është t’i përziejë ato me të vërtetën. Duke i joshur dhe infektuar kërkimet e njerëzve të mirë duke e përzier të vërtetën me gënjeshtrat. Mes gjërave më të çmuara që mund të mësojmë në vdekshmëri, janë mësimet e Frymës së Shenjtë që na lejojnë të jemi vigjilentë ndaj asaj që është – dhe nuk është – e vërtetë.
Vëllai Smith: Në këtë përzierje të së vërtetës me gënjeshtrat, kundërshtari e heq të vërtetën nga konteksti i saj i përjetshëm dhe nga vendi i saj në planin e Perëndisë. Kjo e rrit mundësinë që një e vërtetë të keqzbatohet ose keqkuptohet. Për shembull, Presidenti Ouks, sapo na mësove rreth parimit të dashurisë dhe vendit të saj në planin e Perëndisë – rëndësisë që të duam Perëndinë dhe të afërmin tonë – që dashuria është forca shtytëse e dëshirës së Atit Qiellor për të na përgatitur për jetën e përjetshme, më të madhen e gjithë dhuratave të Perëndisë. Dashuria jonë për Perëndinë na nxit të duam dhe të shërbejmë pa egoizëm. Kur kundërshtari e ndan parimin e dashurisë nga konteksti i saj, ajo mund të shtrembërohet me lehtësi. Dikush që e keqkupton dashurinë mund të përkrahë kauzën e gabuar. Ai mund të gjendet në kundërshtim me ligjet e Perëndisë dhe profetët e Tij, ngaqë ndarja e së vërtetës nga konteksti i saj i përjetshëm mund të çojë drejt një të kuptuari të gabuar ose pa kontekst. Kundërshtari e bën këtë me shumë parime.
Presidenti Ouks: Shohim shumë prova për këtë në botën përreth nesh, apo jo? Vëllai Ueb, si mësues, si i diskuton pyetjet rreth shqetësimeve të tanishme në mendjen e studentëve tuaj, të tilla si temat shqetësuese nga historia e Kishës, çështjet e LGBT-së, pyetjet se si të jetojnë me kontrollet qeveritare në lidhje me pandeminë, e kështu me radhë? Pyetjet janë të pafundme. Si i diskuton më së miri ato pyetje në kontekstin e klasave tona fetare?
Vëllai Ueb: Kjo është pyetje vërtet e mirë dhe me të cilën mësuesit ndeshen vazhdimisht. Do ta filloj duke thënë se më pëlqen shumë që Apostulli Pal na udhëzoi ta japim mësim të vërtetën me dashuri. Prandaj na nevojitet të japim mësim ungjillin. Nevojitet të japim mësim shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve bashkëkohorë, të japim mësim të vërtetën. Nuk i bën askujt ndonjë nder kur jepen mësim gjëra që nuk janë të vërteta; ato nuk çojnë drejt lumturisë. Pjesa tjetër e saj është vërtet domethënëse: kur Ai thotë që ta bëjmë me dashuri, siç edhe e keni përmendur sonte. Do të jetë e rëndësishme ta fillojmë me marrëdhëniet. Ka pasur shumë kërkim shkencor që është kryer, që qartësisht na tregon se të mësuarit nga ana e studentëve, varet nga marrëdhëniet. Për mua, ato marrëdhënie fillojnë nga mësuesit që janë të gatshëm të dëgjojnë – t’i kuptojnë studentët dhe rrethanat e tyre dhe të kenë ndjeshmëri që të përpiqen t’i kuptojnë nevojat e tyre. Është e rëndësishme të dallojmë se çdokush ka diçka për të kontribuar, që e vlerësojmë – që kemi nevojë për njëri‑tjetrin dhe përvojat nga të cilat të nxjerrim mësime. Ka shumë për të thënë mbi këtë pyetje dhe më pëlqen shumë ajo. Për mua, është të themi të vërtetën me dashuri dhe kjo nënkupton marrëdhëniet që i ndihmojnë njerëzit të mirëbesojnë, mësojnë së bashku dhe ta ftojnë Frymën e Shenjtë në atë përvojë.
Presidenti Ouks: Ajo që the për marrëdhëniet më kujton një bisedë të mrekullueshme të kohës së fundit që lexova nga Presidenti i Përgjithshëm i Të Rinjve, Stiven J. Landi, në Konferencën e Grave në UBJ. Ai i përshkroi – iu drejtua marrëdhënieve si ndikimi nxitës që mund të jemi në jetën e atyre që po kërkojnë modele shembulli dhe këshillues. Ai tha se studiuesit tanë kanë zbuluar që zhvillimi shpirtëror i rinisë SHDM varet shumë nga cilësia e marrëdhënieve të tyre me prindërit, bashkëmoshatarët dhe mësuesit. Ato marrëdhënie me udhëheqësit zhvillohen mirë në seminar, në Shkollën e së Dielës dhe klasat e kuorumeve, ku do të mësojnë t’i respektojnë dhe duan mësuesit dhe shenjtorët e tjerë.6 Këtu mbaron citimi. Kjo e gjitha, në përfundim, përmblidhet në një miratim mbresëlënës të rëndësisë së mësuesve që i duan dhe punojnë me studentët e tyre. Mirëbesimi i zhvilluar kështu do të jetë një ndikim këshillues që do t’i forcojë për t’iu përgjigjur vetë pyetjeve të tyre shqetësuese.
Vëllai Ueb: Faleminderit. Mendoj se është vërtet në thelb të asaj që po përpiqemi të arrijmë: ngritjen e marrëdhënies. Nga ajo që sapo the, mund të bëjmë disa gjëra në seminar për t’i ndihmuar që të forcojnë marrëdhënie të tjera. Përmendët programin e zhvillimit për rininë. Mund t’i drejtojmë tek udhëheqësit e Të Rinjve, te peshkopët, tek udhëheqëset e Të Rejave. Mund t’i forcojmë marrëdhëniet me prindërit e tyre, nëpërmjet mënyrës se si flasim për familjet dhe t’i drejtojmë te prindërit e tyre. Mendoj se kjo e gjitha është vendimtare – jo thjesht për ndërtimin e marrëdhënieve tona me ta, por për forcimin e marrëdhënieve të tyre me njerëzit që do t’i drejtojnë në udhën e duhur. Faleminderit që e the. Pra me këtë, a mund të flasim më shumë se si i japim mësim këto gjëra themelore në një mënyrë që nuk e fyen rininë ose nuk ua largon vëmendjen nga ungjilli? Mund të tregoj një shembull të shpejtë për ta formuluar pyetjen që kam në mendje. Javën që shkoi, një mësues më mori në telefon dhe tha se një nënë erdhi për ta hequr të bijën nga seminari, ngaqë ai kishte dhënë mësim disa parime për familjen dhe rëndësinë e familjes. Kjo nënë qe lënduar prej gjendjes së familjes së tyre dhe nuk donte që fëmijës së saj t’i mësohej roli qendror i familjes – as në kontekstin e planit të shpëtimit. Ky mësues u trishtua shumë që e humbi këtë nxënëse dhe pyeti: “Si ta jap mësim të vërtetën? Si ta trajtoj atë në një botë ku nuk duam t’i largojmë njerëzit, por na duhet t’ua japim mësim ungjillin me pastërti nxënësve tanë?”
Presidenti Ouks: Ç’shembull i mrekullueshëm! Vëllai Smith, çfarë ke për të thënë lidhur me këtë temë?
Vëllai Smith: Mendova përsëri – e di që sapo folëm rreth marrëdhënieve. Një student që ka mirëbesim te një mësues – dhe ndien se mësuesi ka dashuri – do ta hapë zemrën. Muret e mbrojtjes mund të ngrihen nëse u mësojmë një ideal që s’është realiteti i një studenti. Diçka që i rrëzon muret e mbrojtjes është nëse një student e do dhe mirëbeson te mësuesi i vet. Prandaj, është vërtet e rëndësishme. Dua ta theksoj sërish komentin e pyetjes së mëparshme – ndërtojini ato marrëdhënie me studentët.
Presidenti Ouks: Njëmend. Është e rëndësishme ta kuptojmë se nuk jemi të detyruar të biem dakord me gjithçka që na vihet përpara – qoftë nga një student, prindërit e një studenti apo njerëz të tjerë në shoqëri. Nuk e kemi për detyrë të pohojmë të gjitha bindjet në tregun e ideve. Kemi për detyrë të japim mësim të vërtetën. Por duhet të jemi të kujdesshëm që kurrë të mos largohemi nga përgjegjësia jonë, e dhënë nga Shpëtimtari, për t’i dashur të afërmit tanë. Çfarëdo që bëjmë, duhet të jetë me dashuri, që të mos jemi debatues me dikë, por t’i paraqitim mësimet tona me qëllim që mësimet të mund të përballen me bindjet që janë të gabuara. Brigam Jangu, që ishte tepër debatues si individ, bëri një dallim mjaft të mirë për të cilin lexova kohët e fundit në mësimet ose diskutimet e Brigam Jangut. Në një nga bisedat e tij, ai tha: “Kurrë nuk i ka ndryshuar ndjenjat e mia ndaj individëve, as burrave as grave, pavarësisht faktit a e besojnë ose jo atë që besoj unë. A mund të jetoni si fqinjë me mua? Unë mundem të jetoj me ju; dhe nuk më shqetëson aspak nëse besoni si unë apo jo.”7 Këtu mbaron citimi nga Brigam Jangu. Ishte e papritur të kishim një shpallje zbuluese të faktit që mund të jetojmë me dashuri ndaj atyre me të cilët nuk biem dakord.
Vëllai Ueb: Kjo është vërtet e kohës për mësuesit tanë. Një nga tiparet më të rëndësishme të një dishepulli të Shpëtimtarit sot, është që të jetë në gjendje të mos bjerë dakord dhe të vazhdojë t’i dojë njerëzit dhe të jetë i çiltër në marrëdhënien me ta pavarësisht nga mospajtimi me bindjet e tyre.
Presidenti Ouks: Një pjesë tjetër e saj është nevoja jonë për të punuar që të qenit të dashur dhe pranues – madje falës ndaj njerëzve me të cilët shoqërohemi të mos kuptohet si miratim. Kjo nuk është e lehtë të bëhet. Shohim në botën e politikës dhe komunikimit publik, nga burime të ndryshme, se nuk arrijnë ta pranojnë këtë. Shpesh njerëzit nënkuptojnë se e kemi miratuar diçka, ngaqë kemi treguar dashuri ndaj njerëzve të përfshirë në të.
Vëllai Ueb: Këto vërtet lidhen së bashku, apo jo? Na kthen te marrëdhëniet, tek të dëgjuarit dhe ndjeshmëria. Na kthen edhe te dhënia mësim e parimit. Na kthen te kushti paraprak se përse besojmë atë që besojmë, nisur nga plani i shpëtimit, doktrina e Krishtit dhe lidhja e këtyre gjërave të vogla së bashku dhe kryerja e gjërave që përshkruat.
Presidenti Ouks: Gjithashtu, mendoj se ajo lidhet me urdhërimin e parë dhe të madh për të dashur Perëndinë dhe me mësimdhënien e Shpëtimtarit: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”.8 Më pas urdhërimi i dytë është të duam të afërmit tanë. Fakti që i duam të afërmit, s’do të thotë që nuk e duam Perëndinë të parin dhe nuk i zbatojmë urdhërimet e Tij.
Vëllai Ueb: Faleminderit.
Vëllai Smith: Më vjen ndërmend një rast i një mësuesi që e thotë të vërtetën me dashuri dhe e mbron doktrinën e Krishtit me kurajë – por gjithashtu i do studentët e vet, kështu që studentët ndihen të sigurt, kanë besim dhe e duan mësuesin. Ndoshta ka një student që nuk është dakord me një element të doktrinës së Krishtit – ose një parim të ungjillit për ta shprehur më mirë – por prapë vjen në orën mësimore. Gjithsesi vjen në institut apo seminar ngaqë ndien siguri dhe ndien se mund të ndërtojë besim te Jezu Krishti në atë mjedis. Ky baraspeshim për të cilin po flasim, është i rëndësishëm të arrihet: të mbrojmë me guxim të vërtetën dhe t’i duam ata që nuk bien dakord me të vërtetën, që klasa, seminari apo instituti të mund të jetë një vend i sigurt.
Presidenti Ouks: Ndiej të them se ata njerëz në publikun tonë që përfshihen në institut dhe japin mësim fenë në universitete dhe kolegje, kanë një sfidë më të madhe me këtë temë të veçantë. Studentët më të pjekur janë më të prirur të mendojnë për veten e tyre dhe janë më debatues sesa nxënësit e seminarit. Parimet janë të njëjta. Zbatimi ndryshon disi sipas vendndodhjes dhe pjekurisë së individit, por parimet janë ato që po diskutojmë.
Vëllai Ueb: Faleminderit.
Presidenti Ouks: Ja një pyetje që e ndryshon paksa çështjen, por është tepër domethënëse në kohën tonë: Si mund t’i bindim studentët t’i lënë mënjanë celularët gjatë kohës që po përpiqemi t’u japim mësim?
Vëllai Ueb: Kjo është në fakt pyetje e shkëlqyer që lidhet me debatin ose mosmarrëveshjet në orët mësimore, sepse nganjëherë krijon pikërisht këto gjëra, apo jo? Pra, Vëllai Smith?
Vëllai Smith: Po, ka raste të caktuara në mjedisin e të mësuarit kur studentët kanë nevojë të shkëputen dhe largohen nga celularët e tyre. Gjëja më e mirë që do t’i ndihmojë ta bëjnë këtë, është mësimdhënia përfshirëse dhe nxitëse. Plaku Ballard – ose Presidenti Ballard – dikur na tha që të sigurohemi që mësimdhënia jonë nxit. Mendoj se ka raste kur mund ta ftojmë një nxënës ta përdorë celularin në përvojën e të mësuarit. Me burimet te ChurchofJesusChrist.org dhe programin Gospel Library, ne mund ta ftojmë me raste një student për t’u përfshirë në përvojën e të mësuarit duke përdorur përmbajtje besimformuese nga telefoni. Mendoj se ky mund të jetë një bekim – një ndikim pozitiv për ta jashtë orës mësimore – që të mund të fillojnë ta shohin këtë mjet si më shumë sesa një mjet loje apo për mediat shoqërore – ose për disa, një burim tundimi. Ata mund të mësojnë se po ai mjet mund të përdoret për të ndërtuar besim te Jezu Krishti. Mësuesit do t’i duhet frymëzim dhe baraspeshim. Mendoj se Zoti do të na ndihmojë të gjejmë mundësi për të ndërtuar besim nëpërmjet përdorimit të mjetit dhe të kuptojmë rastet kur ai nevojitet të mbyllet e të vihet mënjanë.
Presidenti Ouks: Sugjerimi yt që të mos jemi armiqësorë ndaj celularëve, më kujton një përvojë – gati 10 ose 15 vjet më parë – kur hyra në një klasë të Shkollës të së Dielës për rininë e moshës së seminarit. Shkova me një qëndrim armiqësor ndaj celularëve por kur pashë nëpër klasën me rreth dymbëdhjetë studentë, e kuptova se kishte vetëm një libër shkrimesh të shenjta në tërë klasën. Çdonjëri po lexonte nga shkrimet e shenjta dhe po e ndiqte mësimin në celular. Atëherë fillova të kuptoj se çështja nuk është ndalimi por baraspeshimi.
Vëllai Ueb: Mirë e the, faleminderit. President, u kënaqëm shumë me ty, faleminderit për këshillat dhe mendojmë të përdorim një minutë, duke filluar me Vëllanë Smith, që të shprehni dëshminë që dëshironi, më pas unë do të jem i lumtur ta bëj këtë dhe t’jua lë juve kohën e mbetur.
Vëllai Smith: Faleminderit. Kur mendoj për mundësinë që t’u japim mësim rinisë dhe të rinjve në moshë madhore të Kishës dhe atyre në institucionet tona të SAK‑ut, mendoj për një mësim nga profeti ynë, Presidenti Nelson. Ai tha: “Shumë nga shpirtrat … më fisnikë [të Perëndisë] – ndoshta … skuadr[a] e Tij më [e] mirë … u dërgua në tokë pikërisht në këtë kohë. … [Ata janë] nga më të mirët që Zoti ka dërguar ndonjëherë në këtë tokë.”9 Dëshiroj të shpreh bindjen time se të rinjtë e të rejat me të cilët kemi mundësinë të ndërveprojmë, janë ata që profetët e Perëndisë na mësojnë se janë. Çfarë privilegji të shenjtë kemi, për t’u dëshmuar atyre për realitetin e Jezu Krishtit, të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij! Dëshmoj sot për realitetin e Shlyerjes dhe të Ringjalljes së Jezu Krishtit; kjo është Kisha e Tij; ne udhëhiqemi nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit e Tij të gjallë; ne përfshihemi në kauzën e Tij kur i japim mësim rinisë në ditët e mëvonshme. E lë këtë dëshmi me ju në emrin e Jezu Krishtit, amen.
Vëllai Ueb: Amen. Dëshiroj të shtoj dëshminë time për realitetin e Atit tonë të dashur Qiellor dhe Jezu Krishtit si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës – se kjo është Kisha dhe mbretëria e Tij në tokë. Sa mirënjohës jam ta kaloj çdo ditë të jetës sime duke dëshmuar për Të dhe duke e dhënë mësim ungjillin e Tij. Jam mirënjohës për ata që më dhanë mësim dhe më bekuan me besimin dhe dëshminë e tyre për Shpëtimtarin; jam mirënjohës që jam pjesë e kësaj vepre në mësimdhënien e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Kur mendojmë për dashurinë e Atit tonë në Qiell, ne shpesh themi se sa shumë Ati Qiellor i do studentët tanë. Dua të shtoj që e di se Ati ynë Qiellor ju do, se Ai është kaq mirënjohës që dëshironi ta kaloni jetën tuaj duke u dhënë mësim fëmijëve të Tij, Ai i do familjet tuaja dhe teksa vazhdoni të shërbeni besnikërisht në mësimdhënien ndaj fëmijëve të Tij, Ai do t’ju bekojë ju dhe familjen tuaj teksa i bekoni fëmijët e Tij nëpërmjet mësimdhënies, dëshmisë dhe shembujve tuaj. Faleminderit për njerëzit që jeni dhe atë që bëni, në emrin e Jezu Krishtit, amen.
Presidenti Ouks: Amen. Ia shtoj dëshminë time dëshmisë së dhënë nga këta shërbëtorë të Zotit. Dëshmoj për Atin dhe Birin, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që kjo është vepra e Tij dhe ju jeni shërbëtorët e Tij, mësues të ungjillit të Jezu Krishtit. Lutem për bekimet e qiellit mbi ju teksa i shërbeni Zotit dhe shkoni përpara me familjet tuaja drejt fatit që Perëndia ka përshkruar për fëmijët e Tij të denjë: jetës së përjetshme. E bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.
Të gjithë: Amen.