Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
Mësimdhënia e Fesë për Rininë dhe të Rinjtë e të Rejat në Moshë Madhore – Diskutimi i Mbylljes


12:16

Mësimdhënia e Fesë për Rininë dhe të Rinjtë e të Rejat në Moshë Madhore – Diskutimi i Mbylljes

Pjesa III: Diskutim – DHO/KMO

PRESIDENTI OUKS: Gëzohem që do të jem bashkë me Kristenin për diskutimin tonë përfundimtar. Ajo është mësuese me përvojë – përfshirë një vit mësimdhënieje në UBJ – misionare e kthyer, bashkëshorte dhe gjyshe. Ajo do të flasë nisur nga këto përvoja dhe si bashkëshortja e një shërbëtori të Zotit. Qëllimi ynë këtu është që t’ju ndihmojmë ju si mësues/e të fesë dhe të ndihmojmë bashkëshortet/ët në rolin e tyre përkrahës.

MOTRA OUKS: Presidenti Ouks, jam mirënjohëse që jam me ju sonte, si edhe me mësuesit. Ju përfaqësoni të gjithë ata që ia kanë mësuar ungjillin familjes sime dhe e kanë bekuar atë. Ju jeni të pashoq. Shumë prej miqve dhe familjarëve tanë kanë pasur dëshirë të kenë punët që ju i keni tani, por atyre nuk iu dha ai privilegj. Ne ju shohim si ata që u zgjodhët një e nga një nga Zoti që të jeni mësuesit e fëmijëve të Tij. Kjo është një kohë sfiduese për të dhënë mësim, me shqetësimet e regjistrimit, problemet shoqërore dhe kundërshtimin ndaj parimeve të sakta dhe së vërtetës.

PRESIDENTI OUKS: E filluam duke folur për fuqinë e dashurisë në marrëdhëniet tona: dashurisë së Perëndisë, dashurisë së Tij për fëmijët e Tij, dashurisë tonë për njëri‑tjetrin dhe e dashurisë tuaj për studentët tuaj. Në pjesën II të diskutimit të parë folëm për gjëra të tilla si: “Si mund të jap mësim atë që do të ketë vlerën më të madhe?” dhe “Përse është më e rëndësishme të jap mësim parime sesa rregulla?” dhe “Si i ndihmojmë studentët që të lundrojnë përmes ideve dhe vlerave të botës?” – duke treguar dashuri për çdo njeri.

MOTRA OUKS: E di se jeni këtu sonte që të jeni mësuesit më të mirë. Ja një fotografi e një mbajtëse çelësash që m’u dha. Ka fjalët: “Ji vetvetja. Gjithë të tjerët janë zënë tashmë.” Është një thënie nga Oskar Uajlldi. Kur e mora, fillimisht, nuk e quajta tamam si përgëzim. Në fakt, ai është një nga përgëzimet më të mëdha që më kanë dhënë dhe unë jua jap juve.

Kur bie fjala për mësimdhënien e ungjillit, ju jeni të zgjedhurit e Zotit. Jeni shumë të veçantë dhe keni cilësi, anë të forta dhe talente të veçanta që janë vetëm tuajat. Jeni në një pozitë të veçantë për të mposhtur kundërshtimin e botës dhe për t’u mësuar të vërteta të përjetshme. Si nënë, gjyshe dhe madje stërgjyshe, unë kam mirëbesim te ju. Jam kaq e varur nga ju që t’i mësoni familjes sime parimet e sakta për t’i imunizuar nga errësira përreth tyre. Ju ofroni një mburojë kundër ligësisë dhe jeni përgjigje për lutjet e familjes sonë.

PRESIDENTI OUKS: E vlerësojmë çdo herë që i ndihmoni familjen tonë dhe rininë e Kishës që të kuptojnë dhe përqafojnë identitetin e tyre të vërtetë si fëmijë të një Ati të dashur Qiellor. Dhurata juaj më e madhe është të jepni mësim parimet e sakta dhe të vërtetat e përjetshme që ta bekojnë jetën e tyre – ku të kapen kur përballen të vetëm me vendimet. Kjo do t’i armatosë më së miri që të përballen me botën.

MOTRA OUKS: Shtëpia jonë është pikërisht përballë Tempullit të Solt-Lejkut. Dhe tani po bëhen ndërtime të mëdha. Ka skela, kamionë e vinça kudo. Tempulli duket i mbuluar. Me të po punohet, sikurse me ne në këtë kohë të COVID-19‑ës. Tempulli është i mbuluar, por po bëhet më i fortë dhe më i bukur. Çdo ditë, punëtorët bëjnë pak më shumë për ta forcuar dhe përforcuar tempullin. Pas tre vjetësh, ai do të shfaqet më i bukur, më i përsosur dhe më i aftë t’i bëjë ballë çdo rrethane.

PRESIDENTI OUKS: Ne dhe studentët tanë mund të jemi si tempulli: duke iu nënshtruar rinovimeve çdo ditë për t’u bërë më të fortë, më të përkushtuar, më besnikë – edhe në rrethana të vështira. Kur rindërtohemi, me bekimet e premtuara, ne mund të bëhemi një Shtëpi e Zotit.

Një arsye pse jam i kënaqur që Kristeni është këtu, është se ajo është vendimtare për ta pasur Shpirtin në shtëpinë tonë. Presidenti Nelson në konferencën e prillit tha: “Një nga vendet më të shenjta në tokë është shtëpia”. Nevojitet të bëjmë më shumë për ta bërë shtëpinë vërtet një vend të shenjtë. “Nëse jeni të martuar, këshillohuni me bashkëshorten tuaj si partneren tuaj të barabartë në këtë punë vendimtare. Midis të tashmes dhe kohës kur Zoti të vijë sërish, ne të gjithë kemi nevojë që shtëpitë tona të jenë vende qetësie dhe sigurie.”1 Bashkëshortet tona janë jetike për këtë gjë.

MOTRA OUKS: Si bashkëshorte e dikujt të cilit i nevojitet Shpirti për të kryer thirrjen dhe punën e tij, pikërisht si secili prej jush, unë bëj çdo përpjekje për ta bërë shtëpinë tonë një vend të shenjtë dhe të dashur. Nuk kishte kurrë një rast kur Fryma e Shenjtë mungonte në shtëpinë ose klasat tona. COVID-19‑a në fakt ka ndihmuar. Kemi më shumë kohë së bashku. Bashkëshorti im, si bashkëshortët tuaj, punon më mirë në një mjedis shpirtëror. Ajo që shoh, lexoj dhe sjell në shtëpinë tonë ka rëndësi. Nuk mund të ketë grindje në shtëpinë tonë dhe përpiqem të jem pozitive dhe përkrahëse. E di se përkrahja ime është vendimtare në mbajtjen e gjërave së bashku për familjen time, bashkëshortin tim dhe vërtet po përpiqem çdo ditë.

PRESIDENTI OUKS: Faleminderit, e dashur. Studentët tuaj përballen me kundërshtim prej vlerave dhe tundimeve të botës. Libri i Mormonit e profetizoi këtë. Ne jetojmë në një kohë kur “të gjitha [vendet] e botës … do të jenë të dehur[a] me paudhësi dhe me të gjitha llojet e neverive”2. Libri i Mormonit na paralajmëron ndaj teknikave të Satanit në këtë kohë.

Për shembull, te 2 Nefi 28:20 ne lexojmë se Satani do të “tërbohet në zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe do t’i nxitë në zemërim kundër asaj që është e mirë”. Gjithçka, që nga shpërthimet inatçore në rrugë, te protestuesit dhe grindjet familjare, duket se është përshkallëzuar. Ora juaj mësimore mund të shërbejë si një strehë paqeje dhe një model qytetarie ndaj ndjenjave të studentëve tuaj.

MOTRA OUKS: Klasat tuaja mund të jenë vendi i sigurt. Parimet e dhëna mësim në klasat tuaja, dëshmitë e lindura atje dhe Shpirti i ndier atje, mund t’i ushqejnë e mbrojnë studentët tuaj.

PRESIDENTI OUKS: Në vargun 21, Satani thotë se do t’i “paqësojë” dhe “përkundë” njerëzit me mendimin se “gjithçka është mirë në Sion”3.

MOTRA OUKS: Asnjë formë e teknologjisë bashkëkohore nuk na ka përkundur as nuk e ka mbërthyer kaq shumë vëmendjen tonë sa celulari. Dua të tregoj historinë e një mësueseje instituti që ishte me aftësi të kufizuar për dy vjet. Dhe kur u kthye, tha se u habit shumë. Njoftimet dhe mesazhet e vazhdueshme të telefonit ua largonin vëmendjen studentëve nga të menduarit dhe mësimi në klasë. Edhe më keq, tha ajo, po i largon nga njëri‑tjetri dhe nga Shpirti. Por besoj se ka shpresë dhe ajo gjendet kur u kërkojmë njerëzve përreth nesh t’i mbyllin telefonat dhe nëse është e mundur, mund të nxitim bashkëbisedim rreth përfitimeve dhe rreziqeve të telefonave për njerëzit që i duam dhe u japim mësim e t’i lejojmë studentët të na tregojnë për shqetësimet e tyre dhe t’i gjejnë vetë ata zgjidhjet ndaj problemit të celularëve. Si prindër, kjo na pëlqen. Vërtet.

PRESIDENTI OUKS: Shembulli i fundit, i dhënë te 2 Nefi 28:22 është që Satani do t’i lajkatojë të tjerët duke u “th[ën]ë se nuk ka ferr; dhe … unë nuk jam djall, pasi nuk ka asnjë” të tillë. Mësimet tuaja do t’i ndihmojnë studentët që të dallojnë lajkat e Satanit dhe gënjeshtrat që bien në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Ka pasoja për sjelljen që frymëzon Satani, dhe mësimet tuaja do të japin shpresën që e marrim nga mëshira e pendimit dhe e faljes hyjnore.

MOTRA OUKS: Jam e martuar me një Apostull dhe kam vështruar nga afër Apostuj të tjerë. E di se shërbëtorët e Zotit janë tërësisht besnikë dhe kërkojnë Shpirtin e Zotit që t’i udhërrëfejë. E di gjithashtu se udhërrëfimi shpirtëror është në dispozicionin tonë dhe ju mund t’u mësoni studentëve ta gjejnë atë dhe të jenë të bindur.

PRESIDENTI OUKS: Së fundi, te 2 Nefi 28:32, Zoti shpall se Ai do të jetë “i mëshirshëm” ndaj atyre që “pendohen dhe … vijnë tek [Ai]”. Ai gjithmonë zgjat dorën për të na ngritur e shpëtuar. Ju jeni ata që po ua mësoni atë siguri dhe paqe studentëve tuaj. Bëjuani të ditur që pendimi është një nga dhuratat më të mëdha që ne kemi. Ju jeni përgjegjës që t’i ndihmoni studentët tuaj të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe fatin e tyre si fëmijë të Perëndisë.

MOTRA OUKS: Mos harroni kurrë armën më të madhe që kemi për t’i mposhtur ligësi të tilla. Tek Alma 31:5 na mësohet që “predikimi i fjalës [së Perëndisë] kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë – po, kishte pasur një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve, sesa shpata” – ose, mund të shtoj, telefoni celular. Ju jeni mësues të asaj fjale dhe ju e keni atë fuqi dhe atë premtim.

PRESIDENTI OUKS: Vendoseni Shpëtimtarin në qendër të mësimeve ndaj studentëve dhe do ta keni atë fuqi. Si mësues të ungjillit, me drejtimin e Frymës së Shenjtë, ju po e bëni këtë gjë dhe mund të jeni edhe më të efektshëm. Teksa ju i afroheni më shumë Krishtit, studentët ju afrohen më shumë juve dhe Atij. Do të rritet aftësia juaj për të dhënë mësim të vërtetën dhe do të lartësohet aftësia juaj për t’i dashur dhe për të dalluar nevojat e tyre.

Vëllezërit dhe motrat e mia, në shtesë të asaj që thashë më herët, unë dëshmoj për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë, Shëlbuesin tonë, kreun e kësaj Kishe. Ju jeni shërbëtorët e Tij. Ne jemi të bashkuar për të dhënë mësim parimet e vërteta të ungjillit të Jezu Krishtit. Ju bekoj, si shërbëtorët dhe mësuesit e Tij, si etër dhe nëna në Sion, si shërbëtorë të denjë të Zotit Jezu Krisht, që t’i përmbushni përgjegjësitë tuaja, të zbatoni urdhërimet, të jeni modele të mëdha të drejtësisë dhe mësimdhënies së parimeve të vërteta. Ju bekoj për këtë qëllim teksa dëshmoj për të vërtetën e gjërave që ju janë dhënë mësim sot, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Gjërat që po Mësojmë dhe që Kurrë Nuk do t’i Harrojmë”, Liahona, maj 2021, f. 79.

  2. 2 Nefi 27:1.

  3. 2 Nefi 28:21.