A e Kam Ndier Dorën e Perëndisë në Jetën Time?
Takimi Shpirtëror i SAK-ut për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 3 Mars 2013 • Universiteti i Teksasit në Arlington
Ndërsa udhëtoj nëpër botë me bashkëshortin tim, trishtohem kur zbuloj se shumë të rinj ndihen të vetmuar dhe dyshojnë rreth faktit se Zoti i njeh personalisht apo i do ata. Jam lutur për parimet që mund të theksoj sonte, që do t’ju ndihmojnë të dini se Zoti vërtet ju njeh dhe ju do. Lutem që Shpirti të më ndihmojë ta përçoj këtë mesazh.
Do të përdor fjalët nga një këngë e seminarit për të ndërtuar strukturën e bisedës sime:
Ne duhet të kemi veshë për të dëgjuar fjalën e Zotit,
Dhe sy për të parë planin e Tij,
Këmbë për të ecur në shtegun e Tij,
Dhe zemra për të kuptuar.
(Steven K. Jones, “Hearts that Understand”, Hold to the Rod Songbook [1988], f. 20)
Veshë për të Dëgjuar Fjalën e Zotit
Së pari, ne duhet të kemi veshë për të dëgjuar fjalën e Zotit. Ne mund ta dëgjojmë zërin e Zotit kur studiojmë shkrimet e shenjta (shih DeB 18:34–36). Kur isha në moshën tuaj, Presidenti i Kishës qe Spenser W. Kimball. Gjatë gjithë jetës sime jam udhëhequr nga një shprehje e tij. Ai tha: “Unë shoh se, kur bëhem rastësor në marrëdhëniet e mia me hyjninë dhe kur duket se asnjë vesh hyjnor nuk po dëgjon e asnjë zë hyjnor nuk po flet, jam shumë shumë larg. Nëse zhytem në shkrimet e shenjta largësia ngushtohet dhe shpirtshmëria kthehet” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 67).
Dëshmoj se, nëse kemi veshë për të dëgjuar fjalën e Zotit, ne do ta ndiejmë dashurinë e Tij kur na flet përmes shkrimeve të shenjta.
Sy për të Parë Planin e Tij
Së dyti, ne duhet të kemi sy për të parë planin e Tij. Një ditë, po mendoja për një misionare të kthyer të cilën e njihja, kur, papritmas, mora një mesazh elektronik prej saj. Ajo më tha se si e kishte ndier që Zoti bënte mrekulli përmes saj në terrenin e misionit por, pas kthimit të saj në shtëpi nga misioni, nganjëherë pyeste veten nëse Ai ishte me të vërtetë i vetëdijshëm për të.
Për t’iu përgjigjur asaj, i tregova disa këshilla të rëndësishme që Plaku Henri B. Ajring dha për studentët e UBJ-së - Ajdaho. Ai tha: “Ju bekoj që çdo ditë, nëse do të kërkoni në lutje që t’ju tregohet se ku ndërhyri dora e Perëndisë në jetën tuaj atë ditë, ju bekoj që ta shihni atë. Ajo do t’ju shfaqet juve. Që ju do të shihni se Ai po ju drejton dhe po ju udhëheq e po ju lartëson, dhe se Ai ju njeh juve” (“A Steady, Upward Course” [Takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” - Ajdaho, 18 shtator 2001], web.byui.edu/devotionalsandspeeches).
Më pas i shpjegova se si lutesha përditë për këtë bekim dhe se si e kisha ndier dorën e Perëndisë të zgjatej për të më prekur përmes shënimit të saj të mendueshëm. E sigurova atë se Ati Qiellor do të bënte të njëjtën gjë për të.
Unë dëshmoj se, kur lutemi për sy për të parë planin e Tij, ne do të jemi të ndërgjegjshëm për përfshirjen e Perëndisë në jetën tonë dhe do ta dimë se Ai na njeh.
Këmbë për të Ecur në Shtegun e Tij
Së treti, ne duhet të kemi këmbë për të ecur në shtegun e Tij. Shumë të rinj në moshë madhore zhgënjehen, dëshpërohen dhe shkurajohen sepse ende nuk u kanë ndodhur ngjarje që ata menduan se do të ndodhnin në jetën e tyre. Disa, gabimisht, besojnë se nëse Perëndia nuk u ka dhënë atyre lumturinë apo bekimet për të cilat po shpresonin ose mendonin se i meritonin, Ai vërtet nuk do t’ia dijë për ta. Për të treguar pakënaqësinë e tyre me Perëndinë, disa humbasin besimin, çnderojnë besëlidhjet, e vënë besimin e tyre në kënaqësitë e botës dhe reshtin së mbështeturi te Perëndia duke u mbështetur te vetja. Në vend që të kenë këmbë për të ndjekur shtegun e drejtësisë, ata shmangen nga shtegu i ungjillit, sorollaten dhe humbasin. Ne të gjithë njohim dikë që është “jashtë shtegut”. Ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë në jetën tonë kur shohim reagimin e mirë të shumë njerëzve ndërsa shkojmë t’u shërbejmë dhe t’i shpëtojmë.
Shtegu i Zotit është shenjuar qartësisht nëpërmjet mësimeve të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve. Muajin vijues është konferenca e përgjithshme. Dëshmoj se, nëse kërkojmë me lutje të dallojmë një pyetje apo shqetësim vetjak që ta sjellim në konferencë, Zoti do të na përgjigjet përmes mesazheve të shërbëtorëve të Tij të vajosur. Ne do ta ndiejmë dashurinë e interesimin e Tij dhe do të kemi guxim më të madh e këmbë të qëndrueshme për të ecur në shtegun e Tij tani e përgjithmonë.
Zemra për të Kuptuar
Së katërti, ne duhet të kemi zemra për të kuptuar dhuratën e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Plaku Bednar dha mësim: “Kjo është një gjë që të dini se Jezu Krishti erdhi në tokë për të vdekur për ne - kjo është një pjesë e rëndësishme e doktrinës së Krishtit. Por gjithashtu ne duhet të vlerësojmë se Zoti dëshiron, me anë të Shlyerjes së Tij dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, të jetojë te ne - jo vetëm për të na drejtuar, por edhe për të na dhënë forcë” (“Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 42).
Për mua, Shlyerja e Jezu Krishtit siguron ngushëllim vetjak dhe dëshmi të fuqishme të dashurisë së Perëndisë për ne. Ajo na forcon për të bërë gjëra të vështira - gjëra që nuk mendojmë se mund t’i bëjmë. Ajo na ndihmon të mbahemi kur nuk e kuptojmë vullnetin dhe kohën e duhur të Perëndisë në jetën tonë. Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe ne do ta ndiejmë dashurinë e Tij, dhe do ta dimë se Ai na njeh ne teksa ia përkushtojmë zemrat tona për t’i kuptuar më plotësisht bekimet e Shlyerjes së Birit të Tij, Jezu Krishtit.
Ne duhet të kemi veshë për të dëgjuar fjalën e Zotit,
Dhe sy për të parë planin e Tij,
Këmbë për të ecur në shtegun e Tij,
Dhe zemra për të kuptuar.
(Jones, “Hearts that Understand”, f. 20)
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2013 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 8/12. Miratuar për përkthim: 8/12. Përkthim i Have I Seen the Hand of God in My Life? Albanian. PD50045417 101