Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Profeti Ynë: Tomas S. Monson


2:3

Profeti Ynë: Tomas S. Monson

Takimi Shpirtëror i SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 5 maj 2013 • Universiteti “Brigam Jang” në Ajdaho

“Të Falemi, Zot, për Profetin”, (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 36). Ky himn është një nga shenjat dalluese të Kishës. Ne vërtet i falemi Perëndisë për një profet që udhën na tregon në këto ditë të mëvonshme.

Fakti që Perëndia ka dhënë një profet për ne, është thelbësor për besimin dhe bindjen e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kudo. Unë e di se Perëndia jeton dhe se Ai na do ne. Ne e dimë se Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të qenë Shpëtimtari e Shëlbuesi ynë dhe ne e dimë se Ai na ka dhënë një profet.

Ata që jetuan në ditët e hershme të Kishës, ndien mirënjohje të thellë që kishin jetuar gjatë kohës së Profetit Jozef Smith. Mesazhet dhe dëshmitë e Rivendosjes ishin shpesh përvoja të drejtpërdrejta për shenjtorët e hershëm.

Gjëra të mrekullueshme ndodhën gjatë viteve që Brigam Jangu kryesoi mbi Kishën e Zotit. Shenjtorët erdhën drejt perëndimit dhe u vendosën në zemër të Maleve Shkëmbore, ku Kisha lulëzoi. Ata që jetuan gjatë asaj kohe, e panë si bekim të madh të kishin jetuar gjatë kohës së profetit Brigam Jang.

Po i njëjti model vazhdoi kur Zoti siguroi burra të madhërishëm dhe fisnikë për t’i drejtuar punët e Kishës së Tij. Prindërit dhe gjyshërit e mi folën me nderim dhe dashuri të thellë për profetin e kohës së tyre – Presidentin Hibër J. Grant.

Për motrën Uolker, mua dhe shumë nga prindërit dhe gjyshërit tuaj, ne e deshëm shembullin e madhërishëm dhe mësimet mbresëlënëse të profetit Dejvid O. Mek-Kei. Ai u ndoq nga pasuesit e tij: Jozef Filding Smith, Harold B. Li, Spenser W. Kimball, Ezra Taft Benson dhe Hauard W. Hanter. Secili burrë u përgatit në mënyrë të mrekullueshme për ta udhëhequr Kishën për një periudhë kohe të përcaktuar nga Zoti Vetë. Secilin prej tyre e deshën dhe e mbështetën anëtarët e Kishës.

Shumica prej jush këtu në këtë mbrëmje do ta kujtoni me dashuri udhëheqjen e madhërishme të Presidentit Gordon B. Hinkli. Çfarë bekimi të kemi jetuar gjatë kohës së tij si President i Kishës.

Pesë vite më parë Zoti e thirri Presidetin Hinkli në shtëpi dhe Tomas S. Monsoni u bë Presidenti i Kishës – profeti i Zotit në tokë sot. O, ç’bekim është për ju dhe për mua të jetojmë në këtë kohë të mrekullueshme, kur udhëhiqemi nga një profet i tillë i madhërishëm.

Kjo është Kisha e Zotit. Ai e projekton jetën e këtyre Apostujve të madhërishëm dhe Ai i vendos ata në pozitën për ta udhëhequr Kishën e Tij. Është fakt që një nga karakteristikat dalluese të Kishës së Zotit është që Ai ka apostuj dhe profetë në tokë sot.

Apostulli Pal e përshkroi Kishën si të kishte “apostuj dhe … profetë, [me] Jezu Krishti[n duke qenë] vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20). Kështu ishte dhe kështu është. Kisha e Zotit dallohet ngaqë ka apostuj dhe profetë, me Jezu Krishtin Vetë që është guri i qoshes. Çdo President i Kishës ka dëshmuar se Jezu Krishti është kreu i kësaj Kishe.

Nuk ka rastësira, nuk ka gabime dhe nuk ka fushata. Kur vjen puna për vijimësinë në Presidencën e Kishës së Zotit, Zoti është në drejtim dhe sigurisht bëhet vullneti i Tij.

Unë ju dëshmoj se është vullneti i Zotit që ne të udhëhiqemi sot nga Presidenti Tomas S. Monson, i cili është profeti i Zotit në tokë sot.

Sikurse profeti i Dhiatës së Vjetër, Jeremia, na mësoi rreth profetëve, ne e dimë këtë të jetë e vërtetë me Presidentin Monson. Shkrimi i shenjtë thotë: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve” (Jeremia 1:5).

Dua t’ju flas sot rreth jetës dhe shërbesës së Presidentit Tomas S. Monson, Presidenti i 16-të i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Gjatë vitit të fundit të jetës së Presidentit Hinkli, ai më caktoi të isha Drejtori Ekzekutiv i Departamentit të Tempujve dhe Presidenti Monson më ka nderuar duke më lejuar të mbetem në këtë detyrë. Gjatë gjashtë viteve të fundit, kam pasur bekimin e madh dhe të paharrueshëm të ndihmoj Presidentin Tomas S. Monson dhe këshilltarët e tij në çështjet e tempujve. Unë jam ulur pranë tij, ndërkohë që Presidenti Monson më ka dhënë shumë këshillë dhe drejtim rreth tempujve dhe çështjeve të tempujve nëpër të gjithë botën. Ai më ka ftuar ta shoqëroj në përkushtime tempujsh, ceremoni për fillimin e ndërtimit të tempujve dhe vizita në vende të mundshme për tempuj. Kam pasur bekimin e udhëtimit me të përreth botës, në vende aq larg sa Kievi në Ukrainë, Sebu në Filipinet dhe vende të tjera emocionuese si Roma në Itali.

Ndërkohë që ai i ka rënë botës kryq e tërthor, unë jam bekuar të jem atje për të dëshmuar dashurinë e tij të madhërishme për njerëzit – jo thjesht anëtarët e Kishës, por të gjithë njerëzit. Kam dëshmuar ngrohtësinë dhe miqësinë e tij të vazhdueshme, butësinë dhe ndjeshmërinë e tij si të Krishtit, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe të pafuqishmit. Shumë herë, ndërsa e kam vëzhguar Presidentin Monson, kam pasur mbresën: “Ajo është mënyra se si do të vepronte Shpëtimtari. Ajo është mënyra se si do t’i trajtonte Shpëtimtari njerëzit.”

E kam dëshmuar entuziazmin e tij të pambarueshëm, energjinë dhe vendosmërinë e tij, gëzimin e tij për jetën dhe dëshirën e tij të thellë për t’i shërbyer Zotit dhe për të bërë ashtu siç do të donte Shpëtimtari që ai të bënte. Ai nuk lodhet kurrë në bërjen e punës së Zotit.

Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 52, vargu 14, Zoti tha: “Unë do t’ju jap një model në gjithçka, që ju të mos mashtroheni”.

Unë e dua këtë shkrim të shenjtë, ngaqë më mëson se Zoti do të japë një model për mua dhe do të më tregojë se si t’i bëj gjërat, se si të veproj, se si të jetoj. Por nuk është për mua. Është për secilin prej nesh. Zoti vërtet na e tregon udhën. Ai vërtet na jep modele në secilën nga jetët tona për të na treguar se si të jetojmë.

Unë besoj se një nga modelet e rëndësishme në jetën tonë është jeta e profetit, i cili udhëheq dhe drejton Kishën e Zotit në kohën tonë. Siç e përmenda më parë, për mua kur isha i ri, modeli ishte Presidenti Dejvid O. Mek-Kei. Unë e desha dhe e mbështeta atë, u luta për të, i studiova me kujdes fjalët e tij dhe doja të isha si ai po aq shumë sa mund ta përfytyroja se mund të isha.

Mendoj se kur shumë prej prindërve tuaj ishin të rinj, modeli i tyre ishte Presidenti Spenser W. Kimball. Sigurisht, për secilin prej nesh, dëshira jonë më e madhe është ta ndërtojmë jetën tonë sipas modelit të Shpëtimtarit – ta ndjekim Atë, t’i jetojmë urdhërimet e Tij dhe të jemi sa më shumë që mundemi si Ai.

Te 3 Nefi 27:27, Jezusi na mësoi: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë.”

Ky është synimi ynë themelor – të jemi si Ai.

E vendosur në murin e çdo zyre ku ka punuar Presidenti Monson, që kur u thirr si peshkop, ka qenë një fotografi e portretit të njohur të Shpëtimtarit pikturuar nga Hainrih Hofman. Është një portretizim i bukur i Shpëtimtarit.

Duke folur për këtë pikturë, Presidenti Monson tha: “E dua pikturën, të cilën e kam pasur që kur isha një peshkop njëzetedyvjeçar dhe të cilën e kam marrë me vete kudo që jam caktuar të punoj. Jam përpjekur ta modeloj jetën time sipas Mësuesit. Sa herë që kam pasur për të marrë një vendim të vështirë, gjithmonë kam parë tek ajo fotografi dhe e kam pyetur veten: ‘Çfarë do të bënte Ai?’ Më pas unë përpiqem ta bëj atë” (në Heidi S. Swinton, To the Rescue: The Biography of Thomas S. Monson [2010], f. 135).

E di se Presidenti Monson mendon rreth ndjekjes së shembullit të Jezusit. Në një rast isha me Presidentin Monson për një ngjarje para përkushtimit të një tempulli. Ai sapo kishte mbërritur atë ditë me avion dhe, kur mbledhja e mbrëmjes po i afrohej fundit, mendova se Presidenti Monson mund të ishte i lodhur dhe doja të sigurohesha që ai të bënte pak pushim përpara ngjarjeve të ditës së nesërme. Ndërsa po këndohej himni i mbylljes, u përkula drejt Presidentit Monson dhe i thashë: “President, pas lutjes së mbylljes, nëse largohemi pa u ndier nga dera anësore, ne mund t’ju kthejmë menjëherë në hotel dhe mund të pushoni ca”.

Me një vështrim të hutuar, ai më tha: “Plaku Uolker, nëse Jezusi do të ishte këtu, a mendon se Ai do të largohej pa u ndier nga dera anësore kur të mbaronte mbledhja?”

Unë nuk e kam bërë më atë sugjerim. Ashtu siç do të kishte bërë Shpëtimtari, ai donte të ishte me njerëzit. Nuk po mendonte aspak për veten e tij. Po mendonte për të mirën që mund të bënte.

Gjithmonë e kam ndier se mund të jem një njeri më i mirë, kur e ndërtoj jetën time sipas jetës së individëve të drejtë që Zoti ka vendosur në shtegun tim: gjyshërit e mij, prindërit e mij, peshkopët e mi, presidentin tim të misionit dhe, sigurisht, profetin e Perëndisë, të cilin mund ta shoh e dëgjoj dhe për të cilin lutem çdo ditë. Jam i sigurt që shumica prej jush bëni po ashtu.

Ka qenë një bekim i mrekullueshëm në jetën time kërkimi për të qenë më shumë si Zoti dhe kërkimi për të qenë më shumë si profeti i Tij – Presidenti Tomas S. Monson.

Dëshiroj të ndaj me ju diçka nga jeta dhe mësimet e Presidentit Monson dhe shpresoj që, ndërsa e bëj këtë gjë, ju do të jeni në gjendje të dalloni karakteristika që do të doni t’i vendosni në jetën tuaj. Ne të gjithë do të bekoheshim në kërkimin për ta modeluar jetën tonë sipas profetit të Zotit dhe për të mësuar prej tij.

Si Nefi dhe si shumë prej jush, Tomas S. Monsoni u lind nga prindër të mirë. Ai u lind në Solt-Lejk-Siti më 21 gusht 1927. Ai u rrit në rrethana të përulura. Ai kurrë nuk u përpoq t’i jepte një karakter të ri vendit se nga vinte. Me ndjenjën e vet të fshehur të humorit, e ndërthurur me rehatinë e plotë për faktin se cili është ai, Presidenti Monson me raste do të thoshte se ai nuk pati nevojë të shqetësohej nga cila anë e shinave të hekurudhës vinte – ngaqë ai u rrit midis shinave të hekurudhës.

Gjithmonë më ka bërë përshtypje se si ai përherë ka folur me kaq dashuri për rininë e tij. Mendoj se ai ishte shumë i ngjashëm me Nefin. Lamani dhe Lemueli ishin të mirë për t’i vënë re problemet dhe për të parë anën negative të çdo gjëje, siç dukej. Nefi, nga ana tjetër, ishte pozitiv, optimist dhe mirënjohës. Ai pa të mirën në gjithçka përreth tij. Kjo është mënyra se si Tomi Monsoni u rrit – dhe ai ka qenë në atë mënyrë gjatë gjithë jetës së tij!

Ai ishte një student i mirë dhe ndoshta, më e rëndësishme, ai ishte një djalë i mirë. Ai e tregoi dëshirën e tij për ta kryer mirë shërbimin ndaj Zotit kur u thirr të shërbente si sekretar i kuorumit të dhjakëve në lagjen e tij. Afërsisht 70 vite më vonë, si President i Kishës, ai mendoi thellë me një farë krenarie për dëshirën e tij që ta mbante procesverbalin e kuorumit të dhjakëve sa më mirë që të mundej. Ai nuk mendonte: “Përse jam unë sekretari dhe jo presidenti i kuorumit?” Ai thjesht donte ta bënte mirë punën e tij. Ai ishte thirrur në një detyrë në Kishën e Zotit dhe donte ta kryente atë sa më mirë që mundej. Ai donte që procesverbali të ishte i pastër e i rregullt dhe kështu ai e shtypte me makinë shkrimi procesverbalin e kuorumit të tij të dhjakëve. Që kur ishte djalë 12-vjeçar, ai po jepte një shembull të mrekullueshëm për ne.

Nëse kjo ju duket mbresëlënëse, unë nuk habitem. Ishte gjithashtu mbresëlënëse për presidentin e tij të kunjit, i cili, kur dëgjoi për punën e shkëlqyer të Tomit të ri, e thirri atë të fliste në konferencën e kunjit - si sekretari i kuorumit të dhjakëve. A e keni dëgjuar ndonjëherë një sekretar të kuorumit të dhjakëve të flasë në konferencë kunji? Çfarë shembulli për të gjithë ne!

Ai e mbaroi shkollën e mesme dhe u bashkua me Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara. I shërbeu vendit të tij dhe, ndërkohë që po e bënte këtë, ai e mbajti veten të pastër dhe të virtytshëm. Ai u kthye nga shërbimi ushtarak dhe punoi shumë për të marrë një arsimim të mirë. Ai ishte një student i mirë – një tjetër shembull i madh për ne të gjithë! (Shembulli i të qenit student i mirë mund të jetë më i rëndësishëm për disa nga ju sesa për të tjerët.)

Ai u shoqërua dhe ra në dashuri me një vajzë të bukur shenjtore të ditëve të mëvonshme, të quajtur Frensis Xhonson, dhe pak kohë më pas i kërkoi asaj të martohej me të. Ata u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut më 7 tetor 1948, në moshën 21-vjeçare. Çfarë shembulli për ne të gjithë! (Prapëseprapë, ndoshta kjo është më e rëndësishme për disa nga ju sesa për të tjerët.)

Edhe pse të martuar vetëm për 18 muaj dhe ndërkohë që po punonte për t’ia marrë dorën një pune të re, ai pranoi thirrjen nga Zoti për të shërbyer si peshkopi i një lagjeje të madhe në pjesën e vjetër të qytetit. Ishte lagjja në të cilën ai ishte rritur. (Mendoni për këtë!) Ai nuk tha: “Nuk është koha e duhur” apo “Jam tepër i ri”; ai thjesht e pranoi thirrjen, pati mirëbesim te Zoti dhe iu vu detyrës së caktuar me tërë energjinë dhe talentin që i kishte dhënë Zoti. Ai donte të ishte më i miri që mund të ishte në shërbimin e Zotit.

Peshkopi i ri Monson arriti të donte një shkrim të shenjtë, i cili mund ta bekojë jetën tonë, ashtu sikurse bekoi jetën e tij:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

Pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5–6).

Deri më sot, Presidenti Monson e citon shpesh atë shkrim të shenjtë dhe e jeton jetën e tij në përputhje me atë çfarë ai na mëson. Çfarë shembulli është ai për të gjithë ne! Ne të gjithë do të bënim mirë po ta kujtonim atë shkrim të shenjtë dhe po ta bënim pjesë të rëndësishme të filozofisë sonë për jetën – po ashtu siç e ka bërë Presidenti Monson.

Lagjja e Peshkopit Monson kishte mbi 1.000 anëtarë, duke përfshirë 84 vejusha. Ne jemi bekuar në konferenca të përgjithshme dhe në vende të tjera që me raste ta dëgjojmë atë të tregojë disa nga përvojat e ëmbla që pati, ndërkohë që ushqente shpirtërisht këto motra të cilat ishin të bekuara të ndodheshin nën përkujdesjen e tij.

Për mua, sa herë që e dëgjoj të flasë për ndonjë nga përvojat e veta si peshkop, unë e kuptoj, dhe më lë shumë mbresë, se dashuria dhe interesimi i tij për anëtarët e lagjes së tij nuk mbaroi kur ai u lirua nga detyra si peshkop. Ai u thirr në presidencën e kunjit në moshën 27-vjeçare, por edhe shumë vite më vonë (pas thirrjes së tij si president misioni dhe një Apostull), ai vazhdoi t’i donte, t’i ushqente shpirtërisht dhe të interesohej për anëtaret e moshuara të lagjes së tij. Qartazi ai thjesht nuk i donte dhe nuk po kujdesej për to prej detyrës së caktuar. Dashuria dhe interesimi i tij për to ishin zhytur thellë në zemrën e tij dhe nuk mund të largoheshin nga ndonjë ndryshim i detyrës.

Në këtë, Presidenti Monson na ka treguar udhën. Ajo është një udhë më e mirë; është udha e Zotit. Ai i do të tjerët dhe interesohet për të tjerët – sikurse na mësoi Zoti se ne duhet të jemi. Çfarë shembulli është ai për të gjithë ne!

Në moshën 31-vjeçare, Presidenti Monson u thirr të ishte president i Misionit Kanadez, me selinë qendrore në Toronto, Ontario. Po ashtu siç kishte bërë si peshkop, ai iu fut punës në detyrën e caktuar, i dha asaj gjithçka kishte dhe pati mirëbesim te Zoti me gjithë zemrën e tij. Kushdo rreth tij mund ta shihte dashurinë e tij për Zotin, dashurinë e tij për gruan dhe fëmijët e tij, dashurinë e tij për misionarët dhe anëtarët, dashurinë e tij për Kanadanë, tokën ku ishte thirrur të shërbente. Ndikimi i tij si president misioni ishte i thellë dhe deri më sot nuk mund të matet. Misionarët e tij e deshën atë dhe kërkuan që të jetonin jetë që do ta bënin krenar presidentin e tyre të misionit. Ne të gjithë mund të mësojmë prej kësaj.

Po ashtu siç bëri kur u lirua nga detyra si peshkop, ai vazhdoi t’i mbante të dashura në zemër ndjenjat dhe dashurinë e tij për misionarët e tij dhe për shenjtorët që ishin bekuar të vinin nën kujdestarinë e tij. Unë kam qenë dëshmitar i dashurisë dhe interesimit, që nuk pakësohen kurrë, të Presidentit Monson për misionarët të cilët shërbyen nën drejtimin e tij në Misionin Kanadez. Çfarë shembulli!

Unë e di se misionarët që u bekuan ta kishin Tomas S. Monsonin si presidentin e tyre të misionit, janë përpjekur ta ndjekin modelin e shërbimit të drejtë në mbretërinë e Zotit që Presidenti dhe Motra Monson u dhanë atyre si model. Për ta ilustruar, unë do të ndaj me ju faktin mbresëlënës që nga 141 presidentë tempujsh që tashmë po shërbejnë në të gjithë botën, pesë prej tyre ishin misionarë të rinj që shërbyen nën Presidentin Monson në Misionin Kanadez.

Mijëra prej jush që jeni me ne këtë mbrëmje, jeni misionarë të kthyer [nga misionet]. Lutem që secili prej nesh do ta ndjekë shembullin e këtyre pesë presidentëve të tempujve dhe do të përpiqet fort të jetë besnik e të ecë në shtegun e shërbimit të drejtë, të dhënë si model nga presidentët tanë të misioneve.

U preka kur pashë kohët e fundit një fotografi në Church News të Presidentit Monson duke vizituar një burrë në spital në Toronto të Kanadasë (shih “Teachings of the Prophet”, Church News, 3 shkurt 2013, f. 7). Ky zotëri kishte shërbyer pranë Presidentit Monson 50 vite më parë. Presidenti Monson nuk e kishte harruar atë. Shumë vite dhe shumë kilometra nuk ia kishin grabitur Presidentit Monson ndjenjat e ëmbla të dashurisë dhe vlerësimit, të cilat u vijnë atyre që i shërbejnë së bashku Zotit. Shpresoj që secili prej nesh do ta ndjekë shembullin e tij dhe nuk do t’i harrojë ata njerëz që na e kanë bekuar jetën në vitet e mëparshme.

Në 1963, kur ishte 36 vjeç, Tomas S. Monsoni u ftua në zyrën e Presidentit Dejvid O. Mek-Kei, i cili ishte Presidenti i Kishës në atë kohë. Ishte në këtë mbledhje që Presidenti Mek-Kei e thirri atë të ishte një Apostull i Zotit Jezu Krisht.

Presidenti Monson është i vetmi Apostull i thirrur tek Të Dymbëdhjetët në moshë aq të re në 100 vitet e fundit. Sigurisht, dora e Zotit e drejtoi thirrjen e këtij Apostulli të ri në moshë, sepse Zoti e dinte që Tomas S. Monsoni do ta udhëhiqte Kishën në kohën tonë.

Konferenca e përgjithshme këtë tetor do të jetë 50-vjetori i thirrjes së Tomas S. Monsonit për të qenë një Apostull. Sa e mrekullueshme është kjo! (Që nga Jozef Filding Smithi nuk kemi pasur një Apostull që të festonte 50 vjet në Të Dymbëdhjetët.)

Për 22 vjet Presidenti Monson shërbeu si këshilltar i tre Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson, Hauard W. Hanter dhe Gordon B. Hinkli. Më 3 shkurt 2008, Tomas S. Monsoni u shugurua dhe u veçua si Presidenti i Kishës. Ai ka dy këshilltarë fisnikë dhe të mëdhenj, që i qëndrojnë në krah: Presidentin Henri B. Ajring dhe Presidentin Diter F. Uhtdorf. Ata janë tre priftërinjtë e lartë kryesues që drejtojnë Kishën e Zotit në tokë sot (shih DeB 107:22).

Shërbesa mbresëlënëse e Presidentit Monson shpesh është karakterizuar nga shprehja “drejt shpëtimit”. Haidi Suinton shkroi një biografi të mrekullueshme mbi jetën e tij dhe ajo në mënyrën e duhur e titulloi atë To the Rescue [Drejt Shpëtimit]. Biografia u botua në 2010. Nëse nuk e keni lexuar, jua rekomandoj shumë atë. Do t’ju bekojë jetën.

Mesazhi, sigurisht, është i njëjti mesazh që Jezusi na dha te Lluka: t’i lini të “nëntëdhjetë e nëntët” dhe shkoni e shpëtoni njërin (Lluka 15:4). Ky është thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit, t’i duam bashkëqeniet tona dhe të bëjmë gjithçka mundemi për ta bekuar jetën e tyre. Presidenti Monson gjithmonë na i ka mësuar këto parime, por më e rëndësishme, ai jeton në atë mënyrë. Jeta e tij është mbushur me shembuj të panumërt të shkuarjes për t’i vizituar, ngushëlluar apo ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë: të vejat, fëmijët, të sëmurët, të munduarit dhe ata që janë të vetmuar.

Apostulli Jakob shkroi: “Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota” (Jakobi [Bibël] 1:27).

Kjo është mënyra se si Presidenti Monson e ka jetuar jetën e tij. Mësimi për ne është që dikush nuk ka nevojë të jetë Apostull për të jetuar në këtë mënyrë. Ne mund ta jetojmë fenë tonë, ne mund t’i vizitojmë jetimët e të vejat dhe mund ta ruajmë veten të pastër nga bota. Ne mund të shohim te profeti ynë për të parë se si të mund ta bëjmë këtë! Ne mund t’i themi vetes: “Ai është lloji i njeriut që dua të jem”.

Disa vite më parë, pikërisht përpara konferencës së përgjithshme, Presidenti Monson na mësoi përsëri një tjetër mësim të mrekullueshëm. Këtë radhë ishte për Autoritetet e Përgjithshme të mbledhur, të cilët kishin udhëtuar për në Solt-Lejk-Siti, shumë duke ardhur nga vende nëpër botë ku po shërbenin në Presidencat e Zonave. Ishte një mbledhje shumë e rëndësishme. Ishim mbledhur së bashku për t’u udhëzuar nga Presidenca e Parë dhe Të Dymbëdhjetët.

Ndërsa po afrohej koha e mbledhjes, të gjithë dukej se ishin të pranishëm me përjashtim të Presidentit Monson, i cili nuk kishte mbërritur ende. Disa minuta përpara se të fillonte mbledhja, ne pushuam së foluri me njëri-tjetrin dhe u ulëm me nderim për të dëgjuar muzikën e preludit – duke pritur që profeti të hynte nga çasti në çast.

Pritëm me durim ndërkohë që ora arriti 9:00 e mëngjesit dhe më pas kaloi. Dikush doli nga dera anësore – sigurisht për të kontrolluar dhe parë nëse ndonjë ndihmë mund të nevojitej. Kur ai u fut përsëri në dhomë, na u tha se “Presidenti Monson do të bashkohej me ne së shpejti”.

Rreth 15 minuta pas orës kur duhej të kishte filluar mbledhja, Presidenti Monson hyri në dhomë. Si shenjë respekti, ne u ngritëm në këmbë kur hyri ai. Ne u gëzuam që e pamë dhe u kënaqëm që ai dukej mirë. Nuk u duk se kishte ndonjë arsye të dukshme përse ai kishte qenë me vonesë.

Presidenti Monson shkoi drejt te foltorja dhe tha: “Vëllezër, më vjen keq që jam me vonesë, por gruaja ime kishte nevojë për mua këtë mëngjes”.

Unë ndieva një mbresë dhe përulësi të thellë. Nuk më hiqeshin nga mendja fjalët e Presidentit Monson. Kjo ishte një mbledhje shumë e rëndësishme. E tërë udhëheqja kryesore e Kishës u mblodh, por Presidenti Monson e dha shembullin për ne të gjithë. Bashkëshortja e tij kishte nevojë për të dhe ai harxhoi kohën e nevojshme për t’u kujdesur për të. Ishte një predikim i madhërishëm. Nuk më kujtohet ndonjë gjë tjetër që u tha atë ditë, por e kujtoj atë predikim: “Gruaja ime kishte nevojë për mua”.

Ky predikim u përforcua në një rast tjetër kur Presidenti Monson tha: “Kur dëgjoj burra të thonë se i duan gratë e tyre, atëherë dua t’iu them atyre: ‘Atëherë provojeni atë nëpërmjet mënyrës se si e trajtoni atë dhe se si i shërbeni asaj’”.

Kjo është mënyra se si është Presidenti Monson: Ai gjithmonë po kujdeset për dikë tjetër. Ai gjithmonë po tregon mirësi dhe përkujdesje për të tjerët.

Ju nuk keni nevojë të jini pranë Presidentit Monson për një kohë të gjatë që ta ndieni dashurinë e tij të thellë dhe zotimin e tij ndaj të dashurës së tij, Motrës Frensis Monson. Sa herë që flet për të, sytë e tij ndriçohen dhe ai ka një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Ju e dini, ky është një burrë, dashuria e të cilit për gruan e tij është shembull për secilin prej nesh. Presidenti dhe Motra Monson na kanë treguar shembullin e një burri dhe të një gruaje të lidhur në mënyrë të barabartë në dashurinë e tyre për Zotin dhe në dëshirën e tyre për t’i shërbyer Atij me drejtësi.

Unë dua të jem më shumë si Zoti, por gjithashtu dua të jem më shumë si profeti i Tij.

Nëse vrisni mendjen se çfarë mund të dëshirojë Presidenti Monson për secilin prej jush, ndoshta rrëfimi i përvojës që vijon, do t’ju ndihmojë ta dini:

Nëntorin e kaluar Tempulli i bukur i Boisit në Ajdaho ishte gati për ripërkushtim, pas mbylljes për 18 muaj për ta zbukuruar dhe përmirësuar tempullin. Pas 30 vjetësh përdorimi mbresëlënës nga shenjtorët besnikë në atë pjesë të Ajdahos dhe të zonave përreth, tempulli kishte shumë nevojë për riparim. Pasi u përfundua, siç është bërë traditë, për ta festuar ngjarjen e ripërkushtimit të tempullit, rinia e distriktit të tempullit u ftua që të përgatiste një festim kulturor madhështor. Ishte një mbrëmje kënge, vallëzimi dhe e shprehjes së besimit dhe mirënjohjes së tyre për tempullin.

Isha i ulur pranë Presidentit Monson, ndërkohë që ai shikonte prezantimet e mrekullueshme nga kunjet e ndryshëm. Një nga numrat e vallëzimit paraqiti një grup të bukur të rejash. Ndërsa Presidenti Monson po kënaqej me shfaqjen, ai u përkul drejt meje dhe shprehu ndjenjat e zemrës së tij. Ai tha: “Shpresa ime do të ishte që secila prej tyre të ketë një martesë në tempull. Unë dua kaq shumë që secila prej tyre ta ketë atë bekim – të martohet në tempull.”

Mendova: “A s’është e mrekullueshme. Profeti i Perëndisë është këtu duke dëshmuar këtë shfaqje rinie me këngë e vallëzim dhe për të ajo lidhet në mënyrë shumë të qartë me tempullin që ai do ta përkushtonte të nesërmen në mëngjes. Shpresa e tij ishte që secila prej tyre të kishte një martesë në tempull.” Nëse ajo është dëshira e profetit për ne, dhe ajo është, atëherë secili prej nesh duhet ta dojë atë për vetveten dhe ajo duhet të jetë një synim shumë, shumë i rëndësishëm në secilën nga jetët tona.

Do të doja t’ju tregoja për një përvojë tjetër:

Presidenti Monson, Presidenti Ajring dhe Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, udhëtuan për në Laie në Havai, për ripërkushtimin e atij tempulli madhështor në nëntor të vitit 2010. Natën përpara përkushtimit të tempullit, ne u mblodhëm në Qendrën “Kenën” të kampusit të UBJ-Havai për festimin kulturor. Programi ishte i mrekullueshëm. Nëpërmjet këngës, vallëzimit dhe tregimeve, rinia e distriktit të tempullit tregoi ngjarjen e historisë së Kishës në Havai. Ata treguan për misionarët e hershëm dhe të kthyerit e hershëm në besim. Ata treguan ngjarjen mbresëlënëse të profetit të ardhshëm Jozef F. Smithit, i thirrur për të shërbyer një mision në Havai në vitin 1854, kur ai ishte vetëm 15 vjeç. I riu Jozef F. Smith u kthye nga misioni i tij trevjeçar pak përpara ditëlindjes së tij të 19-të. (Dhe ju menduat se ndryshimi i moshës kohët e fundit në 18 vjeç ishte mbresëlënës, apo jo?)

Festimi kulturor vazhdoi, ndërkohë që të rinjtë paraqitën rritjen e Kishës mes njerëzve polinezianë dhe treguan se si Presidenti Jozef F. Smith u kthye në Havai më shumë se 50 vjet më vonë dhe, si Presidenti i Kishës, përkushtoi vendin dhe hapi punimet për ndërtimin e Tempullit të Laies në Havai.

Festimi kulturor ishte i mrekullueshëm dhe Presidentit Monson i pëlqeu çdo pjesë e tij. Ai u gëzua me një shfaqje që tregonte një numër vallëzimi popullor gjatë Luftës II Botërore “Boogie Woogie Bugle Boy”, sepse i kujtoi atij kohën e tij në Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara. Pjesë të tjera u përqendruan në vallëzime të ndryshme nga njerëzit e ishujve.

U paraqit një pjesë që tregonte kërcimin e bukur hula. Një nga të rejat e përfshira në këtë vallëzim ishte në një karrocë invalidi. Ishte shumë e pashme dhe, edhe pse nuk mund t’i përdorte këmbët, ajo e kreu vallëzimin mjaft bukur. Presidenti Monson ma tregoi atë me gisht dhe tha se ajo ishte shumë e bukur dhe sa bukur po e kërcente vallëzimin.

Kur mbaroi programi, të gjithë ishin të gëzuar rreth pjesëve të madhërishme që u shfaqën. Kur u larguam nga podiumi, të gjithë vallëzuesit ishin poshtë në fushë, duke përfshirë vallëzueset e hulas. Presidenti Monson nuk e ndoqi udhën e planifikuar të daljes, por shkoi drejt fushës për t’i shprehur vlerësimin e tij rinisë dhe në mënyrë të veçantë ai shkoi drejt vajzës së bukur në karrocën me rrota për ta përgëzuar atë dhe për t’i shprehur dashurinë e tij.

Edhe në mes të një festimi dhe një turme të madhe, Presidenti Monson përsëri tregoi dashurinë e pastër të Shpëtimtarit. Ai shkoi te një njeri. Ai u përkul dhe e puthi atë në ballë. Mendova: “A s’është kjo e mrekullueshme. Përsëri profeti i Perëndisë po na tregon se si t’i ndihmojmë ata që ndodhen përreth nesh, se si të jemi të mirë e të dashur dhe se si të nxisim e të lartësojmë.” Mendova: “Kjo është mënyra se si do të vepronte Jezusi. Kjo është mënyra se si Shpëtimtari do të na donte t’i trajtonim të tjerët.”

Më pëlqen shumë kënga e Fillores që thotë: “Po përpiqem të bëhem si Jezusi” (“I’m Trying to Be Like Jesus”, Children's Songbook, f. 78). Dhe unë dua t’i shtoj asaj: “Dhe përpiqem të jem si profeti i Tij”.

Dëshiroj të sugjeroj pesë mënyra se si ne mund ta ndjekim shembullin e Presidentit Monson:

Së pari, ne mund të jemi pozitivë dhe mund të jemi të lumtur.

Në Perlën me Vlerë të Madhe, Profeti Jozef Smith përshkruhet si të kishte një pamje të hareshme (shih Joseph Smith – Historia 1:28). Ajo gjithashtu përshkruan Presidentin Monson. Ai me të vërtetë ka një pamje të hareshme.

Në një rast Presidenti Monson tha: “Ne … mund të zgjedhim të kemi një qëndrim pozitiv. Ne nuk mund ta drejtojmë erën, por mund t’i rregullojmë velat. Me fjalë të tjera, ne mund të zgjedhim të jemi të lumtur dhe pozitivë, pavarësisht nga çfarë vjen drejt nesh” (“Messages of Inspiration from President Monson”, Church News, 2 shtator 2012, f. 2).

Një ditë po prisja jashtë dhomës së mbledhjes së Presidencës së Parë. Isha ftuar atje për të marrë pjesë në një mbledhje për të diskutuar çështje të tempujve. Në heshtje u ula jashtë dhomës, i vetëm. Mendova se Presidenca e Parë ishte tashmë në mbledhje dhe se ata do të më ftonin të bashkohesha me ta pas pak minutash. Ndërsa qëndroja i ulur atje, munda të dëgjoj dikë duke ecur nëpër korridor duke fërshëllyer. Mendova me vete: “Dikush nuk e kupton protokollin e duhur. Ti nuk ecën përreth duke fërshëllyer përjashtë zyrës së Presidentit të Kishës.” Një çast më vonë fërshëllyesi kaloi qoshen – ishte Presidenti Monson. Ai ishte i gëzuar dhe ishte pozitiv. Më përshëndeti me ngrohtësi dhe tha: “Besoj se do ta fillojmë mbledhjen në pak minuta”. Edhe me peshën e tërë Kishës mbi supet e tij, ai është një shembull lumturie dhe ai gjithmonë ka një qëndrim pozitiv. Ne duhet të jemi po ashtu.

Së dyti, ne mund të jemi të mirësjellshëm dhe të dashur ndaj fëmijëve, ashtu siç është Presidenti Monson.

Jezusi foli shpesh për fëmijët. Profeti i Tij, Presidenti Monson, flet shpesh për fëmijët gjithashtu dhe unë e kam parë veçanërisht në përkushtimet e tempujve se si ai i do fëmijët dhe, nëpërmjet shembullit të tij, na mëson se si t’i trajtojmë ata. Në çdo përkushtim tempulli ai përqendrohet te fëmijët. Ka dëshirë t’i përfshijë ata në ceremoninë e vënies së gurit të qoshes dhe gjithashtu i fton disa nga ata të vendosin pak llaç në gurin e qoshes për të marrë pjesë në përfundimin në mënyrë simbolike të tempullit. E bën të gëzueshme për ta. E bën të paharrueshme për ta. Ai gjithmonë ka një buzëqeshje të madhe për ta. I nxit dhe i lavdëron ata. Është një gjë e mrekullueshme ta shohësh.

Përshëndetjet e tij të ngrohta me raste përfshijnë bërjen qepalla, lëvizjen e veshëve dhe nxitje për të shërbyer misione dhe për t’u martuar në tempull. Ai me të vërtetë e gëzon jetën – dhe a nuk duhet ta gëzojmë ne të gjithë.

Disa vite më parë Presidenti Monson u planifikua të përkushtonte Tempullin e Okër Mauntinit në ditën e ditëlindjes së tij. Kur arriti te tempulli dhe iu afrua derës kryesore të tempullit, ishte mbledhur një grup të rinjsh. Ata sigurisht e dinin që ishte ditëlindja e Presidentit Monson, sepse filluan t’i këndonin “Gëzuar Ditëlindjen”. I pëlqeu shumë. Ndaloi dhe i pa ata me një buzëqeshje të madhe në fytyrën e tij. Madje filloi të tundte krahët sikur po e dirigjonte të kënduarin. Në fund ata shtuan refrenin “Dhe shumë të tjera”. Presidentit Monson i pëlqeu ajo gjithashtu, prandaj më tha: “Kjo është pjesa ime e preferuar”.

Fëmijët dhe të rinjtë e Kishës e duan atë dhe unë mendoj se është ngaqë ata nuk kanë asnjë lloj dyshimi se ai i do! Jezusi i donte fëmijët e vegjël dhe profeti i Tij i do fëmijët e vegjël. Ky është një shembull i madhërishëm për secilin prej nesh!

Së treti, ne mund t’i ndjekim nxitjet e Shpirtit, siç bën Presidenti Monson.

Përkushtimi i Presidentit Monson ndaj Zotit dhe zotimi i tij për t’i ndjekur nxitjet e Shpirtit u thanë kaq bukur nga profeti vetë me këto fjalë: “Përvoja më e ëmbël që njoh në jetë, është ta ndiesh një nxitje e të veprosh sipas saj dhe më vonë të gjesh se ishte plotësimi i lutjes së dikujt apo i nevojës së dikujt. Dhe unë dua gjithmonë që Zoti të dijë se, nëse Ai ka nevojë për një punë për t’u bërë, Tom Monson do ta bëjë atë punë për Të” (On the Lord’s Errand [DVD, 2008]). Ky është një model që secili prej nesh duhet të dojë ta ndjekë.

Së katërti, ne mund ta duam tempullin, ashtu siç e do tempullin Presidenti Monson.

Presidenti Monson do të mbahet mend në histori si një nga ndërtuesit e mëdhenj të tempujve në historinë e Kishës. Që kur u bë President i Kishës në shkurt të 2008-ës, ai e ka vazhduar punën e madhërishme të ndërtimit të tempujve. Disa nga tempujt që ai ka shpallur, kanë qenë ndër më historikët: “Këtë mëngjes kam kënaqësinë të njoftoj pesë tempuj të rinj, për të cilët janë siguruar vendet e ndërtimit dhe të cilët, në muajt dhe vitet e ardhshme, do të ndërtohen në vendet e mëposhtme: Kalgari, Alberta në Kanada; Kordovë, në Argjentinë, pranë Kanzas-Sitit; Filadelfia, në Pensilvani; dhe Romë, në Itali” (Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 6).

Në pesë vitet që ka qenë profet, Presidenti Monson ka shpalluar plane për të ndërtuar 33 tempuj të rinj. Vetëm muajin që shkoi, në konferencën e prillit, ai shpalli plane për dy tempuj të rinj: një në Sidër-Siti, në Juta dhe një në Rio-de-Zhanejro, në Brazil.

Me përkushtimin e Tempullit të Tegusigalpas në Honduras në mars, ne kemi tani 141 tempuj në Kishë, me 29 të tjerë tashmë në ndërtim ose në fazat e projektimit. Kjo është një kohë madhështore e ndërtimit të tempujve dhe e adhurimit në tempuj në Kishën e Zotit. E kam dëgjuar Presidentin Monson t’ju thotë të rinjve, të cilët ishin tepër të rinj për të hyrë në tempull, të shkonin dhe ta preknin murin e tempullit dhe atëherë “ta lini tempullin t’ju prekë ju”.

Presidenti Monson ka thënë: “Secili prej nesh jetoftë jetë të denjë, me duar të pastra dhe zemër të dëlirë, kështu që tempulli të mund të prekë jetën tonë dhe familjet tona” (“Bekime të Tempullit”, Liahona, tetor 2010, f. 19).

Ai gjithashtu dha këtë premtim të mrekullueshëm: “Kur ne e duam tempullin, e prekim tempullin dhe shkojmë në tempull, jetët tona do të pasqyrojnë besimin tonë. Kur vijmë në këto shtëpi të shenjta të Perëndisë, kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë aty brenda, ne do të jemi në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim” (Be Your Best Self [1979], f. 56; theksimi i shtuar).

Le ta ndjekim modelin që profeti ka ngritur për ne për ta dashur tempullin.

Së pesti, ne mund të jemi të mirë, të kujdesshëm dhe t’i duam të tjerët, sikurse i do Presidenti Monson.

Presidenti Monson është një shembull i mrekullueshëm i dashurisë për të tjerët. E tërë shërbesa e tij është e mbushur me vizita në shtëpira; vënien e duarve mbi koka dhe dhënien e bekimeve; bërjen e telefonatave të papritura për të ngushëlluar dhe inkurajuar; dërgimin e letrave të inkurajimit, përgëzimit dhe vlerësimit; vizita në spitale e qendra përkujdesjeje; dhe gjetjen e kohës për të shkuar në varrime dhe ceremoni funeralesh pavarësisht nga një plan shumë i ngjeshur ditor.

I përmenda më parë 84 të vejat nga lagjja e Presidentit Monson kur ai ishte peshkop. Gjatë dekadave që e pasuan shërbimin e tij si peshkop, me një shprehje të pabesueshme përkushtimi, të ndërthurur me rezultatet e shumë prej lutjeve të tyre, Presidenti Monson ishte në gjendje të shkonte në varrimin e secilës prej tyre. Vetëm mendoni për këtë.

Ashtu siç do të bënte Shpëtimtari, Tomas Monsoni ka shkuar duke bërë mirë, duke bekuar dhe dashur të tjerët si të ketë qenë ajo forca shtytëse në jetën e tij. Të gjithë mund të mësojmë nga kjo, teksa ne kërkojmë të ecim në gjurmët e tij.

Një shembull mbresëlënës i mirësisë së Presidentit Monson ndodhi vitin që shkoi. Ndërkohë që tempulli i bukur i Brigam-Sitit në Juta po i afrohej përfundimit, unë u takova me Presidencën e Parë për të diskutuar plane për përkushtimin e tempullit. Meqë Brigam-Siti ndodhet vetëm një orë në veri të Solt-Lejk-Sitit, do të kishte qenë shumë e lehtë për Presidentin Monson të udhëtonte atje për përkushtimin. Në vend të kësaj, Presidenti Monson tha: “Brigam-Siti është qyteti i lindjes së Presidentit Bojd K. Paker, këtij Apostulli të madh, i cili është ulur përkrah meje për kaq shumë vite në Të Dymbëdhjetët. Unë dua që ai të ketë nderin dhe bekimin e përkushtimit të tempullit në qytetin e tij të lindjes. Unë nuk do të përzihem dhe do të caktoj Presidentin Paker për ta përkushtuar Tempullin e Brigam-Sitit. Dua që ajo të jetë dita e tij.”

Ishte një ditë e mrekullueshme për Presidentin Paker dhe për Motrën Paker, e cila gjithashtu u rrit në Brigam-Siti. U preka shumë nga gjesti i dashur dhe zemërgjerë i Presidentit Monson ndaj Apostullit koleg të tij. Ne të gjithë mund të jemi në atë mënyrë. Ne mund të ndajmë dhe të jemi dashamirës e të mos mendojmë kaq shumë për veten tonë – por të mendojmë më shumë për njerëzit përreth nesh.

Më pëlqen shumë kënga e fëmijëve “Follow the Prophet” [“Ndiqni Profetin”]. Ka nëntë strofa të mrekullueshme, por unë kam kohë vetëm të lexoj strofën e fundit:

Sot kemi një bot’ ku njer’zit ngat’rrohen.

Nëse nuk beson, shko dhe shiko lajmet.

Drejtim mund të gjejm’ ne përgjat’ rrugës son’,

Kur profetët dëgjojm’ dhe bëjm’ çfar’ na thon’.

… … … … … … … … … .

Ndiqni profetin; mos humb’ udhën.

… … … … … … … … … .

Ndiqni profetin; ai e di udhën.

(Children’s Songbook, f. 111)

Presidenti Monson e di udhën. Udha e drejtë është udha e Zotit. “Udha e drejtë është të besoni në Krishtin” (2 Nefi 25:29).

Presidenti Monson na ka mësuar mënyrën se si ta jetojmë jetën tonë me anë të mesazheve të tij të mrekullueshme dhe frymëzuese në konferenca të përgjithshme. Ai na ka mësuar se si të jemi pasues të Jezu Krishtit me anë të shembullit të tij vetjak, mbresëlënës dhe të mrekullueshëm. Me të vërtetë, Zoti na ka dhënë një model në të gjitha gjërat dhe një nga modelet që ne duhet të përpiqemi ta ndjekim është ai i profetit tonë të dashur.

Unë dëshmoj se ka një Perëndi në qiell, i cili na njeh dhe na do. Ai na ka dhënë një profet – për të na drejtuar, për të na mësuar dhe për të na udhëhequr në këto ditë të mëvonshme. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i kësaj bote. Unë besoj se Zoti pret që ne ta duam profetin, ta mbështesim atë dhe ta ndjekim shembullin e tij.

Ne vërtet të falemi, o Perëndi, për një profet. Ne të falënderojmë Ty për këtë profet. E shoh si bekim të madh të kem jetuar në kohën kur Tomas S. Monson ishte profeti i Zotit. Ndërsa e ndjekim profetin dhe përpiqemi të jemi më shumë si ai, ne vërtet do të kemi sukses të pashmangshëm në bërjen dishepuj më besnikë të Zotit Jezu Krisht.

Ka qenë një nder t’ju flas juve këtë mbrëmje dhe lutem që Zoti do ta bekojë bollshëm secilin prej jush, teksa unë dëshmoj se kjo është vepra e Zotit, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

© 2013 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 9/12. Miratuar për përkthim: 9/12. Përkthim i Our Prophet: Thomas S. Monson. Albanian. PD50046139 101