Rini e Lindjes Fisnike: Çfarë do të Zgjidhni?
Takim Shpirtëror i SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 6 shtator 2013 • Universiteti “Brigam Jang” - Havai
Bashkëshortja ime, Uendi, dhe unë jemi mirënjohës të jemi me ju. Nga Qendra e Veprimtarive Kenën në kompleksin e UBJ-Havait, po u transmetojmë grumbullimeve të të rinjve në moshë madhore nëpër të gjithë botën. Dëshirojmë t’ju urojmë mirëseardhje të veçantë atyre që po e ndjekin një Takim Shpirtëror të SAK-ut për herë të parë. Kur regjistroheni në institucione të arsimimit të lartë, ju do të dëshironi të merrni pjesë në klasa instituti dhe në këto takime shpirtërore për të ruajtur një ekuilibër shpirtëror ndaj të mësuarit tuaj laik. Dhe nëse shpejt do të nisesh për në mision, ne jemi shumë mirënjohës. Do të jesh në shërbim të Zotit tërë kohën.
Ju sjell përshëndetje nga Presidenti Tomas S. Monson, Presidenti Henri B. Ajring, Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe bashkëpunëtorët e mi të dashur të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Gjithashtu sjell përshëndetje nga Këshilli i Kujdestarëve të Besuar të Sistemit Arsimor të Kishës dhe nga Plaku Pol V. Xhonson, Komisioneri i Sistemit Arsimor të Kishës.
Kemi pasur tre folës të mëparshëm në takimet tona shpirtërore të SAK-ut gjatë këtij viti. A ju kujtohen? Biseda e Presidentit Diter F. Uhtdorf u titullua “Çfarë Është e Vërteta?” Ai na mësoi se si të gjejmë të vërtetën reale në një kohë kur është i disponueshëm mjaft informacion, shumë prej të cilit nuk është i vërtetë. Titulli i bisedës së Plakut Dejvid A. Bednar ishte “Që të ‘Mos Mpakemi’ (DeB 19:18)”. Ai na i forcoi shpirtrat kur na mësoi se si ta rrisim besimin tonë nëpërmjet një pyetjeje të fuqishme që e ndihmoi një çift të ri, teksa bashkëshorti po ndeshej me kancerin. Pyetja e ngritur nga Plaku Bednar ishte: “A ke besimin për të mos u shëruar?” Plaku Uilliam R. Uolker na i forcoi dëshmitë tona rreth shërbesës dhe shembullit të pakrahasueshëm të Presidentit tonë të dashur Tomas S. Monson.
Sot, titulli i mesazhit tim është “Rini e Lindjes Fisnike1: Çfarë do të Zgjidhni?”
Ju, si rini e lindjes fisnike, jeni me të vërtetë bijtë dhe bijat e Perëndisë, të lindur në këtë kohë të veçantë në historinë e botës për një qëllim tepër më të shenjtë. Edhe pse vlerat morale dhe fetare të shoqërisë duket se po dobësohen nëpër të gjithë globin, të rinjtë e kësaj Kishe duhet të jenë flamurëmbajtës të Zotit dhe fenerë drite për t’i tërhequr të tjerët tek Ai. Identiteti dhe qëllimi juaj janë të pashoq.
Cili është identiteti juaj? Ju jeni fëmijë të besëlidhjes. Të cilës besëlidhje? Të asaj që Perëndia e bëri me atin Abraham, kur Abrahamit iu premtua se “në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës”2. Ju jeni gjithashtu fëmijë të ditës së premtuar3, të kësaj periudhe të historisë së botës kur ungjilli do të shpallet gjerësisht mespërmes këtij planeti.
Cili është qëllimi juaj? Ju vëllezër u parashuguruat në një mbretëri paratokësore për të mbajtur priftërinë.4 Mendoni për atë! Dhe ju, motra të dashura, u zgjodhët përpara themelimit të botës për të lindur fëmijët e Perëndisë dhe për t’u kujdesur për ta, dhe duke e bërë këtë, ju përlëvdoni Perëndinë.5 A e keni marrë parasysh ju motra, se çfarë do të thotë me të vërtetë të jeni bashkëkrijuese me Perëndinë?
Secilit prej jush, të rinj e të reja, iu dha detyrë nga Ati ynë Qiellor që ta ngrini mbretërinë e Perëndisë mbi tokë pikërisht tani dhe që të përgatisni një popull për ta pranuar Shpëtimtarin kur Ai do të sundojë dhe mbretërojë si Mesia i Mijëvjeçarit. Lindja e juaj fisnike, identiteti, qëllimi dhe caktimi i juaj hyjnor ju veçojnë nga gjithë të tjerët.
Por as lindja juaj, as shugurimet dhe caktimet tuaja përpara vdekshmërisë nuk mund t’ju shpëtojnë ose ekzaltojnë. Atë ju do ta bëni nëpërmjet vendimeve tuaja vetjake dhe ndërkohë që zgjidhni për ta përdorur fuqinë e Shlyerjes së Zotit në jetën tuaj. Ju e dini se “çdo shpirt ësht’ i lir’ të zgjedh’ çdo t’jet’, jetën e tij”6. Ai parim i madhërishëm, i përjetshëm i lirisë së zgjedhjes është jetësor për planin e Atit tonë. Prandaj, ju rini e lindjes fisnike, çfarë do të zgjidhni?
A do të zgjidhni ta shtoni të mësuarin?
Arsimimi është i juaji për t’u fituar. Askush tjetër nuk mund ta fitojë atë për ju. Kudo që të jeni, zhvilloni një dëshirë të thellë për të mësuar. Për ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, marrja e një arsimimi nuk është thjesht një privilegj, ajo është një përgjegjësi fetare. Lavdia e Perëndisë është inteligjencë.7 Me të vërtetë, arsimimi ynë është për përjetësitë.
“Çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje.
Dhe në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, … ai [ose ajo] do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen.”8
Një këndvështrim i tillë afatgjatë do t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje të mira lidhur me të mësuarin. Më kujtohet një bashkëbisedim shumë vite më parë me një student 16-vjeçar shumë të shkëlqyer në shkollën e mesme. Ai ishte i pasigurt rreth zotimit të tij fetar dhe i pavendosur rreth karierës së tij. Vriste mendjen rreth mundësisë për t’u bërë një doktor në mjekësi. Më bëri një pyetje të thjeshtë: “Sa vite u deshën për ju që të bëheshit kirurg zemre?”
I bëra me të shpejtë llogaritjet: “Që nga koha kur mbarova shkollën e mesme derisa për herë të parë mora një pagesë për shërbimin si kirurg, m’u deshën 14 vjet.”
“Uau!” u përgjigj. “Shumë kohë e gjatë për mua!”
Atëherë e pyeta: “Sa vjeç do të jesh pas 14 vjetësh nëse nuk bëhesh kirurg zemre?”
“Po të njëjtën moshë,” u përgjegj. “Po të njëjtën!”
Pata interes të veçantë te ky i ri. Me raste e mora në makinë në rrugën e tij herët në mëngjes për të shpërndarë gazeta. Me kalimin e viteve besimi i tij u forcua. Ai qe një misionar i fuqishëm. Vendosi ta vazhdonte synimin e tij arsimor. Fillimisht, u martua me vajzën që donte në tempull. Më pas, ndërsa studionte mjekësi dhe kirurgji, ata u bënë prindër të katër fëmijëve të mrekullueshëm. Tani ai është tërësisht i çertifikuar si kirurg zemre - pas një arsimimi dhe trajnimi intensiv për një periudhë prej 14 vjetësh.
Vëllezër dhe motra, mos kini frikë t’i ndiqni synimet tuaja - madje ëndërrat tuaja! Nuk ka mënyrë të shpejtë drejt epërsisë dhe aftësisë. Arsimimi është ndryshimi midis dëshirës që të mund t’i ndihmoni të tjerët dhe të qenit i aftë për t’i ndihmuar ata.
Ja një pyetje tjetër: Çfarë mënyre të jetuari do të zgjidhni?
Ju, si rinia e lindjes fisnike, pritet të jetoni ndryshe nga të tjerët. Ju e dini se çfarë i tha Pali të riut Timote: “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi”9. Zgjidhni të mendoni dhe të veproni ndryshe nga ata të botës. Zgjidhni të dukeni ndryshe dhe shihni se çfarë ndikimi për mirë do të bëheni. Sikurse tha dikur Motra Ardet G. Kap: “Ju nuk mund të bëheni një jetë-shpëtues, nëse do të dukeni si të gjithë notarët e tjerë në bregdet”10.
Si rini e lindjes fisnike, ju keni një fillim të madhërishëm në jetë. Por keni edhe një përgjegjësi shtesë. “Sepse atij [ose asaj] që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet.”11 Pjesë e asaj kërkese është të jeni një rekrut. A keni menduar ndonjëherë për veten si një rekrut në ushtri? Kur u pagëzuat, në të vërtetë u regjistruat përsëri në ushtrinë e Zotit.12 Në jetën para lindjes, ju qëndruat me Jezu Krishtin gjatë Luftës në Qiell. Dhe tani ndeshja midis forcave të së mirës dhe së ligës vazhdon këtu në tokë. Është e vërtetë! Ajo ndeshje në të cilën po përfshihemi tani, është ende midis forcave të së mirës dhe forcave të së ligës.13 Në anën e Perëndisë është Jezu Krishti, i parashuguruar për të qenë Shpëtimtari i botës.14 Në anën tjetër është Satani - një kryengritës, një shkatërrues i lirisë së zgjedhjes.15
Plani i Perëndisë e lejon kundërshtarin t’ju tundojë që ju, tani në këtë botë të vdekshme, të mund ta ushtroni lirinë tuaj për të zgjedhur të mirën ndaj së ligës, për të zgjedhur të pendoheni, për të zgjedhur që të vini te Jezu Krishti dhe ta ndiqni shembullin e Tij. Çfarë përgjegjësie e madhe dhe çfarë besimi i madh!
Liria juaj për të zgjedhur shpjegohet qartë në Librin e Mormonit: “Njerëzit janë të lirë sipas mishit. … Ata janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, … ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit; pasi ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë.”16 Çfarë do të zgjidhni ju?
Një tjetër varg zbulon se “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”17. Shumë të rinj janë përpjekur ta sfidojnë atë të vërtetë dhe kanë dështuar çdo herë.
Liria juaj për të vepruar për veten tuaj është kaq thelbësore në përparimin dhe lumturinë tuaj të përjetshme sa kundërshtari ushtron përpjekje të jashtëzakonshme për ta nënvleftësuar atë.18 Satani vërtet është një i pagjumë i pakorrigjueshëm, që do të thotë ai nuk fle kurrë. Shumë prej jush e kanë përjetuar atë tashmë!
Ja një pyetje tjetër: A do të përcaktoni përparësi për t’ju ndihmuar të bëni zgjedhjet tuaja në jetë?
Zgjedhjet tuaja nuk do të jenë të gjitha midis së mirës dhe së ligës. Shumë do të jenë zgjedhje midis dy mundësive të mira. Jo gjithë të vërtetat krijohen të barabarta, prandja ju do të keni nevojë të përcaktoni përparësi. Në kërkimin tuaj për dije, dini se e vërteta më e rëndësishme që mund të mësoni vjen nga Zoti. Në lutjen e Tij ndërmjetësuese drejtuar Atit të Tij, Shpëtimtari Vetë e pohoi këtë. Ai tha: “Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”19. Mbi gjithçka tjetër, ju po kërkoni të mësoni, po kërkoni të njihni Perëndinë, Atin tuaj Qiellor, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Aftësohuni që t’i njihni Ata dhe t’i doni Ata, sikurse i njoh dhe i dua unë.
Një shkrim tjetër i shenjtë përparësor më ka ndihmuar gjatë jetës sime është ky: “Para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e tij, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen”20.
Më shumë se gjithçka tjetër në këtë botë, ju doni të bëni zgjedhje që çojnë drejt fatit tuaj përfundimtar dhe të lavdishëm të jetës së përjetshme. Ai është synimi më i madh i Perëndisë për ju.21 Zgjidhni jetën e përjetshme si përparësinë tuaj më të lartë! Studioni shkrimet e shenjta, të tilla si seksionet 76 dhe 88 të Doktrina e Besëlidhjeve, me qëllim që të kuptoni më shumë rreth bekimeve të ndryshme që janë gati për ata që zgjedhin jetë të përjetshme dhe për ata që nuk e zgjedhin atë. Zgjidhni jetën e përjetshme si përparësinë tuaj më të lartë dhe vini re se si zgjedhjet e tjera zënë vendin e duhur.
Një pyetje tjetër: Me cilët do të zgjidhni të shoqëroheni?
Si rini e lindjes fisnike, ju do të shoqëroheni me shumë njerëz të mirë të cilët gjithashtu besojnë te Perëndia. Qofshin ata judenj, katolikë, protestanë ose myslimanë, besimtarët e dinë se ka në fakt të vërtetë absolute. Në mesazhin e mëparshëm të Presidentit Uhtdorf, ai theksoi se me të vërtetë ka të drejtë dhe të gabuar, dhe shkelja e vullnetshme e një prej urdhërimeve të Perëndisë me të vërtetë është mëkat. Besimtarët te Perëndia kanë edhe një ndërgjegje. Besimtarët i binden ligjit civil dhe hyjnor vullnetarisht, edhe ligjeve që përndryshe mund të ishin të pazbatueshme.
Me zotimin tuaj për t’iu bindur ligjit civil dhe hyjnor, ju ndaloni tek një dritë e kuqe, edhe pse nuk duket asnjë lloj trafiku tjetër. Ju, si fëmijë i Perëndisë, e dini që, edhe nëse policia nuk ju kap, nëse do të vidhnit, vrisnit apo shkelnit kurorë, këto veprime janë të gabuara dhe Perëndia më së fundi do t’ju mbajë përgjegjës. Ju e dini se pasojat për të mos vepruar sipas rregullave nuk janë vetëm tokësore, por të përjetshme.
Ndërsa zhvendoseni përgjatë udhëtimit të jetës, ju gjithashtu do të njiheni me njerëz që nuk besojnë te Perëndia. Shumë prej tyre ende nuk kanë gjetur të vërtetë hyjnore dhe nuk e dinë se ku ta kërkojnë atë. Por ju, rinia e lindjes fisnike, po vini për t’i shpëtuar. Mjaft të shumtë, ju po mblidheni prej thirrjes së profetit të Perëndisë për më shumë misionarë. Ne jemi thellësisht mirënjohës për secilin prej jush! Shumë prej jush kanë shërbyer tashmë; të tjerë po përgatiten të shkojnë.
Ndërsa shoqëroheni me jobesimtarë, jini të vetëdijshëm se ka pak njerëz që mund të mos e kenë përzemër më të mirën për ju.22 Menjëherë sapo e bëni atë gjykim - sapo e dalloni atë - largohuni prej tyre me të shpejtë dhe përfundimisht.23
Për fat të keq, ju do të takoni njerëz, kërkimi i dëshpëruar i të cilëve për diçka që u duket si lumturi, i bën të zbresin poshtë rrëpirave rrëshqitëse të mëkatit. Ruhuni prej asaj rrëshqitjeje të neveritshme! Çdo kënaqësi nga mëkati është vetëm për një çast dhe kujtimet e saj shqetësuese njollosen nga faji brejtës dhe gërryes përbrenda. Shtrembërimi mëkatar i lidhjes së përcaktuar në mënyrë hyjnore për t’i bashkuar bashkëshortin dhe bashkëshorten, nuk është veçse një mashtrim i zbrazët. Çdo përvojë e paligjshme zhvishet nga domethënia e thellë dhe kujtimi i ëmbël.
Një pyetje tjetër: A do të zgjidhni liri apo robëri?
Forca të paperëndishme gjenden kudo përreth. Ju po jetoni me të vërtetë në territor të pushtuar nga armiku.24 Po gëlon një mjerim prej pornografisë helmuese. I pushton të gjithë ata që i dorëzohen gllabërimit të saj tinzar.
Kjo u parashikua nga Zoti, i cili tha: “Dhe tani unë ju tregoj një mister, një gjë që është në dhoma të fshehta, për të shkaktuar madje shkatërrimin tuaj me kalimin e kohës dhe ju nuk e dinit”25. Më pas Ai shtoi një paralajmërim të dytë: “Dhe përsëri, unë ju them se armiku në dhomat e fshehta po kërkon jetën tuaj”26.
Merrni parasysh sa shumë njerëz, në sa shumë dhoma të fshehta, po kërkojnë ta shkatërrojnë jetën dhe lumturinë tuaj! Nëse ju, vëllezër dhe motra, po shihni pornografi, ndalojeni pikërisht tani! Ndalojeni tërësisht! Është po aq shkatërruese sa lebra, po aq droguese sa metamfetamina dhe po aq gërryese sa soda pastruese.
Tundimi trupor nuk është i ri. Apostulli Pjetër paralajmëroi pikërisht për këtë kurth kur shkroi:
“Bëjnë për vete, me anë të pasioneve të mishit, . . . ata që [ishin të pastër]. …
ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi.”27
Shmangeni atë skllavërim, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura. Nëse tanimë po shihni pornografi, ndalojeni! Dhe ndalojeni tani! Kërkoni ndihmë nga peshkopi juaj. Askush nuk është aq i zgjuar sa t’ia hedhë kundërshtarit i vetëm, pasi të jetë helmuar nga pornografia.
Tani më lejoni të kaloj tek një pyetje tjetër serioze: A do të zgjidhni të ndiqni Zotin apo filozofitë e njerëzve?
Për shembull, argumente po përhapen se toka është e mbipopulluar në mënyrë të rrezikshme dhe se çiftet duhet ta kufizojnë numrin e fëmijëve të tyre. A e keni dëgjuar atë? Megjithatë, në Kongresin e pestë Botëtor për Familjet, në vitin 2009, Motra Nelson dhe unë dëgjuam një studiues që paraqiti një studim ku ai bëri një deklarim mahnitës. Ai tha se, nëse secilit burri, gruaje dhe fëmije që jeton tani në tokë, i jepej një e dhjeta e një hektari toke, që të gjithë 6,8 miliardë njerëzit do të futeshin brenda shtetit të Brazilit, me 20 përqind të Brazilit ende të lënë të papopulluar.28 A tingëllon kjo sikur toka të jetë e mbipopulluar?
E kontrollova atë llogaritje. Është e saktë. Ju kërkoj solemnisht ta besoni Zotin, i cili tha se “toka është plot dhe ka mjaft edhe për të kursyer”29.
Një realitet tjetër është se ju jetoni në një kohë kur papunësia është e lartë dhe tregjet financiare anembanë botës janë të shqetësuar. Përsëri, një zgjidhje e kësaj bote është të kërkojmë alternativa kundrejt planit të Perëndisë. Por ne e dimë se martesa dhe familje të forta në fakt e ndihmojnë ekonominë që të begatohet. Dhe nuk jemi vetëm ne që i kemi këto mendime.
Studiuesi Dr. Patrik F. Fagan30 shkroi: “Blloku i domosdoshëm ndërtues, tek i cili varen pasuritë e ekonomisë, [është] familja me prindër të martuar - veçanërisht familja e pasuruar me fëmijë, e cila kryen adhurim fetar çdo javë. …
… Çdo martesë krijon një familje të re, një njësi të pavarur ekonomike që prodhon të ardhura, harxhon, ruan dhe investon.”31
Dr. Fagan shtoi se “nëna e martuar në shtëpi ushtron një ndikim shumë më të efektshëm në ekonominë sesa [ushtron] babai i martuar në vendin e punës. … Ndërkohë që bashkëshorti luan rol në ekonominë e tanishme, nëna luan rol si në ekonominë e tanishme, ashtu edhe në ekonominë e së ardhmes.”32
Raporti i Dr. Faganit vërteton koncepte të shprehura vite më parë nga Presidenca e Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt tek “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”. Shpresoj se secili prej jush e ka një kopje. Studiojeni atë me kujdes. Ndërkohë që familja është duke u sulmuar në mbarë botën, të vërtetat e proklamatës së familjes do t’ju forcojnë.
Ju rini e mrekullueshme e lindjes fisnike, ju keni nevojë për të kuptuar pasojat shumë të gjera të përplasjes së tanishme të shoqërisë mbi vetë përkufizimin e martesës. Debati i tanishëm përfshin çështjen nëse mund të martohen dy njerëz të së njëjtës gjini. Nëse keni pyetje rreth pozitës së Kishës për këtë ose ndonjë çështje tjetër të rëndësishme, me lutje mendoni thellë për të dhe më pas ua vini veshin mesazheve profetike në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës që po vjen në tetor. Ato biseda të frymëzuara, të shtuara frymëzimit nga Fryma e Shenjtë, do të sjellin një kuptueshmëri më të plotë në mendjen tuaj.
Debati për martesën është veç një prej polemikave të shumta që do të bëhen sfida për ju në të ardhmen. Kundrejt zërave të zhurmshëm të kundërshtarit, ju, si rini e lindjes fisnike, do të zgjidhni të qëndroni për Zotin dhe për të vërtetën e Tij. Kujtoni fjalët e himnit që vijon. Përsëritini. Mësojini përmendësh. Ky himn është tërësisht rreth jush:
A do ngurrojn’ t’rinjt’ e Sionit
Në mbrojtjen e t’vërtetës?
Kur armiku po na sulmon,
A do i shmangemi luftës? Jo!
T’vërtet’ ndaj besimit të prindërve tan’.
T’vërtet’ ndaj t’vërtetës për t’cilën u vran’.
Zoti urdh’ron,
Zemrën dhe dor’n,
Besnik, t’vërtet’ do qëndrojm’ gjithmon’.33
Apostulli Pal profetizoi rreth gjendjes së vështirë të kohës sonë. Përshkrimi i tij duket si emisioni ynë i lajmeve i orës 10:00 të çdo nate. Dëgjoni!
“Në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,
sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,
të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën,
tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës,
të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohuni.”34
Ai është përfundimi i paralajmërimit të tij.
Vegimi i saktë i Palit për shkretimin shpirtëror të kohës sonë u pasua nga përfundimi i tij sigurues, duke na treguar se si të qëndrojmë të sigurt: “Që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.”35
Këshillës së tij unë i shtoj timen: Vazhdoni të studioni shkrimet e shenjta. Vazhdoni të bëni gjërat që e forcojnë besimin tuaj te Jezu Krishti. Dhe më pas vini re zgjedhjet e urta që nxiteni të bëni në mënyrë të natyrshme.
Besimi juaj te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij do t’ju japë kurajën për t’u martuar dhe për të sjellë fëmijë në familjen tuaj, ndërkohë që jeni të rinj dhe në gjendje t’i keni ata. Kur të jeni në moshën time, ju do t’i çmoni fëmijët tuaj, nipërit e mbesat tuaja dhe fëmijët e tyre, mbi çdo famë ose pasuri që përndryshe mund të kishit fituar.
Tani, për një pyetje lutem, që ju do ta merrni parasysh çdo ditë: Si do të përgatiteni për intervistën tuaj personale me Shpëtimtarin?
Ju rini e lindjes fisnike nuk jeni ende të përsosur. Askush prej nesh nuk është. Prandaj, ju, së bashku me të gjithë ne, jeni shumë mirënjohës për Shlyerjen e Shpëtimtarit, e cila siguron falje të plotë kur pendoheni me të vërtetë. Ju po ashtu e dini se qëndrimi juaj këtu në vdekshmëri është relativisht i shkurtër. (Dhe sa më shumë plakesh, aq më shumë e kupton atë.) Me kalimin e kohës, secili prej jush do ta mbarojë këtë ekzistencë të brishtë dhe do të kalojë në botën që vjen.
Dita e gjykimit e pret secilin prej nesh. Nuk e di nëse ajo portë qiellore është me perla apo jo, por vërtet e di, sikurse e dinë të gjithë ata që e studiojnë Librin e Mormonit, se “ruajtësi i portës është i Shenjti i Izraelit; dhe ai nuk punëson shërbëtorë aty; … pasi Zoti Perëndi është emri i tij”36. Po, secili prej nesh do të ketë një intervistë vetjake me Jezu Krishtin.
Secila ditë në tokë ju jep kohë dhe mundësi për t’u përgatitur për atë intervistë. Ju lutem, dijeni këtë: Ndërsa zgjidhni të jetoni në anën e Zotit, ju nuk jeni kurrë vetëm. Perëndia ju ka dhënë leje ta përdorni ndihmën e Tij, ndërsa zhvendoseni përgjatë shtegut të rrezikshëm të vdekshmërisë. Ndërsa me zell, me dëshirë ia hapni zemrën tuaj në lutje të përditshme, Ai do të dërgojë engjëjt e Tij për t’ju ndihmuar.37 Ai ju ka dhënë Frymën e Shenjtë që të jetë pranë jush, ndërkohë që jetoni me denjësi. Ai ju ka dhënë shkrimet e shenjta, me qëllim që ju të mund të ushqeheni plotësisht me fjalët e Jezu Krishtit.38 Ai ju ka dhënë që të dëgjoni fjalë nga profetë të gjallë.
Ai ju ka dhënë mundësi për të marrë një bekim patriarkal. Ai do t’ju sigurojë ide rreth lidhjes suaj me Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe besëlidhjen e bërë me ta për pasardhësit e tyre. Bekimi juaj patriarkal gjithashtu siguron ide rreth potencialit tuaj në jetën këtu dhe në jetën pas kësaj. Të gjitha këto dhe mjete ndihmëse të tjera hyjnore do t’ju ndihmojnë që të zgjidhni mirë, që ju të mund ta prisni me gëzim takimin ballë për ballë me Shpëtimtarin tuaj.
Pyetja ime e fundit: Te cili do ta vini besimin tuaj?
Ju rini e lindjes fisnike e dini se Perëndia është Ati juaj. Ai ju do. Ai dëshiron që ju të jeni të lumtur. Vëreni besimin tuaj tek Ai.39 Mbajeni vëmendjen tuaj tek tempulli i Tij i shenjtë. Jini të denjë ta merrni indaumentin tuaj dhe ordinancat tuaja vulosëse. Qëndroni besnikë ndaj atyre besëlidhjeve dhe kthehuni shpesh tek tempulli. Mbani mend, synimi juaj më fisnik është të fitoni bekimin më të madh të të gjitha bekimeve të Perëndisë, atë të jetës së përjetshme.40 Ordinancat e tempullit janë thelbësore për atë bekim.41
Ju ftoj që të studioni plot lutje deklarimin e shkrimeve të shenjta për identitetin, qëllimin dhe bekimin tuaj, siç shënohet në seksionin 86 të Doktrina e Besëlidhjeve. Është i gjithi rreth jush. Dëgjoni!
“Kështu ju thotë Zoti juve [rinisë së lindjes fisnike], me të cilët priftëria ka vazhduar nëpërmjet linjës së prejardhjes së etërve tuaj -
Sepse ju jeni trashëgimtarë të ligjshëm, sipas mishit, dhe jeni fshehur nga bota me Krishtin në Perëndinë -
Si rrjedhim jeta dhe priftëria juaj kanë mbetur dhe duhet patjetër të mbeten nëpërmjet jush dhe linjës suaj të prejardhjes, deri në rivendosjen e gjithë gjërave të thëna nga gojët e gjithë profetëve të shenjtë, që kur bota filloi.
Si rrjedhim, bekuar qofshi ju, nëse vazhdoni në mirësinë time, një dritë për Johebrenjtë, dhe, nëpërmjet kësaj priftërie, një shpëtimtar për popullin tim, Izraelin.”42
Po, ju jeni me të vërtetë rinia e lindjes fisnike, e krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Ju jeni trashëgimtarët e Tij të ligjshëm, këtu për t’u provuar dhe testuar. Ju mund të zgjidhni t’i jeni një dritë botës, të ndihmoni për t’i shpëtuar fëmijët e Perëndisë, të keni gëzim dhe më së fundi të fitoni bekimin e jetës së përjetshme.
Tani, për t’ju ndihmuar në këto zgjedhje vendimtare, unë do të doja të jepja një bekim mbi ju. Duke ushtruar çelësat e qenies së shenjtë si Apostul, ju bekoj që ju të mund të ushqeheni me bollëk me fjalët e Jezu Krishtit dhe t’i zbatoni mësimet e Tij në jetën tuaj. Ju bekoj me fuqinë për të jetuar, ashtu si Ai do t’ju donte të jetonit dhe, nëpërmjet shembullit tuaj të drejtësisë, të bëheni të denjë për metodën e veprimit si një anëtar i Kishës që mban emrin e Tij të shenjtë. Ju bekoj me sukses në përpjekjet tuaja arsimore dhe profesionale, me synimin që ju mund t’u jepni shërbim me vlerë bashkëqenieve tuaja njerëzore. Ju bekoj me shëndet dhe forcë të nevojshme për ta plotësuar fatin tuaj hyjnor, që Perëndia ka ruajtur për ju, që vullneti i Tij të mund të bëhet nga ju dhe nëpërmjet jush.
Kështu ju bekoj dhe jap dëshminë time se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Ai e drejton atë nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij. Ne e duam dhe e mbështesim Tomas S. Monsonin si President të Kishës së Zotit sot. Këtë dëshmi dhe bekim e lë me ju, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, me shprehjen time të sinqertë të dashurisë për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.
© 2013 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 1/13. Miratuar për përkthim: 1/13. Përkthim i Youth of the Noble Birthright: What Will You Choose? Albanian. PD50048932 101