Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Që të “Mos … Mpakem[i]” (DeB 19:18)


2:3

Që të “Mos … Mpakem[i]” (DeB 19:18)

Takimi Shpirtëror i SAK-ut për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 3 Mars 2013 • Universiteti i Teksasit në Arlington

Jam mirënjohës që marr pjesë në këtë takim shpirtëror me të rinjtë e Kishës nga e gjithë bota. Ju dua dhe e vlerësoj këtë mundësi për të adhuruar së bashku.

Suzana ka folur dhe dëshmuar për të vërteta të rëndësishme, dhe secili prej nesh do të bekohet e forcohet teksa i zbatojmë vazhdimisht mësimet e saj në jetën tonë të përditshme. Suzana është një grua e drejtë, një zonjë e zgjedhur dhe dashuria e jetës sime.

Kam medituar dhe i kam kërkuar me zell Atit tonë Qiellor për të ditur si mund të isha në gjendje t’ju shërbeja më së miri sonte. Lutem që fuqia e Frymës së Shenjtë do të jetë me secilin prej nesh - që ne të mund të mendojmë atë që kemi nevojë të mendojmë, të ndiejmë atë që kemi nevojë të ndiejmë dhe të mësojmë atë që kemi nevojë të mësojmë, në mënyrë që të mund të bëjmë atë që e dimë se duhet të bëjmë dhe të bëhemi ajo çka Zoti është i etur të bëhemi.

Një Dishepull i Përkushtuar dhe një Shembull i Mosmpakjes

Plaku Nil A. Maksuell qe një dishepull i dashur i Zotit Jezu Krisht. Ai shërbeu si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për 23 vjet, nga viti 1981 deri në 2004-ën. Fuqia shpirtërore e mësimeve të tij dhe shembulli i tij i dishepullimit besnik i kanë bekuar dhe vazhdojnë t’i bekojnë në mënyra të mahnitshme anëtarët e Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit dhe njerëzit e botës.

Në tetor të 1997-ës, motra Bednar dhe unë mikpritëm Plakun dhe motrën Maksuell në Universitetin “Brigam Jang” në Ajdaho. Plaku Maksuell do t’u fliste studentëve, trupës organizative dhe fakultetit në një mbledhje shpirtërore. Gjithkush në kompleksin e universitetit e priste me padurim vizitën e tij në universitet dhe u përgatitën sinqerisht për të marrë mesazhin e tij.

Më herët, po atë vit, Plaku Maksuell iu nënshtrua për 46 ditë e net një kimioterapie të rëndë për leucemi. Pak pas përfundimit të trajtimeve dhe daljes nga spitali, ai foli shkurtimisht në konferencën e përgjithshme të Kishës në prill. Riaftësimi dhe terapia në vazhdimësi përparuan për mirë përgjatë muajve të pranverës dhe verës, por fuqia dhe qëndresa fizike e Plakut Maksuell qenë megjithatë të pakta kur ai udhëtoi për në Reksburg. Pasi i përshëndetëm Plakun dhe motrën Maksuell në aeroport, Suzana dhe unë i çuam me makinë në shtëpinë tonë për t’u çlodhur dhe për një drekë të lehtë përpara takimit shpirtëror.

Gjatë rrjedhës së bisedave tona atë ditë, e pyeta Plakun Maksuell për mësimet që kishte marrë gjatë sëmundjes së tij. Do ta kujtoj gjithnjë përgjigjen e saktë dhe tejpërshkuese që ai dha. “Dejv”, tha ai, “kam mësuar se të mos mpakesh është më e rëndësishme se të mbijetosh”.

Përgjigjja e tij ndaj pyetjes time qe një parim me të cilin ai kishte fituar përvojë gjithëpërfshirëse vetjake gjatë kimioterapisë. Teksa Plaku Maksuell dhe bashkëshortja e tij po shkonin me makinë drejt spitalit në janar të 1997-ës, ditën kur kishte planifikuar që të fillonte pjesën e parë të trajtimit, ata u futën në vendparkim dhe ndaluan për një moment privat së bashku. Plaku Maksuell “mori frymë thellë dhe pa nga [e shoqja]. Ai u zgjat për t’i marrë dorën dhe tha: … ‘Unë thjesht nuk dua të mpakem’” (Bruce C. Hafen, A Disciple’s Life: The Biography of Neal A. Maxwell [2002], f. 16).

Në mesazhin e tij në konferencën e përgjithshme të tetorit 1997, me titull “Apply the Atoning Blood of Christ” [“Vëreni në Jetë Gjakun Shlyes të Krishtit”], Plaku Maksuell dha mësim me sinqeritet të madh: “Teksa përballemi me vetë … sprovat dhe mundimet, edhe ne mund t’i përgjërohemi Atit, ashtu siç bëri Jezusi, që të ‘mos … mpakem[i]’- që do të thotë të tërhiqesh ose të prapsesh (DeB 19:18). Të mos mpakesh është shumë më e rëndësishme se të mbijetosh! Për më tepër, pirja e një kupe të hidhur pa u bërë i hidhur është në të njëjtën mënyrë pjesë e përngjasimit me Jezusin” (Ensign, nëntor 1997, f. 22).

Përgjigjja e Plakut Maksuell ndaj pyetjes sime më bëri të reflektoj mbi mësimet e Plakut Orson F. Uitni, i cili gjithashtu shërbeu si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Asnjë dhembje që vuajmë, asnjë sprovë që provojmë, nuk shkon dëm. Ajo i shërben edukimit tonë, zhvillimit të cilësive të tilla si durimi, besimi, guximi dhe përulësia. Gjithçka që vuajmë dhe gjithçka që i qëndrojmë, veçanërisht nëse i qëndrojmë me durim, ndërton karakterin tonë, pastron zemrën tonë, zgjeron shpirtin tonë dhe na bën më të butë e më bamirës, më të denjë që të quhemi fëmijët e Perëndisë … dhe ndodh përmes hidhërimit dhe vuajtjes, mundimit dhe fatkeqësisë, që ne e marrim atë edukim të cilin erdhëm që ta marrim këtu dhe që do të na bëjë më të ngjashëm me Atin e Nënën tonë në qiell” (cituar në SpencerW. Kimball, Faith Precedes the Miracle [1972], f. 98).

Dhe këto shkrime të shenjta lidhur me vuajtjet e Shpëtimtarit teksa bëri sakrificën e pafundme e të përjetshme shlyese u bënë madje më prekëse dhe domethënëse për mua:

“Prandaj unë të urdhëroj të pendohesh - pendohu, përndryshe unë të godas me shufrën e gojës sime dhe me zemërimin tim, dhe me indinjatën time, dhe vuajtjet e tua do të jenë të ashpra - sa të ashpra ti s’e di, sa therëse ti s’e di, po, sa të vështira për t’u duruar ti s’e di.

Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt - dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem -

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve” (DeB19:15–19).

Shpëtimtari nuk u mpak në Gjetseman apo në Golgotë.

Plaku Maksuell nuk u mpak gjithashtu. Ky Apostull i fuqishëm vazhdoi përpara i palëkundur dhe u bekua me më shumë kohë në vdekshmëri për të dashur, shërbyer, dhënë mësim e dëshmuar. Ato vite përmbyllëse të jetës së tij qenë shprehje të spikatura të shembullit të tij të një dishepullimi të përkushtuar - nëpërmjet fjalëve edhe veprave të tij.

Besoj se shumica prej nesh me gjasë do të priste që një burrë me fuqinë shpirtërore, përvojën dhe përmasat e Plakut Maksuell do t’i bënte ballë sëmundjes së rëndë dhe vdekjes me një kuptueshmëri të planit të lumturisë së Perëndisë, me ndjenjë sigurie dhe hir e me dinjitet. Dhe pa dyshim që ai e bëri këtë. Por qëllimi im sot është të jap dëshmi që bekime të tilla nuk ruhen vetëm për Autoritetet e Përgjithshme apo për pak anëtarë të zgjedhur të Kishës.

Që nga thirrja ime për të mbushur vendin bosh në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve të krijuar nga vdekja e Plakut Maksuell, detyrat dhe udhëtimet e mia më kanë dhënë mundësi që të njihem me shenjtorë të ditëve të mëvonshme besnikë, guximtarë e trima anembanë botës. Dua t’ju tregoj rreth një të riu dhe të reje që e kanë bekuar jetën time dhe më kanë ndihmuar të marr mësime jetike shpirtërore rreth mosmpakjes dhe lejimit që vullneti ynë vetjak të “shkri[het] në vullnetin e Atit” (Mosia 15:7).

Ky tregim është i vërtetë dhe personazhet janë realë. Megjithatë, nuk do të përdor emrat e vërtetë të individëve që janë të përfshirë në të. Të riun do ta quaj Xhon dhe të renë Hedhër. Gjithashtu do të përdor me lejen e tyre shprehje të përzgjedhura nga ditarët e tyre vetjakë.

Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti

Xhoni është një mbajtës i denjë i priftërisë dhe shërbeu besnikërisht si misionar kohëplotë. Pas kthimit në shtëpi nga misioni i tij, ai doli në takime dashurie dhe u martua me një të re të drejtë e të mrekullueshme, Hedhërin. Xhoni ishte 23 vjeç dhe Hedhëri 20 ditën kur u vulosën së bashku për kohën edhe për gjithë përjetësinë në shtëpinë e Zotit. Ju lutem, mbajini në mendje moshat përkatëse të Xhonit dhe Hedhërit teksa ju tregohet historia.

Përafërsisht tri javë pas martesës së tyre në tempull, Xhoni u diagnostikua me kancer në kockë. Kur iu zbuluan masat kanceroze edhe në mushkëri, parashikimet nuk qenë të mira.

Xhoni shënoi në ditarin e tij: “Kjo ishte dita më e frikshme e jetës sime. Jo vetëm sepse m’u tha që kisha kancer, por edhe sepse sapo isha martuar dhe në një farë mënyre ndieva se kisha dështuar si bashkëshort. Unë isha siguruesi i të ardhurave dhe mbrojtësi i familjes sonë të re dhe tani - pas tri javësh në atë rol - ndieva sikur kisha dështuar. E di se ky mendim është i pakuptimtë, por është një nga gjërat e marra që i thashë vetes në një çast krize.”

Hedhëri shënoi: “Ky ishte një lajm tronditës dhe më kujtohet sa shumë i ndryshoi këndvështrimet tona. Isha në një dhomë pritjeje të spitalit duke shkruar pusulla falënderimi pas dasmës teksa prisnim rezultatet e analizave të Xhonit. Por pasi mësova për kancerin e Xhonit, tenxheret elektrike dhe pajisjet e kuzhinës nuk m’u dukën më aq të rëndësishme. Kjo ishte dita më e keqe e jetës sime, por më kujtohet se shkova në shtrat atë natë me mirënjohje për vulosjen në tempull. Edhe pse mjekët i kishin dhënë Xhonit vetëm 30 përqind mundësi për mbijetesë, e dija se po të mbeteshim besnikë do të kisha 100 përqind mundësi për të qenë me të përgjithmonë.”

Përafërsisht një muaj më vonë, Xhoni filloi kimioterapinë. Xhoni e përshkroi përvojën e tij: “Trajtimet bënë që të sëmuresha më shumë seç kisha qenë ndonjëherë në jetë. Më ranë flokët, humba 19 kilogramë dhe trupi dukej se po dorëzohej. Kimioterapia më preku edhe emocionalisht, mendërisht dhe shpirtërisht. Jeta ishte si një lodër rrotulluese gjatë muajve të kimioterapisë me uljet, ngritjet dhe gjithçka të ndërmjetme. Por gjatë gjithë këtyre, Hedhëri dhe unë e ruajtëm besimin se Perëndia do të më shëronte. Ne thjesht e dinim.”

Hedhëri i shkroi mendimet dhe ndjenjat e saj: “Nuk mund ta lija Xhonin ta kalonte natën vetëm në spital, ndaj flija çdo natë në divanin e vogël në dhomën e tij. Ne kishim shumë vizita të miqve dhe familjarëve gjatë ditës, por netët qenë më të vështirat. Unë do t’ia ngulja sytë tavanit dhe do të pyesja veten se çfarë kishte planifikuar Ati Qiellor për ne. Ndonjëherë mendja ime do të endej në mendime të trishta dhe frika se do ta humbisja Xhonin pothuajse më pushtonte të tërën. Por e dija se këto mendime nuk ishin nga Ati Qiellor. Lutjet e mia për ngushëllim u bënë më të shpeshta, dhe Zoti më dha forcën për të vazhduar.”

Tre muaj më vonë Xhoni iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për të hequr një tumor të madh nga këmba. Xhoni u shpreh: “Operacioni qe me rëndësi të jashtëzakonshme për ne sepse tumorit do t’i bëhej biopsia për të parë se sa prej tij ishte i gjallë dhe sa prej kancerit ishte zhdukur. Kjo analizë do të na jepte treguesin e parë të efektshmërisë së kimioterapisë dhe të asaj se sa të fuqishme duhej të ishin trajtimet që do të më duheshin në të ardhmen.”

Dy ditë pas operacionit, unë i vizitova Xhonin dhe Hedhërin në spital. Ne folëm rreth herës së parë që e kisha takuar Xhonin në terrenin e misionit, martesës së tyre, kancerit dhe mësimeve me rëndësi të përjetshme që mësojmë gjatë sprovave të vdekshmërisë. Teksa po mbaronte koha që do të qëndronim bashkë, Xhoni më pyeti nëse do t’i jepja një bekim priftërie. Iu përgjigja se do t’ia jepja me kënaqësi një bekim të tillë, por së pari duhej t’i bëja disa pyetje.

Më pas drejtova pyetje që nuk kisha planifikuar t’i bëja dhe që nuk i kisha marrë kurrë parasysh më parë: “[Xhon], a e ke besimin për të mos u shëruar? Nëse vullneti i Atit tonë Qiellor është që ti të dërgohesh në botën e shpirtrave përmes vdekjes në rini për të vazhduar shërbesën tënde, a e ke besimin për t’iu nënshtruar vullnetit të Tij dhe për të mos u shëruar?”

Sinqerisht u habita nga pyetjet të cilat ndieva nxitje t’ia bëja këtij çifti të veçantë. Shpeshherë në shkrimet e shenjta, Shpëtimtari ose shërbëtorët e tij ushtruan dhuratën shpirtërore të shërimit (shih 1 Korintasve 12:9; DeB 35:9; 46:20) dhe e kuptuan se individi kishte besimin për t’u shëruar (shih Veprat e Apostujve 14:9; 3 Nefi 17:8; D&C 46:19). Por teksa Xhoni, Hedhëri dhe unë diskutonim bashkërisht dhe përlesheshim me këto pyetje, e kuptonim gjithnjë e më shumë se nëse ishte vullneti i Perëndisë që ky i ri të shërohej, atëherë bekimi mund të merrej vetëm nëse ky çift guximtar të kishte së pari besimin për të mos u shëruar. Me fjalë të tjera, Xhoni dhe Hedhëri duhej ta mposhtnin, nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht, prirjen e “njeriu[t] [të] natyrshëm” (Mosia 3:19) tek të gjithë ne për të kërkuar me padurim dhe për të këmbëngulur pambarimisht te bekimet që dëshirojmë dhe mendojmë se meritojmë.

Ne njohëm një parim që vihet në zbatim për çdo dishepull të përkushtuar: besimi i fortë te Shpëtimtari është pranimi me nënshtrim i vullnetit të Tij dhe kohës së caktuar prej tij në jetën tonë - edhe kur rezultati nuk është ai që shpresonim apo dëshironim. Sigurisht që Xhoni dhe Hedhëri do të dëshironin, do t’u pikonte në zemër e do të përgjëroheshin për shërim me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën e tyre. Por më me rëndësi, ata do të ishin të “gatshëm t’u nënshtrohe[shin] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ta], madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij” (Mosia 3:19). Me tërë mend, ata do të ishin të gatshëm t’i “dhuroni[n] tërë shpirtrat [e tyre] si një dhuratë ndaj tij” (Omni 1:26) dhe të luteshin me përulje: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42).

Ato që fillimisht na u dukën Xhonit, Hedhërit dhe mua se ishin pyetje shushatëse, u bënë pjesë e një modeli parimesh të ungjillit në dukje kontradiktore. Mbani parasysh paralajmërimin e Shpëtimtarit: “Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; (Mateu 10:39). Ai gjithashtu shpalli: “Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët” (Mateu 19:30). Dhe Zoti i këshilloi dishepujt e Tij të ditëve të mëvonshme: “Dhe me anë të fjalës tënde shumë vende të larta do të sheshohen dhe me anë të fjalës tënde shumë vende të ulta do të lartësohen” (DeB 112:8). Kështu, të pasurit e besimit për të mos u shëruar dukej se përshtatej siç duhej në një model të fuqishëm parimesh në dukje kontradiktore që na kërkon të pyesim, të kërkojmë dhe të trokasim që të mund të marrim njohuri dhe kuptueshmëri (shih 3 Nefi 14:7).

Pasi mori kohën e mjaftueshme për të medituar rreth pyetjeve të mia dhe për të folur me të shoqen, Xhoni më tha: “Plaku Bednar, unë nuk dua të vdes. Nuk dua ta lë Hedhërin. Por nëse vullneti i Zotit është që të më dërgojë mua në botën e shpirtrave, atëherë mendoj se jam i gatshëm ta pranoj.” Zemra m’u mbush me vlerësim dhe admirim teksa dëshmoja përballjen e këtij çifti të ri me më kërkuesen prej të gjitha mundimeve shpirtërore - dorëzimin e nënshtruar të vullnetit të tyre te vullneti i Perëndisë. Besimi im u forcua teksa dëshmoja se si ky çift i lejonte dëshirat e tij të forta dhe të kuptueshme të “shkri[heshin] në vullnetin e Atit” (Mosia 15:7).

Xhoni e përshkroi reagimin e tij ndaj bisedës sonë dhe bekimit që mori: “Plaku Bednar na tregoi mendimin e Plakut Maksuell, se është më mirë të mos mpakesh se të mbijetosh. Plaku Bednar më pas na pyeti: ‘E di se ju keni besimin për t’u shëruar, por a e keni besimin për të mos u shëruar?’ Ky qe një koncept i huaj për mua. Në thelb ai po më pyeste nëse e kisha besimin për ta pranuar vullnetin e Perëndisë nëse vullneti i Tij do të ishte që unë të mos shërohesha? Nëse koha për të shkuar në botën e shpirtrave përmjes vdekjes ishte e afërt, a isha unë i përgatitur të nënshtrohesha dhe ta pranoja?”

Xhoni vijoi: “Të pasurit e besimit për të mos u shëruar dukej e panatyrshme; por ai këndvështrim e ndryshoi mënyrën se si unë dhe gruaja ime mendonim dhe na lejoi ta vendosnim plotësisht mirëbesimin tonë te plani i Atit për ne. Ne mësuam se kishim nevojë të fitonim besimin se Zoti është në krye, cilido të jetë rezultati, dhe se Ai do të na drejtojë nga vendi ku jemi te vendi ku duhet të jemi. Teksa u lutëm, kërkesat tona ndryshuan nga ‘Të lutem më shëro’ në ‘Të lutem më jep besimin për të pranuar cilido qoftë rezultati që ti ke planifikuar për mua’.

Isha i sigurt se duke qenë se Plaku Bednar ishte një Apostull, ai do t’i bekonte pjesët e trupit tim që të ripërtëriheshin dhe unë do të hidhesha nga krevati dhe do të filloja të kërceja ose do të bëja diçka dramatike si kjo! Por teksa ai më bekoi atë ditë, u mahnita që fjalët që ai tha qenë pothuajse të njëjta me ato të babait tim, vjehrrit tim dhe presidentit tim të misionit. E kuptova se përfundimisht nuk ka rëndësi se të kujt janë duart në kokën time. Fuqia e Perëndisë nuk ndryshon dhe vullneti i Tij na bëhet i njohur në mënyrë individuale dhe nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar.”

Hedhëri shkroi: “Kjo ditë qe plot me emocione të përziera për mua. Isha e bindur se Plaku Bednar do t’i vendoste duart e tij në kokën e Xhonit dhe do ta shëronte atë plotësisht nga kanceri. E dija se nëpërmjet fuqisë së priftërisë, ai mund të shërohej dhe dëshiroja kaq shumë që ajo të ndodhte. Pasi na mësoi rreth besimit për të mos u shëruar, u tmerrova. Deri në atë pikë, nuk më ishte dashur kurrë të përballesha me faktin se plani i Zotit mund të përfshinte që ta humbisja tim shoq. Besimi im varej nga rezultatet që dëshiroja. Në një mënyrë të thëni qe njëpërmasor. Edhe pse tmerruese në fillim, mendimi i të pasurit besim për të mos u shëruar përfundimisht më çliroi nga shqetësimi. Kjo më lejoi të kisha mirëbesim të plotë se Ati Qiellor më njihte më mirë seç e njihja veten, dhe Ai do të bënte atë që ishte më e mira për mua dhe për Xhonin.”

Një bekim u dha dhe pas tij kaluan javë, muaj dhe vite. Kanceri i Xhonit shkoi mrekullisht drejt zhdukjes. Ai mundi t’i përfundonte studimet universitare dhe gjeti një punë fitimprurëse. Xhoni dhe Hedhëri vazhduan ta forconin marrëdhënien e tyre dhe ta gëzonin jetën së bashku.

Pas disa kohësh, mora një letër të radhës nga Xhoni dhe Hedhëri që më vinin në dijeni se kanceri qe kthyer. U përsërit kimioterapia dhe u planifikua ndërhyrja kirurgjikale. Xhoni shpjegoi: “Ky lajm, jo vetëm që erdhi si zhgënjim për Hedhërin dhe për mua, por ne u pështjelluam prej tij. Kishte vallë ndonjë gjë që nuk e kishim mësuar herën e parë? Priste ndonjë gjë më tepër Zoti prej nesh? Ngaqë u rritëm si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, qe e zakonshme që të shkonim në Kishë dhe të dëgjonim shprehjen: ‘Çdo sprovë që na jep Perëndia është për dobinë tonë’. Epo, për të qenë i sinqertë, nuk e kuptoja dot se si mund të më sillte kjo dobi mua!

Ndaj nisa të lutesha për t’u qartësuar dhe që Zoti të më ndihmonte të kuptoja pse po ndodhte kjo përsëritje e kancerit. Një ditë, teksa po lexoja në Dhiatën e Re, e mora përgjigjen time. Lexova tregimin për Krishtin dhe Apostujt e Tij në det kur filloi një stuhi. Nga frika se barka do të përmbysej, dishepujt shkuan te Shpëtimtari dhe e pyetën: ‘Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?’ Kjo ishte pikërisht mënyra si ndihesha! A nuk merakosesh që unë kam kancer? A nuk merakosesh se ne duam të krijojmë familje? Por teksa vazhdova të lexoja te historia, e gjeta përgjigjen time. Zoti pa drejt tyre dhe tha: ‘O njerëz besimpakë’, dhe e zgjati dorën e Tij përpara dhe i qetësoi ujërat.

Në atë çast m’u desh ta pyesja veten: ‘A e besoj vërtet këtë? A e besoj vërtet që Ai i qetësoi ujërat atë ditë? Apo është thjesht një histori e këndshme për t’u lexuar?’ Përgjigjja është: Unë e besoj vërtet dhe për shkak se e di se i qetësoi ujërat në çast e dija se ai mund të më shëronte. Deri në këtë pikë, e kisha të vështirë ta ripajtoja nevojën për besimin tim tek Ai me pashmangshmërinë e vullnetit të Tij. I pashë ato si dy gjëra të ndara dhe ndonjëherë ndieja se e kundërshtonin njëra-tjetrën. ‘Pse duhet të kem besim nëse është vullneti i Tij ai që do të mbizotërojë në fund?’, pyesja unë. Pas kësaj përvoje e dija se të pasurit besim - së paku në rrethanat e mia - nuk qe domosdoshmërisht të dija se Ai do të më shëronte, por se Ai mund të më shëronte. Duhet të besoja se Ai mundej dhe më pas, varej nga Ai nëse kjo ndodhte.

Kur i lejova këto dy ide të bashkëjetonin në jetën time, e përqendrova besimin te Jezu Krishti dhe iu nënshtrova tërësisht vullnetit të Tij, gjeta ngushëllim më të madh dhe paqe. Ka qenë kaq e mahnitshme të shihnim dorën e Zotit në jetën tonë. Gjërat kanë zënë vendin e duhur, mrekulli kanë ndodhur dhe ne përulemi vazhdimisht për të parë si shpaloset plani i Perëndisë për ne.”

E përsëris shprehjen e Xhonit për ta theksuar: “Kur i lejova këto dy ide të bashkëjetonin në jetën time, e përqendrova besimin te Jezu Krishti dhe iu nënshtrova tërësisht vullnetit të Tij, gjeta ngushëllim më të madh dhe paqe”.

Drejtësia dhe besimi me siguri janë mjete për të lëvizur male - nëse lëvizja e maleve përmbush qëllimet e Perëndisë dhe është në pajtim me vullnetin e Tij. Drejtësia dhe besimi me siguri janë mjete për të shëruar të sëmurët, të shurdhët ose sakatët - nëse ky shërim përmbush qëllimet e Perëndisë dhe është në pajtim me vullnetin e Tij. Kështu, madje edhe me besim të fortë, shumë male nuk do të lëvizen. Dhe jo të gjithë të sëmurët e të prekurit do të shërohen. Nëse i gjithë kundërshtimi do të ndërpritej, nëse të gjitha dobësitë do të zhdukeshin, atëherë do të pengoheshin qëllimet fillestare të planit të Atit.

Shumë prej mësimeve që do të na duhet të mësojmë në vdekshmëri, mund të merren vetëm nëpërmjet gjërave që përjetojmë dhe ndonjëherë vuajmë. Dhe Perëndia pret dhe ka mirëbesim se ne do t’i bëjmë ballë mjerimit të përkohshëm në vdekshmëri me ndihmën e Tij, që të mund të mësojmë atë që duhet të mësojmë dhe në fund të bëhemi ajo që duhet të bëhemi në përjetësi.

Kuptimi i Të Gjitha Gjërave

Kjo histori rreth Xhonit dhe Hedhërit është sa e zakonshme aq edhe e jashtëzakonshme. Ky çift i ri përfaqëson miliona shenjtorë të ditëve të mëvonshme anembanë botës që janë besnikë e mbajtës të besëlidhjeve, të cilët po shkojnë përpara përgjatë shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar me vendosmëri në Krisht dhe me një ndriçim të përkryer të shpresës. Xhoni dhe Hedhëri nuk po shërbenin në pozicione të larta e të dukshme udhëheqëse në Kishë, ata nuk kishin lidhje me Autoritetet e Përgjithshme dhe ndonjëherë ata kishin dyshime dhe frikë. Në shumë aspekte, historia e tyre është krejt e zakonshme.

Por vëllezër e motra, ky i ri dhe kjo e re u bekuan në mënyra të jashtëzakonshme për të marrë mësime thelbësore për përjetësinë nëpërmjet vuajtjes dhe mundimit. Jua kam treguar këtë ndodhi sepse Xhoni dhe Hedhëri, që janë njësoj si shumë prej jush, arritën të kuptonin se të mos mpakesh është më e rëndësishme se të mbijetosh. Kështu, përvoja e tyre nuk qe kryesisht rreth jetës dhe vdekjes; përkundrazi, ishte rreth të nxënit, të jetuarit dhe të bërit.

Kombinimi i fuqishëm shpirtëror i besimit te dhe në Emrin e Shenjtë të Jezu Krishtit, i nënshtrimit të butë ndaj vullnetit dhe kohës së caktuar prej Tij, i të ecurit përpara “me zell të vazhdueshëm” (Helamani 15:6), dhe i njohjes së dorës së Tij në të gjitha gjërat, prodhon gjërat paqësore të mbretërisë së Perëndisë që sjellin gëzim dhe jetë të përjetshme (shih DeB 42:61). Ndërkohë që ky çift përjetoi sfida në dukje tronditëse, ata jetuan një “jetë … të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder” (1 Timoteut 2:2). Ata ecën në mënyrë paqësore (shih Moroni 7:4) me dhe midis fëmijëve të njerëzve. “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7).

Për shumë prej jush, historia e tyre, ka qenë ose mund të jetë historia juaj. Ju po përballeni, jeni përballur ose do të përballeni më vonë me sfida të barasvlershme në jetën tuaj me të njëjtin guxim dhe këndvështrim shpirtëror siç bënë Xhoni dhe Hedhëri. Nuk e di pse disa njerëz i marrin mësimet e përjetësisë nëpërmjet sprovës dhe vuajtjes - ndërkohë që të tjerët i marrin mësimet e ngjashme nëpërmjet shpëtimit dhe shërimit. Nuk i di të gjitha arsyet, të gjitha qëllimet dhe nuk di gjithçka rreth kohës së caktuar prej Zotit. Me Nefin, ju dhe unë mund të themi se ne “nuk e di[më] kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17).

Por disa gjëra i di vërtet me siguri. E di se jemi bijtë dhe bijat shpirtërorë të një Ati të dashur Qiellor. E di se Ati i Përjetshëm është autori i planit të lumturisë. E di se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E di se Jezusi e bëri të mundur planin e Atit përmes Shlyerjes së Tij të pafundme e të përjetshme. E di se Zoti që qe “i lënduar, i copëtuar [dhe] i plagosur për ne” (“Jesus of Nazareth, Savior and King” [“Jezusi i Nazaretit, Shpëtimtar e Mbret”], Hymns, nr.181), mund t’i vijë në ndihmë dhe ta forcojë “popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12). Dhe di se një nga bekimet më të mëdha të vdekshmërisë është të mos mpakemi e ta lejojmë vullnetin tonë që të “shkri[het] në vullnetin e Atit” (Mosia 15:7).

Megjithëse nuk di gjithçka rreth mënyrës, kohës, vendit dhe arsyes përse ndodhin këto bekime, e di vërtet se ato janë të vërteta. Unë dëshmoj se të gjitha këto gjëra janë të vërteta - dhe që ne dimë mjaftueshëm përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë që të japim dëshmi të sigurt të hyjnueshmërisë, vërtetësisë dhe efektshmërisë së tyre. Vëllezër dhe motra të mia të dashura, unë kërkoj për ju këtë bekim: madje që teksa shkoni përpara në jetën tuaj me besim të patundur në Krisht, ju do të keni fuqinë për të mos u mpakur. E jap këtë dëshmi dhe e kërkoj këtë bekim në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.

© 2013 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 8/12. Miratuar për përkthim: 8/12. Përkthim i That We Might “Not … Shrink. Language. PD50045417 101