Rrini të Qetë dhe Dijeni se Unë Jam Perëndi
Takimi Shpirtëror i SAK-ut për Të Rinjtë në Moshë Madhore •4 maj 2014 • San-Diego, Kaliforni
Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, të dashura, jam i lumtur t’ju flas nga San-Diego në Kaliforni. Është kënaqësi të jesh në këtë takim shpirtëror të SAK-ut sonte. Ne mirëpresim të gjithë ju të rinjtë në moshë madhore këtë mbrëmje, duke përfshirë ju studentë të rëndësishëm të viteve të fundit të shkollave të mesme. Jemi të lumtur që ju jeni me ne. Ne gjithashtu mirëpresim misionarët e kthyer nga misionet. Kisha dhe Zoti janë mirënjohës për gjithë shërbimin tuaj!
Më së fundi, ne ju mirëpresim juve që jeni misionarë të ardhshëm. Zoti ka nevojë për të reja dhe të rinj të drejtë që ta ndihmojnë Atë për të mbledhur Izraelin dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Tij të Dytë.
Dua që të dini se Zoti ju do dhe ju mirëbeson. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë besim te ju dhe luten për ju shpesh. Ju jeni e ardhmja e Kishës dhe Zoti ka shumë bekime të mrekullueshme për ju, ndërkohë që e jetoni jetën tuaj.
Më lejoni ta përsëris dhe ta theksoj atë pikë – ju do ta udhëhiqni Kishën pas 20 deri 30 vitesh prej sot. Disa prej jush do të shërbejnë si peshkopë; presidentë kunjesh; presidentë misionesh; presidente të Filloreve, të Të Rejave e të Shoqatave të Ndihmës dhe presidentë e kryekujdestare të tempujve. Po, aq larg sa mund të arrijë zëri im sonte, janë ata që ka më shumë mundësi të bëhen udhëheqës në komunitete dhe kombe të botës. Janë ata që do të jenë anëtare të presidencave të përgjithshme të grave ose madje një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm apo ndoshta një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Sot ju nuk e dini se çfarë e ardhme mbresëlënëse është përpara jush!
Udhëheqësit e Kishës
Kam dëgjuar që disa njerëz mendojnë se udhëheqësit e Kishës jetojnë brenda një “fluske”. Ajo që ata harrojnë, është se ne jemi burra dhe gra me përvojë dhe e kemi jetuar jetën tonë në kaq shumë vende dhe kemi punuar me shumë njerëz nga origjina të ndryshme. Detyrat tona të caktuara, të tanishme na çojnë, në kuptimin e plotë të fjalës, përreth globit, ku takohemi me udhëheqës politikë, fetarë, biznesi dhe humanitarë të botës. Edhe pse kemi vizituar Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.K. dhe udhëheqësit e kombeve anembanë botës, ne kemi vizituar edhe shtëpitë më të përulura të tokës, ku jemi takuar me të varfrit dhe u kemi dhënë shërbesë.
Kur e merrni parasysh plot mendim jetën dhe shërbesën tonë, ju ka shumë mundësi të bini dakord se ne e shohim dhe e përjetojmë botën në mënyra siç pak njerëz të tjerë e shohin dhe e përjetojnë. Ju do ta kuptoni se jetojmë brenda një “fluske” më pak sesa shumica e njerëzve.
Njerëz të tjerë thonë se jemi shumë të moshuar. Epo, është e vërtetë se nëntë prej Apostujve janë mbi moshën 80-vjeçare! Unë jam 85.
Megjithatë, ka diçka rreth urtësisë vetjake dhe të bashkuar të Vëllezërve, e cila duhet t’ju sigurojë njëfarë ngushëllimi. Ne kemi përjetuar gjithçka, përfshirë pasojat e ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme publike, zhgënjimet, tragjeditë e vdekjet në vetë familjet tona. Ne nuk jemi të palidhur me jetën tuaj.
Më lejoni t’ju vë në dukje se asnjë prej Të Dymbëdhjetëve nuk janë lule vjollca të ndrydhura. Ne secili kemi personalitete të fuqishme. Prandaj, kur jemi të njëzëshëm në një vendim, ju mund të mbeteni të siguruar se jemi këshilluar së bashku dhe kemi arritur në atë vendim pas shumë lutjesh dhe diskutimi të vëmendshëm.
Nipërit dhe mbesat e mia madje mendojnë se jam “tepër i shkëlqyer” – për të përdorur shprehjen e tyre. Kam dëgjuar se disa të rritur në moshë madhore thonë se unë jam “modern”. Shpresoj se është e mirë të jesh “modern”!
Ne jemi të rinj në zemër dhe Zoti na bekon ta çojmë përpara punën e Tij në mënyra të mrekullueshme. Sot unë do të diskutoj me ju tri çështje të rëndësishme: një, përdorimi i teknologjisë; dy, luftimi i pornografisë; dhe tre, doktrina e martesës – tri çështje shumë të rëndësishme që ne i hasim sot.
1. Përdorimi i Teknologjisë
E para është përdorimi i teknologjisë. Në vitet 2007 dhe 2008, u fola studentëve që po diplomoheshin në UBJ–Havai dhe UBJ–Ajdaho. Në ato raste unë thashë: “Ne nuk mund të qëndrojmë mënjanë ndërsa të tjerët, përfshirë kritikët tanë, përpiqen të përkufizojnë atë që jep mësim Kisha”1. Në atë kohë i nxita të diplomuarit t’i përdornin përparimet në teknologji që të bëheshin më të përfshirë në bashkëbisedimin mbarëbotëror rreth Kishës. Mendova se isha tashmë i përditësuar kur sugjerova që t’i ndajnë idetë e tyre në blogje. Që atëherë, unë jam prezantuar me Facebook, Twitter, Pinterest, YouTube, Google+, Instagram dhe më pas sekretari im më tregoi, pikërisht kur po largohesha, diçka rreth Snapchat. Uau! Duket se bota e teknologjisë nuk mund të qëndrojë e qetë as dhe për pak minuta.
Celulari im është i mahnitshëm! Telefonët inteligjentë janë vërtet të mençur! Ata na sigurojnë kaq shumë mundësi të mrekullueshme, duke përfshirë përdorimin e informacionit, marrjen e udhëzimeve të hartave, shpërndarjen e fotografive e të mesazheve dhe madje nganjëherë të folurin me të vërtetë me dikë.
Bota moderne në të cilën jetojmë tani, po ndryshon përherë, gjë e cila në njëfarë mënyre është e mirë dhe në njëfarë mënyre mund të mos jetë aq e mirë.
Ndryshimet midis të Shkuarës dhe së Tashmes
Që nga koha e Adamit dhe Evës deri në kohën e Jozefit dhe Ema Smith-it, bota ndryshoi paksa ngadalë nga një brez në tjetrin.
Njerëzit që jetuan në të shkuarën, gëzuan një bollëk të dritës së natyrshme qiellore dhe të errësirës së rehatshme, pa drita rrugësh, pa drita makinash, pa dritat artificiale që gjenden në të gjitha qytetet tona në mbarë botën. Në qytetet e sotme është pothuajse e pamundur ta shohësh qiellin e natës siç bënë Abrahami, Moisiu, Ruthi, Elisabeta, Jezusi dhe shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme.
Ata gjithashtu gëzuan një heshtje të natyrshme, me pak tinguj të bërë nga njeriu që i ndërprisnin ditët e tyre dhe veçanërisht netët e tyre. Zhurma moderne e makinave, aeroplanëve dhe e diçkaje që disa nga ju mund t’i referoheni si muzikë, e ka mbytur tërësisht botën e natyrshme. (Ju duhet ta kuptoni, sipas brezit tim, ajo që ju e mendoni se është muzikë dhe ajo që unë e mendoj se është muzikë – jemi kaq shumë larg.) Ju nuk mund të shkoni më në një restorant ku nuk luhet muzikë në sfond. Edhe në pyjet e pashkelura të botës, heshtja thyhet shpesh nga fluturimi i një avioni lart në qiell.
Më së fundi, njerëzit e kohëve të mëparshme përjetuan vetmi në mënyra që nuk mund të përfytyrohen në botën tonë të mbushur me njerëz dhe zhurmë. Edhe kur jemi të vetëm sot, ne mund të lidhemi me mjetet tona të dorës, laptopët dhe televizorët që na mbajnë të argëtuar dhe të përfshirë.
Në rolin tim si Apostull, tani ju bëj një pyetje: A keni ndonjë kohë të qetë vetjake? Vras mendjen nëse ata që jetuan në të shkuarën, patën më shumë mundësi sesa kemi ne sot për të parë, ndier dhe përjetuar praninë e Shpirtit në jetën e tyre.
Në mënyrë të dukshme, ndërsa bota jonë bëhet më e ndritshme, më e zhurmshme dhe më e ngarkuar, ne kemi një sfidë më të madhe për ta ndier Shpirtin në jetën tonë. Nëse jeta juaj nuk ka një kohë të qetë, a do të filloni ta kërkoni disi sonte?
Këshillë Profetike
Është e rëndësishme të qëndroni të qetë dhe të dëgjoni e ta ndiqni Shpirtin. Ne thjesht kemi tepër shumë shpërqendrime që na e tërheqin vëmendjen, sikurse asnjë kohë tjetër në historinë e botës.
Çdo njeri ka nevojë për kohë që të meditojë e mendojë thellë. Edhe Shpëtimtari i botës, gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, gjeti kohë për ta bërë këtë: “Mbasi i nisi [turmat], u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.”2
Ne të gjithë kemi nevojë për kohë që t’i bëjmë pyetje vetes ose që të kemi një intervistë vetjake të rregullt me vetveten. Ne shpesh jemi shumë të zënë dhe bota është shumë e zhurmshme sa është e vështirë të dëgjojmë fjalët qiellore që të “rri[më] të qetë dhe di[më] se unë jam Perëndi”3.
Mjetet e mbajtura në duar, të tilla si telefonët inteligjentë, janë një bekim, por edhe mund të na e largojnë vëmendjen nga të dëgjuarit e “zërit të qetë, të ulët”. Ato nevojitet të jenë shërbyesit tanë, jo zotëruesit tanë. Për shembull, nëse sonte më vonë ju ndani mendime të frymëzuara nga ky takim shpirtëror në mediat shoqërore, telefoni juaj inteligjent është një shërbyes. Nëse në mënyrë rastësore lundroni nëpër internet, telefoni juaj inteligjent është një zotërues.
Kujtoni atë që mësoi Elia: “Zoti nuk ishte në erë; … Zoti nuk ishte në tërmet. … Zoti nuk ishte në zjarr”, por Zoti foli me “zë[rin e qetë, të ulët]”4.
Përdorimi Ynë i Teknologjisë
Një pyetje tjetër: Ndershmërisht, sa kohë harxhoni çdo ditë në telefonin tuaj celular apo tabletën tuaj, pa përfshirë punën për shkollën ose për Kishën?
Përdorimi i tyre është i duhur dhe ato janë një bekim. Megjithatë, kur telefonët inteligjentë fillojnë të ndërhyjnë në marrëdhëniet tona me miqtë e familjen – dhe madje më e rëndësishme, në marrëdhënien tonë me Perëndinë – ne kemi nevojë të bëjmë një ndryshim. Për disa prej jush, përshtatja do të jetë e paktë; për të tjerë, ajo mund të jetë domethënëse.
Unë gjithashtu shqetësohem që dërgimi jashtë mase i mesazheve nëpërmjet celularëve, Facebook-ut, Twitter-it dhe Instagram-it po zëvendësojnë të folurin – të folurin drejtpërsëdrejti me njëri-tjetrin dhe të folurin nëpërmjet lutjes me Atin tonë Qiellor dhe të menduarit rreth gjërave që kanë më shumë rëndësi në jetë.
Shumë shpesh, të rinjtë e gjejnë vetveten në të njëjtën dhomë me anëtarë të familjes ose miq, por janë shumë të zënë duke komunikuar me dikë që nuk është i pranishëm, si rrjedhim duke e humbur një mundësi për të biseduar me ata që ndodhen pranë. Kur ndodh kjo, ndoshta ju nevojitet të largoheni nga dhoma dhe t’u dërgoni atyre një mesazh celulari që t’u tërhiqni vëmendjen!
Ajo që kam mësuar më shumë në jetën time, erdhi nga të dëgjuarit e njerëzve me përvojë të madhe, të atyre që kishin jetuar më gjatë dhe kishin mësuar shumë gjëra të rëndësishme që më nevojitej t’i dija. Ju lutem ta shfrytëzoni mundësinë për t’i vizituar dhe për të folur me prindërit tuaj, tezet e hallat dhe xhaxhallarët e dajat, dhe me gjyshërit e gjyshet tuaja, për aq kohë sa janë ende gjallë.
Gjithashtu shqetësohem se disa prej jush kontrollojnë postën tuaj elektronike, Facebook-un, Twitter-in apo Instagram-in ose dërgoni mesazhe celulari gjatë mbledhjes më të rëndësishme në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – mbledhjes sonë të shenjtë të sakramentit. Në këtë mbledhje të rëndësishme, ne duhet të përqendrohemi te Zoti nëpërmjet lutjes, të kënduarit të himneve dhe marrjes së simboleve të trupit dhe gjakut të Tij, në vend që të ngjitemi pas mjeteve tona të mediave të shumta. Ju nuk mund të lidheni me Shpirtin gjatë paraqitjes së sakramentit, ndërkohë që shihni apo dërgoni një mesazh në telefonin tuaj inteligjent apo në tabletën tuaj. Kjo lidhje kërkon Dritën e Krishtit, duke u vendosur nga mendja juaj brenda në zemrën tuaj me dashuri dhe përkushtim të zjarrtë.
E di se shumë prej jush i keni shkrimet tuaja të shenjta dhe burime të tjera të Kishës në telefonët dhe tabletat tuaja. Dhe madje kam dëgjuar se disa prindër dhe udhëheqës të Kishës shqetësohen rreth këtij zhvillimi më të ri, por unë nuk shqetësohem.
Kisha gjithmonë i ka pranuar përparimet në teknologji për të ndihmuar në çuarjen përpara të punës së Zotit. Ne filluam t’i dërgonim misionarët tanë me anije lundruese me vela në vitet 1830, por i pranuam përparimet e ofruara nga anijet me avull në vitet 1860. Dhe më pas i pranuam linjat ajrore si mjetet më të mira për t’i çuar misionarët tanë në detyrat e tyre të caktuara në mbarë botën në vitet 1960.
Historia vërtet e përsërit vetveten në mënyrat më interesante. Në të shkuarën, Izraeli i ruajti fjalët e profetëve në fletë me rrotulla. Në njëfarë kohe, të krishterët e hershëm filluan të përdorin kodeksin, variantin e hershëm të librit modern.
Ja ku jemi, 2.000 vjet më vonë, dhe ju të rinj po i lexoni shkrimet tuaja të shenjta në telefonë inteligjentë apo tableta – duke i lexuar ato sikurse bëri Jezusi kur Atij iu dha një fletë me rrotulla e Isaias për të lexuar prej saj në Nazaret. Edhe ju mund ta hapni “librin”5 – por ju lutem, mos i hapni gjatë paraqitjes së sakramentit. Sigurisht, gjatë atyre pak minutave ju mund të përqendroheni te Shlyerja e Shpëtimtarit, teksa kërkoni Shpirtin e Zotit që t’ju bekojë për javën që vjen. Dhe merrni parasysh ta vendosni telefonin inteligjent apo tabletën tuaj në mënyrë të padisponueshme, sikurse në avionë, për të tri orët e mbledhjeve të së dielës. Ju ende do t’i keni shkrimet tuaja të shenjta, bisedat e konferencave të përgjithshme, librin e himneve dhe manualet, por ju nuk do të shpërqendroheni nga mesazhe celulari që ju vijnë apo nga dërgimi i mesazheve automatike.
Strehimi nga Stuhia
Përveç gjetjes së kohës për të menduar e medituar, ne kemi nevojë edhe të gjejmë një vend, siç përmendet në Doktrina e Besëlidhje, që do të jetë “një mbrojtje dhe … një strehim nga stuhia”6.
Ne kemi nevojë për një vend të veçantë strehimi ku mund të mos na largohet vëmendja prej mjeteve tona elektronike duke i mbyllur ato, që të mund të lidhemi me Shpirtin e Perëndisë.
Një nga vendet më të mira për t’u lidhur me Shpirtin është në tempull – në shtëpinë e Zotit. Sigurisht, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndërtesat e tjera të përkushtuara të Kishës, duke përfshirë klasat ku bëhen seminari e instituti. Ne mund të gjejmë strehim në shtëpitë ose apartamentet tona, kur zgjedhim që thjesht t’i mbyllim gjërat dhe të qëndrojmë të qetë e të dimë për gjërat e Perëndisë.
Që të na ndihmojë të zbulojmë botën ku Adami e Eva, Abrahami e Sara dhe Jozefi e Maria gjetën Perëndinë dhe që të na ndihmojë të gjejmë një vend për ta ndier e dëgjuar zërin e Zotit sot, unë ju ftoj të shkoni në tempull. Shkoni sa më shpesh që mundeni dhe i mbyllni telefonët tuaj inteligjentë e i vini mënjanë përpara se të hyni në territorin e tempullit.
Në të gjitha ordinancat në shtëpinë e Zotit, ju do të dëgjoni gjuhë, fjalë dhe premtime të bukura, të dhëna nga Zoti për fëmijët e Tij. Ai është i vetmi vend ku mund t’i dëgjoni ato fjalë të bukura, frymëzuese.
Nëse nuk cilësoheni për një rekomandim tempulli pikërisht tani, vizitoni territorin e tempullit. Më lejoni të them një pikë shumë të rëndësishme, në qoftë se nuk e keni dëgjuar kurrë më parë: Asgjë nuk ju pengon juve apo dikë tjetër që të mos e vizitoni territorin e tempullit. Zoti dëshiron që të përgatiteni për të qenë të denjë për një rekomandim tempulli dhe për të ardhur në tempull sa më shpejt që të mundeni. Ecja në territorin e tempullit do të mbjellë në zemrën tuaj dëshirë për të marrë një rekomandim dhe për ta frekuentuar tempullin rregullisht.
Satani, nga ana tjetër, nuk dëshiron që ju të shkoni në tempull apo madje as të qëndroni në hijen e një tempulli. Ai dëshiron që ju ta shmangni edhe afrimin tek tempulli, sepse tempulli është shtëpia e Zotit.
E siguroj secilin prej jush se, kur shkoni në tempull ose vizitoni territorin e tempullit, ju do të ecni në tokë të shenjtë e të shenjtëruar, ashtu siç bënë patriarkët e hershëm dhe bashkëshortet e tyre shumë kohë më parë. Ata u përqendruan në udhëtimin e tyre të përjetshëm dhe në gjërat më të rëndësishme të jetës. Sikurse ata, edhe ju mund të përqendoheni në ndierjen e fuqisë dhe të pranisë së qiellit.
Nëse zgjidhni, ju mund ta dëgjoni zërin e qetë, të ulët të Shpirtit në tempull ose në territorin e tij të shenjtë, në mënyra që kurrë nuk do ta dëgjoni nëpër dyqane, në restorante apo në vende publike. Në fakt, ju do të mësoni se tempulli është një vend i mrekullueshëm për të marrë përgjigje për lutjet tuaja.
Kohët e fundit, Presidenti Tomas S. Monson përkushtoi Tempullin e Gilbertit në Arizonë. Gjatë lutjes përkushtuese ai i kërkoi Zotit: “Banoftë këtu Shpirti Yt i Shenjtë dhe u ndjeftë ndikimi i tij mbi të gjithë ata që vijnë brenda këtyre mureve”. Ai gjithashtu u lut: “Qoftë kjo, shtëpia Jote, një shenjtërore e qetësisë, një strehim ndaj stuhive të jetës dhe zhurmës së botës. Qoftë ajo një shtëpi e zhytjes së qetë në mendime lidhur me natyrën e përjetshme të jetës dhe për planin Tënd hyjnor për ne.”7
Të gjithë tempujt e përkushtuar Zotit janë “një shenjtërore e qetësisë, një strehim ndaj stuhive të jetës dhe zhurmës së botës … [dhe] një shtëpi e zhytjes së qetë në mendime”.
Kundërshtimi
Bota në të cilën tani jetojmë, po lëviz me shumë shpejtësi larg prej mësimeve të Krishtit në ligjet e saj dhe në zakonet e saj. Si rrjedhim, Satani po punon pa pushim për t’i ngatërruar bijtë dhe bijat e Perëndisë dhe për t’i larguar vetë të zgjedhurit nga përmbushja e detyrës së tyre dhe nga marrja e plotësisë së bekimeve të Zotit.
Satani dëshiron që ju ta ndaloni zbatimin e zakoneve të mira që mësuat në shtëpi, në seminar e institut dhe në misionin tuaj – të tilla si të paturit e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta, të luturit përditë, të marrët me denjësi të sakramentit çdo javë dhe të dhënies së shërbimit të sinqertë, të përzemërt. Ai gjithashtu dëshiron që ju të qëndroni mënjanë në betejat e rëndësishme dhe thelbësore të së sotmes.
Mbani mend, të rinjtë e mi të dashur, ne jemi në luftë – por jo në një luftë me pushkë e plumba. Megjithatë, lufta është e vërtetë, me viktima të panumërta njerëzore. Lufta është në fakt një vazhdimësi e asaj që filloi në botën para vdekshmërisë.
Pali na ftoi të “vishni[m] gjithë armatimin e Perëndisë”. Ai tha: “Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut e mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore”8.
Në rolin tim të një Apostulli të Zotit Jezu Krisht, unë ju ftoj ju të gjithëve që e dëgjoni zërin tim, në botën e gjerë në të cilën jetojmë tani, të “vishni gjithë armatimin e Perëndisë” dhe të bashkoheni me betejën sot, sikurse bijtë e Helamanit bënë kaq shumë vite më parë. Mos prisni derisa të martoheni ose të filloni karrierën e jetës suaj apo kur të bëheni më të mëdhenj në moshë. Kishës i nevojiten anëtarët tanë të rinj tani. Zoti ka nevojë për ju tani!
Juve do t’ju kujtohet se 2.000 luftëtarët e rinj “hynë në besëlidhje që të luftonin për lirinë e Nefitëve”9. Kisha ka nevojë për luftëtarë të rinj të kohës sonë, të cilët kanë bërë besëlidhje “të qëndro[jnë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”10.
Libri i Mormonit i përshkruan këta luftëtarë të rinj si më poshtë:
“Që të gjithë ishin … të rinj dhe ishin jashtëzakonisht trima, për sa i përket guximit dhe gjithashtu fuqisë dhe energjisë; por vini re, kjo nuk ishte e gjitha – ata qenë … të besuar në çdo kohë, në çdo gjë që u besohej.
Po, ata ishin njerëz që i përmbaheshin së vërtetës dhe njerëz seriozë të cilëve u ishte mësuar t'u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë dhe të ecnin drejtësisht para tij.”11
Ju të rinj e të reja jeni bijat dhe bijtë e Helamanit për kohën tonë. U thëntë për ju ashtu siç u tha për ta: “U bënë tani, në këtë periudhë kohe … një ndihmë e madhe”12.
2. Luftimi i Pornografisë
Gjëja e dytë për të cilën dua t’ju flas, është se neve na duheni që ju të bashkoheni me ne në luftën kundër pornografisë. Ajo është një plagë e tmerrshme që po përhapet anembanë botës. Ju kërkoj sonte të më dëgjoni teksa shpjegoj një shembull të urtësisë së Zotit.
Më shumë se 180 vjet më parë, Zoti zbuloi ligjin e Tij për shëndetin, përfshirë një paralajmërim rreth përdorimit të duhanit.13 Miliona njerëz e dëgjuan Zotin, por shumë më tepër nuk e dëgjuan. Askush nuk i dinte në atë kohë, apo madje kur unë isha në moshën tuaj, ndikimet afatgjata të pirjes së duhanit. Sot, pas dekadash të kërkimit shkencor, ne tani e dimë ndikimin e pirjes së duhanit në kancerin e mushkërive dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse. Fjala e Urtësisë e Zotit ishte një bekim mbrojtës.
Në mënyra të ngjashme, Zoti në kohën tonë na ka paralajmëruar rreth ndikimeve të pornografisë. Miliona njerëz në mënyrë besnike e ndjekin këshillën e Zotit, ndërkohë që njerëz të tjerë të panumërt nuk e kanë ndjekur. Nuk duhet të presim, miqtë e mi të dashur, për 180 vjet apo madje për 10 vjet që të zbulojmë ndikimet rrënuese të pornografisë, sepse kërkimi i tanishëm shkencor ka zbuluar se pornografia i gjymton të rinjtë në moshë madhore në shumë mënyra dhe i helmon mundësitë e tyre që një ditë të kenë një marrëdhënie martesore të dashur dhe jetëgjatë.
Kërkimi shkencor ka treguar gjithashtu se përdorimi i shpeshtë i pornografisë mund të çojë në sjellje të ngulitura në mendje dhe mund ta riformojë trurin për ta mbyllur një njeri në burgun e varësisë.
Kërkimi ka vërtetuar edhe se pornografia ushqen pritshmëri jorealiste dhe siguron edukim të gabuar, të rrezikshëm rreth intimitetit të shëndoshë njerëzor.
Në mënyrë më tinëzare, pornografia ju kushtëzon t’i shihni njerëzit si objekte që mund t’i shpërfillni dhe të mos i respektoni si emocionalisht ashtu dhe fizikisht.
Një aspekt tjetër i pornografisë është se ajo është në përgjithësi një veprimtari “e fshehtë”. Përdoruesit shpesh e fshehin përdorimin e tyre ose të paktën e zvogëlojnë përdorimin e tyre nga kushdo, përfshirë partnerët e tyre romantikë dhe bashkëshortët/et e tyre. Studimet kanë gjetur se, kur njerëzit përfshihen në këtë lloj të fshehjes në vetvete – kur ata bëjnë gjëra për të cilat nuk janë krenarë dhe i mbajnë ato gjëra të fshehta nga pjesëtarët e familjes dhe miqtë e tyre – ajo jo vetëm që i dëmton marrëdhëniet e tyre dhe i lë ata të ndihen të vetmuar, por edhe i bën më të cenueshëm ndaj depresionit, ankthit dhe vetëvlerësimit të dobët. Mbajtja e të fshehtave dëmton mirëbesimin.
Fillimisht, ne duhet ta shmangim pornografinë për veten tonë, sepse ajo është vdekjeprurëse. Ajo i vret marrëdhëniet e sinqerta, të dhembshura njerëzore – duke shkatërruar martesa dhe familje. Ajo shkatërron shpirtin e njeriut që e përdor atë, me po aq siguri sa helmi më vdekjeprurës e vret trupin dhe mendjen.
Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, të dashura, mos u mashtroni. Mos mendoni se, kur të shkoni në misionin tuaj apo kur të martoheni, ju mund ta ndaloni këtë sjellje varësuese. Nëse jeni të përfshirë në të tani, nëse jeni të mbërthyer në kurthin e kësaj praktike, merrni ndihmë shpirtërore tani. Ju mund ta mposhtni pornografinë me ndihmën e Shpëtimtarit. Mos prisni! Unë ju përgjërohem të largoheni prej saj! Ka shumë burime në LDS.org që do ta mposhtin errësirën e imazheve të pornografisë.
Këto janë ditë sfiduese – por jo më shumë sfiduese se ditët e Helamanit dhe të luftëtarëve të tij të rinj, kur ata u ngritën për të mbrojtur familjet e tyre dhe Kishën. Kjo është koha juaj për të dalë në krye dhe për t’u bashkuar me të rinj e të reja të tjerë, të drejtë dhe të përkushtuar, që të luftoni betejën kundër pornografisë.
3. Doktrina e Martesës
Tani dua t’ju flas rreth çështjes së tretë. Dhe dëshiroj që ju të kuptoni, me aq vëmendje sa mundem, pozitën e Kishës lidhur me martesën, sikurse na e ka dhënë Ati ynë Qiellor nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe në “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ai dokument i frymëzuar shpall: “Familja shugurohet nga Perëndia. Martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm. Fëmijët kanë të drejtën të lindin nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës.”14
Apostujve u caktohet përgjegjësia që të jenë roje në kullat, për të parë dhe për të dhënë mësim doktrinat e Krishtit. Ju të gjithë e dini se përkufizimi tradicional i martesës po sulmohet sot. Gjenden ata që po i japin formë diskutimit duke u përqendruar në terma të të drejtave civile. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e shpjeguan pozitën e Kishës dhe doktrinën lidhur me qëllimin dhe planin e Perëndisë për fëmijët e Tij shpirtërorë për të përjetuar jetë në vdekshmëri, e cila është thelbësore për jetën tonë të amëshuar dhe të përjetshme.
Do të hamendësoja se shumë prej jush mund të mos e kenë lexuar deklaratën e shpallur në fillim të këtij viti. Unë citoj nga kjo deklaratë dhe ju kërkoj ta dëgjoni me kujdes:
“Ndryshimet në ligjin civil nuk e ndryshojnë, në të vërtetë nuk mund ta ndryshojnë, ligjin moral që Perëndia ka themeluar. Perëndia pret nga ne që t’i mbajmë të pandryshuara dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, pavarësisht nga mendimet ose prirjet e ndryshme në shoqëri. Ligji i Tij për dëlirësinë është i qartë: marrëdhëniet seksuale janë të përshtatshme vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë zyrtarisht dhe ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte. Ne ju nxisim ta rishikoni dhe t’ua mësoni anëtarëve të Kishës doktrinën që përmbahet tek ‘Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës’.”
Deklarata vazhdon:
“Ashtu sikurse ata që përkrahin martesën midis së njëjtës gjini, kanë të drejtë të trajtohen me mirësjellje, e njëjta gjë është e vërtetë edhe për ata që e kundërshtojnë atë. …
Si anëtarë të Kishës, ne jemi përgjegjës për ta dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit dhe për t’i sqaruar bekimet e madhërishme që rrjedhin nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë, si dhe pasojat e pashmangshme të shpërfilljes së tyre. Ne ju ftojmë të luteni që njerëzit anembanë t’i kenë zemrat e tyre të zbutura ndaj të vërtetave të ungjillit dhe që urtësia t’u jepet atyre që thirren për të vendosur për çështje vendimtare për të ardhmen e shoqërisë.”15
Unë e di se ju e doni dhe e përkrahni Zotin dhe i mbështesni profetët e Tij, por gjithashtu e di se disa prej jush mund të jenë të pështjelluar mbi pasojat e shumta të vendimit të Kishës për ta mbështetur planin e zbuluar nga Perëndia për fëmijët e Tij.
Gjithashtu e di se disa nga të rinjtë tanë kanë vështirësi të kuptojnë se si ta shpjegoni doktrinën që rrethon familjen e martesën, dhe përsëri të mbeteni të mirësjellshëm, dashamirës dhe të dashur ndaj atyre që nuk pajtohen me të. Ju mund të keni frikë se do t’ju vihet etiketa si fanatik dhe se nuk jeni tolerant.
Ju mund të njihni dikë që ndeshet me tërheqjen fizike ndaj së njëjtës gjini ose ka marrë vendim të jetojë në një marrëdhënie të së njëjtës gjini. Dashuria juaj për atë njeri si bir apo bijë e Perëndisë mund të krijojë një ndeshje të brendshme, ndërkohë që përpiqeni ta doni e ta përkrahni atë dhe ende ta mbroni planin e përjetshëm të Zotit për lumturinë.
Le të jemi të qartë sonte – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme beson se “përvoja e tërheqjes fizike ndaj së njëjtës gjini është një realitet i ndërlikuar për shumë njerëz. Tërheqja vetë nuk është mëkat, por të vepruarit sipas saj është. Edhe pse individët nuk zgjedhin që t’i kenë tërheqje të tilla, ata vërtet zgjedhin se si t’u përgjigjen atyre. Me dashuri dhe mirëkuptim, Kisha u drejtohet të gjithë fëmijëve të Perëndisë, duke përfshirë [ata që kanë tërheqje ndaj së njëjtës gjini].”16
Kisha nuk mëson apo mbron shmangien ose veprime të tjera që nuk janë të krishtera. Ne duhet t’i duam dhe duhet të përpiqemi t’i ndihmojmë të tjerët të kuptojnë se askush nuk duhet t’i shpërfillë apo zhvlerësojë urdhërimet e Perëndisë.
Një Dëshmi dhe një Paralajmërim
Së fundi, te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve shpalli: “Ne paralajmërojmë se individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten, bashkëshortin ose fëmijët, apo që nuk përmbushin përgjegjësitë familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë. Për më tepër, ne paralajmërojmë se shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë.”17
Unë jam një njeri që mori pjesë në atë paralajmërim. Si njëri prej rojeve në kullë, unë jam përgjegjës t’i “bie borisë dhe lajmëro[j] popullin”18. Këtë mbrëmje kam qenë i guximshëm dhe e ngrita zërin e paralajmërimit. E bëj këtë ngaqë ju dua dhe dëshiroj që ju të kuptoni se ne duhet të qëndrojmë përballë Zotit dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Ajo është detyra ime.
Lajmi i Mirë
Paralajmërimi i Zotit gjithashtu vjen me një ftesë për të ardhur tek Ai. Ati ynë në Qiell i dinte pasojat e të jetuarit në një botë të rënë dhe, si rrjedhim, siguroi një Shpëtimtar, një “Qengj, që ishte vrarë që nga krijimi i botës” për fëmijët e Tij.19 Në ungjillin sipas Gjonit, ne mësojmë: “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”20.
Ju lutem mbani mend që ungjilli është “lajmi i mirë”. Është një mesazh shprese. Nëse tani jeni në vështirësi shpirtërore, merrni ndihmë. Zoti është i mëshirshëm dhe falës.
Apostulli Pal na mësoi:
“Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? …
Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme,
as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.”21
Për shkak të Jezu Krishtit, paqja mund ta zëvendësojë fajin. Marrëdhënie të shëndosha mund të rivendosen. Varësitë mund të mposhten.
Ne kemi nevojë t’i lejojmë familjet tona dhe miqtë tanë ta njohin këtë të vërtetë – Perëndia është dashuri “dhe ai i fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai”22.
Ne kemi nevojë për ju që të përfshiheni në punën e shpëtimit përpara dhe gjatë, dhe pas misionit tuaj.
Përdorimi i Teknologjisë për ta Bekuar Jetën
Zoti ju fton të përfshiheni dhe të përdorni platformat e mediave shoqërore që parapëlqeni, për ta ndarë ungjillin dhe për të qëndruar si bij dhe bija të Helamanit në kohën e sotme, në betejat e mëdha të ditëve të fundit. Ai dëshiron që ju të bëheni luftëtarët e rinj të kohës sonë, të cilët qëndrojnë të fortë dhe të bashkuar për ta mbrojtur të vërtetën. Ai dëshiron që ju të bëheni guximtarë dhe të paepur përpara përparimeve të armikut. Ne e dimë se, në përfundim, Zoti do ta fitojë betejën dhe Satani do të mundet.
Nëpërmjet platformave të ndryshme të mediave shoqërore, ju mund të keni bashkëbisedime për ungjillin me familjen, miqtë dhe, për ju misionarë të kthyer nga misionet, madje me kërkues të mëparshëm dhe me anëtarë të rinj. Ju mund të qëndroni si dëshmitarë të së vërtetës dhe ta mbroni mbretërinë.
Mbrojtja e Mbretërisë
E di se disa prej jush shqetësohen se mos gjykoheni gabim, talleni dhe madje ngacmoheni nëse e mbroni Atin Qiellor, Zotin Jezu Krisht dhe Kishën. I kuptoj shqetësimet tuaja.
Unë shërbeva në Misionin Britanik pas fundit të Luftës II Botërore si një misionar në moshë të re. Në atë kohë mormonët ishin objekt “për t’u tallur”23 dhe misionarët përqesheshin e talleshin. Njerëzit shpesh na hodhën gjëra dhe disa edhe na pështynë. Megjithatë, ne nuk u tërhoqëm, por vazhduam t’i jepnim dëshmitë tona dhe ta shpërndanim ungjillin. Sikurse Abinadi, ne nuk u mpakëm; sikurse Pali, ne nuk u mpakëm; dhe sikurse Shpëtimtari, ne nuk u mpakëm. Në atë kohë ne nuk mund ta kishim përfytyruar ndikimin e punëve tona. Ne kishim 14 distrikte dhe asnjë kunj. Sot, gjenden 46 kunje të Sionit në Ishujt Britanikë.
Miqtë e mi të rinj, të dashur, mos u shqetësoni rreth atyre në ndërtesën e gjerë dhe të madhe. Nefi pa se ata do të tallnin dhe tregonin me “gisht drejt atyre që kishin ardhur te pema dhe po hanin frutin”24. Mos jini si ata që “pasi … kishin shijuar nga fruti, u turpëruan për shkak të atyre që po i përqeshnin; dhe ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën”25.
Ju jeni një brez i madhërishëm e i rëndësishëm dhe kjo është një kohë e madhërishme për të qenë gjallë! E ardhmja është e shkëlqyer. I thoni vetes sonte: “Unë po e ndihmoj Zotin kur arrij ta ndaj dëshminë time dhe të jap mësim të vërtetat që Perëndia ka zbuluar në këto ditë të fundit”.
Tani, ju keni mundësinë ta përdorni të gjithë këtë media shoqërore me urtësi për të treguar atë që keni mësuar dhe ndier sonte. Mbani mend se ka një kohë dhe vend të duhur për ju që ta përdorni median shoqërore dhe ndarja e mendimeve tuaja dhe e dëshmisë suaj për gjërat që po mësoni dhe ndieni, është një nga ato kohë.
Dëshmi dhe Dëshmim
Zoti ju bekoftë me urtësi përtej viteve tuaja, që ju do ta kuptoni mençurisht që ne jemi në këtë betejë dhe duhet të qëndrojmë së bashku, të rinj e të moshuar. Lutem që Ati ynë Qiellor do të vëzhgojë mbi ju dhe do t’ju bekojë. Ju lutem, përsëri, dijeni se sa shumë ju duam. Dhe unë i kërkoj Atit tonë Qiellor që ta bekojë secilin dhe çdonjërin prej jush, kudo që ndodheni në këtë botë, që po e dëgjoni këtë takim shpirtëror sonte, me paqen e Zotit në zemrat tuaja, me dëshmimin e qetë dhe sigurinë se Jezu Krishti vërtet jeton, se Ai është Biri i Perëndisë, se kjo është Kisha e Tij. Qofshin ajo paqe dhe ajo fuqi me ju. Vëzhgoftë Ati ynë Qiellor mbi ju. Kurrë mos harrofshi, në këtë udhëtim në të cilin jeni, se ju jeni të çmuar, secili prej jush, për të ardhmen e përgatitjes së botës për atë ditë kur Jezu Krishti do të thotë “Mjafton” dhe do të kthehet dhe do të sundojë e mbretërojë si Shpëtimtari, Zoti i zotërve, Mbreti i mbretërve, Shëlbuesi i botës, për të cilin unë dëshmoj se jeton. Ne kemi folur për ato gjëra që janë të rëndësishme për Të sonte. U largofshim nga kjo mbledhje të mbushur me dashuri për Zotin dhe dëshirë për t’i shërbyer Atij, është lutja ime e përulur, në emrin e shenjtë dhe të dashur të Zotit Jezu Krisht, amen.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 3/14. Miratuar për përkthim: 3/14. Përkthim i Be Still, and Know That I Am God. Albanian. PD50053655 101