Kthimi i Zemrave Tona drejt Zërit të Shpirtit
Takimi Shpirtëror i SAK-ut për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 2 mars 2014 • Universiteti “Brigam Jang” në Ajdaho
Është një privilegj të takohem me ju në këtë takim shpirtëror. Jam lutur që Zoti do t’ju bekojë që të dëgjoni diçka që do të ndihmojë për ta shtuar aftësinë tuaj që të dalloni zërin e Shpirtit. Ju tashmë mund të keni marrë një mesazh që e ndiet se ishte pikërisht për ju, në muzikën e mrekullueshme që kemi dëgjuar.
Rreth 41 vjet më parë, pa shumë dëshirë, mora pjesë në një takim shpirtëror për të rinjtë në moshë madhore, të mbajtur në Sheshin e Tempullit. Stuhia e stërmadhe e dëborës që kishim pasur pasditen e takimit shpirtëror, e vuri në provë besimin tim. Por ngaqë më ishte kërkuar të merrja pjesë në një mënyrë të vogël, shkova për të përmbushur detyrën time. Kam mësuar gjatë viteve se diçka që e tha Presidenti Ajring, është e vërtetë: “Nuk mund të japësh një kore pa marrë një bukë të tërë si shpërblim”1. Bashkëshorti im i mrekullueshëm është “buka” që mora për “koren” time të pjesëmarrjes! Ishte në atë takim shpirtëror që u takova me të. Ai po këndonte në kor e plot kurajë erdhi dhe u prezantua me mua në fund të takimit. Sa mirënjohëse jam që u ndjeva e detyruar nga detyra që të shkoja atë natë dhe që Ati ynë i mëshirshëm Qiellor e pranoi përpjekjen time, madje jo me shumë dëshirë, që të isha atje ku kisha nevojë të isha.
Jam mirënjohëse që kam këtu me ne sonte disa nga fëmijët tanë dhe mbesën tonë më të madhe. Mekejla i bie violës. Në moshën 3-vjeçare ajo filloi mësime violine dhe tani, në moshën 16-vjeçare, është një muzikante mjaft e talentuar. Mund ta them këtë ngaqë jam gjyshja e saj dhe gjyshet nuk gënjejnë! Ka qenë frymëzuese të shoh përparimin e saj hap pas hapi, duke mësuar ta përdorë veglën e saj jo vetëm për të bekuar jetën e saj, por edhe jetën e shumë të tjerëve. Ajo e ka mësuar artin e akordimit të veglës të saj, rëndësinë e praktikimit të zellshëm çdo ditë dhe gëzimin e dhënies së shfaqjeve dhe të bashkimit të veglës së saj me të tjerët.
Ndërkohë që shërbeja në një mision me bashkëshortin tim pak vite më parë, mësova të lexoja simbolet dhe të thoja tingujt e alfabetit korean. Mësova disa përshëndetje bazë, pak shprehje e pak fraza të ungjillit dhe mund ta dalloja gjuhën koreane nga gjuhë të tjera. Mësova përmendsh pak nga himnet dhe këngët e mia të parapëlqyera të Fillores në gjuhën koreane. Por kisha aftësi mjaft të kufizuar për të folur ose kuptuar shumicën e asaj gjuhe të bukur.
Përse i ndaj me ju këta shembuj në dukje pa lidhje? Sepse do të dëshiroja të diskutojmë të mësuarin e gjuhës së Shpirtit - si na flet Ai neve dhe si mund ta rrisim aftësinë tonë për ta dëgjuar zërin e Tij. Sikurse të mësuarit e një vegle ose të një gjuhe është një proces, edhe të mësuarit e gjuhës së Shpirtit është një proces, i cili është jetik për secilin prej nesh për ta mësuar, pavarësisht nëse sapo jemi pagëzuar apo nëse jemi anëtarë të Kishës për një kohë të gjatë.
Shpëtimtari na mësoi në Librin e Mormonit se lamanitët “u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin”2. Është dëshira ime e madhe që ne do ta rrisim vërtet aftësinë tonë për t’i dëgjuar dhe kuptuar nxitjet e Shpirtit dhe që do të veprojmë sipas nxitjeve që marrim nga Fryma e Shenjtë. Me qëllim që ta bëjmë këtë, ne duhet së pari të mësojmë ta dallojmë zërin e Tij.
Le të përdorim një minutë për ta vlerësuar përvojën tonë. Tani, ngaqë publiku ynë këtu është kaq i madh dhe ngaqë na janë bashkuar të rinj në moshë madhore në të gjithë botën, unë do të doja t’ju ftoja të bëni diçka. Pa qenë shumë të hollësishëm, a do të ndani disa prej përvojave tuaja për pyetjet vijuese me njëri-tjetrin në Twitter (Tuitër)? Kur të keni një çast, “tuiteni” përgjigjen tuaj me #cesdevo.
Ja ku është pyetja për përgjigjen tuaj: Si mund ta dimë se e kemi dëgjuar zërin e Shpirtit?
Ne mund t’i bëjmë vetes disa pyetje shtesë, ndërsa përsiatim këtë pyetje:
-
A kam përjetuar ndjenja dashurie, gëzimi, paqeje, durimi, mirëdashjeje, mirësie, besimi, shprese dhe ngushëllimi?
-
A më kanë ardhur ide në mendje apo ndjenja në zemrën time, që i di se janë nga Zoti dhe jo nga vetja?
-
A e kam dëgjuar zërin tim duke folur të vërtetën pa e planifikuar se çfarë do të thoja?
-
A kam përjetuar një lartësim të vetë aftësive dhe zotësive të mia?
-
A kam ndier udhërrëfim dhe mbrojtje ndaj mashtrimit?
-
A e kam dalluar mëkatin në jetën time dhe a kam pasur dëshirën për ta korrigjuar atë?
-
A e kam ndier Shpirtin duke e përlëvduar dhe duke dhënë dëshmi për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin?3
Nëse iu përgjigjët “po” ndonjërës prej këtyre pyetjeve, ju e keni ndier Shpirtin e Zotit në një farë kohe në jetën tuaj. Por pyetja më e rëndësishme sonte është “A ndiheni kështu tani?”4
Këshilla e profetit Mormoni rreth ndjekjes së Dritës së Krishtit mund të na ndihmojë të dimë se si ta marrim Frymën e Shenjtë. Mormoni tha:
“Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj ju mund të dini me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia.
Por, çdo gjë që i bind njerëzit të bëjnë keq dhe të mos besojnë në Krisht dhe ta mohojnë atë, dhe të mos i shërbejnë Perëndisë, atëherë ju mund ta dini me një njohuri të përsosur se ajo është e djallit; pasi sipas kësaj mënyre punon djalli, pasi ai nuk bind asnjë njeri të bëjë mirë, jo, asnjë; ashtu edhe engjëjt e tij; ashtu edhe ata që i nënshtrohen atij.”5
Presidenti Gordon B. Hinkli vërejti: “Kjo është prova, pasi gjithçka tjetër ka përfunduar. A e shtyn ajo dikë të bëjë mirë, të ngrihet shpirtërisht, të qëndrojë lart, të bëjë atë që është e drejtë, të jetë i dashur, të jetë bujar? Atëherë ajo vjen nga Shpirti i Perëndisë.”6
Përse të dalluarit e pëshpëritjeve të Shpirtit duket kaq i vështirë? Ndoshta një arsye është që Shpirti komunikon si me mendjen ashtu edhe me zemrën tonë. Në të mësuarin e gjuhës së Shpirtit, ne nganjëherë i ngatërrojmë vetë mendimet tona dhe vetë emocionet tona me nxitjet e Shpirtit. Një arsye tjetër është se të dalluarit e Shpirtit është një dhuratë e Shpirtit. Sikurse mësimi i një gjuhe u vjen me lehtësi disa njerëzve dhe jo të tjerëve, kështu vjen edhe aftësia për të kuptuar pëshpëritjet e Shpirtit. Më e shpeshta, të mësuarit e një vegle ose gjuhe kërkon shumë përpjekje, duke përfshirë ushtrimin dhe nganjëherë bërjen e gabimeve. Kështu është me procesin e të mësuarit të gjuhës së Shpirtit.
A do t’ju ndihmonte të dini se zbulesa vetjake është një proces rresht pas rreshti, parim pas parimi, që edhe profetët, shikuesit dhe zbuluesit duhet të mësojnë ta kuptojnë? Sa vijon është një shembull nga jeta e Plakut Xhefri R. Holland:
“Ka raste kur e vetmja mënyrë për të shkuar nga A-ja te C-ja është nëpërmjet B-së.
Ngaqë u rrita në Jutën jugore dhe më pëlqenin të gjitha mrekullitë dhe bukuritë e Jutës jugore dhe të Arizonës veriore, unë dëshiroja t’ia paraqisja ato birit tim dhe dëshiroja t’i tregoja atij vende që i kisha parë dhe më kishin pëlqyer kur isha në moshën e tij. Kështu, nëna e tij përgatiti një drekë të vogël për ne dhe morëm kamionçinën e gjyshit të tij e shkuam drejt jugut në atë që e quajmë Brezi i Ngushtë, i vjetër, i Arizonës.
Duke vënë re që dielli po perëndonte, ne vendosëm që ishte më mirë të ktheheshim. Por u kthyem tek një degëzim i veçantë në rrugë, në të vërtetë i vetmi që në atë rast ishte tërësisht i panjohur. I kërkova birit tim të lutej se cilën rrugë të merrnim dhe ai ndjeu fuqishëm se duhej të shkonim në të djathtë, dhe po ashtu edhe unë. Dhe shkuam në të djathë dhe ishte një rrugë pa krye. Ecëm për katër ose pesë apo gjashtëqind metra dhe ishte një rrugë tërësisht pa krye, qartësisht rruga e gabuar.
U kthyem mbrapsht, dolëm deri në fund, morëm rrugën tjetër. Dhe qartësisht rruga në të majtë ishte rruga e duhur.
Diku përgjatë udhës, Meti tha: ‘Babi, përse ndiem, pasi u lutëm për të, se rruga e djathtë ishte rruga e duhur për të shkuar, rruga e përshtatshme për të shkuar, dhe ajo s’ishte?’ Dhe unë thashë: ‘Mendoj se Zoti, dëshira e Tij për ne atje dhe përgjigjja e Tij ndaj lutjes sonë ishte që të na çonte në rrugën e duhur sa më shpejt që të ishte e mundur me njëfarë sigurie, me njëfarë kuptueshmërie se ishim në rrugën e duhur dhe nuk kishim përse të shqetësoheshim për të. Dhe në këtë rast, mënyra më e lehtë për ta bërë atë ishte të na linte të shkonim 400 apo 500 metra në rrugën e gabur dhe shumë shpejt të dinim pa asnjë lloj dyshimi se ishte rruga e gabuar dhe, si rrjedhim, me të njëjtën siguri, me të njëjtën bindje se tjetra ishte rruga e duhur.’
Unë kam njohje tërësisht të sigurt, njohje të përsosur se Perëndia na do. Ai është i mirë. Ai është Ati ynë dhe pret nga ne të lutemi dhe të besojmë e të jemi besimtarë, dhe të mos dorëzohemi e të mos e humbasim toruan, dhe të mos tërhiqemi e të mos e ndryshojmë rrugën kur diçka nuk duket se po shkon ashtu siç duhet. Ne nuk shmangemi, ne vazhdojmë të punojmë, ne vazhdojmë të besojmë, vazhdojmë të kemi besim, duke ndjekur po të njëjtin shteg dhe vërtet do të jetojmë që të gjendemi në krahët e Tij dhe të ndiejmë përqafimin e Tij e ta dëgjojmë të thotë: ‘Ju thashë se do të shkonte mirë, ju thashë se do të ishte në rregull’.”7
Unë pata një përvojë të ngjashme me atë të Plakut Holland, teksa përgatitesha për të folur sonte. Kisha filluar në një drejtim, duke kërkuar dhe shkruar mendimet e mia mbi një temë për t’ju folur, por u ndjeva e pasigurt rreth saj. Pata një ndjenjë se ishte diçka tjetër për të cilën duhej të flisja. Ishte atëherë që m’u kujtua një përvojë që pata rreth dy vjet më parë. Kur fillimisht u thirra të shërbeja si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, pata disa net tepër të pagjumta. Gjatë një prej atyre netëve, shumë mendime ma përmbytën mendjen dhe u shtynë drejt zemrës sime. I shënova ato dhe i vendosa në një dosje, duke mos i kujtuar më përsëri deri pak javë më parë, kur ato ndjenja të paqeta rreth temës sime të parë filluan të më shqetësonin. Ati Qiellor më la të shkoja nëpër një rrugë tjetër për një farë kohe, por Ai më ktheu përsëri te kjo rrugë nëpërmjet një ndjenje të butë në zemrën time dhe një kujtese të ringjallur në mendjen time nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë.
Çfarë mund të bëjmë për ta dëgjuar më mirë zërin e Shpirtit? Mund ta fillojmë duke dalluar se Ati ynë në Qiell dëshiron të komunikojë me ne. Ne e dimë këtë ngaqë të gjithë profetët e ditëve të mëvonshme na kanë mësuar doktrinën e zbulesës personale. Mendoni për bekimet e tjera të shumta që Zoti na ka dhënë, me qëllim që ne të mund të komunikojmë me Të dhe t’i marrim fjalët e Tij: shkrimet e shenjta, bekimet patriarkale, lutjen, ordinancat, udhëheqësit dhe prindërit e frymëzuar dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Ku ta fillojmë kërkimin tonë për t’iu afruar më pranë Perëndisë dhe për ta dëgjuar zërin e Tij duke na folur? Ne fillojmë me gjërat bazë. Ne bëjmë gjërat e vogla dhe të thjeshta që tregojnë se Ai është i pari në jetën tonë dhe se ne dëshirojmë të marrim zbulesë prej Tij. Kur vizitova Afrikën Perëndimore, mësova një shprehje që e pëlqej shumë, e cila duket e zbatueshme për procesin e zbulesës personale: “dalë e ngadalë, pak e nga pak”. Cilat janë disa prej atyre gjërave “dalë e ngadalë, pak e nga pak” që mund të bëjmë?
Numri 1: Lutuni me sinqeritet dhe përulësi.
Zemra ime prej nëne është prekur gjatë viteve, teksa kam parë fëmijët e mi dhe nipërit e mbesat e mia të ushtrojnë besim, duke kërkuar në lutje të përulur e të sinqertë ndihmën e Zotit me problemet e tyre të thjeshta. Një ngjarje e dhembshur në familjen tonë e ilustron këtë.
Djali është fëmija më i madh në familjen tonë. Ai ka pesë motra dhe s’ka vëlla. Pak përpara lindjes së vajzës sonë të tretë, burri im i premtoi djalit tonë një qen nëse kjo foshnjë do të ishte përsëri vajzë. Kur u lind foshnja jonë vajzë, burri im i mirë e mbajti premtimin. Qeni u bë shoku më i mirë i djalit tonë. Ai e donte atë qen. Por një ditë, qeni humbi. Ne kërkuam e kërkuam, por më kot. Morëm në telefon oficerin e kontrollit të kafshëve. Ai nuk na dha shumë shpresë, përderisa jetonim aq pranë autostradës. Oficeri mendonte se kishte kaluar mjaft kohë dhe kishte shumë mundësi që qeni të kishte arritur tek autostrada dhe të ishte shtypur nga një makinë.
Bëmë ç’ishte e mundur ta ngushëllonim birin tonë kur i thamë se ç’kishim dëgjuar, por ai ishte tepër i dëshpëruar. Më kujtohet që e ftova t’i lutej Atit Qiellor për ngushëllim. Djali ynë i vogël, i dashur, më pa drejt e në sy dhe tha: “Jam lutur e jam lutur, mami”.
Dy ditë kaluan. Më pas, një mëngjes herët, pati një trokitje në derën tonë. Një prej fëmijëve hapi derën dhe erdhi me vrap që të më merrte mua. U shqetësova ngaqë pashë një makinë të parkuar në oborrin tonë me fjalët “Kontrolli i Kafshëve” të shkruara anash. Burri tek dera më pa dhe tha: “Zj. Barton, mendoj se kam diçka në makinë që i përket djalit tënd”.
M’u ndrydh zemra. Më kujtohet që u shqetësova se e kishte gjetur qenin tonë dhe qeni mund të ishte i vdekur ose i dëmtuar rëndë. Për kënaqësinë time të madhe, qeni ynë ishte prapa në makinë - i gjallë, mirë dhe gati të kërcente jashtë makinës dhe në krahët e djalit tonë të vogël.
E pyeta oficerin e kontrollit të kafshëve se ku e kishte gjetur qenin tonë. Ai tha: “Gjëja më e pazakontë ndodhi sot në mëngjes, ndërsa po dilja nga shtëpia. Atje, pikërisht para shtëpisë sime, ishte një qen që i përputhej përshkrimit që më kishit dhënë në telefon. Qeni u përgjigj kur e thirra në emër. Kështu që mendova se duhej ta sillja në shtëpi dhe t’ia qetësoja mendjen djalit tuaj të vogël përpara se të shkonte në shkollë.”
E di se Zoti u përgjigjet lutjeve të sinqerta, të dhembshura, si të një fëmije. Ati Qiellor dëshiron që fëmijët ta dinë se Ai është atje, që herët në jetën e tyre, me qëllim që ata të vazhdojnë të kenë besim tek Ai ndërsa rriten drejt pjekurisë. Ngaqë fëmijët në përgjithësi mbushen me përulësi, ata cilësohen që ta marrin premtimin e Atit Qiellor, siç jepet në Doktrina e Besëlidhje: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua”8.
Ndërsa u them pyetjet vijuese që Presidenti Spenser W. Kimball u bëri një grupi të ngjashëm me ju, merrni parasysh përulësinë tuaj dhe sinqeritetin e vetë lutjeve tuaja: “A dëshironi udhërrëfim? A i jeni lutur Zotit për frymëzim? A doni të bëni të drejtën apo doni të bëni atë që dëshironi të bëni, pavarësisht nëse ajo është e drejtë apo jo? A doni të bëni atë që është më e mira për ju për një kohë të gjatë, apo atë që duket më e dëshirueshme për çastin? A jeni lutur? Sa shumë jeni lutur? Si u lutët? A jeni lutur siç bëri Shpëtimtari … apo kërkuat për atë që dëshironi pavarësisht nëse ajo është me vend?”
Presidenti Kimball më pas vazhdoi: “A thoni në lutjet tuaja: ‘U bëftë vullneti Yt’? A thatë: ‘Atë Qiellor, nëse ju do të më frymëzoni dhe jepni mbresë për të drejtën, unë vërtet do ta bëj atë të drejtë’? … Ose, a u lutët: ‘Atë në Qiell, unë të dua, kam besim tek ti, e di se je i gjithëditur. Unë jam i ndershëm. Sinqerisht kam dëshirë të bëj të drejtën. E di se ti mund ta shohësh fundin që nga fillimi. Ti mund ta shohësh të ardhmen. Ti mund të dallosh nëse, në këtë gjendje që të paraqes, unë vërtet do të kem paqe apo shqetësim, lumturi apo hidhërim, sukses apo dështim. Më thuaj, të lutem, Atë i dashur Qiellor, dhe unë të premtoj ta bëj atë që më thua të bëj.’ A jeni lutur në këtë mënyrë? A nuk mendoni se mund të jetë e urtë? A jeni aq i guximshëm sa të bëni atë lutje?”9
Një mënyrë për t’u lutur me sinqeritet është të mësojmë se si të përgatisim pyetje të çiltra e të përzemërta dhe me përulësi t’ia drejtojmë ato Zotit. Merrni parasysh pyetjet e Jozef Smithit: “Çfarë duhet të bëhet? Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose, a janë që të gjithë së bashku gabim? Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?”10 Me urtësi, ai iu kthye shkrimeve të shenjta, një burimi të së vërtetës hyjnore, gjë e cila i shkaktoi të “mendonte seriozisht” dhe e udhëhoqi atë drejt “përfundimi[t që] ‘t’i kërko[nte] Perëndisë’”11, duke besuar se lutja e tij do të merrte përgjigje.
Të lutemi me sinqeritet do të thotë që ne kemi synim të veprojmë sipas përgjigjes që marrim. Lidhur me lutjen e tij të zjarrtë në Korijen e Shenjtë, Jozefi kujtoi: “Qëllimi im i vajtjes për t’i kërkuar Zotit ishte të dija se cili nga të gjitha sektet ishte i drejti, që unë të mund të dija me cilin të bashkohesha”12. Është e qartë që Jozefi pati qëllim të vepronte sipas çfarëdo gjëje që Zoti do të zgjidhte t’i zbulonte atij. Megjithatë, edhe përpara se ta bënte pyetjen e tij të thjeshtë, ai mori shumë më tepër sesa ajo për të cilën kishte shpresuar ndonjëherë. Atij iu dha privilegji i pazakontë që të shihte Atin tonë në Qiell dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin! Unë gëzohem nga kjo përgjigje e lavdishme, dhënë një dëshire të thjeshtë dhe të sinqertë për dituri, të bërë nga djali profet, Jozef Smithi!
Numri 2: Veproni menjëherë sipas mbresave shpirtërore.
Një ngjarje prekëse nga jeta e vetë profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson, tregon rëndësinë jetike të përgjigjes së menjëhershme ndaj mbresave të Shpirtit.
“[Tregimtari:] Ndërsa Peshkopi Monson ua merrte dorën përgjegjësive të tij, ai mësoi shumë mësime, mes të cilave rëndësinë e ndjekjes së Shpirtit dhe të besuarit te Zoti.
Një natë, gjatë një mbledhjeje të udhëheqjes së priftërisë së kunjit, ai pati mbresën e dallueshme që duhej të largohej nga mbledhja menjëherë dhe të shkonte tek spitali i veteranëve lart në pjesën verilindore të Solt-Lejk-Sitit. Përpara se të largohej nga shtëpia atë natë, ai pati marrë një telefonatë që e njoftoi se një anëtar i moshuar i lagjes së tij ishte i sëmurë dhe ishte shtruar në spital për kurim. A mund të gjente peshkopi, pyeti telefonuesi, një çast për të kaluar nga spitali dhe për t’i dhënë një bekim? Peshkopi i ri, mjaft i zënë me punë, shpjegoi se po shkonte në një mbledhje, por ai sigurisht do të kalonte nga spitali më pas. Tashmë nxitja ishte më e fuqishme se ndonjëherë: ‘Lëre mbledhjen dhe shko në spital menjëherë’.
Peshkopi Monson pa nga foltorja. Presidenti i kunjit po fliste! Nuk dinte sesi të ngrihej në këmbë në mes të bisedës së tij dhe të ecte për të dalë nga një rresht i tërë me burra. Plot dhembje, priti deri në çastet përfundimtare të mesazhit të presidentit të kunjit, pastaj u turr për nga dera edhe përpara se të njoftohej lutja e mbylljes. Duke vrapuar gjatë gjithë korridorit në katin e katërt të spitalit, peshkopi i ri pa një mori lëvizjesh jashtë dhomës së caktuar.
Një infermiere ndaloi dhe i tha: ‘A jeni Peshkopi Monson?’
‘Po’, u përgjigj ai.
‘Më vjen keq’, tha ajo. ‘Pacienti po thërriste emrin tuaj pak përpara se të vdiste.’
Duke i përmbajtur lotët, Peshkopi Monson u kthye duke ecur nëpër natë. Ai u zotua në atë çast se kurrë nuk do të dështonte që të vepronte sipas një nxitjeje nga Zoti. Ai menjëherë do t’i ndiqte mbresat e Shpirtit kudo ku ta çonin atë.”
“[Plaku Xhefri R. Holland:] Askush nuk mund ta kuptojë Presidentin Tomas S. Monson, në qoftë se ai njeri nuk kupton shpeshtësinë, përsëritjen e atyre llojeve të nxitjeve shpirtërore në jetën e tij dhe besnikërinë tërësore për t’iu përgjigjur atyre”13.
Numri 3: Hetoni shkrimet e shenjta çdo ditë.
Plaku Robert D. Hejls na mësoi: “Kur dëshirojmë të flasim me Perëndinë, ne lutemi. Dhe kur ne dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta; pasi fjalët e Tij janë folur përmes profetëve të Tij.”14
Kur isha 20-vjeçare, po ndeshesha me një vendim të vështirë dhe nuk mund të shihja se po merrja përgjigje ndaj lutjeve të mia. Një natë, babai im erdhi në shtëpi vonë nga në mbledhje në Kishë dhe vuri re se drita e dhomës sime të gjumit ishte e ndezur. U ul në cep të shtratit tim dhe më pyeti nëse mund të ndihmonte, duke e ndier luftën time të brendshme. Ia hapa zemrën. Ai sugjeroi t’u kthehesha shkrimeve të shenjta që të më ndihmonin në marrjen e vendimit tim, duke ofruar pjesë të veçanta që mund t’i përsiatja dhe për të cilat të lutesha. E ndoqa këshillën e tij të frymëzuar dhe i hetova shkrimet e shenjta. Pas ca kohe dhe pas përpjekjes së zellshme, të vazhdueshme, u bekova me një përgjigje të pagabueshme ndaj lutjes sime. I kisha ofruar mendimin dhe vendimin tim më të mirë Zotit dhe me sinqeritet kërkova një miratim të atij vendimi dhe ndjeva thellë në zemër një siguri të qetë, paqësore.
Ne mësojmë në shkrimet e shenjta se bijtë e drejtë të Helamanit, Lehi dhe Nefi, patën “përditë shumë zbulesa”15. Nëse ushqehemi me bollëk çdo ditë me fjalët e Krishtit në shkrimet e shenjta dhe i përsiatim gjërat që lexojmë, edhe ne mund të përjetojmë përditë zbulesa nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë, veçanërisht kur i shënojmë me kujdes mendimet dhe ndjenjat që marrim.
Numri 4: Jetoni ligjin e agjërimit.
Që ta rrisim aftësinë tonë për të dëgjuar zërin e Shpirtit, ne të gjithë do të bënim mirë të agjëronim për 24 orë çdo të diel agjërimi dhe të jepnim lirisht ofertën tonë të agjërimit për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Presidenti Harold B. Li këshilloi: “Zoti i tha Isaias, se ata që do të agjërojnë kështu dhe do ta ndajnë bukën e tyre me atë që ka uri, mund të bërtasin dhe Zoti do të përgjigjet: ‘Ja ku jam’. [Shih Isaia 58:6–9.] Ajo është një mënyrë që të mund të flasim me Zotin. Provojeni këtë vit. Jetojeni ligjin e agjërimit në mënyrë të përsosur.”16
Në librin e Almës, ne mësojmë se bijtë e Mosias “ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës dhe kur i mësuan të tjerët, ata i mësuan me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë”17. Ajo frazë “ishin dhënë” është një mendim për t’u përsiatur, ndërkohë që vlerësojmë përpjekjet tona për të agjëruar me të vërtetë.
Numri 5: Jini të denjë dhe adhuroni në tempull.
Sipas Presidentit Xhorxh Albert Smith: “Secili prej nesh ka të drejtën për frymëzimin e Zotit në përputhje me mënyrën sipas së cilës jetojmë një jetë të perëndishme”18. Ju lutem vini re se ai nuk tha se duhet të jemi të përsosur që të marrim frymëzim. Por ne vërtet duhet të bëjmë përpjekjet tona më të mira për të jetuar me denjësi.
Kujtoni dhe mësoni nga shembulli i keq i popullit të mbretit Limhi në Librin e Mormonit: “Zoti qe i ngadaltë të dëgjonte lutjet e tyre për shkak të paudhësive të tyre”19.
Denjësia duket të jetë një çmim i vogël për ta paguar që të hapim pragjet e qiellit. Kur i mbajmë besëlidhjet tona dhe e marrim me denjësi sakramentin, na premtohet se vërtet do të kemi gjithmonë Shpirtin të jetë me ne.20 Por kjo vjen pasi ne premtojmë dhe e mbajmë besëlidhjen që gjithmonë do ta kujtojmë Shpëtimtarin! Përveç kësaj, përqendrimi te tempulli dhe të jetuarit me denjësi për të hyrë në tempull, dhe vajtja atje sa shpesh që na e lejojnë rrethanat, bën të mundur që ne të “rrite[mi] në [Zotin] e të marri[m] plotësi të Frymës së Shenjtë”21.
Numri 6: “Mos lua[ni] me gjëra të shenjta.” 22
Dalloni se zbulesa nga Zoti është një besueshmëri e shenjtë. Plaku Riçard G. Skot na mësoi se “frymëzimi i shënuar me kujdes i tregon Perëndisë se komunikimet e Tij janë të shenjta për ne. … Shënimi i tillë … duhet të mbrohet nga humbja ose ndërhyrja e të tjerëve.”23
Një dëshmi e dytë e atij mësimi vjen nga përvoja e Presidentit Harold B. Li, i cili tha: “Nganjëherë në mes të natës jam zgjuar dhe nuk kam qenë më në gjendje të fle derisa të jem ngritur nga shtrati dhe të kem shkruar në letër gjënë me të cilën po ndeshesha. Por kërkon shumë kurajë që të veprohet kur drejtohemi, si një përgjigje ndaj lutjeve.”24
Numri 7: Jini të përgatitur që të ecni përpara me besim.
Kur burri im dhe unë ishim të fejuar, ne patëm diskutime të gjata rreth të ardhmes sonë së bashku. Çfarë duhej të bënim rreth shkollës? Kur duhej të kishim fëmijë? Çfarë kariere do t’i siguronte nevojat e familjes sonë dhe do të na lejonte të shërbenim në Kishë? Ngaqë besonim në këshillën e dhënë nga një profet i gjallë, i cili na mësoi se mund të kishim fëmijë ndërsa kryenim arsimimin dhe punonim, që të gjitha në të njëjtën kohë, ne ecëm përpara me besim.
Nuk ishte e lehtë. Burri im përfundoi duke punuar tri punë me kohë të pjesshme, ndërkohë që vazhdonte shkollën, që të bënte të mundur që unë të filloja karrierën time të re si nënë dhe kujdestare. Ajo udhë ishte në drejtim tërësisht të kundërt me logjikën e botës, edhe në atë kohë. Duke hedhur vështrimin pas, tani shohim se si ndërmarrja e atyre hapave të besimit ka çuar në bekime të përjetshme, bekime që mund të ishin humbur nëse nuk do ta kishim dëgjuar zërin e Shpirtit nëpërmjet profetit të zgjedhur të Zotit.
Për ta ilustruar më tej, merrni parasysh përvojën e Plakut Robert D. Hejls. Ai u caktua të ishte shoqëruesi i ri i Presidentit Ezra Taft Benson në një konferencë kunji, në të cilën do të thirrej një president i ri kunji. Ai tregon sa vijon: “Pasi u lutëm, bëmë intervista, studiuam dhe u lutëm përsëri, Plaku Benson pyeti nëse e dija se cili do të ishte presidenti i ri. I thashë se nuk e kisha marrë ende atë frymëzim. Ai më vështroi për një kohë të gjatë dhe u përgjigj se as ai nuk e kishte marrë atë. Megjithatë, ne u frymëzuam t’u kërkonim tre mbajtësve të denjë të priftërisë që të flisnin në sesionin e konferencës në mbrëmjen e së shtunës. Çaste pasi filloi folësi i tretë, Shpirti më nxiti që ai duhej të ishte presidenti i ri i kunjit. Hodha vështrimin drejt Presidentit Benson dhe pashë lot që po i rridhnin nëpër fytyrë. Zbulesë na ishte dhënë që të dyve - por vetëm duke vazhduar që të kërkonim vullnetin e Atit tonë Qiellor, ndërkohë që ecnim përpara me besim.”25
Numri 8: Lëreni Zotin të vendosë hollësitë e asaj që Ai zgjedh për të zbuluar dhe kur e zgjedh që ta zbulojë.
Vëzhgimi i autores Kori ten Bum gjen zbatim këtu: “Çdo përvojë që na jep Perëndia, çdo njeri që Ai e vendos në jetën tonë, është përgatitja e përsosur për një të ardhme që vetëm Ai mund ta shohë”26.
Ndoshta disa prej jush kanë pasur një përvojë të ngjashme me atë që kanë pasur gjashtë fëmijët tanë kur kanë kërkuar për bashkëshortë të denjë të përjetshëm. Ngaqë të menduarit zakonisht bëhet pas kuvendit, ata tani mund të kuptojnë se secili pati nevojë të kishte përvoja të caktuara me qëllim që të ishte në gjendje të dallonte dorën e Zotit duke i drejtuar tek bashkëshortët e tyre të përjetshëm. Disa prej atyre përvojave kërkuan vite pritjeje me durim dhe ecjeje përpara me besim. Kishte raste kur qiejt madje dukeshin të mbyllur për ta, ndërsa luteshin. Kur koha e Zotit nuk përputhet me vetë dëshirat tona, besoni se mund të ketë disa përvoja përgatitore që Zoti ka nevojë që ne t’i kemi përpara se të marrin përgjigje për lutjet tona.
Plaku Dallin H. Ouks na mësoi:
“Ne duhet të dallojmë se Zoti do të na flasë nëpërmjet Shpirtit në vetë kohën e Tij dhe në vetë mënyrën e Tij. Shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë parim. Ata besojnë se kur janë gati dhe kur është për ta e përshtatshme, ata mund t’i bëjnë thirrje Zotit dhe Ai menjëherë do të përgjigjet, madje në mënyrën e përpiktë që kanë përshkruar ata. Zbulesa nuk vjen në atë mënyrë. …
… Ne nuk mund t’i detyrojmë gjërat shpirtërore.”27
Rreth 15 vjet më parë, nëna ime humbi shikimin. Ajo u ndesh për muaj me këtë sprovë të vështirë. Ndërsa lutej me zjarr për të kuptuar, ajo gjeti ngushëllim tek një vjershë e thjeshtë që i është bërë e parapëlqyer. Kohët e fundit u citua nga Presidenti Monson.
Nuk e di se si, në çfarë mënyre,
Por këtë e di: Perëndia lutjes i jep përgjigje.
E di se fjalën na e ka dhënë,
Që më thotë se lutja dëgjohet gjithmonë.
Dhe, shpejt ose vonë, përgjigjja do të vij’,
Dhe unë prandaj lutem dhe pres me qetësi.
Nuk e di nëse bekimet e kërkuara
Do të vijnë ashtu siç i mendova,
Por lutjet e mia i lë, vetëm me Atë,
Vullneti i të cilit, më i urtë se imi është,
I sigurt se kërkesën time do të plotësojë
Ose një përgjigje më të bekuar do të dërgojë.28
Si shumica prej nesh, nëna ime ende po kërkon ta vendosë mirëbesimin e saj te vullneti i Tij dhe koha e Tij. Kur e bëjmë këtë, ne duhet të kujtojmë këtë mësim nga Plaku Riçard G. Skot: “Çfarë bëni kur jeni përgatitur me kujdes, jeni lutur me zjarr, pritët një kohë të arsyeshme për përgjigje dhe ende nuk ndieni asnjë përgjigje? Ju mund të dëshironi të shprehni falënderime kur ajo ndodh, sepse është provë e mirëbesimit [të Atit Qiellor]. Kur po jetoni të denjë e zgjedhja juaj është në përputhje me mësimet e Shpëtimtarit dhe nevojitet të veproni, bëjeni me mirëbesim. Ndërsa jeni të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit, një nga dy gjërat do të ndodhë vërtet në kohën e duhur: ose do të vijë mpirja e mendimit, duke treguar një zgjedhje jo të duhur, ose do të ndihet paqja apo djegia në kraharor, duke pohuar se zgjedhja juaj ishte e saktë. Kur jetoni me drejtësi dhe po veproni me mirëbesim, Perëndia nuk do t’ju lejojë të vazhdoni për shumë kohë pa një mbresë paralajmëruese, në qoftë se keni marrë vendimin e gabuar.”29
Ai zë paralajmërimi i Shpirtit shpesh vjen nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të zgjedhur të Zotit, gjë që na sjell tek çështja vijuese.
Numri 9: Dëgjojini paralajmërimet profetike.
Merrni parasysh me kujdes disa nga paralajmërimet profetike të dhëna në kohën tonë. Së pari, pak nga Presidenti Bojd K. Paker.
“Tani një paralajmërim! Disa lloje këngësh janë shpirtërisht shumë shkatërrimtare. … Ritmi, tingulli dhe mënyra e jetesës së atyre që i luajnë ato, e prapësojnë Shpirtin. Është shumë më e rrezikshme sesa mund ta mendoni, sepse mund t’i mbysë ndjenjat tuaja shpirtërore.”
Një tjetër paralajmërim:
“Mund të ekzistojnë zbulesat e rreme, nxitjet e djallit, tundimet! …
“Nëse merrni ndonjëherë një nxitje për të bërë diçka që ju bën të ndiheni në siklet, diçka që ju e dini në mendjen tuaj se është e gabuar dhe në kundërshtim me parimet e drejtësisë, mos iu përgjigjni asaj!”
Dhe ja një tjetër: “Nëse dikush bëhet kritikues dhe ushqen ndjenja negative, Shpirti do të largohet”30.
Dhe profeti ynë i dashur, Presidenti Monson, ngriti një zë paralajmërimi kur tha: “Jini vigjilent[ë] ndaj çfarëdo gjëje që do t’ju grabiste bekimet e përjetësisë”31.
Përse t’i çojmë zemrat tona tek zëri i Shpirtit? Cilat bekime vijnë kur e bëjmë këtë?
Sapo jam kthyer nga Filipinet, ku kam parë pasojat e tajfunit të fuqishëm Haijan. Dëgjova përvojat e vëllezërve dhe motrave tona të dashura në Filipine, ndërsa dëshmonin se si u udhëzuan nga Shpirti në shumë çaste nevoje, që të dinin se çfarë të bënin dhe ku të shkonin. I dëgjova të tregonin për ecjen përpara me besim në kohë kur shtegu nuk ishte i qartë. Dëgjova histori nga misionarët e rinj, si motrat dhe pleqtë, duke ndjekur nxitjet që i çuan ata drejt sigurisë fizike në mes të një bote që po copëtohej kudo përreth tyre. Sa mirënjohëse jam për “dhuratë[n] [e] papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë”32, e cila i paralajmëron, drejton, ngushëllon dhe udhëzon ata që jetojnë me denjësi.
Nga të gjitha dhuratat që Ati ynë Qiellor mund të kishte zgjedhur për t’ua dhënë bijve dhe bijave të Tij, kur largohemi nga ujërat e pagëzimit, Ai zgjodhi të na jepte dhuratën e Frymës së Shenjtë.
“Fryma e Shenjtë bashkëvepron në unitet të përsosur me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. …
Ai ‘dëshmon për Atin dhe Birin’ (2 Nefi 31:18) dhe zbulon e na mëson ‘të vërtetën e të gjitha gjërave’ (Moroni 10:5). Ne mund të marrim dëshmi të sigurt për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin vetëm nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Komunikimi i Tij me shpirtrat tanë mban shumë më tepër siguri sesa ndonjë komunikim që mund të marrim nëpërmjet ndjenjave tona natyrore.”33
Vëllezër e motra, sikurse e dini mirë, ndërtesa e madhe dhe e gjerë, e mbushur me ata që përqeshin e tallen dhe tregojnë me gishtat e përçmimit, është kudo përreth nesh. Zëri i botës është i lartë, i pamëshirshëm, këmbëngulës dhe i vazhdueshëm. Në qoftë se nuk mësojmë se si t’i çojmë zemrat tona te zëri i Shpirtit dhe ta përpunojmë aftësinë tonë për të kërkuar, marrë dhe vepruar sipas zbulesës personale, ne jemi, në rastin më të mirë, në tokë të pasigurt. Na nevojitet zëri i Shpirtit për të na rrëfyer udhën larg nga gjithçka që është e fëlliqur, e pamend, vulgare, e dhunshme, egoiste dhe mëkatare. Na nevojitet Fryma e Shenjtë jo vetëm që të na udhëheqë drejt gjithçkaje që është e “virtytshme, [e] dashur, me famë të mirë dhe [e] denjë për t’u lavdëruar”34, por për të na ndihmuar të përsosim një dëshirë për ato gjëra, me qëllim që t’i bëjmë ballë tërheqjes së botës.
Një nga bekimet më të mira që mund të marrim teksa mësojmë të dëgjojmë zërin e Shpirtit, është aftësia për ta parë vetveten sikurse shihemi nga Ati ynë në Qiell dhe, “dalë e ngadalë, pak e nga pak”, të bëhemi njerëzit më të mirë.
Merrni parasysh këtë citim të bukur nga një Apostull i ditëve të mëvonshme: “Dhurata e Frymës së Shenjtë … përshpejton të gjitha aftësitë mendore, zmadhon, zgjeron, shpalos dhe dëlir të gjitha pasionet dhe ndjenjat e natyrshme; dhe i përshtat ato, me anë të dhuratës së urtësisë, për përdorimin e tyre të ligjshëm. Ai frymëzon, zhvillon, kultivon dhe rrit gjithë simpatitë delikate, gëzimet, shijet, ndjenjat dhe tërheqjet njerëzore të natyrës sonë. Ai frymëzon virtyt, shpirtmirësi, mirësi, butësi, ëmbëlsi dhe dashuri hyjnore. Ai zhvillon bukuri të njeriut, të formës dhe të tipareve. Ai priret ndaj shëndetit, energjisë, gjallërisë dhe ndjenjave shoqërore. Ai zhvillon dhe forcon gjithë aftësitë e njeriut fizik dhe intelektual. Ai forcon, u jep jetë nervave dhe i tendos ato. Shkurt, është, ashtu siç ka qenë, palcë për kockën, gëzim për zemrën, dritë për sytë, muzikë për veshët dhe jetë për të gjithë qenien.”35
Fryma e Shenjtë mund të bëjë për ne fizikisht, shpirtërisht, emocionalisht, mendërisht dhe intelektualisht atë që nuk mund të fillojë ta bëjë asnjë mjekim i krijuar nga njeriu.
A nuk do të ishit dakord se të jetuarit e denjë për bekime të tilla ia vlen çfarëdo që kërkohet, edhe nëse kërkon një sakrifikim domethënës? Është “buka” që marrim për përpjekjen tonë të krahasuar me “koren”. U bëj ftesë të gjithëve që ne të fillojmë sonte që ta çojmë zemrën tonë te zëri i Frymës së Shenjtë.
Nuk është e rastit që Zoti e ka caktuar Presidentin Tomas S. Monson si profetin e Tij të gjallë, për të na udhëhequr në këto ditë të mëvonshme. Presidenti Monson është dikush që ka mësuar mirë se si t’i dëgjojë nxitjet e Shpirtit dhe t’u përgjigjet atyre. Ne do të bënim mirë ta ndiqnim shembullin e tij.
Unë dëshmoj se ai është zëdhënësi për Zotin në kohën tonë. Gjithashtu dëshmoj se Ati ynë në Qiell dëshiron që ne të kthehemi në praninë e Tij dhe ka siguruar për ne mënyrat se si ta bëjmë këtë, duke na dhënë Birin e Tij të Vetëmlindur dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë. Unë dëshmoj se ia vlen çdo përpjekje nga ana jonë për ta fituar dhe për ta ruajtur atë dhuratë të papërshkrueshme, në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 1/14. Miratuar për përkthim: 1/14. Përkthim i Tuning Our Hearts to the Voice of the Spirit. Albanian PD10050686 101