Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Shpëtimi i Jetës Suaj


45:59

Shpëtimi i Jetës Suaj

Takimi Shpirtëror i SAK-ut për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 14Shtator 2014 • Universiteti “Brigam Jang”

Kur Jezusi dhe Apostujt e Tij u mblodhën së bashku në Cezarenë e Filipit, Ai u bëri atyre këtë pyetje: “Kush thoni se jam unë?”1 Pjetri, me një të folur nderuese dhe me fuqi, iu përgjigj: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”2. Më ngrohet zemra kur i lexoj ato fjalë; më ngrohet zemra kur i them ato. Megjithatë, pak kohë pas këtij çasti të shenjtë, Jezusi u foli Apostujve rreth vdekjes e ringjalljes së Tij, që po afroheshin, dhe Pjetri e kundërshtoi Atë. Kjo e bëri Pjetrin të merrte një qortim thumbues, se ai nuk ishte në harmoni me punët e Perëndisë dhe nuk i kishte “ndër mend” ato, “por punët e njerëzve”3. Atëherë Jezusi, “duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që [Ai e kishte] qortuar”4, e udhëzoi plot mirësi Pjetrin dhe Vëllezërit e tij rreth marrjes së kryqit të vet dhe humbjes së jetës së vet si udha për të gjetur jetë të begatë e të përjetshme, duke qenë Ai vetë shembulli i përsosur. Le ta shohim portretizimin e kësaj ngjarjeje në një prej videove të Biblës, të prodhuara nga Kisha.

Jezusi: Birit të Njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra dhe do të hidhet poshtë nga pleqtë dhe nga krerët e priftërinjve dhe skribët dhe do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.

Pjetri: O Zot, të shpëtoftë Perëndia: kjo nuk do të të ndodhë kurrë.

Jezusi: Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s’ke ndër mend punët e Perëndisë, por punët e njerëzve. Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet? Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.5

Dua t’ju flas rreth shpalljes në dukje paradoksale të Zotit se “Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri”6. Ajo na mëson një doktrinë të fuqishme, largpamëse, që nevojitet ta kuptojmë dhe ta zbatojmë.

Një profesor i mençur ofroi këtë këndvështrim: “Ashtu sikurse qiejt janë më të lartë se toka, puna e Perëndisë në jetën tënde është më e madhe sesa historia që ti do të doje ta tregonte ajo jetë. Jeta e Tij është më e madhe se planet, synimet apo frikësimet e tua. Për ta shpëtuar jetën tënde, do të të duhet të heqësh dorë nga historitë e tua dhe, çast pas çasti, ditë pas dite, t’ia japësh jetën tënde përsëri atij.”7

Sa më shumë që mendoj rreth saj, aq më shumë mahnitem se si vazhdimisht Jezusi ia dha jetën e Tij Atit, se sa përsosmërisht Ai e humbi jetën e Tij brenda vullnetit të Atit – në jetë e në vdekje. Kjo është pikërisht e kundërta e sjelljes dhe qëndrimit të Satanit, të cilat janë përshtatur gjerësisht në botën e sotme të njerëzve të përqendruar te vetja. Në këshillet paratokësore, duke dalë vullnetar që të përmbushte rolin e Shpëtimtarit në planin hyjnor të Atit, Jezusi tha: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë”8. Luciferi, nga ana tjetër, shpalli: “Vër re, ja ku jam unë, dërgomë mua, unë do të jem biri yt dhe [unë] do ta shëlbej gjithë njerëzimin, që asnjë shpirt të mos humbasë, dhe sigurisht [unë] do ta bëj atë; si rrjedhim, ma jep mua lavdinë tënde”9.

Urdhërimi i Krishtit për ta ndjekur Atë është një urdhërim për ta mohuar edhe një herë modelin satanik dhe për ta humbur jetën tonë, në favor të jetës së vërtetë, jetës së mirëfilltë, jetës që bën të mundur mbretërinë çelestiale, të cilën Perëndia e përfytyron për secilin prej nesh. Ajo jetë do ta bekojë këdo që prekim, dhe do të krijojë shenjtorë prej nesh. Me vegimin tonë të tanishëm, të kufizuar, ajo është një jetë që është përtej të kuptuarit. Me të vërtetë, “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”10.

Do të dëshiroja të kishim më shumë nga bashkëbisedimi midis Jezusit dhe dishepujve të Tij. Do të kishte qenë e dobishme që të kishim ca dritë shtesë rreth asaj që do të thotë, praktikisht, që dikush ta humbasë jetën për hir të Tij dhe si rrjedhim ta gjejë atë. Por ndërsa e përsiata atë, e kuptova se thëniet e Shpëtimtarit pikërisht përpara dhe pas shpalljes të Tij japin një udhërrëfim të vlefshëm. Le të marrim parasysh tri prej këtyre thënieve të lidhura me to.

Le ta Mohojë Vetveten dhe ta Marrë Çdo Ditë Kryqin e Vet

Fillimisht janë fjalët e Zotit, të folura pikërisht përpara se Ai të thoshte: “Ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë”11. Siç shënohet në secilin prej ungjillëve sinoptikë, Jezusi tha: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”12. Lluka shton fjalët çdo ditë – “le … ta marrë çdo ditë kryqin e vet”13. Te Mateu, Përkthimi prej Jozef Smithit e zgjeron këtë shpallje me përkufizimin e Zotit se çfarë do të thotë që një njeri të marrë kryqin e vet: “Dhe tani për një njeri të marrë kryqin e tij, do të thotë t’i mohojë vetes gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe të zbatojë urdhërimet e mia”14.

Ky urdhërim përputhet me shpalljen e Jakobit: “Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota”15. Është një jetë e përditshme e shmangies të gjithë asaj që është e papastër, ndërkohë që i zbatojmë me vendosmëri dy urdhërimet e mëdha – dashurinë për Perëndinë dhe bashkënjerëzit – nga të cilat varen të gjitha urdhërimet e tjera.16 Kështu, një pjesë përbërëse e humbjes së jetës sonë në favor të jetës më të madhe që Zoti përfytyron për ne, është marrja e kryqit të Tij ditë për ditë.

Kushdo që Më Rrëfen, Unë do ta Rrëfej Përpara Atit

Një shpallje e dytë shoqëruese sugjeron se gjetja e jetës sonë duke e humbur atë për hir të Tij dhe të ungjillit, përfshin një gatishmëri për ta shpallur haptazi dhe publikisht qenien tonë dishepuj: “Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë”17.

Në një vend tjetër te Mateu, ne gjejmë një shpallje shoqëruese:

“Prandaj kushdo që do të më rrëfejë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfej përpara Atit tim që është në qiej.

Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.”18

Një kuptim i dukshëm dhe tepër qartësues i humbjes së jetës suaj duke rrëfyer Krishtin, është ta humbisni atë tërësisht, fizikisht, në mbështetjen dhe mbrojtjen e besimit tuaj tek Ai. Ne jemi mësuar të mendojmë se kjo kërkesë e skajshme zbatohet në histori kur lexojmë rreth martirëve të së shkuarës, duke përfshirë shumicën e Apostujve të lashtë. Tanimë shohim, megjithatë, se ajo që ishte historike, po kthehet në të tashme. Raportime lajmesh nga Iraku dhe Siria flasin për qindra të krishterë dhe minoritete të tjera, të dëbuar nga shtëpitë e tyre ose të vrarë nga ekstremistë islamikë në disa muaj të fundit. Terroristët kërkojnë që këta të krishterë ose të kthehen në formën e tyre të besimit islamik, ose t’i braktisin fshatrat e tyre apo të vdesin. Të krishterët nuk do ta mohojnë Atë, kështu që shumë kanë marrë arratinë dhe disa janë vrarë.19 Sigurisht që shpirtra të tillë do të jenë mes atyre që Shpëtimtari nuk do të ketë turp për t’i rrëfyer përpara Atit të Tij në një ditë të ardhshme. Ne nuk e dimë se ç’mund të vijë në të ardhmen por, nëse ndonjërit prej nesh do t’i duhet të përballet me tronditjen e humbjes me të vërtetë të jetës sonë për kauzën e Mësuesit, unë besoj se ne do të tregonim po të njëjtën kurajë dhe besnikëri.

Zbatimi më i zakonshëm (dhe nganjëherë më i vështirë) i mësimdhënies së Shpëtimtarit, megjithatë, ka të bëjë me mënyrën se si jetojmë ditë për ditë. Ka të bëjë me fjalët që flasim, shembullin që japim. Jeta jonë duhet të jetë një rrëfim i Krishtit dhe, së bashku me fjalët tona, të dëshmojë për besimin dhe përkushtimin tonë tek Ai. Dhe kjo dëshmi duhet të mbrohet vendosmërisht përballë talljes, diskriminimit apo shpifjes nga ana e atyre që e kundërshtojnë Atë “në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar”20.

Në një rast tjetër, Zoti shtoi këtë shpallje mbresëlënëse rreth besnikërisë sonë ndaj Tij:

“Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.

Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,

dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.

Ai që e do të atin ose nënën më shumë se [mua], nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se [mua], nuk është i denjë për mua.

Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.”21

Thënia se Ai nuk erdhi për të sjellë paqen, por shpatën, duket në përshtypjen e parë si një kundërshtim i shkrimeve të shenjta që i drejtohen Krishtit si “Princ[i] i Paqes”22 dhe shpalljes në lindjen e Tij – “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij”23 – dhe vargjeve të tjera të mirënjohura, si: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time”24. “Është e vërtetë se Krishti erdhi për të sjellë paqe – paqe midis besimtarit e Perëndisë dhe paqe në mes njerëzve. Prapëseprapë, rezultati i pashmangshëm i ardhjes së Krishtit është mosmarrëveshja – midis Krishtit dhe antikrishtit, midis dritës dhe errësirës, midis bijve të Krishtit dhe bijve të djallit. Kjo mosmarrëveshje mund të ndodhë edhe midis pjesëtarëve të së njëjtës familje.”25

Kam besim se një numër prej jush në auditorin tonë mbarëbotëror këtë mbrëmje e keni përjetuar vetë atë që Zoti po e shpreh në këto vargje. Ju jeni përzënë dhe tëhuajtur nga babai dhe nëna, vëllezërit e motrat, ngaqë e pranuat ungjillin e Jezu Krishtit dhe hytë në besëlidhjen e Tij. Në njëfarë mënyre ose një tjetër, dashuria juaj më e lartë për Krishtin ka kërkuar sakrifikimin e marrëdhënieve që ishin të dashura për ju, dhe ju keni derdhur shumë lot. Prapëseprapë me dashurinë tuaj të pazvogëluar, ju mbaheni të palëkundur nën këtë kryq, duke e treguar vetveten të paturpëruar për Birin e Perëndisë.

Rreth tre vjet më parë, një anëtar i Kishës i dha një kopje të Librit të Mormonit një miku të tij të fesë amishe, në Ohajo. Miku filloi ta lexonte librin dhe nuk mund ta hiqte nga dora. Për tri ditë ai nuk pati asnjë dëshirë tjetër veçse të lexonte Librin e Mormonit. Ai dhe bashkëshortja e tij u pagëzuan dhe brenda shtatë muajve, pati tri çifte amishe që u kthyen në besim dhe u pagëzuan anëtarë të Kishës. Fëmijët e tyre u pagëzuan disa muaj më pas. Këto tri familje vendosën të qëndronin në komunitetin e tyre dhe të vazhdonin jetën e tyre të stilit amish, edhe pse e kishin lënë fenë amishe. Megjithatë, si rrjedhim i pagëzimit, ata iu nënshtruan “shmangies” nga fqinjët e tyre të afërt amishë. Shmangia do të thotë që askush në komunitetin e tyre amish nuk do të flasë me ta, punojë me ta, kryejë biznes me ta apo do të shoqërohet me ta në ndonjëfarë mënyre. Kjo përfshin jo thjesht miqtë, por edhe anëtarët e familjes – vëllezërit e motrat, prindërit e gjyshërit.

Fillimisht, këta shenjtorë amishë u ndien shumë të vetmuar dhe të izoluar, ngaqë edhe fëmijët e tyre iu nënshtruan shmangies dhe u hoqën nga shkollat e tyre amishe për shkak të pagëzimit dhe anëtarësisë së tyre në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Fëmijët e tyre kanë duruar shmangien nga gjyshërit e kushërinjtë dhe fqinjët e afërt. Madje disa prej fëmijëve më të mëdhenj në moshë, të këtyre familjeve amishe, të cilët nuk e pranuan ungjillin, nuk do t’iu flasin prindërve të tyre, apo as t’i pranojnë prindërit e tyre. Këto familje kanë hasur vështirësi për ta marrë veten nga pasojat shoqërore dhe ekonomike të shmangies, por ata po ia dalin mbanë.

Besimi i tyre mbetet i fuqishëm. Vështirësia dhe kundërshtimi i shmangies i kanë bërë të qëndrojnë të palëkundshëm dhe të patundur. Një vit pas pagëzimit, familjet u vulosën në tempull dhe vazhdojnë ta frekuentojnë tempullin besnikërisht çdo javë. Ata kanë gjetur forcë nëpërmjet marrjes së ordinancave dhe bërjes e nderimit të besëlidhjeve. Ata të gjithë janë aktivë në grupet e tyre në Kishë dhe vazhdojnë të kërkojnë mënyra se si ta ndajnë dritën dhe njohurinë e ungjillit me familjet e tyre të zgjeruara dhe komunitetin e tyre, nëpërmjet veprimeve të mirësisë dhe shërbimit.

Po, çmimi i bashkimit me Kishën e Jezu Krishtit mund të jetë shumë i lartë, por këshillimi për të parapëlqyer Krishtin mbi gjithë të tjerët, madje mbi pjesëtarët më të afërt të familjeve tona, gjen zbatim edhe tek ata që mund të jenë lindur në besëlidhje. Shumë prej nesh bëhen anëtarë të Kishës pa kundërshtimin, ndoshta që fëmijë. Sfida që mund të hasim, është të mbetemi besnikë ndaj Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij përballë prindërve, familjeve të bashkëshortëve, motrave apo vëllezërve, ose edhe fëmijëve tanë, sjellja, besimet apo zgjedhjet e të cilëve e bëjnë të pamundur që ta mbështesim si Atë edhe ata. Nuk është një çështje dashurie. Ne mund dhe duhet ta duam njëri-tjetrin sikurse na do Jezusi. Sikurse tha Ai: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”26. Por, Zoti na kujton: “Ai që e do të atin ose nënën më shumë se [mua], nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se [mua], nuk është i denjë për mua”27. Kështu, edhe pse dashuria familjare vazhdon, marrëdhëniet mund të ndërpriten dhe, sipas rrethanave, edhe mbështetja apo toleranca nganjëherë ndërpritet për hir të dashurisë sonë më të lartë.

Në të vërtetë, mënyra më e mirë për t’i ndihmuar ata që i duam – mënyra më e mirë për t’i dashur ata – është të vazhdojmë ta vendosim Shpëtimtarin të parin. Nëse e shkëputim lidhjen tonë me Zotin, për shkak të keqardhjes për të dashurit tanë që po vuajnë ose janë në ankth, atëherë ne i humbasim mjetet me anë të të cilave mund t’i kishim ndihmuar ata. Megjithatë, nëse mbetemi vendosmërisht të rrënjosur në besimin te Krishti, ne jemi në gjendje edhe të marrim edhe të japim ndihmë hyjnore. Nëse (ose duhet të them kur) çasti vjen që një pjesëtar i dashur i familjes dëshiron me dëshpërim që të kthehet te burimi i vetëm, i vërtetë dhe jetëgjatë i ndihmës, ai ose ajo do ta dijë se kujt t’i besojë si udhërrëfyes dhe shoqërues. Ndërkohë, me dhuratën e Shpirtit të Shenjtë si drejtues, ne mund të kryejmë një shërbesë të qëndrueshme për ta lehtësuar dhembjen e zgjedhjeve të këqija dhe për t’i lidhur plagët për aq sa na lejohet. Përndryshe, ne nuk u shërbejmë as njerëzve që i duam, dhe as vetvetes.

Ç’Dobi do të Ketë Njeriu të Fitojë Gjithë Botën, Nëse më Pas do të Humbë Shpirtin e Vet?

Pjesa e tretë përbërëse e humbjes së jetës sonë për hir të Zotit, që dëshiroj të përmend, gjendet në fjalët e Zotit:

“Dhe kush do ta humbasë jetën e tij në këtë botë, për hirin tim, do ta gjejë atë në botën që vjen.

Prandaj, braktiseni botën dhe shpëtojini shpirtrat tuaj; pasi ç’përfitim ka një njeri nëse do ta fitojë gjithë botën dhe do ta humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?”28

Siç jepet në Përkthimin e Jozef Smithit: “Pasi ç’dobi do të ketë një njeri të fitojë nëse e fiton të gjithë botën dhe përsëri nuk e pranon atë që Perëndia e ka shuguruar dhe e humbet shpirtin e vet, dhe ai vetë të jetë i përjashtuar?”29

Të themi që braktisja e botës në favor të pranimit të “at[ij] … që Perëndia e ka shuguruar”, është në kundërshtim me kulturën e botës së sotme, është sigurisht e pamjaftueshme. Përparësitë dhe interesat që i shohim më shpesh të paraqitura përreth nesh (dhe nganjëherë edhe brenda nesh), janë tepër egoiste: një uri për t’u dalluar; kërkesa këmbëngulëse që të respektohen të drejtat e dikujt (duke përfshirë një të drejtë të hamendësuar për të mos u fyer kurrë); një dëshirë gërryese për para, sende dhe pushtet; një ndjesi e privilegjit të një jete të rehatit dhe kënaqësisë; një synim për ta zvogëluar përgjegjësinë dhe për ta shmangur tërësisht çfarëdo sakrifice vetjake për të mirën e dikujt tjetër; për të përmendur pak shembuj.

Kjo nuk është që të themi se nuk duhet të kërkojmë që të kemi sukses, madje të shkëlqejmë në ndërmarrje të denja, duke përfshirë arsimimin dhe punën nderuese. Në fillim të këtij viti, Xhed Rubenfeldi and Emi Çua, që janë burrë e grua profesorë të Shkollës Juridike të Jejllit, botuan një libër të titulluar The Triple Package:How Three Unlikely Traits Explain the Rise and Fall of Cultural Groups in America [Paketa e Trefishtë: Mënyra se si Tri Tipare të Pazakonta Shpjegojnë Ngritjen dhe Rënien e Grupeve Kulturore në Amerikë] . Teoria e tyre është që disa grupe në Amerikë veprojnë më mirë sesa grupe të tjera, të bazuara në tri tipare kulturore, të përshkruara në libër, që u japin këtyre grupeve përparësi. Çua dhe Rubenfeldi i përcaktojnë mormonët, hebrenjtë, aziatikët, emigrantët e Afrikës Perëndimore, indiano-amerikanët dhe kubano-amerikanët si grupe në Amerikën e sotme që i zotërojnë këto tri tipare.30

Duke i krahasuar këto grupe me shoqërinë e gjerë amerikane lidhur me masa të tilla si “të ardhurat, arritjet akademike, udhëheqjen e korporatave, arritjen profesionale dhe njësi të tjera matëse tradicionale”, Çua dhe Rubenfeldi thonë:

“Nëse ka një grup në SHBA sot, që po e hedh topin përtej fushës së bejsbollit, me sukses tradicional, janë mormonët. …

Ndërkohë që protestantët përbëjnë rreth 51 përqind të popullsisë së SHBA-së, 5 deri 6 milionë mormonë të Amerikës përfaqësojnë vetëm 1,7 përqind. Prapëseprapë, një numër mahnitës janë ngritur deri në kreun e korporatave dhe sferave politike të Amerikës.”31

Sigurisht arritje të dobishme janë të lavdërueshme por, nëse do ta shpëtojmë jetën tonë, ne duhet të kujtojmë gjithmonë se arritje të tilla nuk janë qëllimi përfundimtar në vetvete, por mjete drejt një qëllimi më të lartë. Me besimin tonë në Krisht, ne duhet t’i shohim format politike, të biznesit, akademike dhe forma të ngjashme të suksesit, jo si format që na përcaktojnë, por që bëjnë të mundur shërbimin tonë ndaj Perëndisë dhe bashkënjerëzve – duke filluar në shtëpi dhe duke u shtrirë sa më larg që është e mundur në botë. Zhvillimi vetjak ka vlerë kur luan rol drejt zhvillimit të një karakteri të ngjashëm me Krishtin. Në matjen e suksesit, ne dallojmë të vërtetën rrënjësore që është baza e çdo gjëje tjetër – se jeta jonë i përket Perëndisë, Atit tonë Qiellor, dhe Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë. Suksesi do të thotë të jetuarit në harmoni me vullnetin e Tyre.

Në krahasim me jetën narciste, Presidenti Spenser W. Kimball ofroi një shprehje të thjeshtë të një mënyre më të shkëlqyer:

“Shërbimi ndaj të tjerëve e thellon dhe e ëmbëlson këtë jetë, ndërsa përgatitemi për të jetuar në një botë më të mirë. … Kur përfshihemi në shërbimin e bashkënjerëzve tanë, jo vetëm që veprimet tona i ndihmojnë ata, por ne i vendosim problemet tona në një këndvështrim të ri. Kur shqetësohemi më shumë për të tjerët, ka më pak kohë që të shqetësohemi për veten! Në mes të mrekullisë së shërbimit, është premtimi i Jezusit se, duke e humbur veten, ne e gjejmë veten! [Shih Mateu 10:39.]

Jo vetëm që ‘e gjejmë’ veten në aspektin e dallimit të udhëheqjes hyjnore në jetën tonë, por sa më shumë u shërbejmë bashkënjerëzve tanë në mënyra të përshtatshme, aq më shumë thelb kanë shpirtrat tanë. … Ne bëhemi më të pavarur kur u shërbejmë të tjerëve – vërtet, është më e lehtë të ‘gjejmë’ veten, sepse ka shumë më tepër te ne për të gjetur!”32

Shembuj të Humbjes së Jetës së Dikujt në Krishtin dhe Ungjillin e Tij

Më lejoni ta përfundoj me pak shembuj se çfarë do të thotë në jetën e përditshme që jeta e dikujt të humbet në Krishtin dhe ungjillin e Tij dhe kështu të gjendet jeta e mirëfilltë (dhe më së fundi e përjetshme).

Presidenti Henri B. Ajring ishte president i Kolegjit Riks, tani Universiteti “Brigam Jang” – Ajdaho, në qershor të vitit 1976, kur u shkatërrua diga Titon e sapopërfunduar, jo larg prej Reksburgut. “Treqind milionë metra kub ujë u vërsulën zhurmshëm drejt Reksburgut, me shpejtësi gjashtëdhjetë e pesë kilometra në orë, duke marrë me vete gjithçka që ndodhej në udhë e sipër.”33 Shumë njerëz në komunitet u përgjigjën heroikisht duke i ndihmuar të tjerët, edhe kur vetë shtëpitë dhe plaçkat e tyre ishin shkatërruar nga përmbytja. Megjithatë, pak njerëz i braktisën madje dhe njerëzit e tyre të dashur dhe i lanë ata t’ia dilnin mbanë vetë.

Presidenti Ajring, i cili vetë ndihmoi në drejtimin e një përpjekjeje madhështore ndihme, donte të kuptonte se çfarë e shkaktoi “ndryshimin midis përgjigjes heroike të disave … dhe tradhtimit të të tjerëve. … Ai autorizoi një studim të vogël, por domethënës nga ana shkencore. ‘Pati vetëm një diçka që mundëm të gjenim’, i tha ai më vonë një klase diplomimi të nxënësve në vitin e fundit të shkollës së mesme.

‘Ata që ishin heronj, kishin qenë njerëzit që gjithmonë i kujtonin dhe i mbanin premtimet për gjërat e vogla, gjërat e përditshme … një premtim që të qëndronin për të pastruar pas një darke në kishë apo që të vinin për të punuar në një projekt të shtune që të ndihmonin një fqinj.

Ata që i braktisën familjet e tyre kur ishte e vështirë, shpesh i kishin braktisur detyrimet e tyre kur nuk ishte kaq e mundimshme. Ata e kishin zakon që të mos e mbanin fjalën e tyre për të bërë gjëra të vogla, kur sakrifica për to do të kishte qenë e paktë dhe kur të bërit e asaj që kishin thënë, do të kishte qenë e lehtë. Kur çmimi ishte i lartë, ata nuk mundën ta paguanin atë.’”34

Motra Kristoferson dhe unë patëm një mikeshë që e takuam gjatë ditëve të shkollës juridike, një anëtare e lagjes sonë në Durëm në Karolinën Veriore. Ajo dhe bashkëshorti i saj ishin një çift i ri, i përsosur, me fëmijë të vegjël. Ajo ishte e bekuar me inteligjencë, pamje tërheqëse dhe një personalitet të shkëlqyer. Gjithkush e admironte dhe kënaqej kur ishte në praninë e saj. Megjithatë, rreth 25 vjet më vonë, kur ishte ende në të 40-at, ajo u prek nga një kancer agresiv dhe i pashërueshëm i stomakut, i cili u përhap edhe në mëlçi dhe mushkëri. Pavarësisht nga tronditja e dhembja, ndërkohë që jeta e saj me të shpejtë po i afrohej mbarimit, ajo u shkroi këto fjalë të dhembshura familjes dhe miqve të saj, për të cilët i vinte shumë keq që do të duhej t’i linte: “Plani i [Perëndisë] është hyjnor dhe po ecën përpara pikërisht siç e planifikoi ai. Ngaqë jam zgjedhur që të kaloj përmes kësaj sfide, unë e di se duhet të jetë për të mirën time më të madhe dhe për gëzimin tim më të lartë. Tashmë, bekimet shpirtërore po rrjedhin dhe e ndiej se përpara mbarimit, unë vërtet do të përjetoj gjithçka që më nevojitet që të përgatitem për ta takuar Shpëtimtarin tim. Fuqia e tij është në tokë. Nuk ka aspak gabime. … Sfidat janë të shumta dhe të rënda për tani. Çdokush duket se po vuan nga sfidat e veta. Shikoni drejt Zotit dhe merrni ndihmën e tij. Pranoni ato gjëra që janë tuajat dhe dhembja do të largohet prej jush e paqja do të vijë.”

Një motër e caktuar, e re në moshë madhore, vendosi të shërbente në një mision kohëplotë, pasi i kishte marrë tashmë diplomat e studimeve universitare e pasuniversitare dhe pasi kishte marrë pjesë në programe të shquara trajnimi pune dhe studimi, si brenda dhe jashtë vendit. Ajo kishte zhvilluar aftësi për t’u lidhur me njerëzit dhe për t’i kuptuar ata, nga pothuajse çdo sistem besimi, bindjeje politike e kombësie dhe shqetësohej se mbajtja e një etikete misionareje gjithë ditën, çdo ditë, mund të bëhej një përcaktues që mund ta pengonte aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të krijuar lidhje. Vetëm pas pak javësh në mision, ajo i shkroi familjes rreth një përvoje të thjeshtë, por domethënëse: “Motra Li dhe unë i fërkuam me balsam duart me artrit të një zonje të moshuar – secila prej nesh nga njëra anë – ndërkohë që qëndronim të ulura në dhomën e saj të ndenjjes. Ajo nuk donte të dëgjonte asnjë mesazh të folur, por na lejoi të këndonim, e pëlqeu shumë që i kënduam. Faleminderit etiketë e zezë e emrit të misionarit që më jep lejen për të pasur përvoja të thella me njerëz tërësisht të panjohur.”

Nëpërmjet gjërave që vuajti, Profeti Jozef Smith mësoi se si ta humbiste jetën e vet në shërbimin e Mësuesit dhe Mikut të tij. Njëherë ai tha: “E bëra këtë rregullin tim: Kur Zoti urdhëron, bindu35. Mendoj se ne do të ishim të gjithë të kënaqur që ta arrinim nivelin e besnikërisë së Vëllait Jozef. Edhe pse kështu, atij njëherë iu desh të dergjej për muaj në burgun e Libertisë në Misuri, duke vuajtur fizikisht, por ndoshta më shumë emocionalisht e shpirtërisht, ngaqë nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte gruan, fëmijët dhe shenjtorët e tij të dashur, teksa po keqtrajtoheshin e përndiqeshin. Zbulesat dhe drejtimi i tij i kishin sjellë ata në Misuri për të ngritur Sionin dhe tani, në dimër, ata po dëboheshin nga shtëpitë e tyre nëpër të gjithë shtetin. Pavarësisht nga gjithçka, në ato kushte, në atë burg, ai i shkroi Kishës një letër të frymëzuar, me një nga prozat më të hijshme dhe lartësuese, pjesë të së cilës tani përbëjnë seksionet 121, 122 dhe 123 të Doktrinës e Besëlidhjeve, duke përfunduar me këto fjalë: “Le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet”36.

Sigurisht, shembulli më i madh i treguar i shpëtimit të jetës së dikujt duke e humbur atë, është ky: “Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt”37. Në dhënien e jetës së Vet, Krishti nuk shpëtoi vetëm jetën e Tij – Ai shpëtoi jetën e të gjithëve ne. Ai bëri të mundur për ne që ta shkëmbejmë atë që përndryshe do të kishte qenë një jetën e vdekshme, e kufizuar, për jetën e përjetshme.

Dëshmia

Motoja e jetës së Shpëtimtarit ishte: “[Unë] bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Atit]”38. Lutem që ju do ta bëni atë moton e jetës suaj. Nëse e bëni, ju do ta shpëtoni jetën tuaj.

Miqtë e mi të rinj, të dashur, jini të kënaqur në të gjitha përpjekjet dhe arritjet tuaja për ta vënë vullnetin e Tij të parin. Mësoni të dëshironi atë që dëshiron Ai. Rrëfejeni dhe dallojeni Atë në çdo fushë të jetës suaj. Mos u turpëroni nga Krishti apo ungjilli i Tij dhe jini të gatshëm të hiqni dorë prej gjërave të dashura, marrëdhënieve të dashura dhe madje jetës vetë për Të. Por teksa jetoni, le të jetë jeta juaj një blatim. Merrni kryqin e Tij çdo ditë me bindje dhe shërbim. Këto janë pasojat dhe frytet e besimit tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 1/14. Miratuar për përkthim: 1/14. Përkthim i “Saving Your Life”. Albanian. PD10051044 101