Sa i Fortë një Themel
Takimi Shpirtëror i SAK-ut për të Rinjtë në Moshë Madhore • 2 nëntor 2014 • Tabernakulli i Ogdenit, në Ogden të Jutas
Është tepër emocionuese për Motrën Hallstrom dhe mua që të jemi me ju këtë mbrëmje. Teksa hedhim vështrimin te fytyrat e atyre që mund t’i shohim sonte, ne përfytyrojmë të rinj në moshë madhore nëpër botë, si beqarë ashtu edhe të martuar, duke marrë pjesë në këtë transmetim. Ne kemi mundësinë që të udhëtojmë gjerësisht nëpër të gjithë Kishën. Kemi takuar shumë prej jush dhe shumë si ju. Kemi takuar të rinj në moshë madhore që janë kthyer në besim dhe ata që po punojnë për t’u bërë më të kthyer në besim. Kemi takuar të rinj në moshë madhore që janë humbur dhe ata që janë gjetur – apo, më saktësisht, e kanë gjetur vetveten. Kemi takuar ata që nuk janë të besimit tonë, ata që janë pagëzuar kohët e fundit, dhe ata që janë nga familje anëtare të Kishës për shumë breza. Ne dëshmojmë se të gjithë janë fëmijë të Perëndisë dhe se kanë një mundësi të plotë për të fituar çdo bekim të përjetësisë.
Në emër të udhëheqësve të Kishës, unë mund t’ju them me entuziazëm: “Ne ju duam!” Duke i vëzhguar nga afër profetët e apostujt dhe duke i njohur ata ashtu siç i njoh unë, mund të them me vetëbesim se ata kujdesen thellësisht për të rinjtë në moshë madhore të Kishës. Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja. Ne kemi nevojë për ju!
Kjo mbledhje po transmetohet nga Tabernakulli i Ogdenit, një godinë e rinovuar bukur, e vendosur pranë Tempullit madhështor të Ogdenit në Juta. Ai tempull dhe ky tabernakull u ripërkushtuan nga Presidenti Tomas S. Monson vetëm gjashtë javë më parë. Tempulli është një nga 143 tempujt tashmë në funksionim në Kishë dhe të përhapur anembanë botës. Si një tregues i vjetërsisë sime, apo e thënë në mënyrë më pozitive, i mënyrës se si Zoti po e përshpejton punën e Tij, kur unë u linda kishte vetëm tetë tempuj.
Duke e përdorur tempullin si një metaforë, sonte do të flas rreth themeleve. Me projektimin dhe ndërtimin e çdo tempulli, punë e rëndësishme shpenzohet për atë që nuk mund të shihet me lehtësi kur projekti përfundohet – për themelin. Për shembull, një pikturim nga një artist paraqet Tempullin e Filadelfias në Pensilvani, që është tashmë në ndërtim e sipër. Kur të përfundohet, kjo godinë e jashtëzakonshme do të jetë 30 metra e lartë deri në çati dhe do të ngrihet deri në 60 metra te maja e engjëllit Moroni. Siç mund ta shihni, do të jetë e madhërishme! Megjithatë, sado madhështore dhe hijerëndë që do të jetë kjo strukturë, ajo do t’u nënshtrohet erërave shkatërruese dhe ujit nëntokësor gërryes. Këto kushte të ashpra, nëse lihen të pakontrolluara, mund ta dëmtojnë tepër dhe madje ta shkatërrojnë këtë godinë fisnike.
Duke e ditur që këto forca do ta godisnin pa mëshirë tempullin, inxhinierët projektuan dhe ndërtuesit gërmuan një gropë gati 10 metra të thellë nën të gjithë përmasën e strukturës. Gropa u gërmua në granitin vendor të Pensilvanisë për të siguruar një themel të palëvizshëm mbi të cilin të ndërtohej. Mbështetjet dhe themelet prej betoni më pas u lidhën me shtratin shkëmbor prej graniti me anë të çengelëve shkëmborë që t’u bënin ballë edhe erës së rrëmbyer dhe ujit nëntokësor të fuqishëm. Çengelët u gërmuan 15 deri në 68 metra thellë në granit dhe mbanin shtypje prej rreth 17.580 kg për centimetër katror. Çengelët janë vendosur rreth 5 metra larg në të dyja drejtimet.
Jap informacion kaq të hollësishëm për t’ju mësuar këtë çështje: Ndryshe nga ndërtimi i një strukture (që në çfarëdo mënyre është e përkohshme), kur ndërtojmë jetën tonë të pafundme (dhe me shpresë, të përjetshme), ne nganjëherë fatkeqësisht i kushtojmë pak vëmendje projektimit dhe ndërtimit të themeleve tona. Si pasojë, ne lihemi tepër të zbuluar dhe dëmtohemi lehtësisht nga forca të rrezikshme.
Ne jetojmë në një botë që mund të jetë pështjelluese – nëse lejohet, ajo mund të na shkaktojë të harrojmë se cilët jemi me të vërtetë. Presidenti Tomas S. Monson tha:
“Vdekshmëria është një periudhë testimi, një kohë për ta provuar veten të denjë për t’u kthyer në praninë e Atit tonë Qiellor. Në mënyrë që të testohemi, ne duhet të përballemi me sfida dhe vështirësi. Ato mund të na thyejnë dhe shpirtrat tanë mund të krisen dhe shemben – kjo ndodh, në qoftë se themelet tona të besimit, dëshmitë tona për të vërtetën nuk ngulen thellë brenda nesh.
Ne mund të mbështetemi te besimi dhe dëshmia e të tjerëve vetëm për ca kohë. Më së fundi, ne duhet ta kemi vetë themelin tonë të fortë dhe të vendosur thellë, ose nuk do të jemi në gjendje që t’u bëjmë ballë stuhive të jetës, të cilat do të vijnë.”1
Jezu Krishti e përshkroi në këtë mënyrë, duke folur për një njeri i cili e dëgjon dhe e ndjek Atë:
“Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.
Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh” (Lluka 6:48–49).
Jezu Krishti është shkëmbi mbi të cilin ne duhet ta ngremë themelin tonë. Zoti iu drejtua Vetes së Tij si “shkëmbi i Izraelit” dhe në mënyrë të theksuar shpalli: “Ai që ndërton mbi këtë shkëmb, nuk do të bjerë kurrë” (DeB 50:44).
“Lëvdoni Perëndinë tonë!” tha Moisiu. “Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur” (Ligji i Përtërirë 32:3–4). Davidi shpalli: “Zoti është fortesa ime, kalaja ime … mburoja ime, … strehimi im i lartë” (2 Samuelit 22:2–3). Zoti i tha Enokut: “Unë jam Mesia, Mbreti i Sionit, Shkëmbi i Qiellit” (Moisiu 7:53). Nefi e përlëvdoi Zotin si “shkëmbi i shpëtimit tim” dhe “shkëmbi i drejtësisë sime” (2 Nefi 4:30, 35). Isaia e quajti Zotin “një gur të provuar, një [gur] qosheje të çmuar, një themel të sigurt” (Isaia 28:16). Pali foli për apostujt e profetët si themeli i Kishës, “duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20).2
Kjo nuk është një doktrinë e re. Në një formë apo një tjetër, ne të gjithë e kuptojmë atë. Ajo na jepet mësim nga prindërit, në Fillore, në klasat dhe kuorumet tona të Të Rejave dhe të Priftërisë Aarone, në seminar, në institut, nga misionarët kohëplotë, nga miqtë, nga udhëheqësit vendorë të Kishës, nga shkrimet e shenjta dhe nga profetët e apostujt e gjallë. Atëherë, përse është kaq e vështirë për shumë prej nesh që ta vëmë atë në jetë?
Pra, e thënë thjesht, ajo ka nevojë të zbresë nga mendjet tona drejt zemrave tona dhe drejt shpirtrave tanë. Ka nevojë të jetë më shumë se ajo që nganjëherë e mendojmë ose nga ajo që edhe nganjëherë e ndiejmë – duhet të bëhet njeriu që jemi. Lidhja jonë me Perëndinë, Atin tonë, dhe planin e Tij të përjetshëm dhe me Jezu Krishtin, Birin e Tij dhe Shkëmbin tonë, nevojitet të krijohet në mënyrë kaq të qëndrueshme sa me të vërtetë bëhet guri i qoshes për themelin tonë. Më pas identiteti ynë bëhet fillimisht ai i një qenieje të përjetshme – një biri apo bije të Perëndisë – dhe i një marrësi plot mirënjohje të bekimeve të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Më pas identitete të tjera të drejta mund të ngrihen në mënyrë të sigurt mbi atë themel, sepse ne vërtet do ta dimë se cilat gjëra janë të përjetshme e cilat të përkohshme dhe se si t’u japim përparësi atyre. Dhe identitete të tjera e praktikat e tyre shoqëruese (disa tepër të vlerësuara nga bota), ne madje do të zgjedhim t’i hedhim tej.
Më pëlqen shumë himni i dashur “Sa i Fortë një Themel”. Regjistrimi im i parapëlqyer është (aspak e habitshme) nga Kori Mormon i Tabernakullit. Ulja mu përpara korit gjatë konferencës së përgjithshme dhe të dëgjuarit e të ndierit e fuqisë së organos e të zërave dhe të muzikës e fjalëve më bëjnë të dëshiroj të ngrihem në këmbë e të bashkohem me ta. Ngaqë e di se do të shoqërohem nga rojet jashtë Qendrës së Konferencave, frenohem. Dëgjojeni këtë himn të shtrenjtë, të kënduar vetëm katër javë më parë në sesionin e paradites të së dielës së konferencës së përgjithshme. Gëzohuni me fjalët; veçanërisht dëgjoni ato të strofës së fundit. Është në të vërtetë strofa e shtatë, por u këndua si strofa e katërt.
Kohët e fundit, isha në një mbledhje në Tempullin e Solt-Lejkut me anëtarët e Presidencës së Parë, Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe gjithë Autoritetet e tjera të Përgjithshme, të caktuara në zyrat qendrore të Kishës. Ne i kënduam tri strofat standarde të këtij himni të bukur, duke e përfunduar pas strofës së tretë, sikurse e bëjmë shpesh në shërbimet e sakramentit apo në mbledhje të tjera. Por, në këtë rast, Presidenti Monson tha: “Le të këndojmë strofën e shtatë”. Me gjithë këta Autoritete të Përgjithshme, të madhërishëm, duke përfshirë profetët dhe apostujt e gjallë, ne kënduam:
Shpirtin që te Jezusi kërkon të pushoj’
armiqve në duar, un’ kurr’, s’ua lëshoj’.
Megjith’se skëterra, k’të shpirt t’mund do doj’,
un’ kurrë, jo kurrë, un’kurrë, jo kurrë,
un’ kurrë, jo kurrë, jo kurrë s’e harroj!3
A e përshkruan kjo se kush jeni? A e përshkruan të paktën kush po përpiqeni të bëheni? Përpjekja për ta ndërtuar dhe mbajtur një themel shpirtëror nuk është e lehtë. Procesi i ndërtimit është një ndërmarrje domethënëse dhe mirëmbajtja është një përpjekje gjatë gjithë jetës.
Për juve që me të vërtetë po përpiqeni, ne ju përgëzojmë sinqerisht dhe duam të dimë se çfarë po bëni. Ju lutem përdorni mediat shoqërore për të treguar atë që po bëni duke përdorur #cesdevo dhe përfundojeni thënien: “Po e ndërtoj themelin tim shpirtëror nëpërmjet …”. Përgjigjet do të ndryshojnë po aq shumë sa ndryshojnë rrethanat vetjake dhe kjo është në rregull. Përsëri, fjalia për t’u përfunduar është: “Po e ndërtoj themelin tim shpirtëror nëpërmjet …”. Ne do të jemi vërtet mirënjohës të dëgjojmë nga ju dhe të mësohemi prej jush për atë që po ndodh në jetën tuaj.
Nëse kurrë nuk e keni pasur themelin për të cilin po flasim, ose nëpërmjet lënies pas dore e keni lënë të kriset apo shembet, nuk është shumë vonë që të përvishni mëngët dhe t’i futeni punës. Të gjitha mjetet që ju nevojiten, janë mundësuar për ju. Këto janë të njëjtat mjete që u përdorën për ta ruajtur një themel të krijuar. Ju e dini se cilat janë ato. Ato përfshijnë lutje të vazhdueshme e cilësore; studim të përditshëm të ungjillit nëpërmjet shkrimeve të shenjta; pjesëmarrje aktive në mbledhjet e Kishës, veçanërisht duke marrë pjesë në mbledhjen e sakramentit me qëllim të vërtetë; shërbim të vazhdueshëm vetëmohues; dhe mbajtje të zellshme të besëlidhjeve.
Një mjet tjetër themelor është këshilla e profetëve të gjallë. Ka 15 burra në tokë të cilët mbështeten si profetë, shikues dhe zbulues. Ata mbajnë çelësat e priftërisë së Perëndisë. Ne mësohemi shpesh prej tyre. Ne ngremë dorën për t’i mbështetur ata disa herë në vit. Ne lutemi për ta çdo ditë. Megjithatë, bekimi i jashtëzakonshëm i aftësisë së përdorimit të mesazhit të tyre mund të çojë në një mungesë të vlerësimit të rëndësisë së tij.
Presidenti Henri B. Ajring paralajmëroi: “Të kërkuarit e shtegut drejt sigurisë në këshillën e profetëve ka kuptim për njerëzit me besim të fortë. Kur një profet flet, njerëzit me besim të paktë mund të mendojnë se dëgjojnë vetëm një burrë të urtë duke dhënë këshillë të mirë. Pastaj, nëse këshilla e tij duket e rehatshme dhe e arsyeshme, e barasvlershme me atë që duan të bëjnë, ata e pranojnë atë. Nëse nuk është, ata e marrin atë parasysh ose si këshillë të gabuar ose i shohin rrethanat e tyre si të justifikuara për të qenë një përjashtim nga këshilla.”
Presidenti Ajring vazhdoi: “Një ide tjetër e gabuar është të besojmë se zgjedhja për ta pranuar ose për të mos e pranuar këshillën e profetëve nuk është më shumë sesa vendimi për ta pranuar ose jo këshillën e mirë dhe për të marrë ose jo përfitimet e saj apo për të qëndruar atje ku ne jemi. Por zgjedhja për të mos e pranuar këshillën profetike e ndryshon tërë bazën mbi të cilën ne qëndrojmë. Ajo bëhet më e rrezikshme.”4
Për ta ndërtuar dhe mirëmbajtur një themel, kujtoni tri parime: vizioni, zotimi dhe vetëdisiplina. Vizioni është aftësia për të parë. Në një kontekst të ungjillit, ne nganjëherë e quajmë këtë “këndvështrim të përjetshëm”. Siç e përshkroi Jakobi, është të shikuarit e “gjëra[ve] ashtu siç janë në të vërtetë dhe … gjëra[ve] ashtu siç do të jenë në të vërtetë” (Jakobi [LiM] 4:13).
Zotimi është gatishmëria për të bërë një premtim. Ne shpesh i quajmë këto premtime “besëlidhje”. Formalisht, ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë nëpërmjet ordinancave të priftërisë. Mbani mend, “në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (DeB 84:20). Përveç Perëndisë, ne duhet të jemi të gatshëm të bëjmë zotime ndaj vetes, bashkëshortëve/eve (ose të bëhemi një bashkëshort/e), ndaj miqve dhe atyre me të cilët shërbejmë.
Vetëdisiplina mund të përshkruhet si aftësia për të jetuar vazhdimisht me vizionin që kemi dhe me zotimet që kemi bërë. Zhvillimi i vetëdisiplinës është thelbësor për të përparuar ngaqë lidh në mënyrë të pandashme të mësuarin dhe të vepruarin. Më së fundi, forca e themelit tonë shpirtëror tregohet nga mënyra se si e jetojmë jetën tonë, veçanërisht në kohë zhgënjimi dhe sfide.
Shumë vite më parë Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi historinë e Karolina Heminueit, e cila u lind më 2 janar 1873, në Solt-Lejk-Siti, fëmija e dytë e njëmbëdhjetë fëmijëve:
“Në moshën njëzet e dy vjeçare Karolina u martua me Xhorxh Harmanin. Ata patën shtatë fëmijë, një prej të cilëve vdiq në foshnjëri. Më pas, në moshën tridhjetë e nëntë vjeçare, burri i saj ndërroi jetë dhe ajo mbeti e ve.
Motra e saj, Grejsi, ishte martuar me vëllanë e burrit të saj, Dejvidin. Në vitin 1919, gjatë epidemisë së tmerrshme të gripit, Dejvidi u godit rëndë dhe më pas gruaja e tij, Grejsi, u sëmur. Karolina u kujdes për ta dhe fëmijët e tyre, si edhe fëmijët e saj. Në mes të këtyre fatkeqësive, Grejsi lindi një djalë dhe më pas ajo vdiq brenda pak orësh. Karolina e mori foshnjën e vogël në shtëpinë e saj dhe atje u kujdes për të dhe ia shpëtoi jetën fëmijës. Tri javë më vonë bija e saj, Eni, ndërroi jetë.
Tashmë Karolina kishte humbur dy prej fëmijëve të saj, bashkëshortin e saj dhe motrën e saj. Sforcimi ishte shumë i madh. Ajo u rrënua fizikisht. Doli nga ai rrënim me një rast të rëndë të diabetit. Por ajo nuk u ngadalësua. Vazhdoi të kujdesej për foshnjën e motrës së saj; dhe kunati i saj, babai i fëmijës, vinte çdo ditë që ta shihte djalin e vogël. Dejvid Harmani dhe Karolina u martuan më vonë dhe kishte tani trembëdhjetë fëmijë në shtëpinë e tyre.
Pastaj, pesë vjet më vonë, Dejvidi vuajti një katastrofë që i vuri në provë thellësisht ata që e vuanin me të. Në një rast ai përdori një dezinfektues të fortë në përgatitjen e farave për mbjellje. Ky i ra mbi trup dhe ndikimet ishin shkatërruese. Lëkura dhe mishi i ranë nga kockat. Gjuha dhe dhëmbët i ranë. Lëngu kaustik, me kuptimin e plotë të fjalës, e hëngri atë të gjallë.
Karolina u kujdes për të gjatë kësaj sëmundjeje të tmerrshme dhe, kur ai vdiq, ajo mbeti me pesë prej fëmijëve të saj e tetë prej fëmijëve të motrës së saj dhe një fermë rreth 113 hektarëshe ku ajo dhe fëmijët e saj plugonin, mbillnin, ujitnin e korrnin që të sillnin mjaft prodhim për të plotësuar nevojat e tyre. Në këtë kohë ajo gjithashtu ishte presidente e Shoqatës së Ndihmës, një detyrë që e mbajti për tetëmbëdhjetë vjet.
Ndërsa kujdesej për familjen e saj të madhe dhe shtrinte dorën e dashurisë hyjnore drejt të tjerëve, ajo do të piqte tetë bukë në ditë dhe do të lante dyzet grumbuj me rroba në javë. Ajo konservonte fruta e perime me shumicë dhe kujdesej për njëmijë pula për vezë, që të siguronte pak të ardhura. Mbështetja te vetja ishte standardi i saj. Përtacinë ajo e shihte si mëkat. Ajo kujdesej për të vetët dhe ndihmonte të tjerët me një shpirt mirësie që nuk do të lejonte asnjë, për të cilin ajo dinte, të ishte i uritur, i zhveshur apo në të ftohtë.
Më vonë ajo u martua me Juxhin Robinsonin, i cili, pa kaluar shumë kohë, pësoi infarkt. Për pesë vjet deri në vdekjen e tij, ajo i shërbeu si infermiere dhe u kujdes për të gjitha nevojat e tij.
Më së fundi, e rraskapitur, me trupin të munduar nga ndikimet e diabetit, ajo ndërroi jetë në moshën gjashtëdhjetë e shtatë vjeçare. Zakonet e zellit për punë dhe të punës së palodhur, të cilat ajo i nguliti te fëmijët e saj, i shpërblyen përpjekjet e tyre përmes viteve. Foshnja e vogël e motrës së saj, të cilën ajo e rriti që nga ora e lindjes së tij, së bashku me vëllezërit e motrat e tij, të gjithë duke vepruar sipas një ndjenje të dashurisë e mirënjohjes, [i dhanë Universitetit “Brigam Jang”] një sasi të konsiderueshme parash, të lëna trashëgimi, për të bërë të mundur ndërtimin e [një] godine të bukur e cila [mban emrin e saj].”5
Zotërimi i një themeli të fortë është mbrojtja e pashoqe nga goditjet e botës. Ne duhet të kërkojmë me zell atë që lamanitët, të cilët u mësuan nga Amoni dhe vëllezërit e tij, fituan kur u tha për ta se “u kthyen në besim te Zoti, [dhe] nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (Alma 23:6).
Meri En Prati u martua me Parli P. Pratin në vitin 1837. Pasi shkuan në Misuri, së bashku me shenjtorët e tjerë, ata duruan përndjekje të tmerrshme. Kur Parli u mor, së bashku me Profetin Jozef, nga një turmë në Far-Uest, Misuri, dhe u burgos, Meri Ena mbeti në shtrat, e sëmurë rëndë, ndërkohë që kujdesej për dy fëmijë të vegjël.
Më vonë, Meri Ena i bëri vizitë burrit të saj në burg dhe qëndroi me të për njëfarë kohe. Ajo shkroi: “Qëndrova në birucën e tij, që ishte një vend i lagësht, i errët, i ndotur, pa ventilim, thjesht duke pasur një dritare të vogël me hekura në një anë. Aty ishim të detyruar të flinim.”
Pas lirimit të Parlit nga burgu, Meri Ena dhe bashkëshorti i saj shërbyen misione në Nju-Jork e Angli dhe ishin mes atyre të cilët e bënë “grumbullimin e lodhshëm përfundimtar në Juta”, sikurse e përshkroi ajo. Parli më së fundi vdiq me një vdekje martiri ndërsa shërbente në një mision tjetër.
Pavarësisht nga kjo jetë e trazuar, Meri En Prati qëndroi e vërtetë. Ajo fuqimisht shpalli: “Unë u pagëzova në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme … duke qenë e bindur për vërtetësinë e doktrinave të saj që nga predikimi i parë që dëgjova; dhe thashë në zemrën time, nëse ka vetëm tre njerëz që mbahen pa u lëkundur ndaj besimit, unë do të jem vërtet një prej tyre; dhe përgjatë gjithë përndjekjes që më është dashur të duroj, gjithmonë jam ndier njësoj; zemra ime kurrë nuk është shmangur nga ai vendim”6.
Tema që po diskutojmë sonte, është shumë personale. Ne mund të mësohemi nga të tjerët. Ne mund t’i vëzhgojmë të tjerët. Ne mund të mësojmë nga gabimet dhe sukseset e të tjerëve. Por askush nuk mund ta bëjë atë për ne. Askush nuk mund të na e ndërtojë themelin tonë shpirtëror. Në këtë çështje ne jemi vetë ndërtuesit tanë.
Siç na mësoi fuqishëm Helamani: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po, shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).
Një nga përvojat e mëdha të ndërtimit të themelit në jetën time ndodhi mbi 36 vjet më parë. Pasi mbaruam studimet tona universitare, Dajana dhe unë shkuam në Honolulu (ku unë u linda dhe isha rritur) që të fillonim stinën pasuese në jetën tonë. Doli të ishte një stinë e gjatë – 27 vjet. Vetëm një thirrje nga një profet na bëri të largohemi nga Havai.
Tempulli i Havait, tani i njohur si Tempulli i Laies në Havai, sepse ka dy tempuj në Havai, fillimisht u përkushtua nga Presidenti Hibër J. Grant në (afërsisht) Ditën e Falënderimeve, më 27 nëntor 1919. Ishte tempulli i parë i ndërtuar jashtë Jutas, përveç tempujve të Kirtlandit dhe Navusë. Për gati gjashtë dekada ai u shërbeu shenjtorëve në Havai dhe, për shumicën e asaj kohe, atyre anembanë ishujve të Paqësorit dhe Azisë. Në mes të viteve 1970, pati nevojë që tempulli të mbyllej, të zgjerohej e rinovohej. Si rrjedhim, tempulli u desh të ripërkushtohej, gjë që ndodhi më 13 qershor 1978.
Duke kryesuar në ripërkushtim ishte Presidenti i Kishës, Spenser W. Kimball. Me të ishin këshilltarët e tij të parë e të dytë, N. Eldon Taner dhe Marion G. Romni. Gjithashtu të pranishëm ishin Ezra Taft Bensoni, Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe të tjerë nga Të Dymbëdhjetët dhe Të Shtatëdhjetët. Nuk është diçka që do ta shihni në Kishën e zgjeruar të sotme, që të ketë aq shumë Vëllezër nga udhëheqja kryesuese së bashku për një ngjarje larg prej zyrave qendrore të Kishës. Por ai ishte bekimi ynë në vitin 1978.
Isha një udhëheqës i ri i priftërisë në atë kohë dhe m’u kërkua nga komiteti i bashkërendimit të ripërkushtimit të tempullit që të isha përgjegjës për sigurimin vendor dhe përgatitjet për transportimin e Presidentit Kimball dhe të grupit të tij. Nuk dua t’i mbivlerësoj përgjegjësitë e mia; ato ishin thjesht mbështetëse dhe prapa skenës së ngjarjeve. Megjithatë, ajo që më lejoi detyra ime, ishte të ndodhesha pranë Presidentit Kimball. Për një periudhë njëjavore, që përfshiu tri ditë të sesioneve të ripërkushtimit të tempullit, një mbledhje solemne dhe një konferencë të gjerë krahinore, unë e vëzhgova nga afër Presidentin e Kishës. E vëzhgova të jepte mësim, të dëshmonte dhe të profetizonte me autoritet dhe me fuqi. Pashë përpjekjen e tij të palodhshme për t’i dhënë shërbesë “një njeriu”, duke kërkuar të takohej privatisht me individë që i vuri re gjatë mbledhjeve apo përgjatë udhës. Dëshmova që ai vazhdimisht u përdor si “një mjet në duart e Perëndisë” (Alma 17:9). Më la mbresë të thellë!
Në mbarim të javës, ne ishim në aeroport për largimin e Presidentit Kimball dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Përsëri, duke e theksuar rolin tim të kufizuar dhe mbështetës, unë tregoj sa vijon: Presidenti Kimball erdhi tek unë për të më falënderuar për përpjekjet e mia modeste. Ai nuk ishte shumë i gjatë fizikisht, dhe unë jam një burrë trupmadh. Më kapi nga jaka e xhaketës dhe me të shpejtë më uli poshtë që të isha në gjatësinë e tij. Pastaj më puthi në faqe dhe më falënderoi. Pasi u largua pak hapa, Presidenti Kimball u kthye. Më kapi në po të njëjtën mënyrë dhe më tërhoqi poshtë përsëri. Këtë herë më puthi në faqen tjetër dhe më tha se më donte. Më pas u largua.
Vitin e mëparshëm, ishte botuar një biografi e Spenser W. Kimballit, e shkruar nga biri i tij dhe nga nipi i tij. Në atë kohë, e mora dhe e lexova, duke e gjetur atë interesante. Megjithatë, pas kësaj përvoje tepër vetjake me Spenser Ulli Kimballin, shkova në shtëpi nga aeroporti dhe e nxora atë vëllim të trashë nga rafti i bibliotekës sonë, duke ndier një dëshirë të fortë për ta lexuar përsëri. Gjatë disa ditëve pasuese, çdo orë që isha i zgjuar dhe pa ndonjë detyrim tjetër, po lexoja dhe reflektoja. E kuptoni, po lexoja tani rreth dikujt që e doja thellësisht. Po lexoja tani rreth dikujt që e dija se më donte. Po lexoja tani rreth dikujt për të cilin do të bëja gjithçka, ngaqë e dija se çdo gjë që më kërkonte, do të ishte për më të mirën time.
Përmes kënaqësisë së asaj përvoje, pata një përvojë tjetër. Kjo përvojë është shumë personale për t’u treguar, por përgjatë saj u ndjeva thellësisht i turpëruar. Kuptova se unë nuk e kisha po atë dashuri dhe respekt për ata që janë më të rëndësishmit, anëtarët e Kreut-Perëndi, dhe veçanërisht për Jezusin, Krishtin, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin. Kjo më shtyu të studioj “biografinë” e Tij dhe nëpërmjet lutjes dhe agjërimit, dhe përsiatjes më shtyu të dija se po lexoja tani rreth dikujt të cilin e doja thellësisht. Po lexoja tani rreth dikujt që e dija se më donte. Po lexoja tani rreth dikujt për të cilin do të bëja gjithçka, ngaqë e dija se çdo gjë që Ai më kërkonte, do të ishte për më të mirën time.
Të dashur miqtë e mi të rinj, unë dëshmoj se kjo dituri ka sjellë një ndryshim të madh në jetën time dhe në familjen time. Nxitoj që të shtoj, nuk na ka bërë në mënyrë magjike të panjollë dhe nuk na e ka bërë domosdoshmërisht të lehtë jetën. Ajo do të jetë në kundërshtim me planin e Perëndisë. Por ajo që na ka siguruar, është një shpresë themelore – “një ndriçim të përkryer të shpresës” (2 Nefi 31:20). Nuk e kam menduar asnjëherë dorëzimin, braktisjen apo tërheqjen. Uroj të njëjtën gjë për ju.
Madje po aq të madhërishëm sa jeni ju, në një grumbullim të kësaj madhësie, ka shumë gëzim dhe shumë dhembje. Në mënyrë individuale, ju mund ta ndieni thellësisht peshën e barrëve të rënda të jetës. Ndoshta gjendja në familjen tuaj nuk është siç do ta dëshironit. Mbase po hasni vështirësi me besimin tuaj. Ka të ngjarë që po merreni me diçka nga e shkuara juaj – qoftë diçka që e keni bërë ju apo diçka që ju është bërë juve padrejtësisht. Disa prej jush mund të keni sfida fizike, mendore apo emocionale, të cilat duken të shumta për t’u duruar. Çfarëdo qofshin rrethanat tuaja, të pasurit e një themeli të fortë do ta lehtësojë ngarkesën tuaj. Me mesazhin e himnit të kënduar shpesh “Fëmi i Per’ndis’ Jam”7 në zemër e në shpirt dhe jo thjesht në buzët tuaja, dhe me një mbështetje të vazhdueshme në Shlyerjen e Shpëtimtarit, Jezu Krishtit, mund të ketë paqe dhe ngushëllim madje edhe në kohët më të vështira.
E sotmja mund të jetë një ditë thelbësore, madje historike, në jetën tonë. Mund të jetë dita kur marrim vendimin dhe ndërmarrim përpjekjet e disiplinuara për ta ndërtuar ose për ta përforcuar themelin tonë. Për disa prej nesh, mund të jetë duke hequr dorë nga ndonjë zakon varësues apo praktikë e urryer që e fyen Perëndinë. Për të tjerë, mund të jetë duke i rivendosur përparësitë në jetën tonë dhe duke ia drejtuar dashurinë tonë Perëndisë më të lartë. Ia vlen çfarëdo çmimi. Në të vërtetë, është thelbi i punës së jetës sonë.
Në mënyrë sa personale dhe individuale që është e mundur për një publik kaq të madh, unë shpall dëshminë time për Jezu Krishtin, gurin e qoshes së Kishës dhe shkëmbin e jetës sonë. Unë dëshmoj për emrin e Tij të shenjtë. Jap dëshmi për autoritetin e Tij dhe për misionin e Tij dhe, më e rëndësishmja, për Shlyerjen e Tij, që e bën të mundur për secilin prej nesh, pavarësisht nga rrethanat e së shkuarës sonë apo të së tashmes sonë, për të ardhur tek Ai (shih Moroni 10:32), në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2014 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 1/14. Miratuar për përkthim: 1/14. Përkthim i “How Firm a Foundation”. Albanian. PD10051036 101