Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Krishtlindja – Një Stinë për të Dashur, Shërbyer dhe Falur Njëri-Tjetrin


2:3

Krishtlindja – Një Stinë për të Dashur, Shërbyer dhe Falur Njëri-Tjetrin

Më pëlqen kur shoh gëzimin dhe padurimin e fëmijëve gjatë gjithë stinës së Krishtlindjes! Më kujtohet padurimi te vetja kur isha fëmijë në Fillore gjatë kohës ndërsa u rrita në Argjentinë. Një vit, mësuesit tanë të Fillores na kërkuan të pastronim lodrat tona të vjetra, t’u lanim flokët kukullave dhe t’u ndreqnim fustanet, në mënyrë që t’ua dhuronim djemve dhe vajzave të vogla, që u duhej ta kalonin ditën e Krishtlindjes në spital.

Gjatë javës ndërsa po pastroja kukullat e mia të vjetra, nëna ime më pyeti se çfarë po bëja me to. Unë i shpjegova se çfarë na kishin kërkuar të bënim mësueset tona të Fillores dhe ajo u përgjigj: “Ti gjithashtu duhet t’u dhurosh fëmijëve një nga lodrat e tua të mira”.

Kësaj pyetje iu përgjigja: “E përse duhet ta bëj këtë?”

Më pas ajo tha diçka që më ka mbetur në mendje gjithë këto vite. Ajo tha: “Kris, është vërtetë shumë gjë e mirë të japim diçka që me të vërtetë e pëlqejmë, diçka që mezi duam ta japim ngaqë e kemi shumë për zemër, diçka që do të quhej si sakrificë. Ja se çfarë ishte dhurata e Atit Qiellor për ne. Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin – jo thjesht një bir. Ai dërgoi Birin e Tij të Dashur dhe të përkryer, në mënyrë që të kthehemi të jetojmë me Të edhe një herë.”

Atë vit, kur dhashë një nga lodrat e mia të parapëlqyera, e kuptova pak më mirë dhuratën e Atit tonë Qiellor për ne – Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, i cili dha jetën e Tij me dashuri dhe vetëmohim për ne.

Çdo vit, si pjesë e kremtimit tonë të Krishtlindjes, babai im i lexonte me zë shkrimet e shenjta, rrëfimin e bukur të Llukës:

“Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë. …

Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.

Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem. …

Për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.

Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.

Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

Por engjëlli u tha atyre: ‘Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd’.

Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

‘Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!’”.1

Vëllezër dhe motra, si mund të kemi sot të njëjtën paqe dhe mirëdashje ndaj njerëzve?

Ndërsa kam medituar mbi këtë pyetje gjatë javëve të kaluara, duke pasur në mendje që Krishtlindja është stina për të dhënë, tre veprime – faktikisht tre dhurata që secili prej nesh mund të japë – më erdhën në mendje. Ne, sigurisht, i japim këto dhurata gjatë gjithë vitit, por në stinën e mrekullueshme të Krishtlindjes, ne kujtojmë dhuratën e Atit, që ishte Biri i Tij dhe mendojmë se si mund ta ndjekim shembullin e Tyre ndërsa rritim aftësinë dhe dëshirën tonë individuale për të dhënë.

1. Krishtlindja është stina për të dhënë dashuri.

Ati ynë në Qiell dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, janë shembujt më të mëdhenj të dashurisë. Një shkrim i shenjtë i shumëpëlqyer na mëson: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”2.

Shpëtimtari ynë na mësoi me anë të shembullit që të duam këdo. Ai na mësoi gjithashtu ta duam Perëndinë dhe t’i duam fqinjët tanë porsi vetveten.

Plaku Xhon A. Uidso shpjegoi:

“Ne nuk mund ta kuptojmë natyrën e plotë dhe thelbësore të dashurisë, por ka vepra nëpërmjet të cilave mund të dallohet.

Dashuria gjendet gjithnjë në të vërtetën. … Gënjeshtrat dhe mashtrimi ose çdo lloj tjetër abuzimi i ligjit moral, janë prova të mungesës së dashurisë. Dashuria shuhet në mes të të pavërtetave. … Kështu që, … [ai] që gënjen atë që do ose bën një veprim kundrejt saj që është në kundërshtim me të vërtetën, nuk e dashuron atë në të vërtetë.

Për më tepër, dashuria nuk e fyen apo lëndon ose e vret njeriun e dashur. … Vrazhdësia është larg dashurisë … aq sa është e vërteta nga e pavërteta.

Dashuria është një forcë pozitive vepruese. Ajo e ndihmon njeriun e dashur. Po të jetë nevoja, dashuria përpiqet ta mbushë atë. Nëse ka dobësi, dashuria e zëvendëson atë me shpresë. … Dashuria që nuk shërben për gjë është një dashuri e shtirur ose kalimtare.

Sado të mira të jenë këto vepra, ekziston një vepër që është më supremja. Dashuria e vërtetë bën që të sakrifikosh për njeriun e dashur. … Kjo është prova përfundimtare. Krishti dha Veten, dha jetën e Tij dhe si rrjedhojë shpalli vërtetësinë e dashurisë së tij për vëllezërit dhe motrat e tij tokësore.”3

Ati ynë në Qiell na fton të gjithë ne, fëmijët e Tij, të falim dashuri dhe të sakrifikojmë për këtë dashuri. “Jepni”, tha Shpëtimtari, “dhe do t’ju jepet”4. “Falas morët, falas jepni.”5

2. Krishtlindja është stina për të shërbyer.

Zoti dhe Shpëtimtari ynë u shërbeu vetë njerëzve, duke ngritur moralisht të shtypurin, duke i dhënë shpresë të pashpresit dhe duke kërkuar të humburin. Ai i dha shikim të verbrit, shëroi të sëmurët dhe të çalët që të mund të ecnin dhe ngriti të vdekurit.

Në periudhën e Krishtlindjes, unë mendoj për misionarët – pleqtë, motrat, misionarët në moshë dhe presidentët e misioneve kudo në botë, të cilët si përfaqësues të Jezu Krishtit, japin falas nga koha dhe shërbimi i tyre për gjithë njerëzimin. Unë mendoj për të gjithë vëllezërit dhe motrat, të cilët kalojnë shumë orë duke shërbyer besnikërisht në thirrjet e tyre. Edhe në këtë kohë, unë mendoj për të gjithë burrat dhe gratë që po shërbejnë në ushtri, për të na siguruar ne mbrojtje. Faleminderit për shërbimin tuaj!

Por edhe nëse nuk jemi duke i shërbyer Zotit ose vendit tonë me shërbim kohëplotë, mundësitë tona për të shërbyer janë të pakufishme. Fjalë dhe vepra mirëdashëse mund të lehtësojnë barrë dhe të gëzojnë zemra! Ati ynë në Qiell na fton të gjithëve që të japim shërbim. Dhe kur e bëjmë këtë, “Mbreti duke … u përgjigjur do … [të na] thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’”6.

3. Krishtlindja është stina për të falur.

Të falësh të tjerët na sjell paqe dhe gëzim në jetën tonë. Presidenti Hiber J Grant dha mësim: “Nuk ka asgjë që mund të na e sjellë më shumë Shpirtin e Perëndisë sesa të … qenit i sjellshëm, i kujdesshëm, mirëdashës, shumë i duruar dhe falës. Nuk ka asgjë që do të na sjellë më shumë gëzim sesa të qenit i gatshëm dhe [veprues] me dëshirë për të falur shkeljet e fqinjëve tanë kundrejt nesh dhe, nuk ka asgjë që mund të na sjellë më shumë mallkim sesa ngurtësimi i zemrës dhe të qenit të ashpër dhe hakmarrës në ndjenjat tona kundrejt atyre prej të cilëve rrethohemi”7.

Për të marrë falje për mëkatet tona, ne duhet të falim të tjerë.

Falja e të tjerëve na lejon t’i kapërcejmë ndjenjat tona të mërzisë, hidhërimit ose hakmarrjes. Dhe kush dëshiron t’i ketë ato ndjenja për Krishtlindje? Falja mund t’i shërojë gjithashtu plagët shpirtërore dhe të na sjellë paqen dhe dashurinë që vetëm Perëndia mund ta japë.

Ati ynë në Qiell dëshiron që ne të pendohemi dhe të falim çdo njeri – përfshirë dhe veten. Plaku Xhefri R Holland tha: “Sado vonë që të mendoni se jeni, pavarësisht shumë shanseve që mendoni se keni humbur, pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë apo talenteve që mendoni se nuk i keni, ose distancës nga shtëpia dhe familja, dhe Perëndia që mendoni se jeni larguar, ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit që shkëlqen.”8

Vëllezër dhe motra, në këtë stinë Krishtlindjeje, le të japim të gjithë dhuratat më të mira. Le të sakrifikojmë me zemër mirënjohëse lodrat tona më të parapëlqyera – jo ato që janë vjetruar. Dhe le t’u japim dhuratën e dashurisë, dhuratën e shërbimit njerëzve përreth nesh dhe dhuratën e vërtetë të faljes. Pasi kur pendohemi, i Shenjti i Izraelit na fal. Unë dëshmoj se Ai jeton. Ai është Mbreti i mbretërve, Princi i Paqes, Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë dhe Miku ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.