Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Shpërndaji Thërrimet e Tua


Shpërndaji Thërrimet e Tua

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miq të dashur, ju sjell përshëndetjet dhe bekimin e profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson. Ai është mirënjohës për lutjet dhe dashurinë tuaj në këtë kohë Krishtlindjeje dhe gjithmonë.

E kam dashur përherë këtë kohë të vitit. Ky Takim Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë është bërë një traditë e dashur për shumë njerëz, përfshirë familjen time. Mezi presim që ta hapim periudhën e Krishtlindjes me muzikën mahnitëse të Orkestrës në Sheshin e Tempullit dhe gjithmonë të mrekullueshmin, Korin Mormon të Tabernakullit. Mesazhet dhe muzika ndihmojnë që të krijohet atmosfera për periudhën e Krishtlindjes dhe na kujtojnë domethënien e thellë të asaj që kremtojmë dhe përse e kremtojmë.

Krishtlindja në Gjermani

Në fëmijërinë time të hershme, dëshirat e mia për Krishtlindje përfshinin gjithmonë një dimër të përkryer si në fotografi, dhe e di se nuk jam i vetëm në këtë gjë. Për mua kjo nënkuptonte ajër dimri të acartë, qiej blu të pastër dhe një shtresë të trashë dëbore të bardhë që sapo kishte rënë. Në vend të kësaj, moti pothuajse gjithnjë ndryshonte nga ëndrrat e mia dimërore në vendin e çudirave, shpesh me qiej gri e të mjegullt, me dëborë të lagësht e me baltë, apo edhe me shi.

Megjithatë, në Vigjiljen e Krishtlindjes, nëna na vishte trashë me veshje të ngrohta dimri dhe babai shëtiste me ne nëpër rrugët e qytetit tonë.

Ne fëmijët e dinim arsyen e vërtetë të kësaj shëtitjeje vjetore – Nënës i nevojitej kohë që ta zbukuronte pemën e Krishtlindjes, t’i vendoste dhuratat nën pemë dhe ta përgatiste dhomën tonë të ndenjjes për natën e shenjtë. Ne përdornim çdo marifet që ta bënim këtë shëtitje sa më të shkurtër që të ishte e mundur. Por babai ynë ishte tejet krijues për të shtuar një xhiro tjetër apo një kthesë më shumë për t’i dhënë nënës kohën e nevojshme.

Në ato ditë, rrugët e Cvikaut ishin krejt të errëta mbrëmjeve. Kjo ishte pikërisht pas Luftës II Botërore dhe dritat e rrugës ishin të pakta. Vetëm pak dyqane ishin të hapura dhe disa prej tyre ndodheshin pranë shtëpive të bombarduara, të cilat kishin ende erën e çuditshme të luftës.

Ishte një pjesë e shëtitjes që na pëlqente shumë të gjithëve – një ndalesë në katedralen në qendër të qytetit të Cvikaut, ku ne dëgjonim këngët e bukura të Krishtlindjes dhe muzikën madhështore të organos, të cilat gjithmonë dukej se luheshin në Vigjiljen e Krishtlindjes. Në njëfarë mënyre, kjo muzikë i bënte dritat e thjeshta të qytetit tonë të dukeshin papritur shumë më të shndritshme – pothuaj si yjet që xixëllojnë – dhe i mbushte zemrat tona të reja me një shpirt të mrekullueshëm të padurimit.

Në kohën që ktheheshim, nëna i kishte mbaruar përgatitjet e saj dhe ne futeshim në dhomën e ndenjjes një e nga një për të parë mrekullinë e Tannenbaum-it [bredhit] të sapozbukuruar. Në ato ditë ishte e vështirë të gjeje pemë dhe ne merrnim çfarëdo që mundeshim. Nganjëherë na duhej të shtonim disa degë për ta bërë të dukej si një pemë e vërtetë. Por në sytë e mi fëminorë, pema e Krishtlindjes ishte gjithmonë përsosurisht e lavdishme.

Dritat e qirinjve me dyll që regëtinin, i sillnin dhomës një ndriçim të mistershëm, thuajse mahnitës. Ne prisnim me padurim e kënaqësi për dhuratat që ishin nën pemë dhe shpresonim se dëshirat tona të fshehta do të përmbusheshin.

Padurimi i marrjes së dhuratave ishte thuajse i njëjtë me drithërimën e dhënies së tyre. Shpesh këto dhurata ishin bërë me dorë. Një vit, kur isha shumë i vogël, dhurata për vëllanë tim ishte një pikturim që i pata bërë atij vetë. Isha shumë krenar për kryeveprën time. Dhe ai qe shumë dashamirës dhe i sjellshëm në fjalët e tij mirënjohëse dhe lavdëruese.

Do t’i ruaj gjithmonë si thesar këto kujtime të çmuara të fëmijërisë sime në Gjermaninë Lindore.

Dashuria e Pafund

Traditat e Krishtlindjes festohen në kulturat dhe kombet e kësaj bote në mënyra mahnitëse, të pashoqe. Secila prej tyre është e bukur dhe mbresëlënëse, por prapëseprapë shumë e ndryshme.

Por të gjitha ato kanë një ndjenjë të përbashkët, një shpirt të përbashkët që gjithnjë duket se është i pranishëm kur ne e festojmë lindjen e Krishtit, Mbretit, Ngushëlluesit dhe Vetëbesimit tonë, Ngushëllimit të Izraelit.

Ka shumë fjalë që një njeri mund të përdorë për ta përshkruar këtë ndjenjë: gëzim, shpresë, pritje me padurim, humor i mirë. Secila prej këtyre është pjesë e asaj që e quajmë “shpirti i Krishtlindjes”.

Po për mua, ka një fjalë që i përshkruan më mirë ndjenjat që përjetojmë në kohën e Krishtlindjes. Ajo fjalë është dashuri.

Në fund të fundit, dhurata që festojmë në Krishtlindje është një dhuratë dashurie – dhurata e Birit të Tij nga ana e Perëndisë. “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria.”1

Të prekur nga ajo dashuri, zemrat tona zbuten. Ne ndjejmë një butësi që na bën t’i ndihmojmë të tjerët me dashamirësi e dhembshuri.

Krishtlindja na frymëzon që të duam më mirë.

Edhe tani që e them këtë, e pranoj se fjala dashuri është e papërshtatshme. Në anglisht, si edhe në shumë gjuhë të tjera, “dashuri” mund të nënkuptojë shumë gjëra. Për shembull, unë mund të them se e “dua” motin apo e “dua” veshjen tënde të re, ose madje unë mund ta “dua” erën e një kutie të sapohapur me topa tenisi.

Por dashuria për të cilën po flas është diçka shumë më e thellë. Koncepti ynë tokësor i dashurisë krahasuar me dashurinë që Perëndia ndjen për ne, është një pikëz rëre në një bregdet të pakufishëm.

Dashuria e Tij është dhembshuri e pafundme dhe e pashtershme. Dashuria hyjnore mbush përjetësinë. Ajo mbulon me hir përjetësie. Ajo na ndihmon dhe na ngre. Ajo fal. Ajo bekon. Ajo shëlben.

Dashuria hyjnore i kapërcen ndryshimet në personalitet, kulturë apo kredo. Ajo nuk pranon që t’i lejojë anësitë dhe paragjykimet të jenë pengesë për të dhënë ngushëllim, dhembshuri e mirëkuptim. Ajo është plotësisht e lirë nga mujshimi, diskriminimi apo arroganca. Dashuria hyjnore na frymëzon të bëjmë ashtu siç bëri Shpëtimtari: të “ndihmo[jmë] të dobëtit, [të] ngr[emë] duart që varen poshtë dhe [të] forco[jmë] gjunjët e këputur”2.

Ky është lloji i dashurisë për të cilën përpiqemi fort. Ai duhet të jetë karakteristika jonë përcaktuese si individë dhe si popull.

Ne mund të mos jemi në gjendje të zhvillojmë një plotësi të dashurisë hyjnore në këtë jetë, por kurrë nuk duhet të ndalojmë së përpjekuri. Nëse ka një periudhë të vitit kur ne afrohemi pak më shumë se sa ndonjë herë tjetër, kjo mund të jetë koha e Krishtlindjes, kur zemra jonë dhe mendimet tona kthehen te lindja e shfaqjes së gjallë të dashurisë hyjnore, madje të Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Anëtari i Këshillit të Qytetit dhe Djaloshi

Më lejoni të tregoj një histori për të ilustruar mënyrën se si kjo dashuri mund të veprojë në jetën tonë. Në Vigjiljen e Krishtlindjes, 85 vite më parë, gjatë Depresionit të Madh, një anëtar i këshillit të qytetit po inspektonte rrugët e Solt-Lejk-Sitit pas një stuhie dimri. Ndërkohë që po ngiste makinën, vuri re një djalë të vogël buzë rrugës, duke qëndruar në atë të ftohtë të hidhur pa pasur pallto, dorashka apo çizme. Anëtari i këshillit e ndaloi makinën, e ftoi djalin në ngrohtësinë e makinës së tij dhe e pyeti nëse ishte i gëzuar për Krishtlindjet. Djali u përgjigj: “Nuk do kemi Krishtlindje në shtëpinë tonë. Babi vdiq tre muaj më parë dhe la mamin dhe mua dhe një vëlla e motër të vogël.”

Anëtari i këshillit të qytetit e ndezi ngrohësin e makinës dhe tha: “Tani, bir, më jep emrin dhe adresën tënde. Dikush do të vijë në shtëpinë tuaj – nuk do të liheni në harresë”.

Ky anëtar i këshillit të qytetit ndodhi të ishte edhe president kunji në qendër të Solt-Lejk-Sitit. Ai kishte qenë duke punuar me anëtarë të kunjit të tij për të siguruar ushqim e dhurata për familjet që nuk ishin në gjendje të siguronin vetë. Djali nuk ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, por kjo nuk kishte rëndësi për anëtarin e këshillit. Atë natë, ai dhe një prej peshkopëve në kunjin e tij, u kujdesën që familja e djalit të merrte një shportë Krishtlindjeje të mbushur plot.3

Takimi me këtë djalë ndikoi thellësisht te ky president kunji. E bëri më të vendosur se kurrë që ta kërkonte dhe ta lehtësonte vuajtjen kudo që e gjente. Ajo u bë madje shenja dalluese e jetës së tij.

Emri i anëtarit të këshillit të qytetit ishte Harold Bingam Li, dhe 40 vjet më vonë, ai do të bëhej Presidenti i 11-të i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Presidenti Li ishte një figurë qendrore në zhvillimin e programit të madh të Kishës për t’i lehtësuar vuajtjet e atyre që ishin në mjerim dhe për t’i ndihmuar të gjithë fëmijët e Perëndisë të bëheshin më të mbështetur te vetja.

Nga fundi i jetës së tij, Presidenti Li tha se i kuptonte ata që vuanin dhe dëshironin ndihmë, për shkak të viteve të tij të hershme të varfra e të përulura.4

Nuk Ka të Bëjë Shumë Sa Ke, por Sa Dashuri Jep

Mendoj që e di se si u ndie Presidenti Li.

Familja ime gjithashtu jetoi në rrethana shumë modeste herë pas here. Dy herë brenda shtatë vjetësh, ne u larguam nga shtëpitë tona si refugjatë dhe lamë çdo gjë prapa. Në Gjermaninë Perëndimore ne jetonim në një papafingo me qira në një ndërtesë të vjetër ferme. Ajo kishte dy dhoma të vogla dhe flinim të gjithë në një dhomë. Hapësira ishte aq e ngushtë saqë më duhej të ecja anash për të lëvizur midis shtretërve.

Nëna ime kishte një furnelë me korrent që na shërbente si sobë. Dhe kur donim të shkonim nga një dhomë në tjetrën, duhej të kalonim nëpër një radhë pengesash veglash bujqësore, arkash të ndryshme e mishrash të ndryshëm të konservuar që vareshin nga tavani. Një herë, kur isha i sëmurë dhe më duhej të qëndroja në shtrat gjithë ditën, pashë minjtë e papafingos sonë që vraponin nëpër dysheme. Uji duhej të çohej në krahë deri te dhomat lart dhe banja ishte një WC jashtë shtëpisë, matanë oborrit, ngjitur me hangarin. Të dielave ne bënim dy orë vajtje-ardhje për të shkuar te ndërtesa jonë e Kishës në Frankfurt dhe për t’u kthyer në shtëpi. Rrallë mund ta përballonim që të merrnim taksi.

I kujtoj ende ato ditë, edhe me dhimbje edhe me gëzim. Prindërit e mi bënë më të mirën që mundën për të siguruar për ne, dhe e dinim se na donin. Po, këto ishin kohë me nevoja të mëdha, por unë i konsideroj ato kohë të lumtura, sepse mund ta ndjeja dashurinë që kishim për njëri-tjetrin, Zotin dhe Kishën e Tij.

Nuk është turp të jesh i varfër. Mbani mend se Shpëtimtari i Botës u lind në një stallë dhe u vu në një grazhd “ngaqë në han nuk kishte vend për [Të]”5. Pastaj, pak kohë më vonë, Ai, Maria dhe Jozefi u bënë refugjatë, duke u arratisur për në Egjipt, që të kërkonin mbrojtje nga Herodi vrastar. Gjatë shërbesës së Tij publike, Jezusi eci midis të këputurve, të uriturve dhe të sëmurëve. Ditët e tij ishin të mbushura me shërbesë ndaj tyre. Ai erdhi “për t’ua [shpallur lajmin e mirë] të varfër[ve]”6. Në shumë mënyra, Ai ishte njëri prej tyre, sepse edhe Ai nuk kishte “ku t[a] mbështe[ste] kokën”7.

Ai e lavdëroi të venë e mjerë që, në varfërinë e saj, i hodhi dy monedhat e saj të vogla në arkën e thesarit judeas.8 Dhe një prej mesazheve të Tij të fundit në vdekshmëri ishte që vetë shpëtimi ynë varet nga mënyra se si i trajtojmë të tjerët – veçanërisht ata që konsiderohen “më të vegjël” – sepse “sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej [a]tyre”, tha Ai, “këtë ma bëtë mua”9.

Një poet anglez i shekullit të 19-të, shkruan këto rreshta:

Mes dëborës së acartë e me shi,

I ndrojturi gushëkuq vjen;

Në mëshirë mos e largo,

Por të tuat thërrime shpërnda. …

 

Gjithkush mund t’kursej’, askush s’ësht shum’ i vobekt’,

Kur dëshira me dimrin vjen;

Buka s’ësht’ kurrë vetëm e jotja,

At’her’ të tuat thërrime shpërnda.

 

Shpejt dimri troket në jetën tënde,

Dita e llogaridhënies vjen:

Ndaj m’kateve të tua, vendosur nga lart,

Peshojnë ato të shpërndara thërrime.10

Pavarësisht nga pozita jonë në jetë, gjithsecili prej nesh është një gushëkuq i ndrojtur – një lypës – përpara Perëndisë. Ne varemi nga hiri i Tij. Është me anë të flijimit të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, si pjesë e planit të madh të lumturisë, që ne kemi shpresa për shpëtim dhe mëshirë. Kjo dhuratë shpirtërore na frymëzon që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe t’i ndihmojmë me dhembshuri ata që janë përreth nesh. Edhe sikur gjithçka që kemi është një grusht thërrimesh, ne me gëzim i ndajmë me ata që kanë nevoja emocionale, shpirtërore ose materiale, si shprehje e mirënjohjes sonë për festën hyjnore që Perëndia ka përgatitur për ne.

Bekimi i të Tjerëve në Krishtlindje

Gjatë kësaj periudhe të dashur të Krishtlindjes, është e përshtatshme që ne të gjejmë kënaqësi te dritat, muzika, dhuratat dhe shkëlqimi. Kjo është e gjitha pjesë e arsyes përse e duam kaq shumë këtë kohë të vitit.

Por le të mos harrojmë kurrë se jemi dishepuj dhe pasues të Jezu Krishtit, Birit të gjallë të Perëndisë së gjallë. Për ta nderuar me të vërtetë ardhjen e Tij në botë, duhet të bëjmë ashtu siç bëri Ai dhe t’i ndihmojmë me dhembshuri bashkëqeniet tona. Këtë mund ta bëjmë çdo ditë, me anë të fjalës e të veprave. Le të bëhet kjo tradita jonë e Krishtlindjes, pavarësisht se ku jemi – të jemi pak më tepër mirëdashës, pak më tepër falës, më pak gjykues, më mirënjohës dhe më bujarë për ta ndarë bollëkun tonë me ata në nevojë.

Na frymëzoftë meditimi mbi lindjen e Jezusit në Bethlehem për të qenë më shumë si Ai. Misioni dhe shembulli i Krishtit bëftë që zemrat tona të mbushen me dashuri hyjnore për Perëndinë dhe dhembshuri të thellë për bashkëqeniet tona. Dhe i shpërndafshim përherë thërrimet tona me bujari më të madhe dhe dashuri të pareshtur. Kjo është lutja dhe bekimi im këtë periudhë Krishtlindjeje dhe gjithmonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 1 Gjoni 4:9–10.

  2. Doktrina e Besëlidhje 81:5.

  3. Shih Harold B. Lee, Ye Are the Light of the World (1974), f. 346–347.

  4. Shih Brent L. Goates, Harold B. Lee: Prophet and Seer (1985), kapitulli 32.

  5. Lluka 2:7.

  6. Lluka 4:18, Varianti Standard në Anglisht.

  7. Mateu 8:20, Varianti Standard në Anglisht.

  8. Shih Marku 12:42–44.

  9. Shih Mateu 25:32–46.

  10. Alfred Crowquill, “Scatter Your Crumbs”, në Robert Chambers, red., The Book of Days (1881), 2:752. E gjithë poezia është si vijon:

    Mes dëborës së acartë e me shi,

    I druajturi gushëkuq vjen;

    Në mëshirë mos e largo,

    Por të tuat thërrime shpërnda.

    Dhe derën lëre pa shul

    Për këdo që vjen;

    Sa më të vobektë, aq më shumë mirëpriti,

    Dhe të tuat thërrime shpërnda.

    Gjithkush mund t’kursej’, askush s’ësht’ shum’ i vobekt’,

    Kur dëshira me dimrin vjen;

    Buka s’ësht’ kurrë vetëm e jotja,

    At’her’ të tuat thërrime shpërnda.

    Shpejt dimri troket në jetën tënde,

    Dita e llogaridhënies vjen:

    Ndaj m’kateve të tua, vendosur nga lart,

    Peshojnë të shpërndarat thërrime.