Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Dhuratat Qiellore


Dhuratat Qiellore

Djalë i Ri

Asnjë djalë i vogël nuk e priste Krishtlindjen me më shumë padurim se sa unë. Më pëlqente shumë! Dhe prindërit e mi ishin mjeshtra për ta kthyer shtëpinë tonë në një vend të vogël të rehatshëm të një dimri përrallor. Kishte zbukurime, muzikë, drita, ëmbëlsira dhe, natyrisht, dhurata. O, me sa padurim i prisja dhuratat. Çdo vit, unë besnikërisht bëja një listë për dëshirat më të mëdha të zemrës sime.

Ngaqë jetonim në fermë, çdo mëngjes Krishtlindjeje, përpara se t’i hapnim dhuratat tona, ne visheshim trashë për t’i bërë ballë motit të acartë dimëror dhe kujdeseshim për kafshët e fermës sonë. Nuk kishte gjë më të mirë sesa kur e përfundonim punën tonë dhe nxitonim të ktheheshim brenda për të marrë pjesë në magjinë e mëngjesit.

Sa po filloja të mësoja për këtë njeri, Jezu Krishtin, ditëlindjen e të cilit po e festonim. Por dukej si një ujdi mjaft e mirë. Ditëlindja ishte e Tija, por ne i merrnim të gjitha dhuratat. Cili fëmijë nuk e donte këtë! Krishtlindja ishte gjithçka e mirë.

Fatmirësisht, me kalimin e kohës, kuptueshmëria ime për Shpëtimtarin u rrit – lindjen dhe ditëlindjen e Tij, jetën dhe mrekullitë e Tij, fuqinë dhe sakrificat e Tij, Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij, por kryesisht, madhështinë dhe dashurinë e Tij të papërfytyrueshme. Po, Krishtlindja ishte gjithçka e mirë, por kjo ishte thjesht ngaqë Jezu Krishti ishte gjithçka e mirë. Apo e thënë ndryshe, Jezu Krishti ishte gjithçka e mrekullueshme!

Shërbimi Misionar

Ashtu si shumë të rinj, prisja që të shërbeja në një mision me padurim të madh, por Krishtlindja ime e parë larg shtëpisë ishte paksa tronditëse. Gjatë muajve që çuan drejt ditëlindjes sime të 19-të, praktikisht gjithçka që mund të mendoja ishte se kur do ta filloja misionin tim. Isha më i ri se shumica e shokëve të klasës dhe miqve të mi, dhe shumë prej tyre ishin nisur për në misione, duke më lënë prapa. Ndihesha sikur isha edhe unë gati për të qenë misionar. E vetmja gjë që më pengonte, ishte ditëlindja ime.

Pas asaj që m’u duk si një pritje e gjatë, më në fund koha ime erdhi dhe unë hyra në QTM. Në fillim të dhjetorit, u gjenda në një aeroplan duke fluturuar drejt misionit tim në Santiago, Kili. Më së fundi isha në udhë e sipër, dhe çfarë ishte edhe më e mirë, Krishtlindja po vinte shpejt. Kisha vetëbesim se isha gati për përvojën më të lavdishme të jetës sime.

Por kur zbrita nga avioni, zbulova shpejt se gjërat ishin shumë ndryshme nga ato që kishin qenë në shtëpinë në Jutë. Po, Krishtlindja po vinte shpejt, por ndihej sikur të ishte mesi i verës. Ku ishte bora? Ku ishin çizmet dhe palltot?

U përfshiva shpejt në sfidat e punës. Po vuaja ndryshimin e orarit dhe ndonjëherë e gjeja veten duke dremitur gjatë takimeve tona mësimdhënëse. Kultura ishte e ndryshme, gjuha ishte një mister – sigurisht që nuk tingëllonte si asgjë nga ato që kisha mësuar në QTM – dhe ushqimi ishte i pashoq. Dhe për sa i përket ushqimit, unë dhe shoku im duhet të kishim ngrënë diçka të keqe, sepse që të dy u sëmurëm rëndë. Më pas, përveç këtyre, gjatë njërës prej netëve të mia të para në Kili, ne përjetuam një tërmet.

Ishte Krishtlindja ime e parë larg shtëpisë dhe isha tepër i sëmurë. Isha shtrirë në shtrat në një vend të panjohur, duke u përpjekur të kuptoja një gjuhë që mezi e deshifroja, duke jetuar me dikë tjetër që sapo e kisha njohur. A ishte kjo gjithçkaja e punës misionare dhe përse kisha qenë kaq i nxituar?

Prapëseprapë, pavarësisht nga gjithë këto sfida, po filloja ta doja popullin e Kilit me gjithë zemrën time. Ata ishin kaq të mrekullueshëm dhe kaq të lehtë për t’u dashur – dhe shumë prej tyre ishin të uritur për mesazhin e Shpëtimtarit. Në botën e vërtetë e të egër, ku njerëzit ishin të dëshpëruar për mesazhin e një Shpëtimtari, në njëfarë mënyre, pemët e Krishtlindjes dhe çorapet e mbushura plot nuk ishin aq të rëndësishme saç kishin qenë më parë. Nëse Krishti e kishte lënë shtëpinë e Tij qiellore dhe kishte ardhur në tokë për të vuajtur e për të vdekur për ne, edhe unë sigurisht mund ta lija shtëpinë time dhe të përballesha me disa mërzitje të vogla për ta ndarë mesazhin e Tij të mrekullueshëm.

Ajo Krishtlindje më mësoi gëzimin e dëlirë të të ndihmuarit të njerëzve për të marrë dhuratën më të madhe nga të gjitha dhuratat e Atit Qiellor, planin e Tij të madh të lumturisë – dhe lumturia, zbulova unë, ishte e vetmja gjë që çdokush e dëshironte më shumë, jo vetëm në kohën e Krishtlindjes, por gjithmonë.

Vejan i Ri dhe Martesa

Disa vite pas misionit tim, e gjeta veten duke u përballur me një sfidë të re. Isha i dëshpëruar, i lodhur dhe i vetmuar. Disa muaj më parë, bashkëshortja ime e më pak se dy viteve martesë, kishte vdekur papritur në një aksident me makinë, duke na lënë vetëm mua dhe vajzën tonë 7-muajshe.

Isha student në universitet, duke studiuar, duke punuar dhe duke u munduar të mësoja se si të isha një prind i vetëm. Krishtlindja po afrohej dhe ndërkohë që të tjerët po largoheshin për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, që të ishin me familjen dhe njerëzit e tyre të dashur gjatë festave, për shkak të zotimeve në punë, m’u desh që të qëndroja në shkollë. Ndihesha i vetmuar dhe shumë i pikëlluar. Krishtlindja erdhi e shkoi dhe koha vazhdonte të kalonte.

Pothuaj një vit më vonë, ndërsa Krishtlindja po afrohej sërish, e pashë veten akoma beqar. Tani, shkrimet e shenjta thonë se nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm (shih Zanafilla 2:18), dhe isha me gjithë zemër dakord. Më duhej një shoqe, dhe vajza ime e vogël kishte nevojë për një nënë.

Arsyetova: “Mund të mos jem ndonjë kushedi se çfarë, por cila grua nuk do të donte një vajzë të vogël, të vërtetë e të gjallë për Krishtlindje? Jo thjesht një kukull – por gjënë e vërtetë?” Dhe fatmirësisht, nëse dikush do ta donte vajzën, epo, unë do të isha pjesë e paketës.

Ia kisha vënë syrin një zonjushe në klasën time të biologjisë, por po afrohej fundi i semestrit dhe ende nuk e kisha marrë kurajën që t’i flisja asaj. Qielli duhet të ketë qenë në anën time ngaqë një ditë, thjesht rastësisht, ndodhi që ne po dilnim nga qendra e provimeve në të njëjtën kohë. Kjo ishte mundësia ime. Fillova të bisedoja me të dhe më vonë atë natë, e mora në telefon Nensin dhe i kërkova që të dilnim në takim. Dolëm në një takim dhe më pas në një tjetër, dhe më pas në një tjetër. Gjithsesi, e dija se Krishtlindja po afrohej dhe Nensi do të shkonte në shtëpi. Çfarë mund të bëja për ta mbajtur këtë shkëndijë të vogël të gjallë dhe në rritje, [atë shkëndijë] që po fillonte të zhvillohej mes nesh?

Bëra një plan. Me ndihmën e motrës së Nensit dhe të dashurit të saj, unë e befasoja fshehtas Nensin me nga një dhuratë në secilën prej 12 ditëve që çonin drejt Krishtlindjes.

Plani im funksionoi. Nensi po merrte dhurata, por ajo nuk e kishte fare idenë se nga kush vinin ato. U bë një mister që e gjithë familja e saj po mundohej ta zgjidhte. Motra e Nensit dhe i dashuri i saj premtuan se nuk do ta tregonin përfshirjen e tyre. Ishte me të vërtetë një lidhje e fshehtë – vetëm se me synime të mira.

Gjithsesi, një natë familja i ra në të. Ra zilja e derës, familja nxitoi për te dera dhe u zuri syri një makinë që po largohej me nxitim. E morën shënim numrin e targës dhe të nesërmen morën në telefon zyrën e patentave për të zbuluar se kush ishte pronari i makinës. Zbuluan se i përkiste një pjesëtari të familjes së të dashurit të motrës. E fshehta doli në shesh. Motra e Nensit dhe i dashuri i saj dolën dhe e pranuan përfshirjen e tyre në skemën time. Brenda vetes isha i lumtur që u zbulova ngaqë unë dhe Nensi mundëm ta kalonim ditën e Krishtlindjes së bashku, dhe që atëherë e vazhduam shoqërimin tonë.

Dhe ashtu siç kisha shpresuar, Nensi donte me të vërtetë një vajzë të vogël, të vërtetë e të gjallë për Krishtlindje. Ajo e deshi vajzën time si të ishte e saja. Dhe fatmirësisht, unë isha pjesë e paketës. Ne u martuam verën pasuese. Kjo ishte një nga dhuratat më të mira që kisha marrë ndonjëherë.

Po përjetoja planin e madh të Atit Qiellor për lumturinë. Kisha një familje të përjetshme dhe ne u vulosëm së bashku përgjithmonë. Dhurata e martesës dhe familjes së përjetshme është një dhuratë që të gjithë besnikët do ta marrin, ose në këtë jetë ose në tjetrën. Ç’dhuratë më të madhe mund të ketë?

Kur reflektova mbi ditët e mia të vetmisë dhe të trishtimit, kuptova se Jezu Krishti në një pikë të caktuar ishte ndier po aq i braktisur dhe i vetëm. Ai, më shumë se kushdo tjetër, e dinte dhimbjen time. Edhe gjatë kohëve të vetmisë sime më të madhe, unë kurrë nuk isha ndier i braktisur prej Tij. Ai nuk ishte vetëm Shpëtimtari im; Ai ishte vëllai im dhe miku im më i mirë.

Baba i Ri

Familja jonë e vogël filloi të rritej dhe disa vite më vonë unë u përballa sërish me një tjetër ankth të madh. Ndërsa Krishtlindja po afronte, unë dhe Nensi pamë njëri-tjetrin dhe e kuptuam se nuk kishim asnjë qindarkë të kursyer që t’i shpenzonim për dhuratat e Krishtlindjes për fëmijët tanë të vegjël atë vit.

Sapo isha diplomuar nga kolegji dhe po mundoheshim të stabilizoheshim financiarisht. Megjithëse kisha një punë të mirë, shpejt u bë e qartë se kostoja e lartë e jetesës ishte përtej buxhetit tonë. E vetmja gjë që ishte në anën tonë, ishte se ne ishim pagues të plotë të së dhjetës. Megjithëse askush nuk e dinte hallin tonë, Ati Qiellor dhe Shpëtimtari e dinin, dhe ata filluan të dërgonin mrekulli të vogla të Krishtlindjes.

Një ditë ra zilja e derës. Ishte një fqinjë që po mbante një kuti me lodra. Ajo tha: “Jemi duke pastruar shtëpinë tonë dhe u ndeshëm me këto lodra që fëmijët tanë nuk i duan më. Po vrisnim mendjen nëse fëmijët tuaj i pëlqejnë ato.” Sigurisht që po!

Një ditë tjetër ra përsëri zilja e derës. Këtë herë ishin disa anëtarë nga lagja jonë. Po qëndronin atje me një biçikletë të vogël vajzash. Ata thanë: “Nuk na nevojitet më kjo biçikletë dhe menduam për familjen tuaj. A mendoni se vajza juaj mund ta përdorë këtë?” U gëzuam pa masë!

Disa javë më parë djali ynë kishte hyrë në një garë ngjyrosjeje në një dyqan të zonës. Një ditë morëm një telefonatë me lajmin e gëzuar se ai qe fituesi i garës. Kishte fituar një video të një filmi të njohur për fëmijë. Ne u shtangëm!

Gjithë këto mrekulli të vogla – më në fund, fëmijët tanë do të kishin disa dhurata për Krishtlindje. E kishim paguar të dhjetën tonë dhe Ati Qiellor e Shpëtimtari i kishin hapur pragjet e qiellit dhe i kishin derdhur bekimet e Tyre – drejtpërsëdrejti nga oxhaku.

Solla ndërmend që fëmija Krisht u lind në rrethana shumë të përulura, po prapëseprapë të tjerët e gjetën Atë, dhe gjithashtu i ofruan dhurata të çmuara. Si atë tokësor, doja me dëshpërim që t’u jepja fëmijëve të mi gjithçka që mundesha.

Ati ynë Qiellor ndihet njësoj. Edhe pse dashuria e Tij është e përkryer, Ai dëshiron që të na japë gjithçka që Ai ka. Është një dhuratë e papërfytyrueshme.

Përfundimi

Vëllezër e motra, ne të gjithë në një kohë apo një tjetër, jemi ndier ose do të ndihemi të vetmuar, të sëmurë, të dëshpëruar, të varfër apo larg shtëpisë. Fatmirësisht, kemi një Atë të Amshuar dhe një Shpëtimtar që na kuptojnë. Ndërsa shkojmë tek Ta, Ata do të na marrin përdore dhe do të na ndihmojnë përmes çdo sfide.

Dhe vëllezër e motra, në një kohë apo një tjetër, ne të gjithë do të njohim dikë që është i vetmuar, i sëmurë, i dëshpëruar, i varfër apo larg shtëpisë. Na drejtofshin Ati ynë dhe Shpëtimtari për t’i ndihmuar të tjerët dhe do të jetë privilegji ynë ta bëjmë këtë gjë.

Si fëmijë, mendoja se Krishtlindja vinte vetëm një ditë në vit. Si i rritur, tani kuptoj se ka Krishtlindje çdo ditë. Për shkak të dashamirësisë së një Ati të dashur Qiellor dhe të një Shpëtimtari të dashur, Jezu Krishtit, ne jemi marrësit e një rrjedhe të vazhdueshme dhuratash qiellore – çdo ditë. Dhurata qiellore tepër të shumta për t’u përmendur.

Mirënjohja ime për Atin dhe Birin është kaq e pafundme dhe kaq e thellë saqë, ashtu si Amoni i lashtë: “Nuk mund të tregoj as pjesën më të vogël të asaj që ndjej” (Alma 26:16).

Po, është ditëlindja e Jezu Krishtit që ne festojmë çdo stinë Krishtlindjeje, por për shkak të mirësisë së Atit dhe të Birit, ne ende i marrim të gjitha dhuratat. Për këtë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër