Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Dhuratat e Paqes


Dhuratat e Paqes

Jam mirënjohës që marr pjesë në këtë kremtim të Krishtlindjes me ju. Qëllimi ynë është ta nderojmë Zotin Jezu Krisht. Shpresa jonë është ta rrokim shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes për veten dhe për ata që duam. Ai shpirt karakterizohet nga paqja – jo nga paqja politike, sepse Shpëtimtari u lind në një kohë frike dhe shqetësimi aq të madh saqë familjes së Tij iu desh të arratisej si refugjate në Egjipt; as nga paqja ekonomike, sepse Ai u lind në një stallë dhe u shtri në një koritë të përulur; dhe as madje nga paqja që vjen kur hapen të gjitha pakot, zbukurohen pemët dhe shtrohet tryeza, sepse ajo paqe është thjesht e çastit. Paqja e Krishtlindjes është “paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie”1. Ajo është paqja që Apostulli Pal premtoi se do t’i “ruajë zemrat t[ona] dhe mendjet t[ona] në Krishtin Jezus”2. Dhe Pali kishte të drejtë. Ajo paqe që kërkojmë, është vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe për shkak të Tij.

Disa prej nesh jetojnë në mjedise të bukura e paqësore, prapëseprapë ne po përjetojmë trazira të brendshme. Të tjerët ndiejnë paqe dhe qetësi të përsosur në mes të humbjes së madhe vetjake, tragjedisë dhe sprovave të vazhdueshme.

Të gjithëve ne që kemi ardhur në vdekshmëri, Shpëtimtari na tha: “Në botë do të keni mundime”3. Prapëseprapë, Ai ua dha dishepujve të Tij këtë premtim të mrekullueshëm gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota”4. Është një ngushëllim i madh të dimë se ky premtim për paqe vetjake vazhdon për të gjithë dishepujt e Tij të besëlidhjes sot.

Ai është një premtim i dhënë pikërisht natën e lindjes së Tij. Kur lajmëtarët qiellorë e kumtuan lindjen e Shpëtimtarit, ata shpallën: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë”5.

Në këtë periudhë të bekuar të vitit ne – më shumë se kurrë – e kërkojmë paqen nëpërmjet Dhënësit të të gjitha dhuratave. Sonte dëshiroj të tregoj vetëm pak prej mënyrave të shumta në të cilat mund ta shtojmë paqen që përjetojmë në këtë periudhë gjatë gjithë vitit të ardhshëm dhe gjatë gjithë jetës sonë.

Së pari, sikurse engjëjt që kënduan natën e lindjes së Tij, ne mund të ndiejmë paqe kur e kremtojmë Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Ne mund të “[vijmë dhe] ta adhurojm’”6.

Krishtlindja është kremtimi i një lindjeje. Të gjithë ne e kemi ndier mahnitjen e të parit të një fëmije të sapolindur. Ne ndihemi të përulur teksa e shohim mrekullinë e tipareve të vogla [të fytyrës] dhe të premtimit për të ardhmen. Ne ndiejmë dhembshuri. Ndiejmë mirënjohje. Ndiejmë paqe. Dhe në zemrat tona vjen një ndjenjë dashurie që na bën të dëshirojmë të japim e të jemi zemërbutë teksa kujtojmë se ditëlindjen e cilit kremtojmë. Pasi Krishtlindja është kremtimi i një lindjeje të pashoqe. Lindja e Jezusit ishte parashikuar nga profetët e Perëndisë për epoka me radhë. Kjo lindje ishte përmbushja e një premtimi që na u bë në botën e shpirtrave nga një Atë i dashur Qiellor. Ishte lindja e Mesias së premtuar.

Fjalët vijnë nga kujtesa dhe zbresin në zemrën time çdo periudhë Krishtlindjeje. Mund të dëgjoj në mendjen time zëra të ngazëllyer të një kori të madh tek këndojnë: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.”7

Hera e parë që mund të mbaj mend se i dëgjova këto fjalë, ishte teksa isha ulur në ballkonin e Tabernakullit të Solt-Lejkut. Një kor po këndonte muzikën e Handelit. Mbaj mend se ndjeva diçka në zemër. Isha i vogël atëherë. Tani jam më i madh dhe e di se çfarë ndjenje ishte. Ishte Fryma e Shenjtë, shoqërimi i së cilit më ishte ofruar kur isha në moshën tetëvjeçare. Shpirti ia pohoi zemrës sime se fjalët që dëgjova të këndoheshin atë natë, ishin të vërteta.

Foshnja e lindur në Bethlehem shumë kohë më parë, ishte dhe është Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri i Atit. Ata që u gjunjëzuan përpara Tij, erdhën ta adhuronin Shpëtimtarin. Ai ishte Qengji i Perëndisë, i dërguar për të këputur rripat e vdekjes me anë të sakrificës së Tij shlyese. Ai erdhi me fuqi për t’i mbajtur pikëllimet tona dhe hidhërimin tonë që Ai të mund ta dijë si të na vijë në ndihmë. Dhe Ai lindi për të shlyer për të gjitha mëkatet tona sikurse vetëm Ai mundej ta bënte:

“Që njeri vdekje t’mos shoh’;

Lindur që t’ngrej’ t’tokës bij,

Për t’i lindur përsëri.

Engjëjt ja në këng’ ngritur

Lavdi Mbretit të lindur!”8

Ndjenja që pata në ballkonin e Tabernakullit atë natë, ishte ndjenjë besimi dhe shprese. Pata besim se, për shkak se “na ka lindur një fëmijë”, unë mund të kisha shpresë në zemrën time se vdekja nuk do të ishte fundi. Unë do të ringjallesha dhe gjembi i vdekjes do të hiqej për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.

Dhe prapëseprapë ndjeva më tepër, shumë më tepër. Ndjeva shpresë se, për shkak të Tij, mund ta ndiqja dhe t’i shërbeja Atij dhe të lindja kështu në një risi të jetës shpirtërore. Për shkak të dhuratës së lindjes së Tij, zemra ime, zemra juaj dhe të gjitha zemrat njerëzore mund të ndryshohen dhe të bëhen sërish ai ajo e një fëmije të vogël – të dëlira, të pastra dhe të përshtatshme për të shkuar sërish në shtëpi te Perëndia që na dha një Shpëtimtar dhe na e siguroi rrugën e kthimit tek Ai në shtëpinë e Tij qiellore. Ndiej mirënjohje dhe paqe dhe kështu mund të ndihemi të gjithë për shkak të dhuratës së Atit dhe të Birit.

Së dyti, sikurse barinjtë që e panë fëmijën Krisht dhe e “përhapën”9 lajmin e gëzueshëm të lindjes së Tij, ne mund t’ua mësojmë paqen familjeve tona dhe të tjerëve që i duam. Ne e bëjmë këtë më së miri kur ia shpalosim shkrimet e shenjta mendjes dhe zemrës së tyre.

Kur fëmijët tanë ishin të vegjël, ne krijuam një shfaqje familjare për Krishtlindje me të gjitha fjalët e marra nga shkrimet e shenjta. Ne e bëmë shfaqjen në Vigjiljen e Krishtlindjes. Shumë prej jush e kanë bërë diçka të ngjashme.

Projektet e hershme të shfaqjes sonë lejonin një numër të kufizuar aktorësh, që luanin pjesë nga shkrimet e shenjta që të gjithë. Unë isha Jozefi, gruaja ime ishte Maria dhe një kukull ishte fëmija Krisht. Grupi i aktorëve u zgjerua me kalimin e kohës. Ne shtuam një aktor të vogël që portretizonte foshnjën Jezus, pastaj erdhën barinjtë – të veshur me rrobë dushi – për të adhuruar në koritë dhe në vijim patëm mundësi të shtonim mbretër që mbanin kuti me xhevahire për të nderuar Mbretin e sapolindur.

Pas pak vitesh, ne e hapëm shfaqjen me një fëmijë që portretizonte Samuel Lamanitin, i cili qëndronte në këmbë për të dëshmuar me fuqi profetike për lindjen e ardhshme të Mesias së premtuar. Me kohë, shtuam një turmë jobesimtarësh të armatosur me topa prej letre alumini për t’ia hedhur Samuelit teksa qëndronte para tyre. Çdo vit, teksa pjesëtarët e turmës së bëheshin më të fortë e më të saktë, na duhej t’u kujtonim me forcë se Samueli nuk mund të goditej sepse ishte shërbëtori i mbrojtur i Perëndisë – dhe sepse ne po ftonim dhe po kremtonim paqen!

Na nevojiteshin pjesë për fëmijët më të vegjël dhe kështu shtuam dele e qengja që çapiteshin pas barinjve për në koritë.

Por pastaj koha kaloi – siç kalon. Aktorët u rritën dhe tani ne jemi kthyer prapë në fillim. I kam vëzhguar ata Jozefë, Marie, barinj, dele, qengja dhe mbretër të ecin përpara për t’u mësuar vetë njerëzve të tyre të dashur rreth Shpëtimtarit dhe rreth paqes që mundëson lindja e Tij.

Ata u bekuan që mësuan në pjesët që luajtën në shfaqjen tonë, diçka rreth Shpëtimtarit dhe arsyes përse e duam Atë. Jam mirënjohës që fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre na panë ta nderonim foshnjën Jezus, i lindur për të qenë sakrifica e pafundme, dhurata e paçmueshme e paqes që Ati Qiellor ia dha të gjithë fëmijëve të Tij.

Së treti, ashtu si dijetarët, ne mund të japim dhurata dashurie dhe paqeje si dishepuj të Zotit të ringjallur.

Peshkopi Sellërs në Reksburg të Ajdahos, bëri kështu në vitet pasi u thirr si peshkop shumë kohë më parë. Ndërtesa kishtare e lagjes së tij ishte pranë rrugës kryesore që kalonte përgjatë qytezës. Në ato ditë papunësie, shumë njerëz të varfër lëviznin nga një vend në tjetrin, duke shpresuar të gjenin ndonjë mënyrë për ta mbajtur veten. Ata shpesh i kërkonin ndihmë njërit prej peshkopëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Shpesh, peshkopët të cilëve u drejtoheshin ata, i dërgonin në shtëpinë e peshkopit Sellërs.

Kishte një arsye për këtë. Familja Sellërs mirëpriste të panjohur në nevojë. Në vend që darka të ishte një vakt veç familjar, në tryezë kishte një ose dy të huaj, ose ndonjëherë më shumë. Pasi miqtë e shijonin ushqimin e shijshëm të përgatitur nga motra Sellërs, peshkopi u jepte një pallto nga teprica e furnizimit me pallto ushtarake që kishte blerë.

Pasi vishnin një pallto të ngrohtë dhe mbanin një pako me një vakt tjetër të përgatitur nga motra Sellërs, ata dilnin për ta kaluar ditën e dimrit me zemër të ngrohtë. Pamja, tingujt dhe ndjesia e asaj dite mbetej me ta gjatë rrugës. Për shkak se disa prej kohëve më të ftohta në Reksburg ishin në periudhën e Krishtlindjes dhe për shkak të traditës së familjes për bamirësi gjatë gjithë vitit, fëmijët në shtëpinë Sellërs mbartin kujtimin se kanë bërë atë që Shpëtimtari do të kishte bërë – dhe se e kanë bërë për Të.

Ju dhe familja juaj do t’i keni krijuar traditat tuaja vetjake të Krishtlindjes për t’iu përshtatur rrethanave tuaja, por ato do të kenë diçka të përbashkët. Ato do t’i tërheqin zemrat për te Shpëtimtari. Dhe do të përfshijnë vepra mirësie që do të meritojnë miratimin e Shpëtimtarit: Ai tha:

“Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë.”10

Dhe Ai do të thotë: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”11.

Engjëjt, barinjtë dhe dijetarët e kërkuan dhe e gjetën paqen nga besimi i tyre në Jezu Krisht. Kështu do të bëni dhe ju. Lindja e Shpëtimtarit është dhurata që i mundëson Atit të na japë “paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”12. Ne lëshuam britma gëzimi në botën e shpirtrave kur dëgjuam për atë premtim. Paqja dhe gëzimi na vijnë sërish kur dëgjojmë fjalë të kënduara duke shpallur se premtimi i dashur i Perëndisë u mbajt:

“Gjithçka ësht’ plot drit’, e qet’ …

Lavdit’ derdhen nga qielli lart;

Miq hyjnor’ këndojn’ Aleluja!

Krisht, Shp’timtari u lind!”13

Unë lutem që paqja do t’i vijë dhe do të qëndrojë me secilin prej nesh kur e kujtojmë, e duam dhe e adhurojmë Atin tonë Qiellor duke i mbajtur besëlidhjet tona me Të. E kujtofshim përherë shërbimin dhe mirësinë që dha Jezu Krishti gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri – dhe marrshim vendimin për të bërë të njëjtën gjë!

Unë dëshmoj se Jezusi është Krishti, Biri i dashur i Atit. Jap dëshmi se Presidenti Tomas S. Monson është profeti i gjallë i Perëndisë. Urimi i tij dhe i Presidencës së Parë, është që ju në këtë periudhë dhe përherë të keni ndjenjat e gëzimit, dashurisë dhe paqes që Shpëtimtari ua premtoi dishepujve të Tij besnikë dhe të bindur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.