Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Lajmërimet Profetike për Lindjen e Krishtit


Lajmërimet Profetike për Lindjen e Krishtit

Në kohën e Krishtlindjes, ne besimtarët kremtojmë lindjen e Jezu Krishtit, Birit të Vetëmlindur të Perëndisë, Atit të Përjetshëm. Si pjesë e këtij Takimi Shpirtëror për Krishtlindjen nga Presidenca e Parë që vendos modelin për kremtimin tonë, unë do të flas për lajmërimet profetike të lindjes së Tij.

Asnjë lajmërim nuk ishte më domethënës sesa kur engjëlli iu shfaq Maries.

“Dhe engjëlli i tha: ‘Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.

Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus.

Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij;

dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur’” (Lluka 1:30–33).

Lindja në tokë dhe jeta e vdekja e Birit të Perëndisë ishin thelbësore për planin e Atit tonë Qiellor që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Përpara se toka të krijohej, Jezu Krishti u zgjodh ta përjetonte jetën në vdekshmëri dhe të ishte Shpëtimtari i nevojshëm për ta përmbushur atë plan (shih Moisiu 4:2). Atë Adami u urdhërua të ofronte flijime si një “ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit, i cili është plot hir dhe të vërtetë. Si rrjedhim, [iu mësua atij], ti do të bësh gjithçka që bën, në emër të Birit dhe do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë” (Moisiu 5:7–8).

Në librin e Moisiut ne lexojmë gjithashtu shpjegimin e Perëndisë për këtë, “plani[n e Tij të] shpëtimit për të gjithë njerëzit, nëpërmjet gjakut të të Vetëmlindurit tim, i cili do të vijë në meridianin e kohës” (Moisiu 6:62). Perëndia, Ati, na urdhëroi të pendohemi e të pagëzohemi “në emër të Birit tim të Vetëmlindur, i cili është plot hir dhe të vërtetë, që është Jezu Krishti, emri i vetëm që do të jepet nën qiell, nëpërmjet të cilit shpëtimi do t’u vijë fëmijëve të njerëzve” (Moisiu 6:52).

Isaia, një profet i madhërishëm i Dhiatës së Vjetër, e lajmëroi lindjen e Mesias në të ardhmen. “Vet Zoti do t’ju japë një shenjë”, shpalli ai. “Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” (Isaia 7:14).

Isaia shpalli gjithashtu:

“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.

Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mënçurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë” (Isaia 9:5–6).

Lindja e Krishtit iu zbulua edhe profetëve të Librit të Mormonit. Gjashtëqind vjet para lindjes së Shpëtimtarit, Lehi dha mësim se Perëndia do të ngrinte mes judenjve “një Mesia, ose me fjalë të tjera një Shpëtimtar të botës” (1 Nefi 10:4).

Profeti Abinadi shpalli:

“A nuk u profetizoi Moisiu atyre në lidhje me ardhjen e Mesias dhe se Perëndia do ta shëlbonte popullin e tij? Po, dhe madje të gjithë profetët që kanë profetizuar, që kur bota filloi – a nuk kanë folur ata pak a shumë në lidhje me këto gjëra?

A nuk kanë thënë ata se Perëndia vetë do të vinte poshtë mes fëmijëve të njerëzve dhe do të merrte mbi vete formën e njeriut dhe do të shkonte përpara në fuqi të madhe mbi faqen e dheut?” (Mosia 13:33–34).

Profeti Nefi shkroi në anal se si një engjëll i tregoi atij një virgjëreshë në qytetin e Nazaretit, duke shpallur: “Vër re, virgjëresha që ti shikon është nëna e Birit të Perëndisë, sipas mënyrës së mishit” (1 Nefi 11:18).

“Dhe ndodhi [shkroi Nefi] që unë pashë se ajo u mor në Shpirtin; dhe pasi ajo u mor në Shpirtin për hapësirën e një kohe, engjëlli më foli, duke thënë: Shiko!

Dhe unë shikova dhe vura re virgjëreshën përsëri, duke mbajtur një fëmijë në krahët e saj.

Dhe engjëlli më tha: Shiko Qengjin e Perëndisë, po, madje Birin e Atit të Amshuar!” (1 Nefi 11:19–21; shih edhe Alma 7:9–10).

Ne të gjithë e kemi të ditur lajmërimin e parë pas lindjes së Jezusit. Ka domethënie të madhe fakti që ky lajmërim qiellor ishte për një grup që, siç na tregohet, ishin njerëzit më të përulur në rendin shoqëror të asaj kohe.

“Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

Por engjëlli u tha atyre: ‘Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.’ …

Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

‘Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!’” (Lluka 2:8–11, 13–14).

Lindja e Shpëtimtarit, brenda pak ditësh, u pasua nga lajmërimet për dy persona shumë të shenjtë – punonjës tempulli siç do t’i quanim sot:

“Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.

Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,

ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

‘Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd’” (Lluka 2:25–30).

Lajmërimi i dytë ishte për një grua të shenjtë, që ishte edhe ajo në tempull. Ana, të cilën shkrimi i shenjtë e quan “një profeteshë, … e cila ishte shumë e kaluar në moshë, …

Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje.

Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem” (Lluka 2:36–38).

Profecitë dhe lajmërimet e sapocituara tregojnë për ardhjen e parë të Shpëtimtarit. Tani ne po përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit, një kohë që pritet me padurim nga besimtarët dhe që i tremb ose që mohohet nga jobesimtarët. Ne urdhërohemi që të “qëndro[jmë] në vende të shenjta dhe mos lëviz[im], derisa dita e Zotit të vijë; sepse, vini re, ajo vjen shpejt” (DeB 87:8). Ato “vende të shenjta” përfshijnë sigurisht tempullin dhe besëlidhjet brenda tij të mbajtura me besnikëri, një shtëpi ku fëmijët çmohen dhe u jepet mësim dhe pozicionet tona të ndryshme me detyra të caktuara nga autoriteti priftëror, përfshirë misionet, tempujt dhe thirrje të tjera të përmbushura me besnikëri në degë, lagje dhe kunje.

Teksa përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë dhe teksa qëndrojmë në vende të shenjta, ne vazhdojmë ta respektojmë Krishtlindjen, jo vetëm si një periudhë “Urimesh” apo “Festash të Gëzuara”, por si një kremtim i lindjes së Birit të Perëndisë dhe si një kohë për t’i kujtuar mësimet e Tij dhe domethënien e përjetshme të Shlyerjes së Tij. Unë lutem që ne do të jemi besnikë në bërjen e këtyre gjërave.

Unë dëshmoj për të vërtetën e këtyre gjërave, në emrin e Atij, ditëlindjen e të cilit kremtojmë, madje në emrin e Jezu Krishtit, amen.